,,Kukulla“ – mbresa leximi

Ismail Kadare

               Nga      ArB Elo / Autor , poet, njohës i thekur i veprës së I.Kadare…

Admiruesit e Kadaresë me siguri janë trishtuar goxha kur mjeshtri deklaroi publikisht para disa vitesh se nuk do të shkruante më letërsi të mirëfilltë. Për fat të mirë ai nuk po e mban fjalën.
Pjesa më e madhe e librit të tij të fundit „Mëngjeset në Kafe Rostand“ është letërsi e mirëfilltë, madje e një niveli të tillë që jo vetëm konkurron me disa nga veprat e tij më të mira si „Muzgu i perëndive të stepës“ dhe „Kronikë në gur“, duke i plotësuar e pasuruar ato në kohë e me personazhe të tjerë, por edhe duke i tejkaluar ato shpeshherë, nëse mund të flitet me terma të tillë që i shkojnë më për shtat atletikës, se sa letërsisë, aq më pak letërsisë shumë të mirë, për të mos thënë të shkëlqyer, që K., siç dihet botërisht, shkruan.
Nëse copat e tjera të këtij vëllimi i përforcojnë lexuesit mbresën se K. vazhdon të shkruajë me të njëjtën cilësi si gjithnjë, qoftë edhe shënime kritike, portrete, mëtime për letërsinë bashkëkohore shqipe a klasike, historike apo politike etj., dy pjesët më të gjata „Coffeehouse days“ dhe „Kukulla“, e sidomos kjo e fundit, dëshmojnë një lirizëm e drejtpeshim delikat të disa regjistrave që nuk po dimë t’i kemi hasur në formë kaq të kulluar e të përqëndruar tek autori e që do të kërkonin një penë tjetër, ku e ku më të fisme se atë të shkruesit të këtyre radhëve, për t’i qëmtuar siç duhet.
Tek „Kukulla“ çdo fjalë është në vendin e saj; struktura kristaline e këtyre „kujtimeve“, por që nuk janë veç të tilla, si çdo gjë e bukur që nuk është veç një, mbahet nga vetvetja, nga mjeshtëria e rrëfyesit, nga vërtetësia, nga humori i tij i hollë, nga brishtësia e dhembshurisë jo vetëm për nënën, të cilës i kushtohet kjo novelë, të themi, por për njeriun, siç është ai vërtet e, jo së fundmi, nga këndvështrimi që ka zgjedhur autori për ta bërë këtë.
Nëse do të kishim një humor tipik shqiptar, siç thuhet për anglezët p.sh., ai shfaqet këtu në formën e tij më të kultivuar, e cila nuk të bëjë aspak me të qeshurit me të madhe, apo gajasjen, por me një lloj gazmendi të brendshëm jo pa melankoli, që nuk e kalon kurrë një skaj të caktuar qesëndie, që është, nga ana tjetër, edhe toleranca maksimale për ta pranuar tjetrin siç është, e që përzihet në zonat asnjanëse me dhembshurinë për këtë të fundit, duke shmangur kështu mjeshtërisht rreziqet kryesore që i kanosen gjithkujt, kur nis të shprehë të tilla ndjesi: patetikën, klishetë, apo edhe kitsch-in.
