KOSOVA. Një nga vjershat e rralla ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

*Terrori në Kosovë. Zanafilla e novelës „Krushqit janë të  ngrirë“, vepra e parë letrare që, qysh në vitin kur u shkrua  e sidomos me botimet e saj anglisht dhe frëngjisht, në SHBA dhe Francë, i bëri të njohur lexuesit botëror rebelimin e studentëve të Kosovës dhe të vërtetën e masakrës së Prishtinës në mars të vitit 1981.

TERRORI NË KOSOVË

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish déshmitaré, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kurju griu,
Por retë e globit veç ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë.

1981

BJESHKËT E NAMUNA NË DIMËR

As zog, as vetëtimë
Gjëkund syri s’has.
Ngrirë gjithçka. Ëndërr
Veshur në kuarc.

Si në hotelet e shtrenjta
Ku shtegtari s’hyn,
Shiu dot s’i afrohet
Luksit alpin.

Shkëmbinj si tempuj
Nën re, mbi re.
Një varrezë bubullimash
Kujdes, nën këmbë ke.

1980