DËSHMIA E POETËVE

DËSHMIA E POETËVE

…Gruaja në truallin shqiptar, ndonëse në pamje të parë e pashpresë, ngadhënjente aty ku s’pritej. Ja, poeti më i famshëm i shqiptarëve në shekullin XIX, Naim Frashëri, një përzierje profeti e prijsi, pasi ka shkruar mijëra vargje e himne për lirinë, për shpatën që do ta sillte atë, për atdheun e robëruar, për Kastriotin-Skënderbe, për dritën që do të vinte nga Perëndimi, shkurt, për Shqipërinë madhështore e po aq të hyjnueshme. një ditë i shkrepet t’i kushtojë një poemë femrës me të cilën ka renë dashuri.

Është e vetmja ne veprën e tij të pafundme, atë që shpesh është quajtur “naimiania”.

Do të shkrihem të venitem

Si kandili kur s’ka vaj,

Baltë e pluhur do të bëhem

Të më shkelë këmbë e saj

Dhe të prehem duke puthur

Atë këmbë pasandaj.

Gjithkush që do të ndeshej për herë të parë me këtë pjesë të poemës, do të mbetej i çmeritur. Poeti sipëran, apostulli, idhulli, prijsi, shpata dhe rrufeja e kombit, jo vetëm thyhej prej një gruaje, por ishte gati të bëhej baltë e pluhur përpara saj, e si të mos mjaftonte kjo, të shkelej prej këmbëve (takave të larta, do thoshim sot), të saj, e si të mos mjaftonte edhe kjo, të dehej nga kjo shkelje e t’i puthte ato këmbë (takat) etj.

“Bukuria” nuk është ndonjë krijim rastësor i Frashërit. As e botuar në ndonjë album intim, me përhapje te kufizuar. Përkundrazi, është poema e vetme erotike e kryeveprës së poetit “Lulet e veres”, e pamungueshme në asnjë botim apo studim shkollor. Dhe pikërisht këtu mund të kërkohet vazhdimi i atij misteri që lidhet me pyetjen: ishte mposhtur apo jo femra shqiptare prej territ osman?

Naim Frashëri, poeti që nuk dremiste asnjë grimë kohe kur ishte fjala për Shqipërine, shpallte të kundertën: Gruaja jo vetëm nuk ishte mposhtur, por, në një ndeshje të hamendësuar, ajo mund ta vinte kundershtarin e saj në giunjë! E në qofte se ky antinom i saj e kapërcente burrin, terrin, vetë poetin, kjo do të thoshte se ajo vetë, gruaja, duke kapërcyer vetveten, i afrohej trajtës dhe simbolikës se lirisë.

…Në vjershën e Pashko Vasës „ O moj Shqypni, e mjera Shqypni”, që është njëherësh elegji, program, aht, brengë dhe kushtrim, gjenden dy vargje aq fort të njohura, saqë. siç ndodh shpesh me të tillat, pikërisht njohja dhe fama, si të ishin ndriçim i fortë, s’të linin të afroheshe.

Mlidhnju ju varza, mlidhnju ju gra

Me ata sy t’bukur që din me kja

Në përpjekje për ta rikthyer tekstin, pyetja e parë do të ishte se pas tablosë tronditëse të Shqipërisë së rënë në gjunjë, ndërsa i bën thirrje kombit, burrave të tij, të njëjtin dramacitet iu drejtohet vajzave dhe grave madje jo burrneshave, atyre që do të lindnin e do të mëkonin shpëtimtarët e ardhshëm por femrave të mirëfillta, grave gra, atyre “me sy të bukur”.

Pyetjet do të vazhdonin, se ç’ishin vallë këta sy të bukur, ç’veçanti kishin, ç’thellësi, ç’ kumt dhe ç’profeci ndrynin. Përgjigja e poetit do të ishte përsëri e çuditshme: ato ishin sy vajzash e grash “që dinin me kja”. Dhe sipas tij, kjo ishte e mjaftueshme. Vajzat dhe gratë me sy të atillë, që dinin me kja ” ishin ato që mund të kuptonin, të shpjegonin, të vuanin më thellë dhe “më bukur ” gjithçka. Shqipëria, përpara se të rrokte shpatën, kishte nevojë për ata lot, atë version femëror, atë shpjegim dhe pse jo, per atë përfaqësim të saj.

*Kadare, pjesë nga «Mëngjeset në Kafe Rostand» (Dëshmia e Poetëve)

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..