LETËR VACSLAV HAVEL-it
President i Cekosllovakisë
Paris, 14 shtator 1991
I dashur Vacslav Havel
Besoj se do të më kuptoni e, për këtë arsye, do të më falni këtë mënyrë të drejtuari, jo protokollare. Duke qenë i sigurt se anëtarët e sektit tonë, sektit të madh të shkrimtarëve, mbeten përherë besnikë të kësaj bashkésie edhe kur qéllon qé marrin poste té larta e bëhen presidentë shtetesh, unë po ju drejtohem thjesht si koleg (confrére), si një murg, që i drejtohet vëllait të tij murg, të të njëjtit urdhër.
Zgjedhja e juaj, si president i një vendi qëndror të Europës, ka qënë jo vetëm një nder e një kënaqësi shpirtërore për të gjithë shkrimtarët, por përtej kësaj, ajo ka qenë një shenjë, një ogur i mirë, për të gjithë kontinentin tonë evropian. Edhe më parë historia ka njohur zyrtarë të lartë, madje edhe monarkë shkrimtarë, por ju u bëtë kryetar shteti në një kohë të turbullt e dramatike, në kushtet e një konkurimi e sensibiliteti të lartë politik kur vendi juaj ndodhej në mes të ciklonit të ndryshimeve, bota mbarë e ndiqte me ankth. Në këtë sens, fakti që zgjedhja e juaj u prit me kënaqësi nga të gjithë, dëshmon se në botën tonë, që shpesh na duket më e ashpër e më cinike se sa është, synimi drejt vlerave të epërme shpirtërore, jo vetëm që nuk bije por qëllon që edhe ngrihet. Mendoj se përveç asaj çka fitoi Çekosllovakia nga zgjedhja juaj, ky është një mesazh i mire dhe plot shpresa që mori krejt njerëzimi, Gjithmonë në këtë sens, aksionet tuaja me përmasa mbarë europiane, siç qe takimi i Pragës i qershorit të këtij viti, që ju e organizuat bashkë me presidentin Mitterrand, janë të natyrshme e ju shkojnë ju për shtat, si rrallë kujt.Pata nderin të jem i ftuar në Pragë, por ndonëse u takuam bashkë, nuk pata mundësi, për arsye që merren me mend, t’ju shtjelloja disa mendime të mia, çka po përpiqem ta bëj sa më shkurt, në këtë letër.
Ndonëse unë jam një shkrimtar i larguar nga vendi im, përpiqem gjithmonë si shkrimtar e jo si politikan, të bëj diçka për Shqipërinë e popullin shqiptar, një nga popujt më martirë të Europës. Në Pragë u fol shumë për Europën e nesërme. Gjetja e rrugëve drejt saj, është një nga aksionet më fisnike e më heroike kohës sonë. Në këtë kohë, ka shumë arsye për t’u dëshpëruar, por ka edhe arsye të tjera për t’u gëzuar. Fakti që njerëz si ju, marrin pjesë në projektin e ardhshëm të Europës, janë inkurajuese për të gjithë, sepse përherë ka patur njerëz, që këtë Europë e kanë ëndërruar me cilësi sa më njerëzore.
Por, për fat të keq, Europa nuk ka qenë dhe në ndërgjegjen e saj rëndojnë mjaft pesha të vjetra të cilat duken sikur do të harrohen, por nuk harrohen e s’mund të harrohen kurrsesi. Ne shkrimtarët diçka më mirë se të tjerët e kuptojmë këtë.
Probleme të rënda, nga ato ngjajnë të pakapërcyeshme, kanë dalë përpara botës së sotme. Ndër to, dramat etnike, si ndër më të rëndat, iu prishin gjumin shumë kancelarive. Por, problemet e vërteta, janë pikërisht ato që prishin gjumin. Që ankthet e shumë popujve arritën më në fund të shqetësojnë kancelaritë, kjo megjithatë, është një gjë pozitive. Se në ç’masë do të qetësohen këta popuj, kjo do të përcaktojë në fund të fundit vlerat e kësaj kohe, për të cilën, ne të gjithë, jemi përpjekur në këtë fund shekulli.
Ndër popujt që kanë vuajtur më fort pasojat e gabimeve të Europës, kanë qenë edhe shqiptarët. Ashtu si baltët, si hungarezët, si moldavët e sikombe të tjerë, ata provuan mbi trupin e tyre gërshërët e Fuqive të Mëdha, që i prenë pa mëshirë në fillim të këtij shekulli. Por ndërsa të tjerëve iu shkëputën copa e gjymtyrë, ose përkohësisht u vunë nën protektoratin e fuqive të huaja, kombi shqiptar, ishte i vetmi që pësoi tragjedinë më të réndë: u pre më dysh. Ky gjymtim i rëndë ia ka prishur e vazhdon t’ia prishë atij gjithë drejtpeshimin, e bashkë me këtë, shkakton turbullira në gjithë rajonin ballkanik.
Ndërsa gjysma e këtij kombi shpëtoi më në fund nga diktatura vendase komuniste, gjysma tjetër vazhdon të lëngojë nën një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota, dhunën serbe. Pa e tepruar aspak, mund të thuhet se shqiptarët e Jugosllavisë jetojnë sot në një ferr të vërtetë. Duke mos kërkuar aspak prishjen e mirëkuptimit dhe paqes europiane, shqiptarët e Jugosllavisë (Kosovës), popullsia e tretë pas serbëve dhe kroatëve në këtë shtet, kërkojnë vetëm të respektohen njëlloj si të tjerët, as më pak e as më shumë, dhe kërkojnë atë drejtësi që bota e sotme ua njeh të gjithëve. Me këtë rast, dëshiroj t’ju njoftoj Ju, se nga të dhënat që po mbërrijnë prej burimeve të ndryshme, një masakër e përgjakshme po projektohet kundër shqiptarëve. Gjithë Europa duhet të alarmohet prej këtij paralajmërimi, përpara se e keqja të ndodhi dhe një krim i tmerrshëm të depozitohet në ndërgjegjen e kontinentit tonë.
Ju kërkoj ndjesë, zoti President, për gjatësinë e kësaj letre. Ju keni probleme jo të pakta të vendit tuaj për të zgjidhur, por unë kam besuar përherë se shpesh, në udhë misterioze, çështjet e popujve, gëzimet e hidhërimet e tyre komunikojnë me njëri-tjetrin dhe ashtu, së bashku qëllon që lehtësojnë njëra tjetrën. Kam besuar se ju, do të më kuptoni drejt, i dashur Vacslav Havel dhe nuk do të mungoni t’i kushtoni vëmendjen dhe fjalën tuaj të ndershme e të veçantë, çështjes shqiptare. Populli shqiptar, që di si rrallë kush të jetë mirënjohës, nuk do t’jua harrojë kurrë këtë gjë.
I juaji
ISMAIL KADARE
