Pse sulmohet Ismail Kadare?

kadare . bosket.pngNga Spartak Ngjela

Sot në Shqipëri po sulmohet gjithçka perëndimore në historinë tonë: po flitet kundër Gjergj Kastriotit si Hero Kombëtar, kundër Rilindjes Kombëtare, kundër Vaso Pashës, kundër Fan Nolit, kundër Ismail Qemalit dhe tani së fundi, edhe kundër Ismail Kadaresë, një përfaqësues adamantik i kulturës dhe qytetërimit perëndimor në Shqipëri.

Këta njerëz janë të nxitur nga paaftësia, sepse u mungon forca kreative dhe për këtë nuk ua ka fajin Ismail Kadare, as Fan Noli, as Vaso Pasha dhe as Naim Frashëri.

Të botuar në shtyp pamë një letër që një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës në rrafsh botëror i kishte shkruar tiranit më mizor të kohës, po në rrafsh botëror. Sipas asaj kohe ai duhej të shkonte minimumi në burg, sepse tirani, për një shkrimtar të atij niveli, parapëlqente litarin. Pra Kadareja duhej të kishte “shkuar vetë në litar” që tani t’i këndohej një këngë dhe kaq.

Shkrimtari më i madh i kohës i shkroi një letër tiranit më mizor të kohës për të shpëtuar motrën e tij, si edhe t’i hiqte dyshimin e patologjisë për vetë shkrimtarin. Kjo na e errësuaka veprën e tij?! Pse a nuk e keni parë se Ismail Kadareja ka qenë një shkrimtar që ka shpëtuar veprën e tij për të mirën e tij e të vendit, me një betejë tragjike midis tij dhe burgut apo një ndëshkimi më të rëndë që i rrinte si shpata e Damokleut mbi krye?!

Njerëzit nuk e dinë se Enveri ka pasur frikë nga Ismail Kadareja, prandaj ia mbante këtë shpatë. Ai kurrë nuk ia fali vetes dhe Sigurimit që e lejoi Kadarenë të botonte “Gjeneralin” në Francë. Ismail Kadarenë nuk e shpëtoi as letra e tij dhe as ato që ka shkruar, i detyruar për tempin zyrtar të një kohe tiranike, por e shpëtoi fama e tij në Francë dhe në Perëndim. Për spiunët që e ndiqnin këtu, Kadareja do të ishte ekzekutuar me kohë. Ndërsa për vdekjen e tiranit në vitin 1985, shkrimtari më i madh i letrave shqipe nuk shkroi asnjë rresht.

Nuk mund të shkohet në Perëndim pa vlera kombëtare perëndimore. Atë vlerë perëndimore që kemi ende gjallë nuk duhet t’ia japim Enver Hoxhës apo Stambollit që do të ishte e njëjta gjë.

Jam i sigurt kur them se këtë e kërkojnë të gjithë ata që në dy shekuj kanë dashur të zhbëjnë me asimilim dhe me gjenocid popullin shqiptar, që na kanë thënë turq të ardhur, por që nuk na zhdukën dot gjuhën.

Ismail Kadareja ka hyrë në histori si lëvrues i madh i gjuhës moderne shqipe dhe sigurisht që do të vijojë të luftohet për këtë. Por ata që do e bëjnë këtë luftë, siç ka thënë Shekspiri, duhet që domosdoshmërisht të jenë në një nivel me të. Patjetër që ky është kusht, sepse shqip di të shkruajë edhe një gjimnazist, sigurisht.

Këto rreshta nuk i shkrova që të mbroj një figurë historike, e cila ka që në vitin 1970 që është figurë qendrore në analet e kulturës, letërsisë, sociologjisë dhe politikës së lartë perëndimore, që nga Parisi e deri në Nju Jork e që nga Nju Jorku në Londër e Berlin, por i shkrova për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, se dinjiteti kombëtar është një nevojë panshqiptare sot, dhe natyrisht

që është edhe nevoja ime. Xhelozia duhet duruar. Suksesi perëndimor nuk është një gjë e lehtë. Gjithsesi, ata që e aspirojnë dhe nuk e arrijnë dot siç e ka arritur Ismail Kadareja, le të vijojnë rrugën e mundimshme të dijes dhe shpërthimit të talentit, se ka ende shumë vend në detin e madh të qytetërimit perëndimor dhe, Ismail Kadareja nuk ua ka mbyllur derën shqiptarëve drejt vlerave perëndimore, përkundrazi.

