Të gjithëve mund t’u kërkojmë ndjesë, veç ju, shqiptarëve, kurrë!

Serbia e ka pranuar dëmtimin e vet, sipas logjikës së mbrapshtë ballkanase të nxjerrjes së njërit prej syve, veç që kundërshtari t’i humbte të dy.

Kombi shqiptar në mijëvjeçarin

Zërat që kanë kërkuar një Nuremberg, ose së paku, një Mininuremberg për Ballkanin e fundshekullit, sa ç’janë dukur bindës, si faktor paqeje, po aq kanë zgjuar drojën se mund të shkaktonin të kundërtën. Këtë mëdyshje Serbia e ka zbërthyer në favor të saj, madje si shenjë se mund të sprapste me vendosmëri kërkesën për kërkim ndjese për krimet në përgjithësi e, në veçanti, për krimet në Kosovë. Këmbënguljen e pamjaftueshme të Europës, ajo e ka lexuar po aq gabim, pa folur pastaj për dhuratën e befasishme, që i erdhi si e rënë nga qielli në çastet më të vështira të saj: heshtjen shqiptare. Kjo e fundit, sido të shpjegohej: ligështim tragjik, pezm dinjitoz, turp, thyerje shpirtërore e gjer tek më e keqja e të gjithave, heshtja e blerë, ka qenë ndoshta shtysa kryesore, që i dha zemër për diçka, që gabimisht ajo e mori si një shans, e në të vërtetë, do të ishte për të si një plage e pambyllur. Shansin për t’u çliruar prej racizmit antishqiptar, ajo e humbi dhe sa me shumë të kalojë koha, aq më të vështirë do ta ketë një shans të dytë.

Serbia e ka pranuar dëmtimin e vet, sipas logjikës së mbrapshtë ballkanase të nxjerrjes së njërit prej syve, veç që kundërshtari t’i humbte te dy.

Duke gënjyer veten me zhurmën për kinse dy Serbi, që s’ngjanin me njëra tjetrën, të parën, mizoren, millosheviçianen, dhe të dytën demokratiken, tadiçojeremiçoviçen, serbët fanatikë kujtonin se mund ta hidhnin lumin. Në të vërtetë ky ishte një gënjim, ashtu si gënjimi i dymbëdhjetë viteve më parë, kur më 28 qershor, në Fushën e Kosovës, të dehur prej marrëzisë së tiranit, e brohoritnin atë, pa e kuptuar së po brohoritnin fatkeqësinë e tyre.
Këmbëngulja për të mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte, herët a vonë, te e vërteta e hidhur se nuk kishte dy Serbi, njëra e zezë e tjetra rozë, por një Serbi të vetme, veç me dy maska, të cilat i vinte e hiqte sipas volisë. Po a ishin vërtet serbët aq kokëkrisur heroikë, siç e reklamonin veten? Nuk ishte fort e besueshme, sidomos, po ti vihej re flirti i këtyre „kalorësve të krishtërimit“, siç iu pëlqente të quheshin, me vendet arabe, dhe veçanërisht me Turqinë. Gazeta „Financial Times“, njoftonte kohët e fundit, për „lavdërimet që Ankaraja i bën presidentit Serb Boris Tadiç, si një paqtues rajonal (as a regional peacemake,‘)“. Serbët, nga ana e tyre, gati tinëzisht, kanë hequr dorë nga trillet dhe kanë nënshkruar, më në fund, në Stamboll, rezolutën kundërthënëse, e cila dënonte si gjenocid masakrën e Sebrenicës, në Bosnje.
Pra serbët, kur kishin interes, dhe në këtë rast interesi kryesor ishte mosnjohja prej vendeve myslimane e Kosovës, dinin fare mirë të hiqnin dorë nga krenaria krishteromadhe, madje në shërbim të kësaj, të vinin gjysmëmyslimanizmin e ministrit Jeremiç, një stërgjysh i të cilit a prominent Muslim politician, sipas „The New York Times“. Me këtë fanatizmi serb, kërkonte të mbitheksonte racizmin e tij antishqiptar. Me këtë fanatiket donin të thoshin: të gjithëve mund t’u kërkojmë ndjesë, veç ju, shqiptarëve, kurrë.

Kadare në: Mbi krimin në Ballkan“

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..