PIRAMIDA ►Prej Qelqi

PIRAMIDA
XVI
EPILOGU. PREJ QELQI
Prove

Pas varrimit të Timurit, askush s’u kujtua të merrej me meremetimin e kafkanave të tij. Ishin më shumë se nëntëqind, të ndërtuara me rreth një milion koka, që u rrafshuan krejt brenda disa vjetëve. Nga tretja e pjesëve të buta të kokave, plasaritej në krye llaçi, pastaj ndryshkeshin e këputeshin telat lidhës dhe kaq mjaftonte qé kafkana e gjithë të trandej. Erärat e dimrit, po më shumë bishat, i shkulnin njëra pas tjetrës shkallanat, gjersa prej tyre s’mbetej asgjë. Por, të zhdukura, në kujtesën e njerëzve ato bëheshin me të larta e më té lemerishme. Atëherë u kuptua sa shumë kishte humbur piramida nënë, ajo e Keopsit, nga moszhbërja e saj.

Ajo vetë, nën diellin zhuritës e duronte sendërgjimin, por pjellat i bënte të padukshme. Ato shfaqeshin në të tjera vende e kohëra, forma qeverisjeje e ngrehina hierarkike, të cilat ishte vështirë të besohej se e kishin zanafillën në shkretëtirën e Saharasë. Ishin përherë të mbrojtura nga mosdukja dhe vetëm në dy raste, njëlloj si atij që e heq ose, rastësisht, i bie maska tmerruese, ato gabuan të shfaqen. Pas pirgjeve të kokave tä Timurit të Çale, shfaqja e dytë ndodhi gjashtëqind vjet më pas, në dheun e vjetër të ilirëve, ku banonin tani pasardhësit e tyre, me emrin shqiptarë. Si në një koitus kozmik, ashtu siç përfytyroheshin prej të vjetërve koituset, prej të cilëve, nga derdhja e shkujdesur e spermës ose e vezëve lindnin mizori qeniesh a trupa qiellorë, piramida plakë lëshoi jo mijëra, por qindra-mijëra pjella të saj. Ato quheshin bunkerë dhe secili, sado i vockël të ishte në krahasim me nënën, e bartte tërë tmerrin dhe marrëzinë e saj. Telat e hekurt ishin, gjithashtu, brenda betonit, ashtu siç qenë projektuar dikur prej Kara Hulegusë, dhe fjala „unitet“, e shkruar shpesh në shpinë të tyre, dëshmonte se bunkerët, veç piramidës nënë, jepnin e merrnin edhe me pirgjet e kokave dhe se ëndrra e vjetër që krejt trutë e njerëzve t’i lidhte një ide e vetme, s‘ mund të njëmendësohej veçse duke i shpuar kafkat me hekur.

Vegimet piramidale shfaqeshin në form ciklike, pa u marrë vesh kurrë në ç’kohë lindnin vërtet, përderisa askush s’mund ta dinte kurrë nëse ajo që vinte ishte vërtet e ardhme apo s’qe veç e shkuar që ecte mbrapsht si gaforrja. Më tepër besohej që edhe njëra, edhe tjetra s’ishin ato që mendoheshin, ngaqë të dyja mund të ndërronin kahjet, njëlloj si trenat e metrosë në një stacion fundor. Një mëngjes, një turist flokëverdhë, që po e fotografonte, pati një dëshirë të papërmbajtur që ajo të ishte e tejdukshme, në mënyrë që pas brinjëve prej qelqi, të shiheshin brendësitë e saj, mumiet dhe sarkofagët dhe misteri i padeshifrueshëm. Dita po thyhej, sa vente bëhej e avullt dhe çdo rast që kalonte, ai kishte në shpirt drithërimën që ka njeriu gjatë seancës së spiritizmit, kur pret të fotografojë një shpirt.

Turisti e lau filmin po atë mbrëmje dhe piramida ngjante vërtet si qelqnajë, veç në njërin kënd të saj, aty rreth shkallanës së nëntë të brinjës verilindore, kishte një si shqyerje. Ai e nxori filmin nga tretësira, e zhyti rishtas… një mijë vjet thellë, dy mijë, katër mijë vjet dhe, kur e rinxori, shqyerja ishte prapë aty dhe ajo nuk ishte cen i filmit, siç kishte besuar në fillim, por një njollë gjaku, të cilën asnjë  ujë e asnjë lëng nuk mund ta lanin kurrë.

Tiranë- Paris,  1988-1992

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..