KAPARDISJA SHQIPTARE

Vepra 19. I Kadare .....Kapardisja është një cilësi e përgjithshme njerëzore. Atë e gjen kudo në botë, por te ballkanasit veçanërisht. E veçanërisht te shqiptarët.
Kronika e gjatë e gadishullit tonë nuk mund të kuptohet mirë pa të. Madje shpesh është vështirë të dallohet ku mbaron kufiri i një bëme dinjitoze, madje trimërore e ku nis kapardisja. Kjo e fundit është e ndërthurur shpesh me të gjitha ato tipare, të mbara e të mbrapshta, të njeriut ballkanas duke i dhënë një theksim të veçantë si veseve, si virtyteve të tij. Si e tillë ajo pasqyrohet gjithsesi në vizionin për jetën, në mënyrën e sjelljes, të të menduarit, të të vepruarit e gjer në gjëra tepër të përditshme, siç janë veshja ose ecja e njeriut.
Megjithatë, për një habi të madhe, po të hetojmë me gjakftohtësi historinë e gjatë të popullit shqiptar, vërejmë se ndërsa ka qenë tepër e pranishme në jetën e përditshme, kjo sëmundje nuk është dëshmuar aq sa pritej në atë sferë, ku dëmtimet e saj janë vërtetë fatale: midis prijësave shqiptarë, ata që sot quhen “liderë”.
Duke mos u ndalur te trillet ose kapardisjet e princave dhe feudalëve shqiptarë të mesjetës, të cilat nuk ishin as më të pakta e as më të shumta se ato të sivëllezërve të tyre europianë e bizantinë, kronika historike nuk jep as dëshmi krenarie boshe, e as veprime kapardisëse të prijësit më të shquar të shqiptarëve e të krejt ballkanit, Gjergj Kastriotit. Dhe ky kont shqiptar, që u ngrit befas në një lartësi marramendëse, që u rrethua me legjenda për së gjalli, që iu dhanë tituj e cilësime, që do t’i ëndërronte çdo princ i kohës, së fundi, që u prit disa here me triumf në qendrat e Europës e në Vatikanin e fuqishëm, e ka patur rrezikun që të binte në dashuri me veten.

As Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, as rilindasit e shquar shqiptarë më pas, qoftë prijësat e mendimit, qoftë ata të veprimit, nuk dhanë asnjëherë shenja të një krenarie a vetkënaqësie të zbrazët. Dhe kjo vetpërmbajtje, ky dinjitet i madh, ka vetëm një shpjegim: ata ishin të përgjegjshëm për fatin e rëndë të popullit të tyre. Me fjalë të tjera, ata kishin kuptuar se historia i kishte vënë ata në krye të një populli të rrezikuar e të goditur rëndë, ndaj as mburrjet e as ethet e lavdisë s’mund të kishin vend në kokat e tyre.

Shpallësi i pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, ndonëse vinte në një vend të vogël, nga poste të larta të një perandorie të madhe, nuk u shqua asnjëherë për delire mendjemadhësie. E po ashtu, pas tij, nuk dha shenja të tilla peshkopi Fan Noli, ndonëse ishte i ndërgjegjshëm se ishte kryeministri më i kulturuar i Ballkanit dhe një nga krerët e kulturës europiane të kohës.

Eshtë folur mbarë e mbrapsht për mbretin Zog, por kurrkush nuk ka përmendur gjëkundi sjellje ngrehaluce të tij, e as dehje nga lavdia, ndonëse vinte nga një mjedis ku ato kultivoheshin e, ndonëse, u shpall mbreti i parë i shqiptarëve.
Në periudhën komuniste mburrjet verbale të udhëheqjes, kërcënimet ndaj botës perëndimore dhe vetëdehja për të ashtuquajturin lulëzim të vendit, mbetën më tepër në sferën teorike, si pjesë e një sistemi politik të dështuar. Ato nuk shoqëroheshin dot me sjellje e bëma të rrokshme nga individët e udhëheqjes, ngaqë këtë gjë nuk e lejonte ankthi politik, pré e të cilit ata ishin të gjithë.
Koha e kapardisjes së madhe i erdhi shqiptarëve, ose më mire klasës politike të tyre, atëherë kur ajo pritej më pak: pas rënies së regjimit komunist. Mund të thuhet pa frikë se, për dhjetë vjet, njerëzit e politikës shqiptare, u mburrën e u ngrefosën më shumë se gjithë paraardhësit e tyre, gjatë dhjetë shekujve.

Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për jetë, për shëndoshje trupore e shpirtërore, me fjalë të tjera për normalitet.

Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfëra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua , nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund, dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.
Megjithë këtë sjellje të papërgjegjshme, kapardisja kishte përherë pjesën e saj. Stili i jetës së një pjese të politikanëve shqiptarë, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t’u bërë stare, hidhësia prej mistreci, rrezatimi i urrejtjes e gjer te e folura “sensacionale”, kinse me metafora (e atyre që aq keq e flasin gjuhën shqipe, sa s’dinë përdorimin e njëjësit e shumësit dhe një frazë që e fillojnë me “ju” e mbarojnë me ti).

Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: si është e mundur një ngrefosje e tillë? Sepse sëmundja e kapardisjes së një pjese të “liderëve” është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare. Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të jesh disa ditë në Shqipëri, mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t’ia lënë vendin një brenge të thellë. Kjo përsa i përket vendit amë. Kurse për Kosovën e për “liderët” e saj, mjafton pamja e katundeve që digjen, e fëmijëve të vrarë, e njerëzve që shpërngulen nën vërshëllimën e predhave, për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga çdo mburrje e pozë përpara kamerave të TV.

Mirëpo një pjesë e “liderëve”, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej. Harrojnë se ai interesim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.
Ky qëndrim i papërgjegjshëm shoqërohet me trille e me gjeste kinse të bujshme. Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, se po të mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet. E një tjetër që nuk ka shkelur kurrë në Kosovë, jep mësime patriotike, bën thirrje që në emër të kësaj apo asaj, që Kosova të bëhet shkrumb e hi. E kështu me radhë, e kështu pa fund. Dhe është gjithmonë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta “biznesmenë të lirisë” s’pësojnë kurrë asgjë.
Asgjë nuk i prek shpirtrat e tyre veç smira dhe etja e pushtetit. Ato janë e vetmja gjë që e gjallëron mendjen e tytre të varfër: Jam unë që vendos e jo ti, jam unë që duhet të hipi në avion, që duhet të pyetem, që duhet të nderohem, që duhet të thirrem në gosti, që duhet të shpallem shef etj., etj.
Ndërkaq, si gjithmonë, në Ballkanin tonë heroik aq edhe servil, nuk mungojnë kurrë puthadorët, sejmenët dhe lajkatarët. Pas Rambujesë, një pjesë e mediave shqiptare, në vend të merreshin seriozisht me analizën e asaj që ndodhi, e sidomos, asaj që do të ndodhte, filluan lajkat për bëmat e njerit apo të tjetrit. Ca legjenda, ca fakte të neveritshme, imorale e të pabesa filluan të serviren si heroike. Kështu, sahanlëpirësit nisën të ekzaltohen që X –i nuk pyeste fare për ministrat e Europës, apo që Y- i e la ministren amerikane Ollbrajt të priste orë të tëra te dera, etj., etj. Edhe sikur këto dokrra të ishin të vërteta, ato do të ishin jo lavdia, por turpi ynë në Rambuje. Dhe jo vetëm turpi: ato do të ishin një njollë e zezë, dëshmi e maçizmit, e injorancës dhe e paburrërisë sonë përpara një ministreje dhe një gruaje.
Një pjesë e “liderëve” shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutëshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meritonte populli shqiptar. Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit.
Mësimi numër një që, duhet të nxjerrin “liderët” shqptarë, është se nuk ka dhe nuk mund të ketë lavdi për askënd, në qoftë se populli yt është në mjerim e në robëri. “Liderët” shqiptarë duhet të rrijnë kryeulur përpara kësaj gjëme që ende nxin në sytë tanë. Të rrish kokëulur nuk do të thotë të rrish pa dinjitet. Përkundrazi, pa dinjitet gjykohen ata, që në një ceremoni varrimi zgërdhihen.
Populli shqiptar ka përpara ditë tepër vendimtare për fatin e tij. Në qoftë se “liderët” shqiptarë e ndiejnë se janë të paaftë të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë, ata duhet t’ua lenë vendin të tjerëve. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta kuptojnë më mirë këtë popull, që do të kenë më shumë dhembshuri për të, me fjalë të tjera, që do ta prijnë siç duhet.

Shkruar për “Courrier International”, Paris, shkurt 1999, përmbledhur në libërthin  “Mbi krimin në Ballkan„ –  Ismail Kadare 

 

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !
2 comments on “KAPARDISJA SHQIPTARE
  1. Arian thotë:

    E vertete edhe sot fatkeqesisht

    Pëlqyer nga 1 person

  2. Halit allkushi thotë:

    Nuk ka koment !

    Pëlqyer nga 1 person

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: