DITË KAFENESH

Zanafilla e “Ditë kafenesh”
NJË SHPJEGIM I VËSHTIRË

Nga I.Kadare

Shpeshherë qëllon që sqarimet të cilat u kërkohen shkrimtarëve për historikun e zanafillës të kësaj apo asaj vepre, për arsye, që është vështirë të shpjegohen, nuk janë aspak të sakta. Autorët parapëlejnë njëfarë thjeshtimi të gjërave, jo se nuk duan të tregojnë të vërtetën, por ngaqë tregimi i saj nuk është aspak aq i thjeshtë sa ç’mund të duket.
Sa herë që ka rënë fjala për fillesën e tregimit “Ditë kafenesh”, sidomos pas përkthimit dhe botimit të tij si libër më vete në Amerikë, ka ndodhur pikërisht ky shpjegim i thjeshtuar, madje aq fort, saqë mund të quhet pa frikë njëfarë dhunimi i së vërtetës.
Shpjegimi i dhënë prej meje dhe i përsëritur prej kritikës letrare amerikane ose shqiptare ka qenë ky: në pamundësi të plotë të botimit të romanit “Qyteti pa reklama”, shkruar në vitin 1959, kur ishte student në Moskë, autori nxori prej dorëshkrimit një copë të tekstit, që e botoi si tregim me titullin “Ditë kafenesh”.
E kam lënë të marrë udhë këtë shpjegim të pasaktë, pa ndonjë vrasje ndërgjegjeje, ngaqë më është dukur se nuk e prek anën kryesore të thelbit të së vërtetës. Dhe thelbi është që ky tregim është një pjellë e romanit të fshehur “Qyteti pa reklama”, dhe që ai u shkrua, u botua dhe u ndalua në vitet 1962-1963. Sa për kuptimin e fjalës “pjellë”, ajo mund të merrej gjithashtu për fragment, sajesë, ose njëfarë përmbledhjeje e një vepre të zhdukur. Pas botimit të tij, kritika, nëse do të ishte e interesuar për të, mund të gjente e të saktësonte të vërtetën.
Në të vërtetë ajo është disi e ndryshme.
Pas kthimit nga Moska, në vitin 1960, në valixhen time, përveç një morie veprash, shënimesh e letrash, kisha diçka, që nuk e dinte askush: dorëshkrimin e një romani. Të parit dhe të fundit njeri që ia dhashë për ta lexuar ishte miku im i ngushtë Drago Siliqi. Fjalët e para të tij, pas leximit, ishin të diktuara nga shqetësimi, për të mos thënë nga tmerri. Unë duhej ta fshihja menjëherë atë roman, të mos i flisja askujt për të, mundësisht ta harroja edhe vetë, që e kisha shkruar.
Tepër i trishtuar që vepra ime e parë serioze do të kishte një fat të tillë, u binda se ai kishte të drejtë. Mjaftonte disa javë qëndrimi në Shqipëri, që të kuptoje se një vepër e tillë nuk kishte vend këtu. Aq shumë ngjante ajo me diçka të mbaruar, të ikur pa kthim, saqë ne të dy (net ë dy që në orët e gjata të shëtitjeve të pasmesnatës, nëpër rrugët e Tiranës, flisnim për gjithçka), atë vepër nuk e kujtonim më.
Pak kohë më pas, gjatë kthimit nga Kina, Drago Siliqi, u vra në një katastrofë ajrore. Pas valës së parë të dëshpërimit, si një epilog i shurdhër i tij, përherë e më shpesh më vinte mendimi se me vdekjen e Dragos, u zhduk nga kjo botë lexuesi i parë e i fundit i veprës sime. Ajo do të mbetej këndej e tutje jo vetëm e pabotuar, por e palexuar prej askujt. Dhe kjo, me sa dukej, do të vazhdonte gjatë, shumë gjatë, për të mos thënë gjer në mbarim të jetës sonë.
Ishte një gjë e turbullt, e frikshme, një vepër pa lexues. Ishte si në mbretërinë e vdekjes. Ishte kjo ndjesi, që me sa dukej, u bë shtysë për kërkimin e një rrugëdaljeje, thënë ndryshe, e një lexuesi që do t’i jepte frymë.
Një studente e vitit të parë të fakultetit të letrave dhe gruaja ime e ardhshme, më dukej tepër e re për ta ngarkuar me një peshë të tillë të zymtë e të rrezikshme. Ia thashë se kisha një roman të fshehur por gjeta si vjegë shkrimin jo fort të kuptueshëm për të mos ia dhënë për lexim.
Nga ky ankth i shkaktuar prej groposjes së veprës tek dëshira për të nxjerrë në dritë, qoftë edhe një pjesë të saj, nuk kishte veçse një hap. E lexova edhe një herë dorëshkrimin, duke kërkuar pjesët nga të cilat mund të sajohej një novelë. E megjithatë bashkimi i tyre, me fjalë të tjera, tkurrja e romanit, nuk ishte aq e lehtë se ç’më qe dukur. Ndryshimi i ngrehinës së veprës ndikonte në ndryshimin e ritmit, e ky i fundit në trysninë e brendshme, në stilin, madje në dramacitetin e rrëfimit, që sprapsej për t’i lënë vend groteskut. Kështu lindi “Ditë kafenesh”, novela që, duke qenë pjellë e veprës së fshehur, ishte po aq e pavarur prej saj sa ç’mund të jetë bija prej nënës.
Ajo ishte rrezëtimi në sipërfaqe i romanit të burgosur, dalja e tij në liri, mbushja me frymë. E botuar në dy numra të gazetës “Zëri i Rinisë”, ajo pati vërtet mijëra lexues, por iluzioni i lirisë ishte fare i shkurtër. E huaj krejtësisht për kohën, ajo u ndalua fill pas daljes, për t’u rrëzuar kështu në harrim të thellë, aty ku dergjej vepra amë.
Pas një kohe të gjatë në ndërgjegjen time ajo ka gjakuar thjesht si një pikëllim. Pikëllim që shkaktohet prej së pamundurës.
Botimi në libër më vete, së pari në anglisht në ShBA dhe tani në Shqipëri, si dhe zbërthimi i novelës prej kritikës amerikane, përveç asaj vendase, bën pjesë në ato gjëra të pabesueshme që krahasohen me kapërcimin e ylberit.