E njëjta gjë ndodh edhe me dhembshurinë, që këtu vjen në formë bryme, aq delikate e aq e brishtë, saqë vetiu të ndërmenden Hokusai, Lindja e Largët, haiku dhe teatri japonez Kabuki, të cilin autori, që është mëse i vetëdijshëm për atë që bën, e përmend edhe vetë diku në hyrje dhe që e përcjell si lajtmotiv gjithkund me asosiacionet e gipsit, të kukullës, të lehtësisë e, jo së fundmi, me figurën e Izmini Kokobobos, apo thjesht emrin e saj, që vetëm si i tillë do kish qenë i vetëmjaftueshëm për ndonjë kompozim modern alla John Cage: Izmini Kokobobo; pikë.
E vendosur kjo fillimisht në sfondin e Gjirokastrës së „Kronikë në gur“ për t’u zhvendosur më pas drejt Tiranës së pasluftës, ç’prej shtëpisë danteske të Kadarenjve drejt këndeve të drejta të apartamenteve minimaliste alla Le Corbusier pa shpirtin e këtij të fundit, prej një kohe tejet të hershme, pothuajse surreale drejt realitetit të thatë e irreal socialist, kohë që mund të lidhen me njëra-tjetrën veç me ndonjë „deus ex machina“ e që tek K. është fillimisht një udhëtim absurd me taksi e pastaj, përfundimisht kësaj here, me një kamion të mbushur me velenxa, relikte e gjithfarë gjësendesh prej bakri, për të shtegtuar edhe më larg në një kohë tjetër, drejt Moskës e së fundmi drejt Parisit, rrugëtimi i rrëfyesit, më shumë se në kujtesë, apo në gjeografi, ndodh në veprën e krijuar prej atij vetë: gjen aty „Koha(ën) e shkrimeve“, „Kronikë(n) në gur“ – siç u përmend më sipër, „Muzgun e perëndive të stepës“, „Dimrin…“ e shumë e shumë remineshenca nga vepra të tjera: ky udhëtim është në thelb autobiografik si i tillë, por jo vetëm aq: në do të bënim një krahasim nga bota e muzikës moderne, ai është mbi të gjitha një „Best of“ i Kadaresë, remastered, ku përpos motiveve e këngëve të njohura, të cilave autori, që i ka interpretuar ato edhe një herë, le të themi unplugged, u ka shtuar edhe disa të reja.
E nëse do të bënim një krahasim me botën e gurëve të çmuar, që K. i ka aq për zemër si figura letrare, mund të thoshim se koleksionit të tij të perlave, bizhuve më të shumtën të errëta, ai u ka shtuar edhe një tjetër të tillë, të madhe e fort të çmuar, me ngjyrë të çelët, si të thuash, topazi a sedefi.
Jua rekomandojmë fort!……. Arb Elo  …..

