Kohë e skalitur thellë

© L.Lapi

Plot 24 vjet më parë një kontigjent shqiptarësh , me guxim të paparë ndonjëherë deri në atë kohë, hynë në ambasada të huaja në Tiranë . Ngjarja ishte shumë e bujshme, patjetër , ëndërr syçelët, sidomos për ne që e përjetuam me veten tonë aty . Shqipëria e atyre viteve ishte ashtu siç ishte, tani e dimë të gjithë. Ardhja deri te kjo histori e bujshme nuk ishte dy Korriku vetëm si datë , pasi kjo datë u përdor nga agjenturat e huaja apo  edhe nga vetë  qeveria komuniste e Ramiz Alisë e tjerë e tjerë, por zanafilla politike e saj ka qenë më herët . Dy Korriku korespondon me shpalljen e kushtetutës së Kosovës, kështu u pëshpëriste atëherë. Por tanimë mbeti kjo datë, e kjo ngjarje me këtë datë kujtohet, për fat të keq ky përkim është bëre me qëllim të keq. Unë jam katër korriksh 90-ta. Tentova në datën dy, pa përmendur tentimet e kahershme për arratisje , të kërceja brënda në  ambasadën turke. Sot më vjen për të qeshur kur e kujtoj. Aty afër ambasadës turke banonte një shok i ngushtë, me të cilin unë takohesha shpesh para pallatit të tij . Ej R.. , shih i thash, të kërcejë tani për 7 seconda brënda në ambasadën turke ,  aq ishte 50 m distancë . Ç’farë bën , të iku mëndja , nuk e shikon se po vjen era superfuqi ? Ç`të duhet turkja ty mer lal , prit se kena atë  gjermonen ne . U mendova pak, ja ç´do të thotë të lindësh e rritesh në Tiranë,- i thashë atij me shaka. Fakt është se te ambasada turke ishin futur me bujë të madhe katër a pesë vetë ,të cilët ishin pajisur me pashaporta udhëtimi dhe trajtoheshin te “Arbana” krejt normal, më duket.  Ky grup ishte sinjali më i fortë se ai i shpërthimit në dy korrik te ambasada gjermane . Te ballkonet e resorant “Dajtit “,apo te  ,,Arbana“,nuk e di saktë , ata përshëndesnin njerëzit poshte xhiros në bulevard  ,jepnin shenjën ,ç`do gjë në rregull , pra nuk kishin pësuar gjë . Shumë mirë , por mos të harrojme që frika ishte e madhe, situatë e tensionuar, shpërthim  bombe te ambasada kubaneze…etj. Në datën 3 korrik iu kushtova hedhjes , plazhonit   në ambasadën  gjermane . Nuk u bë gjë , shtetrrethim i paparë . Njerëzit parandienin shumë, aq sa në stacione autobusi kudo nëpër rrugë ata flisnin hapur për ngjarjen e ambasadave e sidomos për atë gjermane. Ngjanin sikur thoshin, diku me zë , s’ka gjë  vijmë nesër prapë .    Zanafilla, e dine të gjithë tashmë , është më herët. Historia e vëllezërve Popa në ambasaden italiane ishte ashiqare. Aty te kjo portë ambasade bënin shërbim gati gjithe policia sekrete e shtetit në atë kohë. Rruga afër kësaj ambasade, rruga e Elbasanit , frekuentohej nga studentë të panumërt. Qyteti i studentëve kishte kohë që ashtu si me shaka , aty afër mbrëmjes , përfundonte te bërtitjet me të madhe  .. duam ujë , duam drita .. deri te fjala,  duam liri ! Oshëtimat shkonin me jehonë deri në zonën e bllokut. Qeveria trembej nga kjo zhurmë e fortë, dërgonte specialistat e vet  të na qetësonin, duke na thyer dhëmbët. Qyteti Studenti ishte fortesa liberale, aty ndiheshim të lirë dhe të mbrojtur bashkë.  Populli i Tiranes mban peshën kryesore të kësaj proteste të madhe. Ata ishin më të sqaruar se kushdo tjetër, që komunizmi do rrëzohej shpejt . Pastaj gjithë Shqipëria nuk do ta kursente më atë sistem. Detajet e kësaj historie të rrallë nuk kane të mbaruar. Eshte periudhe mjaft e ndezur , shih videon .. informacion i saktë.