* * *

Letërsia shqiptare me komunizmin pati një fatkeqësi të madhe, pasi ideologjia e tyre i goditi të gjithë shkrimtarët e mëdhenj në vitet ’30: disa ikën, disa u vranë, disa u nënshtruan, por gjithsesi një boshllëk perëndimor në Shqipëri kishte mbetur.

Befas spikat Kadareja, që në gjithë historinë e tij ka pasur një qëndresë të plotë antiorientale; ai është antiorientalisti modern i Shqipërisë. Oksidental ishte edhe Fishta, por ai i qëndroi traditës, duke e mbajtur epizmin shqiptar në nivele të larta dhe nuk krijoi disidencë, pasi reaksioni oriental në vend ishte shumë i madh dhe nuk ishte natyra e tij të krijonte disidencë. Agolli i qëndroi traditës, ndërsa Kadareja ndoqi rrugë tjetër, nuk i qëndroi asaj. Kadareja mendoi të krijonte modernitetin perëndimor në Shqipëri, të cilin mendoj se e krijoi. Shkrimtari nuk ka lidhje fare me ideologjinë që përkrahte komunizmi. Edhe romani “Dimri i vetmisë së madhe”, i debatuar kaq shumë si një epope për Enver Hoxhën, po të ishte i tillë nuk kishte pse goditej nga regjimi.

Historia e atij libri është sa e çuditshme, aq edhe interesante. Në kohën që Kadareja po e shkruante atë libër ishin dhënë shenja se regjimi po liberalizohej. Libri u shkrua para vitit ’73, por u ribotua në atë vit, ndërsa unë e kam lexuar në dorëshkrim të shtypur në makinë, të pabotuar dhe kuptova se kishte tendencë liberale për të liberalizuar regjimin.

Kur e pyetën Floberin se kush është Ema, shkrimtari u përgjigj: “Jam unë”. Personazhi kryesor te “Dimri i vetmisë së madhe” nuk është Enver Hoxha, ai është Ismail Kadareja. Ky libër ka vlera letrare, ka vlera artistike dhe një liber nëse ka vlerë artistike, është kundër regjimit.

Por ekziston një konflikt mes sovranit të shtetit dhe sovranit të letrave. Sovrani i letrave ishte Kadareja, i cili kishte triumfuar me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në Francë e kudo. Ishte vlerë që nuk kishte lidhje me regjimin. Ismail Kadareja nuk pretendon se është disident dhe nuk është shkrimtar që krijon disidencë, por shkrimtar që krijon frymë letrare dhe arriti ta krijonte këtë frymë letrare perëndimore. Nëntëdhjetë për qind e themeluesve të PD-së ishin me frymën e Kadaresë. Pra të gjithë frymën perëndimore në Shqipëri, në funksion të letrave, e futi Ismail Kadareja. Figura e Enverit ishte figura e tiranit, nuk dilje dot, nuk e sakrifikoje veten, por disidenca ekzistonte. Në analet e Sigurimit a e dini se sa e kanë ndjekur Kadarenë? E kanë ndjekur sepse ishte potencë letrare perëndimore.

Kadareja është një vlerë letrare që barazon luftën tonë për të krijuar profilin perëndimor. Ai luftohet nga njerëz të paguar mbase, nuk e di, ose nga njerëz me mllefe të nivelit të ulët të intelektit, por kjo është një çështje tjetër. Kadareja ekziston pavarësisht nga këta; ai boton dhe është figurë e madhe letrare, është anëtar i Akademisë Franceze duke zëvendësuar Karl Popper-in dhe nuk u bë prej regjimit të Tiranës.

Ne si shoqëri jemi larg qytetërimit perëndimor në funksion të letërsisë. Letrarët nuk kanë personalitet, nuk mendojnë se statura e një shkrimtari të madh që jeton në vendin tonë të jetë vlerë, nuk e konceptojnë dot, sepse nuk i pranojnë vlerat.

