Në vitin 1916, syri përgjues, thjerrëza magjike, ishte në formën e një raporti të fshehtë të zbulimit britanik, që do të mbërrijë deri në ditët tona. Ashtu siç merret një model, një sasi lënde ( ta zëmë, një grusht minerali apo farash drithi, për të parë cilësinë e saj), rreth 450 personazhe, për tu vënë nën syrin e analizës, të mikroskopit, për të zbërthyer se ç’ishte kjo gjindje njerëzore, ç’përbërje kishte e ç’mund të prisje prej saj.*
*Raporti i i fshehtë (anglez) ashtu edhe emërtohet
„Shqipëria- Personazhet, fiset dhe populli“.
Pjesë të tij janë botuar nga P. Misha më 2009 në librin e tij „Arratisje nga burgjet e historisë“. Nga rreth 450 emrat e listës britanike, autori ka përzgjedhur rreth 70. Rreth një dyzinë prej tyre po i japim këtu. Abdyl Upi. Njeriu më inteligjent i Shqipërisë, krah i djathtë i Esat Toptanit dhe turkofil i zjarrtë. Ka ushqyer simpati për grekët e serbët, por tani është bërë sërish partizan i turqve. Ish-gurvenator i Korçës dhe i Kolonjës, sot gjendet në Stamboll. Trim i madh. Urren gratë. Halil Vasil Borshi: nga Himara-Kurveleshi. Shpikës i një makine me lëvizje te përhershme (perpetuum mobile). Me njëfarë ndikimi në zonë. Jella beu apo Ago Jella. S’duhet marrë seriozisht, ndonëse mund të japë njoftime me vlerë. Nipi i një gjenerali, flet anglisht, ka studiuar në Oksford, banon në Shkodër. Gruaja e Esad Toptanit. Bashkëshorte e dytë, ka shumë ndikim tek i shoqi. Tepër turkofile, e zgjuar. E shpall hapur dëshirën më të madhe të saj: shtrirjen e „Turqisë gjer në Danub dhe kurorëzimin e Esatit si mbret i Shqipërisë së madhe. Është nën ndikimin e agjentëve austriakë. Agjentja me të cilën komunikon është një grua e shkathët, brune, e veshur gjithnjë me të zeza, e thërrasin baronesha B.Hajrullahu, myftiu i Përmetit, nacionalist grek. Ahmet Zogolli. Ka lindur në Mat. Ka mjaft ndikim në këtë zonë, që përfshin 70 katunde. Ka qenë mbështetës i Esadit, por më pas, pas një grindjeje me bullgarët, kaloi, së bashku me pasuesit e tij në anën e austriakëve. Ndonëse i ri në moshë, ka autoritet të plotë te ndjekësit e tij të egër. Kristo Floqi, nga Elbasani. Avokat dhe poet. Autor këngësh kombëtare. Kryetar i gjykatës së Vlorës, në kohën e qeverisë së parë shqiptare. Prokuror publik në janar 1914. Njeri me kurajë dhe integritet. Nacionalist i pastër. Dëbuar nga Vlora prej italianëve në tetor 1914, sot jeton në Shkodër në mjerimin më të madh. Mahmut Jella Pasha. Gjeneral nga Shkodra. Familja e Jellave ka armiqësi të trashëguar me Toptanasit. Motivi që e shtyn sot të veprojë është thjesht mllefi vetjak ndaj Esad Toptanit. At Fan Noli, prift, predikon pavarësinë e kishës ortodokse shqiptare. Sot jeton në Amerikë. Orator i mirë, por me pak ndikim te bashkëkombësit e vet. Mehmet Shpendi, prijës i Shalës. Katolik, pavarësisht nga emri mysliman. Personazh i çuditshëm, i shkathët, por i egër. Mban gjithnjë zhile dhe zinxhir argjendi. Atdhetar, por mendjengushtë, për të cilin Shala është qendra e botës. Qitës dhe udhërrëfyes i zoti, por pa asnjë ide për artin e luftës. Në korrik 1911 futet mes dy postave pararojë turke dhe, duke shtënë nga të dyja anët, bën që turqit të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Pardo, hebre italian nga Shkodra, që, për të arritur qëllimet, në tetor 1911 kthehet në mysliman. Boton të vetmen gazetë të Shkodrës, më pari quhej „Dielli“ kurse tani „Hënë“. Primo Doçi, abat i Mirditës. Thotë se rrjedh nga një familje me origjinë hungareze. Udhëheqës shpirtëror i Mirditës. Mban lidhje të drejtpërdrejta me Vatikanin. Armik i arqipeshkvit të Shkodrës. Jeton në Shkodër ku ka dhe një rezidencë dimërore. Njeri inteligjent dhe i kultivuar. Flet anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Faik Konica. Vëllai i Mehmet bej Konicës, por i ndryshëm prej tij. Drejtues i kolonisë shqiptare në Amerikë, me ndikim të madh. Gjatë pushtimit të Shkodrës i luajti një sërë rrengjesh admiralit Burney, për të cilin ka qejf të rrëfejë pa ndonjë turp. Ka mundësi të ketë simpati për austriakët. Flet shkëlqyeshëm anglisht, frëngjisht, greqisht, por jo turqisht. Aktualisht (shkurt 1916) gjendet në Korçë me komitët bullgarë. Baba Turtulli, nga Korça. Murg në Malin Athos, ku ka bërë studime për zanafillën e gjuhës shqipe. Armik i vendosur i grekëve. Flet frëngjisht. ( Kadare,„MOSMARRVESHJA“)