Momenti i futjes në Ambasadën Gjermane 

“Si t´ja mësyjnë në Ambasada,,

Ështe data katër korrik mëngjes ,ora 8:15, rrugicë pas rrugice vjedhurazi dola te kangjellat e ambasadës gjermane. Ngjitem telave të gardhit , nga ana brenda të tjerë ndihmuan të zbrisja në anën tjetër. Kujdes, ngadalë se mos vritesh vlla, ashtu . Na i bëftë zoti mbare- ishin fjalët që u shkëmbyen aty. Ambasada Gjermane kishte në ambjentet e saja diku 3200 vetë. Koha një javë, 8 ditë,  aty brenda ishte ëndërr dhe pikëpyetje, përvec  kushteve të rënda që nuk i llogarisnim fare . . Kushtet u rënduan, vapa u bë e tmerrshme. Ujin e kishim në fillim poshtë te kollonat e ndërtesës së ambasadës . Aty u freskonim, shuanim etjen , ashtu me radhë, në fillim fëmijët , të moshuarit, femrat , e pastaj të tjerët . Në zhul dhe në erë të rënduar kërciste humori. Punonjësit e ambasadës, që ishin tipa me fizik të stërvitur e përgatitur mbanin rregullin , radhën tonë. Dy vajza , pasi u freskuan, lëpiheshin pak me gjermanët sportista. He do ikim ne,- pyesnin ashtu shqip. Ata miratonin me  kokë ja , ja . Por këto nuk shkuleshin, bllokuan rradhën e të tjerëve që prisnin të shuanin etjen. Po dilni tani se do futemi ne të tjerët , se na këputi etja ! Ato vazhdonin avazin, sa nuk u durua dhe prej gojës së dikujt rrëshkiti një sharje – a ju bëftë gjermani … Ato u shkrinë se qeshuri dhe thanë amin ishallahhhh ! O zot ,u shkrimë edhe ne , na iku etja për ujin . Më vonë ujin e nxorën me rubineta në ambjentet jashtë në kopësht të ambasadës. Unë kam ndejtur jashtë, aty ndiznim zjarr dhe bisedonim tërë natën .Në mëngjes shtriheshim pak sa për të thyer pagjumësinë.  Brenda në ambasadë përjetohej nje liri e heshtur . Kurrë nuk kisha parë më  parë, që kaq shumë njerëz bashkë , mes atyre kushteve te renda higjenike,  të jetonin në një harmoni idilike absolute me njëri-tjetrin. Nuk ndodhi kurrë nje sherr , një fyerje  por u bëmë si një familje e vetme . Ashtu të pasigurt se  ç´mund të ndodhte me ne, dinim që nuk do të  shkonim vetëm në atë botë vdekje , në rastë se fati do ishte ndyshe. Ky ishte ngushëllimi ynë i përbashkët. Me ketë ndjesi mbaheshim të pamposhtur në ndërgjegjen tonë .U përdoren mënyra të pështira t´na gënjenin e të dilnim prej ambasadave, por ishte e kotë.

“Po, ju do të ikni nga Shqipëria, mos harroni se po lini një vend të bukur mbrapa ,,

Brohorima pas fjales se Demistures

Erdhi momenti kur i dërguari i Pérez de Cuéllar-it, Demistura, na dha personalisht dritën jeshile . “Po, ju do të ikni nga Shqipëria, mos harroni se po lini një vend të bukur mbrapa ,, Kaq donim ,shpërthyem në brohoritje , gëzim dhe përlotje. Ështe mbrëmja e fundit në tokën e ambasadës, data 12 korrik 1990, lexohen emrat në grupe, për të hipur në autobusat saviemë, me të cilët do të udhëtonim deri në Durres. Unë gjëndem  në  autobusin e nëntë.  Dalim te rruga e Kavajes për të lënë Tiranën deri në Durrës .Tirana ishte zgjuar, Durrësi po ashtu, e kam si para syve, ato kishin  shumë drite atë natë. Banorët e tyre ndejtën  zgjuar deri sa na përcollën , dasëm e heshtur .

