Ismail Kadare
Shkruan për World Media , Paris mars 2000
Sikur shumë vite më parë, kur isha në gjimnaz, të dëgjoja se pyetjes „ç’vend të ka mbetur i shenjuar në qenien tënde“ dikush do t’i përgjigjej: „një fushë“ (një fushë me emrin X ose Y.), do të habitesha pa dyshim dhe. ndoshta, do të zemërohesha më pas.
Jetoja në Shqipëri, ku në vjersha, në përralla, në historitë që rrëfeheshin ishte përherë kulti i maleve. Më pas do të merrja vesh so emri i krejt gadishullit të madh, ku gjendej vendi im. vinte nga një fjalë turke, që do të thoshte „vend malesh“.
Ka mbetur një gjë e pashpjegueshme përse ky gadishull, djepi i parë i qytetërimit europian, i mbetur pa emër të përbashkët gjatë dymijë e ca vjetësh, pranoi të quhet më së fundi „Ballkan“, pra, pranoi emrin me të cilin e pagëzuan ata që quheshin kundërshtarët e tij mortorë: turqit osmanë.
A mund të thuhet, megjithatë, se ishin turqit ata që, të ardhur nga rrafshultat e Anadollit, të trandur e njëherësh të trembur prej pamjes së maleve, projektuan te popujt e gadishullit atë nderim të veçantë për malet, nderim që mund té krijohet vetëm nga përzierja e mahnitjes, frikës dhe së panjohurës?
Kurrsesi nuk ka qenë kështu. Shumë shekuj para mbërritjes se osmanëve banorët e gadishullit kishin arritur, ndërkaq, t’i himnizonin malet e tyre, madje, me tepri. Ishin greket e vjetër të parët, që e kishin shpallur malin e Olimpit strehë të perëndive, pra, kryevendin e shenjtë të botës. Popujt e tjerë fqinjë, nën këtë shembull, zgjodhën edhe ata male të tyre, për t’i himnizuar si simbole të ngjitjes lart, të rnospërkuljes e të shpresës në ditë të këqija.
Përse pikërisht malet? – mund të pyeste dikush. Mos vallë ngaqë ato ishin të panevojshme dhe, siç ndodh shpesh, janë pikërisht gjërat e panevoj shme që sublimohen?
Ndonëse mund te ketë një pjesë të së vërtetës në këtë shpjegim, ai mbetet i mangët. Kryesorja që ka vendosur peshën e maleve ka qenë dukja e tyre. Malet duken. Që larg dallohen kreshtat e tyre, debora, çarjet e frikshme. E mbuluar nga retë, dukja e tyre s’humb asgjë, perkundrazi fiton. Një autoritet ka nevojë, pra, për t‘u dukur. Në qoftë se pranë deltës së Nilit do të kishte male, piramidat nuk do të ndërtoheshin kurrë.
Nga kjo pikëpamje, fushat janë e kundërta e maleve. Ato nuk duken, ose duken pak, me përmasa të kufizuara, sidomos kur je midis tyre. Pra, kanë mbetur pa peshë dhe pa autoritet pikërisht ato që e mbajnë jetën gjallë. Raporti mal-fushë në peisazhin e jetës ballkanase ngjan çuditërisht me raportin burrë-grua.
Burrat duken. Në tribunë, në kuvend, në log të burrave, në dhomën e miqve. Gratë nuk duken ose duken fare pak. Ndërkaq, janë ato që përgatitin darkat, ku burrat do të hanë, do të pinë e, natyrisht, do të krenohen për gjëra të qena e të paqena.
Kjo kronikë ka vazhduar me shekuj në Ballkan. E meqenëse kanë qenë burrat ata që kanë krijuar kodet, rapsoditë dhe ligjet, padyshim që e kanë kapur ngjasimin e tyre me malet madhështore, por jo fort të të nevojshëm, dhe nëpërmjet maleve kanë sublimuar veten.
Në kronikën e botës ka shpesh përpjekje për revizionim. Një nga këto ka qenë dalja e gruas në skenë. Midis Iuftërave, midis epidemive, midis dëshpërimit del shpesh një grua, që i habit të gjithë. Joanne d‘ Arc e francezëve është tipike.
Por gratë nuk pranohen lehtë në log të burrave. Jeanne d’Arc u dogj si shtrigë dhe ende sot ka njerëz qé nuk e duan në Francë.
Midis aradhës homerike të maleve të Ballkanit, një fush u përpoq, më në fund, të hynte: Fusha e Kosovës. Emri i saj ishte i ëmbël, romantik: Fusha e Mëllenjave. Hyrja e saj ishte shqetësuese, ngatërrestare, tamam hyrje prej gruaje, siç përfytyrohej me mllef nga pleqtë e moçëm. Me fjalë të tjera, hyrja e një shtrige.
Një fushë ku u bë një luftë. Ku u derdh shumé gjak njerëzor. Gjak popujsh të ndryshëm, me kombësi, fe e ligje të ndryshme. Një fushë lufte me pamje të dyzuar. Me fjalë të tjera, një disfatë që përkujtohet prej një pjese të të mundurve si të ishte fitore. Shkurt, fillimi i një mashtrimi i ndjekur nga një grumbull tjetër mashtrimesh. Më e keqja, një fushë lufte, që pas gjashtë shekujsh kërkonte ende gjak.
Përse gjak i ri? Nga kush? Të mundurit kërkojnë revansh ndaj fitimtarëve? Kurrsesi. Fitimtarët, turqit, janë larg dhe të paarritshëm. Përveç; kësaj, ata janë anetarë të NATO-s.
Atëherë, nga kush kërkohet gjaku? Pergjigjja është tronditëse: serbet, një pjesë e të mundurve, e kërkojnë gjakun prej shqiptarëve, ish-aleatëve të tyre, gjithashtu, të mundur prej turqve.
Perse? Në bazë të ç’të drejte, të ç‘llogjike?
Përgjigjja është: të asnjë të drejte, të asnjë logjike. Për të kuptuar, ketë duhet të dimë çka ndodhur vërtet në Fushë të Kosovës më 28 qershor të vitit 1389. Me dy fjalë, ka ndodhur kjo: trupat perandorake osmane, bashke me aleatet e tyre, myslimanë e të krishtere përzier, mbërrinë në Fushën e Mëllenjave. Përballë tyre janë aleatët ballkanase serbët, shqiptarët, boshnjaket, vllehët, kroatët, të gjithë të krishterë. Lufta është e eger, ballkanasit thyhen.
Kjo është e verteta. Nuk ka tjeter.
Për ta përmbysur këtë të vërtetë, pra, për të përligjur masakrën e saj kundër shqiptarëve, Serbia ka krijuar një mal me mashtrime. Mashtrirnet e saj, ndonëse të përkrahura nga miqtë e saj, nuk ecën. Serbia u ndeshkua. Mbi Fushën e Mëllenjave është ngritur sot flamuri i Europës. ..(pjesë I)