Ftesë për sherr  nga ArB Elo

Çka vijon më poshtë është, as më shumë e as më pak, qasja ndaj shkrimtarit tonë më të rëndësishëm, Kadaresë si një të forti, ndaj janë të lutur ata që nuk u pëlqen kjo të mos lexojnë më tutje, të shkojnë në punë të tyre a të bëjnë ç’të duan, pasi shkruesit të këtyre radhëve, siç e thotë edhe titulli i kësaj sfide, po i ha hunda për sherr, po kruhet e po gërricet vetë, po grindet me veten e tij. Çështje marrëzie me një fjalë, ose mosveshmarrje.

Nëse bota reale, e cila në fund të fundit, përmban edhe atë letrave (por ndoshta është edhe e kundërta) si një grua shtatzënë që e pjell atë vetiu, autorin e veprën e tij, pjellën e këtij të fundit e kështu më tutje; nëse bota ka një krijues, ky do i binte të ishte i forti absolut, njëshi e s’ka tjetër, kampioni i të gjitha kohëve e i të gjitha peshave, Muhamet Aliu pak a shumë, nëse është boksier. E kemi fjalën për Perëndinë, Zotin.
Joe Frazier-it i bie kështu, me rregull treshi pak a shumë, të jetë Qoftëlargu, që quhet ndoshta edhe Xhorxh Forman, por edhe njëfarë Larry Holmes, siç edhe ca kohë më parë ca tipa që e goditën atë, Zotin pra, shumëfish në Paris, në atë që u përfol pastaj nga mediat si Charlie Hebdo.
Natyrisht që është ca i kithët krahasimi i të fortëve të kësaj bote, siç Nero, Xhinghis Khani, Timurlengu, Aleksandri i Madh, Skënderbeu, Napoleoni, Çërçilli, Hitleri, Stalini, Enveri, Xhorxh Bushi etj. me të fortët e një bote tjetër, siç Homeri, Dantja, Servantesi, Shekspiri me shokë – e cila, për më shumë, është krijuar prej atyre vetë – atë të letrave, ku janë të plotfuqishëm si zota pikërisht prandaj, jo pa asnjë pikëprerje, mëton tek i ha hunda shkruesi i këtyre rreshtave, por ndoshta si zinxhir ADN-je, aty-këtu dmth., në mos atje-këtu.
Si për ta bërë përqasjen ca më të përçudshme të fortët e asaj bote janë shpesh goxha të mbaruar në këtë – të dobët fizikisht – me pak përjashtime (Xhek London p.sh.), por ndodh kjo edhe për të fortët e kësaj bote në atë tjetrën, po me përjashtime, siç Gandhi, ta zemë.
Por përjashtimet që vërtetojnë rregullin do i lemë mënjanë, këtu e më poshtë, për të mos e zgjatur më shumë se ç’duhet me të fortët, por për të shfrytëzuar favorin që të jep parësia në sulm, për të hedhur gurin e parë, ndoshta grushtin. Pra do të flasim vetëm për prirjet, huqet, në vija të trasha. Do lemë mënjanë edhe pikëprerjen e të fortëve në botën e njëri-tjetrit, të Qoftëlargut Hoxha në botën e Kadaresë dhe të këtij të fundit si krijues i kësaj të fundit në ferrin e të parit, ndonëse kjo do të ishte, ndoshta, një provë e çka shkruam më sipër, për t’u marrë me një sherr tjetër që ndodh brenda një bote tjetër, matrioshkës së përbashkët të dy botëve më sipër, siç edhe një të trete, pasdiktatoriale o demokratike, por mendojmë se është ca më shumë e para.
Matrioshka e dyzuar, e trezuar kësisoj, është lexuesi shqiptar i Kadaresë, sherri që ka ai me veten e tij dhe se si ndikon kjo në leximin e veprës së krijuesit, që është edhe ajo e pambyllur akoma, por edhe lexuesi nuk është veç një e kështu me radhë.