Ushtarët me lopata xhenjo gardhonin rrugën. Nuk ngjanin te armatosur rëndë. O zot i  thoshim njëri-tjetrit, të provokohen pak këta na bën nënën. Si dihej  , aty tutje në errësirë ishte vija tjetër e armatosur prej vërteti.

O udhëtar, të lutem çoja këtë pusullë nënës s’ime.

“Tirana nuk fjeti atë natë. Ishin 5000 vetë nga një kryeqytet i vogël. Ishte njëlloj sikur Parisit t’i iknin 120.000 të rinj, ose Moskës 200.000. Ç’nuk u fol e ç’nuk u pëshpërit ndërsa mbrëmja mbulonte kryeqytetin. Dihej se do të iknin me tren, për të hipur në vaporë në Durrës, por askush s’e dinte orën. Ata kaluan rreth orës një të natës, të errët e të heshtur si arkivole. Dëgjohej vetëm gulçima e motorëve. Kur trenat u nisën drejt Durrësit, pati disa thirrje e brohoritje, por para hyrjes në vaporë plasi vaji. Nëpër terr puthnin tokën, pastaj shtyheshin në atë drejtim ku vendi i tyre mbaronte dhe fillonte uji. Të nesërmen pa gdhirë mirë, nëpër rrugët nga kishin kaluar autobuzët, kalimtarët gjenin copëra letrash me një adresë ose një numër telefoni sipër, zarfe që kishin brenda fotografi, para (lekë) ose ndonjë kujtim. Shumica e tyre, përbri adresës ose telefonit, kishin ndonjë frazë për kalimtarin që do t’i gjente. O udhëtar, të lutem çoja këtë pusullë nënës s’ime.Ndonëse ishin shkruar me duar fare të ndryshme, ato kishin pothuajse pa përjashtim një stil, atë të mbishkrimeve mbi varre. Ajo që ndodhi të nesërmen ishte më e keqe se një dhunim varreze, më shpirtkazmë se një masakër. Ishte një miting. Një miting i organizuar nga Partia. Për t’u gëzuar për ikjen e 5000 të rinjve shqiptarë. Për të brohoritur atë vdekje. Për t’i treguar kombit shqiptar se Partia ishte më e fortë se kombi, se ajo , jo vetëm shkelte mbi lidhjet e gjakut, por e detyronte kombin të duartrokiste atë shkelje”- I.Kadare

