Si shumë vendeve, Shqipërisë gjithashtu i ka ndodhur të shitet prej të vetëve, por kurrnjëherë nuk është këndellur ideja se të prapambeturit janë rojat e kombit kurse të ndriçuarit janë përqeshësit e tij. Ka qenë gjithmonë e kundërta.
Ismail Kadare
te Mosmarrveshja

Historia e re me Gjergj Kastriotin është më e vjetër se duket. Ajo ka nisur fill pas rënies së komunizmit. Një roman i shkurtër, i titulluar „Mekami“, i një shkrimtari të quajtur problematik, K. Trebeshina, botuar në rrethana të dyshimta në Kosovën ende nën sundimin serb, shënon fillimin e fushatës së egër kundër personazhit. Në atë libër, heroi i parë i shqiptarëve, trajtohet as më pak, as më shumë si hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Vetë autori, i përndezur prej sulmit të vet, e shpall veten turk.
Ndërkaq, autori i librit mëton cilësimin si disident. Ndaj pyetjes, për ç’merita?, përgjigjja është e prerë: për një promemo- rie që i paska dërguar Enver Hoxhës, më 1953. Sipas saj, është ndoshta shkrimtari i parë në Shqipëri, që ka guxuar t’i shkruajë diktatorit: ti dhe shokët e tu jeni vrasës, që jo vetëm do të vrisni më pas njëri-tjetrin, por do ta mbytni vendin në gjak!
Tingëllon disi e pabesueshme për cilindo, por sidomos për strehsat.
Dyshimi për promemorien dyfishohet kur sillet ndër mend e kaluara letrare e personazhit: Shkrimtar si shumë të tjerë, me lavde për komunizmin dhe kulmi, pikërisht në mars të vitit 1953, pak kohë përpara promemories, me poemën më himnizuese, kushtuar Stalinit, në ditën e vdekjes së tij.
Këto kujtime prekëse nuk e ndryshojnë aspak statusin e personazhit. Madje, ai nuk lëkundet as kur strehsat, këtë herë të zemëruar keq, zbulojnë se kinse disidenti, ose kinsi, siç do të quhej shkurt, jo vetëm s’ka qenë kundër regjimit, por ka qenë oficer i Ministrisë famëkeqe të Brendshme, pra, pjesë e thelbit gjakatar të shtetit.
Që njeriu gëzonte mbrojtje të fshehtë, kjo ishte e qartë. I turbullt ishte shkaku. Mbrojtja shtrihej në të dyja regjimet: në komunizëm dhe në paskomunizëm. Nga të dy krahët e politikës: e djathta dhe e majta. Vetvetiu bëhej pyetja: disident kundër kujt kishte qenë në të vërtetë kinsi? Me ç’dilte, disidenca e tij më e qartë paskësh qenë kundër Skënderbeut. Ajo kundër regjimit mbetej për t’u vërtetuar.
S’do ti kalonte shumë kohë dhe, pas Kastriotit, do të hidhej hija e keqe për atë që quhej periudha më e ndritur e historisë shqiptare dhe bijë e drejtpërdrejtë e Iluminizmit europian Rilindjen Kombëtare. E pas saj, mbi gjithka të shpallur si vlerë morale e kulturore e kombit: mbi gjuhën shqipe, mbi zanafillën ilire të saj dhe të gjithë shqiptarëve, mbi themeluesin e shtetit shqiptar më 1912, gjer mbi Nënë Terezën, që gjatë ceremonisë së çmimit „Nobel“, në Oslo, kishte treguar moselegancën të zinte ngoje zanafillën e vet shqiptare.
Strehsat, merret me mend, e humbën çdo durim. Pas shpenzimit me tepri të epitetit „antishqiptar“ e bënë disi më të larmishme listën e sharjeve. Iu kujtuan mohsave prejardhjen nomenklaturore, duke mos harruar t’i krahasonin me vezë të gjarprit, donin të mbronin krimet e etërve të tyre, gjë që nuk u prit mirë prej opinionit publik. Një etikë e heshtur ishte bërë zotëruese, ndërkaq, në Shqipëri, që gjëra të tilla të mos kujtoheshin.
Për fat të strehsave, në një çast kur më së shumti kishin pasur nevojë për mbështetje, u gjet pranë tyre një studiues dhe poet, i dënuar me ca vjet pune të detyruar në një minierë qymyri, për arsye letraro-politike. Ky poet kishte polemizuar dy-tri herë në shtyp dhe TV, duke kërkuar heqjen nga tekstet shkollore të shkrimtarëve që ishin përzier drejtpërdrejt në krimet e diktaturës. („Mosmarrvehsja“)