...Një proverb shqiptar thotë: hedh një gur në ujë një i çmendur, dyzet të mençur nuk e nxjerrin dot. Bashkimi Europian, nëntëmbëdhjetë qeveritë e tij duan ta përmbysin proverbin: hedh një gur BE-ja, e të çmendurit e Ballkanit çoroditen. Për fat të keq, nuk ndodh kështu, për fat të keq, nuk dihet ende cila palë do të çoroditë tjetrën. Filmi amerikan „Njerëz me ndikim“, me Robert de Niron e Dustin Hoffman, ka dalë në prag të krizës, si për të shtuar mishmashin.
Në shtyp, në reportazhe, në biseda vetjake diçka del nga ajo që ka ndodhur pak më parë e që është shpesh e papritur. Flitet se ishte Madeleine Albright ajo që më 16 janar, në orën pesë të mëngjesit (më krijohet përshtypja se punët kryesore të ministres amerikane kryhen ndaj të gdhirë), pra, në pesë të agut, Albright ka zgjuar nga gjumi shefin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë së vendit, Sandy Berger, për t’i njoftuar masakrën e Reçakut. I përgjumur shefi përgjigjet se një gjë e tillë e habit, ngaqë ofensiva serbe pritej në pranverë…
Ka ditë që në shtypin shqiptar flitet se drejtori i CIA-s amerikane është një grek i lindur në Shqipëri, çka shpjegon, sipas këtij shtypi, prirjen e tij kundërshqiptare. Éshtë fjala për George Tenet, i cili është vërtet bir i një emigranti grek. Nuk përjashtohet që i ati të ketë qenë minoritar grek nga jugu i Shqipërisë. Tingëllon jo fort e besueshme që drejtori i agjencisë së zbulimit të shtetit më të fuqishëm të botës të ndikohet nga nostalgjitë e zanafillës ballkanase. Për një sistem të menduari është, pa dyshim, kështu. Por ka një tjetër sistem, ai për të cilin u fol më lart e mbetet përherë në terr.
Përfundimisht, merret vesh se bisedimet nuk do të bëhen në kurrfarë vendi të veçuar, as në kështjellë, si në Rambouillet, as ne kazerma ushtarake, si në Dejton, por mu në mes të Parisit, ne Avenue Kléber.
(Grupi i psikiatërve ka ardhur, siç duket, në përfundimin se për trurin ballkanas kështjella mbretërore e Rambouillet ka qenë e dëmshme. Fantazma, ëndrra të këqija, makthe lavdie. Ndoshta, së paku, për këtë herë grupi ka pasur të drejtë.)
15 mars
Christofer Hill dëshironte të hanim darkë, porsa të mbërrinte në Paris. Më ka lajmëruar qysh më parë nëpërmjet Ekrem Bardhës, nga Nju-Jorku.
E kam njohur qysh në Tiranë, por kureshtja për të takuar është dyfishuar. Është, pa dyshim, njeriu nëpërmjet të cilit kalon gjithçka që ka lidhje me fatin e Kosovës. Kisha dijeni për netët e tij pa gjumë në Rambouillet, për lodhjen, nervozizmin, dëshpërimin përballë kokëfortësisë ballkanase. Ka gjasë që gjithçka të përsëritet këtë javë në Paris. Ndaj u befasova, kur pasdite e konfirmoi darkën. Kisha kujtuar se me të mbërritur, i gjendur midis shtjellës, do ta shtynte ose do ta anulonte fare.
Në „Maxim’s“ duhet të jenë të rralla darkat, në sfond të të cilave ka një ngjarje kaq dramatike. Hill-i është me të shoqen. Unë, gjithashtu. Përveç Ekrem Bardhës, ndodhet edhe kryetari i Komitetit Amerikano-Shqiptar, Avni Mustafaj. Biseda bën ç’bën, kthehet tek ajo që do të ndodhë.
Në qoftë se nuk bie në gjunjë, Jugosllavia do të bombardohet, jo s’ka asnjë dyshim. Veç në qoftë se shqiptarët bëjnë ndonjë marrëzi. Bombardimi do të nisë menjëherë. Në të vërtetë, ndonëse jam i bindur se është e vetmja zgjidhje, kam një zbrazëti në shpirt.
Tri herë e pyeta se ç’do të bëhet në kohën e bombardimeve për të shmangur hakmarrjen serbe dhe të tria herët ai m’u përgjigj, pak a shumë, me të njëjtën frazë: dy javë do të jenë tepër të vështira për shqiptarët. Me fjalë të tjera, ato do të jenë dy javët e ferrit.
*Pjesë nga ditari për Kosovën të vitit1999 që është i njohur nën titullin “ Ra ky mort e u pamë