Udhëtimi me autobus  deri në Durrës eci qetë . Oficerë policie shoqëronin vargun tonë.  Ata për çudi na uronin , ja u bëftë zoti mbarë. silluni mirë , bëtë ç´bëtë këtu mos na nxirni bojën, na nderoni andej nga të shkoni, – thanë në një vënd që qëndruam për të urinuar. Arritëm te porti në Durrës  rreth orës një të natës, përafërsisht . Hipëm në tragetin që na priste aty . E pabesueshme, ndiheshim sikur po fluturonim . Gjëja e parë që na priti në traget ishte kantina me të ngrënë që ishte bërë gati për ne . Të paparë ashtu mernim pjata të mbushura me mish e gjellëra shumëllojshe . Hëngrëm mirë,  pastaj filloi humori i të paparëve . Po ti a provove k`të , e di sa e mirë është, provoje provoje ! Uaaaa cigare ku i gjete ? Uaaaaaaaa ! Duke u gdhire afër brigjeve te Brindisit , pamë që helikopterë  dhe anije ushtarake shoqëronin tragetin tonë . Zbritëm në Brindisi më në fund . Priftërinje të shumtë , misionarë , popull italiane, na pritën me tezga me ushqime, rroba etjerë. Prifti fliste shqip “doni të rrini këtu apo të shkoni në Gjermani”. Aty në Brindisi dy trena me njerëz të kryqit të kuq prisnin të sistemoheshim e të udhëtonim për në Gjermani.U futëm në tren dhe u desh pak të prisnim. Në stacion, italianë të rastit dëgjonin për vuajtjet tona .Ne nga dritaret e trenit tregonim ngjarjen e ambasadave , ata përloteshin lehtë . Ne ndrinim nga ajo që nuk po besonim . Kaq e thjeshtë na u dukte puna, nëe vrap pele dhe dola në Itali , ehh zot i madh . Udhëtuam dy net e dy ditë përafersisht , kështu arritem në Geseke të Nordrhein-Westfalen-it. Aty na u desh të laheshim të pastroheshim , të visheshim me të tjera rroba. Pas një jave, me lista, u shpërndamë në qytete të ndryshme . U pajisëm me nga një çek markash , dhe me autobus udhëtuam drejt Mülheim-it të sotëm . Në Autobus ishim 28 çuna , mosha mesatare 22 vjec. Nga xhamat e autobusit shihnim me kujdes rrugët e asfaltuara pastërtinë dhe gjelbërimin e vendit . Një merak na zuri gjatë rrugës për në Mylheim  , se nuk po shikonim qytete me pallate shumëkatëshe, por vetëm vila deri 3 – 4 kate . Dikur i thamë një shokut tonë përkthyes që ishte ulur pranë  shoferit. O Roni pyete atë shofer ku po na con , se s`po shohim qytet ne këtu . Mos na çon me ndonjë fshat ai legen ? Jo-tha Roni i shkret , qyteti ku ne shkojmë është 200 mije banorë. Aty u qetësuam dhe plasi përsëri gazi.

Destinacioni i fundit Mülheim an der Ruhr

 

Të paparët erdhën në qytetin e Mülheim an der Ruhr-it. U futëm në supermarketin e parë. Banak nuk kishte , mallrat vezullonin . Provova dy kokrra rrush, pak më tej rafte me cokollata të ndryshme. Njerëzit na shikonin me vëmendje të madhe . Ne na dukej vetja zot , e dinë për ne thoshim ! Jo, ata nuk dinin asgjë për ne. Ata dallonin te ne se ishim të papamë, me kuptimin e plote të fjalës , të pa dalë ,shkriem edhe sot kur e kujtoj ..Ç´do fillim është i vogël dhe qesharak . Gafat që bënim ishin 24 orë, po ashtu edhe aventurave nuk ju schmangm dot .  Ndiheshim të lire dhe fluturonim nga ajo që nuk e besonim. Deri sa ne hymë në kanalet e integrimit të jetës gjermane , na u desh pak kohë e gjatë , por me bindje se ja arritëm. Ka rraca të tjera këtu që nuk e marin dot veten kollaj. Shqiptarët janë popull europian, kjo nuk duhet të na përndezi shumë, por të ndihemi inferior kurrsesi.  Nuk them që ne u bëme të gjithë shkencëtarë, por  ja dolëm pak a shumë. Kushtet kanë qenë të mrekullueshme. U pajisëm me rrogë pune prej shtetit gjerman, pa punuar asnjë ditë. Na u afruan kurse gjuhe, morëm ndihma sociale, na u sponzorizuan kurse të ndryshme për mësim gjuhe dhe  profesioni , bursë studimi e tjerë.. Sot pas 24 vitesh demokraci Shqipëria është kandidate për në Evropën e Bashkuar. Një gjë ka mbetur vërtet e sinqertë, dashuria për vendin që braktisëm, Shqipërinë. Në fillim u mallkuam tani quhemi diasporë, pjesa organike më e rëndësishme e kombit mëmë. (Kujtime personale ®L.Lapi)

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Më të rejat
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: