Morti thërret: Çprisni?

Ismail Kadare te “Ra ky mort e u Pamë„

5 gusht

Vërshim librash për Kosovën në të gjithë Europën. Midis tyre, si gjithmonë, një sasi e madhe e shkruar prej serbësh ose miqve të tyre. E, si gjithmonë, një zbrazëti e madhe e shqiptarëve, veçanërisht e shqiptarëve te Kosovës.
Kërkohen dëshmitë e tyre, e pikërisht dëshmitë e tyre mungojnë.
Të vjen të thërrasësh: ç’prisni!
Dy-tri herë që më ka qëlluar të kritikoj sivëllezërit e mi kosovarë për këtë heshtje, kam menduar më pas, mos jam treguar i padrejtë, ose më i ashpër se ç’duhej. Më éshte dukur kështu, veçanërisht pas dendësimit të tragjedisë në këtë pranverë.
Mirëpo, pikërisht nxirja edhe më e zezonës e ka bërë të padurueshme pritjen.
Fjala e shqiptarëve të Kosovës ka vendin e vet të pazëvendësueshëm në këtë enciklopedi të krimit.
Historia tregon se në asnjë vend të Europës nuk ka ndodhur kurrë që letërsia të mënjanohet nga dënimi i së keqes. Sa për mendimin e shprehur se një gjë e tillë do ta dëmtonte letërsinë, kjo s’është veçse një përligjje e mjerë e një alibie. Krimi dhe dënimi i tij kanë qenë motive të parapëlqyera të krenajave të letërsisë botërore, që nga tragjedia antike greke, te ferri i Dantes, te Shekspiri, Dostojevski e Kafka.

 

kadare , Kaleshi.png

 

„Këto holle (hajate) të mëdha të vdekjes“

7 gusht

Piktori shqiptaro-turko-maqedonas, Omer Kaleshi, do të hapë së shpejti një ekspozitë të re në Paris e në Stamboll. I kam premtuar t’i shkruaj një hyrje për botimin e albumit të tij.
Kokat e O. Kaleshit, sic ia quajnë shpesh portretet, ndonëse atij vetë nuk i pëlqen një cilësim i tillë, janë bërë jo pak të njohura në Paris. Duket sikur një piramidë kokash e Timur Lëngut është e shpërndarë në pëlhurë. „Këto holle (hajate) të mëdha të vdekjes“, siç do të thoshte Francis Baconi. Koka barinjsh e dervishësh. Një përzierje e njerëzve të Ballkanit me ata të stepave të Anadollit.
Me ca sy që duket sikur vështrojnë jo jashtë, por brenda vetes. Me njëfarë bryme, bore frigoriferike, të kujton morgun e Prishtinës së tanishme, ku hetuesit e TPI-së kryejnë autopsitë e tyre. Me një vijë ndarëse pranë qafës, një përndritje e largët gijotine, një si „shenjtërim“, sipas Jacques Lacarriére. Gjithmonë sipas tij, është si një plagosje e pashërueshme, si ajo e Filoktetit te grekët e vjetër.
Omer Kaleshi është më tepër piktor turk se shqiptar. E, megjithatë, atmosfera e pikturave të tij, ndonëse fjala kosovar është e rrallë, të sjell ndër mend tragjedinë që sapo u luajt atje. Të vjen keq që piktura e shqiptarëve të Kosovës është fare pak e pranishme sot në galeritë e Europës. Edhe kur qëllon të jetë, ajo me shumë vështirësi të kujton Kosovën, ose nuk të kujton
fare.

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..