* * *

Një miksturë figurash janë kundër Kadaresë dhe kryesorët janë ata që nuk e pranojnë Shqipërinë, prestigjin kombëtar shqiptar. Kur dola nga Burgu i Burrelit takova rastësisht në rrugë Kadarenë, i cili kishte ardhur nga Franca, dhe mbaj mend që i thashë: “Ke dy rryma që i ke kundër dhe të luftojnë: sovjetikët anti Kadare dhe regjimi komunist 101 dokumente nga aparati diktatorial shtetëror 1959-1991 dhe turqit”. Një makrobotë studiohet shumë mirë prej një mikrobote. Unë isha në një mikrobotë dhe atje ishte e gjithë Shqipëria. Mendoj se Kadareja këta i pati kundërshtarë, por më të paskrupujt ishin kundërshtarët e “frontit sovjetik”. Ndërsa kundërshtinë që shkruajnë nëpër gazeta nuk e marr parasysh fare. Kadareja është goditur politikisht dhe thuajse askush nuk është marrë me të si shkrimtar dhe me veprën e tij letrare.

Ai është një personalitet i padiskutueshëm botëror, fitues i shumë çmimeve, konkurrent prej më shumë se 15 vitesh për çmimin “Nobel” dhe ka botuar miliona libra. Ai jeton në luks me honorarët e librave që shet në Perëndim, jo që ia shet regjimi apo ia blejnë miqtë, dhe mbi të gjitha është anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave.

Për Kadarenë thonë se ka shkruar vepra për regjimin, por unë nuk kam pare vepër më antiregjim në treg sesa “Pallati i ëndrrave”. Nëse ata që e sulmojnë Kadarenë nuk arrijnë të kuptojnë se “Pallati i ëndrrave” është Komiteti Qendror, nuk është faji i shkrimtarit. Ata e akuzojnë për personazhet, por një romancier i madh botëror s’mund të mbajë përgjegjësi për personazhet e tij.

Për romanin “Dimri i vetmisë së madhe” thonë se ka folur për Enver Hoxhën, por çështja qëndron se ishte Enver Hoxha budalla që e lejoi ta bënte personazh. E ka personazh në trill. Është roman, jo monografi e Enver Hoxhës. Ai nuk vajti t’i bënte kriticizmin, por goditi të gjithë Sigurimin e Shtetit; nuk e kuptoj se ç’e keqe e gjeti historinë e kulturës shqipe se nuk u vra Kadareja. Diktatori mund ta kishte vrarë.

Në momentet kur donin ta shpallnin disident dhe Enveri donte ta arrestonte, ai hyri në mbledhjen e Byrosë Politike dhe tha: “Nuk do ta prekim! Nuk i jap Perëndimit asnjë disident!”. Miqtë e tij, shkrimtarë të mëdhenj të Francës, si Alain Bosquet dhe shumë të tjerë, prisnin me tension dhe në momentin që do ta arrestonin do ta shpallnin disident. Sigurimi e njoftoi Enver Hoxhën dhe ai e çoi në prodhim, duke mos i dhënë Perëndimit asnjë disident. Ai u tregua politikan i nivelit të lartë. Kjo goditje ishte për “Pallatin e ëndrrave”, sepse të gjithë e dinin që pallati ishte Komiteti Qendror. Kadareja është shkrimtar, jo politikan. Nuk është as psikolog apo psikiatër që të analizonte një skizofren. Njeriu shkon gjithmonë nga e mira dhe Kadareja nuk do të hiqte dorë nga letërsia. Letërsia i ka mbetur.

Ein Kommentar

  1. Keni bere nje shkrim te mbrekullueshem.Ne vijim te atyre qe thoni ju,do shtoja.Kadarene e kritikojne ,e shajne edhe shume njerz te turmes,qe s kane lexuar nje liber ne jeten e tyre,nje rresht nuk kane lexuar nga Kadarea.Kjo ndodh sepse keshtu u thote komunizmi,sepse ai e urren Kadarene

    Gefällt 1 Person

Schreibe einen Kommentar

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..