Ismail Kadare
Tiranë, 22 shkurt 2005

(Marrë nga libri i I. Kadaresë „Ditë kafenesh“, Onufri, Tiranë, 2005)

„Dite kafenesh“, Ismail Kadare

Sa herë që ka rënë fjala për fillesën e tregimit „Ditë kafenesh“, sidomos pas përkthimit dhe botimit të tij si libër më vete në Amerikë, ka ndodhur pikërisht ky shpjegim i thjeshtuar, madje aq fort, saqë mund të quhet pa frikë njëfarë dhunimi i së vërtetës. Shpjegimi i dhënë prej meje dhe i përsëritur prej kritikës letrare amerikane ose shqiptare ka qenë ky: në pamundësi të plotë të botimit të romanit „Qyteti pa reklama“, shkruar në vitin 1959, kur ishte student në Moskë, autori nxori prej dorëshkrimit një copë të tekstit, që e botoi si tregim me titullin „Ditë kafenesh“.
„Ditë kafenesh“ është pjellë e romanit të fshehur „Qyteti pa reklama“, u shkrua, u botua dhe u ndalua në vitet 1962-1963. E botuar në dy numra të gazetës „Zëri i rinisë“, ajo pativërtet mijëra lexues, por iluzioni i lirisë ishte fare i shkurtër. E huaj krejtësisht për kohën, ajo u ndalua fill pas daljes, për t’u rrëzuar kështu në harrim të thellë, aty ku dergjej vepra amë. Pas një kohe të gjatë në ndërgjegjen time, ajo ka gjakuar thjesht si një pikëllim. Pikëllim që shkaktohet prej së pamundurës.
Botimi në libër më vete, së pari në anglisht në SHBA dhe tani në Shqipëri, si dhe zbërthimi i novelës prej kritikës amerikane, përpara asaj vendase, bën pjesë në ato gjëra të pabesueshme që krahasohen me kapërcimin e ylberit. Koment nga R. Baird Shuman Ishte brenda natyrës së Kadaresë, si shkrimtar i talentuar dhe i ndjeshëm, që të pasqyronte regjimin e vendit të tij që po shkonte drejt kalbëzimit, por atij iu desh ta bënte këtë në një formë që nuk do ta varroste përfundimisht karrierën e tij.
Ai e bëri këtë si zëdhënës i forcave të progresit, me të cilat ai si intelktual ishte në të njëjtën barrikadë. Edhe pse jo në mënyrë të hapur, ai i përfaqësoi këto forca qartësisht në krijimet e veta. Rrugëtimi i tij letrar ka qenë heroik, por tepër i vetmuar

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit Deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Google Foto

Du kommentierst mit Deinem Google-Konto. Abmelden /  Ändern )

Twitter-Bild

Du kommentierst mit Deinem Twitter-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit Deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.