Kadare lexon për publikun gjerman nga „VJEDHJA E GJUMIT MBRETEROR
Kadare lexon shqip për publikun gjerman. Recensuesi Wolfgang Schneider, i cili Kadarenë e quan pasardhës të Kafkës, lëvdon përkthimin e Joachim Roehmit te novela “ Vjedhja e gjumit mbretëror „
„Javën e katërt pas hipjes në fron, kur në mbrëmjen e së martës sulltani i ri Xhem po i hidhte një sy raportit të fshehtë të ngjarjeve të ditës në kryeqytet (ishte kjo një nga kënaqësitë e rralla që i kishte dhënë pushteti mbretëror), ndërsa lexonte, pra, përtueshëm fletët, shkronjat e të cilave, me gjithë vërejtjen që u kishte bërë shkruesve ishin ende tepër të mëdha, zakon i
shkaktuar prej syve të dobësuar vitet e fundit të atit të tij të ndjerë Turhan (qysh tani mendonte shfryrjet që do t’i bënte prapë të nesërmen kryeshkruesit: dëgjo ti, nëse nuk të mbushet mendja se unë, pavarësisht nga nderimi për tim et, së paku, sytë i kam më të fortë se të tijtë, do të të nis që nesër në minierën e Karakarvunit), vëmendjen e dobësuar nga nervozizmi ia
tërhoqi pjesëza e raportit ku flitej për vjedhjen e një dosjeje në Pallatin e Endrrave.
Pa shiko, tha me vete. Nuk mjaftonin ato shkronja gallofe që ia hiqnin ndodhisë çdo shije misteri, por edhe ajo vetë iu duk krejt e rëndomtë për ta përzgjedhur në atë raporte, aq më tepër, për ta renditur fill pas vetëvrasjes sé gruas së re të Irfan Pashait, shkarkuar para një jave nga posti i ministrit të Jashtëm dhe i internuar në Konjë….. „