Kemi pra një ekuacion dialektik (ç’fjalë e keqtrajtuar!) me tri ndryshore: lexuesi që shndërrohet, vepra që shtohet e ripunohet, siç edhe dialektikën e krijuesit vetë, që, në fund të fundit, nuk është edhe ai absolut e nuk mund të qëndrojë i pandikuar nga gjendja e tij, dikur në robëri e tash në një liri relative, pasi liria nuk është veç të hash e të pish e të banosh e të thuash / shkruash ç’të duash; liria e dikujt ndërvepron me lirinë e të tjerëve, diç si nënndërgjegja (apo edhe mbivetëdija – shën. i shkruesit) kolektive e Jung-ut. Gjithashtu liria ka të bëjë shumë me maturinë në të ngrënit e të pirit, e të folurit, porse gjithashtu, dhe kjo harrohet më së shumti, apo nuk qëmtohet, ashtu e brishtë dhe e tejdukshme siç është, me bukurinë e çka më sipër, pasi liria edhe në mos qoftë fare, ashtu siç edhe Perëndia, është përcaktimisht a priori e bukur, ndryshe ka të ngjarë të shndërrohet në të kundërtën e vet, në liri të shëmtuar. Për të marrë, sa për ta ilustruar këtë, një shembull të pamjaftueshëm (edhe shembujt duhej të qenë të bukur), liria e shëmtuar mund të krahasohej me dikë të ngopur e të pirë që gjendet në kopshtin e Edenit e mund të bëjë ç’të dojë, porse që është vetëm, vetëm fare: Adami, para krijimit të Evës, tjetrit.
Liria nuk mund të jetë e shpikur prej hiçit nga njeriu, veç në qoftë se edhe koncepti i Perëndisë është i shpikur po prej njeriut nga hiçi, pasi liria është një atribut i saj, sikurse edhe bukuria, drejtësia e të tjerë koncepte abstrakte. Edhe vetë Perëndia, në qoftë, nuk e sajoi njeriun prej hiçit, prej mosasgjësë, koncept ky më i pamundur e më abstrakt se gjithçka që ekziston, përfshirë këtu edhe zotat, apo Zotin, qofshin a mosqofshin ato.
E bëmë këtë parantezë për t’iu qasur kështu gjendjes së lexuesit shqiptar përkundër veprës së Kadaresë, e cila padyshim, në pastë vlerë gjykimi i lexuesit të huaj dhe kritikës botërore- përfshirë pjesërisht edhe atë shqiptar/e këtu – ndonjë vlerë jetëgjatë (nuk dyshojmë që është ashtu) është në një masë të konsiderueshme relativisht e bukur: në kontekstin shqiptar të letërsisë nga më të bukurat, në mos më e bukura. Natyrisht që ajo mund të asociohet me veprën e shkrimtarëve më të mëdhenj se Kadareja, siç Kafka e të tjerë si Shekspiri, Dantja etj. që janë edhe më të mëdhenj se Kafka, në mos më të mëdhenjtë. Pasi letërsia botërore, siç e pohon edhe vetë K. diku, është strukturë hierarkike, diç si Olimp a Panteon, edhe ky një krahasim i gjithëkudogjendur. Edhe vetë K., na e do mendja, nuk do të kishte asgjë kundër për sa më sipër. Sherri mund të niste këtu me ca azapë, lexues të këqinj jo të K.-së, por të gjigantëve të lartpërmendur, të cilët, gjigantët pra, sjellin me vete edhe argumentin kohë, Kronosin që gëlltit shpirtra, mbijetesën për shekuj dhe ndikimin e sa e sa shkruesve të tjerë prej tyre, gjë të cilën veprës së K.-së i mbetet ta përballojë, por që duhet të ndodhë së pari, e që nuk ka se si të ndodhë tani, por pas ca shekujsh e ndaj nuk ka pse të na interesojë fort. Azapëve u sugjerojmë këtu të lexojnë edhe një herë paragrafin hyrës të këtij shkrimi.
E bukura është edhe ajo konstelacion më vete, diç si Arusha e Madhe, e nuk mund të pohohet seriozisht që kërpudha, bie fjala, e një bombe atomike qenkësh e bukur. Por ky është tjetër diskutim – ajo që po duam të themi është se e bukura – ashtu siç liria e vërtetë është veçse e tillë, e bukur pra – edhe e bukura, nga ana tjetër, nuk ka se si të mos përmbajë përcaktimisht doza të mëdha lirie. Parashtrimi që bëmë më sipër për këtë të fundit vlen edhe për të bukurën po ashtu. Mund të thuhej kështu që Olimpi nuk popullohet vërtet prej autorësh e as prej veprash të tyre, por prej cilësive të tyre, atributeve e se, fundja, edhe zotat e Greqisë së lashtë qenë shëmbëllime të këtyre koncepteve abstrakte e ideale, të huaja ndoshta, por edhe thekshëm të prekshme, si mungesë më së shumti, në botën reale, në botën tonë. E këtu vijmë tek aty ku donim qysh në fillim, për të pohuar diçka ndoshta subversive e që përmban potencialin e provokimit të sherrit, vijmë tek ngrënia e hundës për sherr e që është pohimi:

Kadareja nuk është lexuar siç duhet prej lexuesit shqiptar, as në robëri e as më pas, më pas ndoshta edhe ca më pak.

Pasi vetë lexuesit shqiptar i janë krasitur ligsht atributet e lirisë e, për pasojë, të bukurisë, për pasojë të drejtësisë, për pasojë të robërisë, për pasojë të lirisë së shëmtuar që vijoi e vijon. e si mund t’i marrësh erë siç duhet një luleje kur i ke hundët e zëna? Duhen shfryrë ato më parë, duhen shfryrë siç duhet, me maturi, me drejtësi, bukur në liri.
E jo me shfryrje.
Ndërsa dikush flet për miqtë e tij: Shekspirin, Danten e Servantesin, disa azapë vullnetarë me sa duket këta, që luftojnë për hesap të tyre të „pashait“ në fjalë (a nuk shkruan diku K. se i paskësh eksportuar tinitusin e tij personazhit ndoshta kryesor të romanit „Rrethimi“?) duke prerë mbarë e prapë; ndërkaq e reja e diktatorit është akoma e mahnitur nga „Në mesditë Byroja Politike u mblodh“, një vjershe mediokre të K.-së, një nga kockat që ai u ka hedhur me mençuri qenve të regjimit, për të mos u kafshuar a degdisur në moçalet e Maliqit, Spaç a Qafëbar. Veçse kështjella që po duan të mësyjnë ca e ta mbrojnë ca të tjerë është mirazh, është iluzore. A paskësh qenë K. disident, ndonëse ai e ka pohuar disa herë vetë me të drejtë se nuk ka qenë, pasi thjesht ndoshta se nuk mund të ishte askush në atë kohë? Por kjo nuk është pyetja: më e saktë do të ishte pyetja: a ka qenë K. komunist, jo për nga tesera, por për nga vepra? E këtu na duhet të ndërrojmë regjistrin e tonit, pasi nuk mund të bëjmë më ironi në kësoll. Humorin e zi e duam veç për sa kohë mbetet fiksion.
Diskursi për IK.-në ngërthen në vetvete një tjetër, shumë më të thellë e më tragjik se ai i rolit të shkrimtarit në diktaturë: atë të diktaturës vetë.
Fatkeqësisht e tragjikisht në Shqipëri ende nuk ka ndodhur përpunimi i të kaluarës. Shqipëria nuk gjendet në demokraci, Shqipëria gjendet në pasdiktaturë, në reanimacion. Një pyetje e thjeshtë si: Pse nuk hapen dosjet? – e vë menjëherë gishtin në plagë e askush në Shqipëri nuk e shtron këtë pyetje me kaq vendosmëri sa IK.-ja vetë. Po ai jep edhe përgjigjet për këtë, pasi IK. është jo vetëm shkrimtari më i shquar i këtij vendi, por edhe një patriot i madh.
Përsa kohë e kaluara e afërt do të vazhdojë të fshihet nën minder, nuk ka gjasa që të reshtë edhe diskutimi për rolin e IK.-së nën diktaturë, nuk ka gjasa që vepra e tij më e mirë të lexohet siç duhet, pasi për ta lexuar IK.-në siç duhet, pra si shkrimtar e patriot të madh të këtij vendi, duhet të ndryshojnë paradigmat e leximit, për pasojë paradigmat historike. Ndonëse IK. ka kohë që i shijon frytet e gjenisë së tij e, falë Zotit, ngjan shëndoshë e mirë, ka diçka tragjike keqkuptimi i lexuesit me veprën e tij: nën diktaturë trushpëlarët lexoni „Shqiponjat fluturojnë lart“ e të tjera bolshevizma të parëndësishme, ndërsa ata që shpresonin përmbysjen midis rreshtave të „Pallatit“, „Koncertit“ etj., porse leximi i vërtetë, ai estetik ende nuk ka ndodhur, pa çka se të gjitha palët ia pranojnë njëzëshëm talentin. Është mirë (për të mos rënë në kurthin: ne na duhet të krenohemi me të; fundja është puna e tij dhe jo e jona që ai është ai që është) që ne kemi një ambasador si IK. në botë; duhet shtuar këtu, se nga sëra e shkrimtarëve t’asaj kohe, IK. është nga të paktët që i ka larë hesapet me diktaturën, në vepra si „Pasardhësi“, „E penguara“ etj.
Ndoshta veç të huajt e lexojnë IK.-në siç duhet, ndonëse jo deri në fund. Ndërsa ne kemi fatin të jetojmë kontekstin e veprës së tij (ne: ç’shumës i rrezikshëm!), por nuk jemi në gjendje, për shumë arsye, ta bëjmë.
Shkruesi beson, ashtu si edhe IK. vetë, se Shqipëria do të bëhet. Atëbotë edhe IK. do të zerë vendin e tij të merituar në kulturën tonë, jo ashtu siç e duan adhuruesit e tij pa kushte e as ashtu siç e dyshojnë ata që përdorin rëndom shprehjen „Ashtu ishte koha…“, por për atë që është vërtet: shkrimtari më i shquar i këtyre anëve dhe një shqiptar i mirë, siç po duam t’i shohim edhe bashkëkombasit kudo qofshin.
E që të ndodhë kjo nuk ndihmojnë as krahasimet me Danten (këtë mund ta bënim veç pas shumë shekujsh) e as përmendja e nënkryetarisë së Frontit Demokratik: na duhet kthjelltësi, gjakftohtësi, ndershmëri e drejtësi, virtyte këto të krasitura, siç thamë, ligsht këto 70 vitet e fundit ndër shqiptarë.

Legi, intellexi, condemnavi. Lex mihi ars. Ludi incipiant.

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Më të rejat
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: