Jacques Attali , ndihmës i presidentit Mitterrand, në pranverë të vitit 1991 emërohet president i BERZH-it, (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Ai fton në ditën e përurimit të këtij posti në Londër Ismail dhe Helena Kadare si miq specialë . Bile edhe udhëtimin Paris-Londër e bëjnë bashkë me avionin presidencial. Dhe në mbrëmjen ceremoniale me të ftuar nga vendet e ndryshme përmenden emrat e shteteve anëtare të bankës në fjalë. Por aty nuk përmendet Shqipëria. Sapo mbaron ceremonia, urimet, përshëndetjet Ismail Kadare kërkon të pyesë Jasques Attali-në se pse ishte e përjashtuar Shqipëria. “ S’di çka ndodhur , është vetëm një harresë – i është përgjigjur presidenti i Bankës, Z. Attali. „Si është e mundur që ti kujdesesh të më marrësh mua dhe time shoqe në avionin tënd, që ke telefonuar nja pesë herë për të dërguar shoqëruesit, makinën etj etj dhe harron vendin që unë i përkas? Për këtë arsye Kadare u trishtua shumë nga kjo gjë dhe po atë natë është kthyer përsëri në Paris, pa qëndruar në mbrëmjen e gostisë për të cilin ishte ftuar..etj (trajtuar më gjatë në „Kohë e pamjaftueshme“▬ të Helena Kadaresë, f 498 -506)

Pas tre ditësh Ismail Kadare i shkruan letër mikut President:
I dashur Jacques*,
Së pari desha të të falënderoj për mikpritjen tënde në Londër, si dhe për kujdesin për ta bërë udhëtimin bashkë. Ishte një kënaqësi për mua dhe për time shoqe të merrnim pjesë në ceremonitë e hapjes së Bankës Europiane që do të drejtosh ti. Është thënë shpesh e me të drejtë se kjo Bankë është një institucion unikal në botën e sotme. Në vazhdim të kësaj, unë do të shtoja se asnjë bankë tjetër në botë nuk ka zgjuar kaq shpresa e në kaq shumë popuj.
Por unë nuk do të isha i sinqertë, në qoftë se nuk do të pohoja se gjatë këtyre ceremonive madhështore e kam ndier veten tepër të trishtuar. Arsyen ti e merr me mend: vendi im ishte i vetmi që nuk merrte pjesë në këtë festë.
Unë e kuptova mirë atë çka më shpjegove gjatë udhëtimit tonë të natës me avion për në Londër. I bindur për dobinë e presionit ndaj një vendi, kur ky presion bëhet në emër të demokratizimit dhe për të mirën e njerëzve, unë bëra atë; që duhej bërë dhe mendoj se rezultatet kanë qenë qysh tani të mira. Mendimet e mia për të ardhmen e vendit tim, për domosdoshmërinë e shkatërrimit të plotë të diktaturës, të çrrënjosjes për jetë të doktrinës marksiste-leniniste, vendosjes së demokracisë së vërtetë e të kthimit të Shqipërisë në një vend europiano-perëndimor, i shpallur qartë kudo. Por unë asnjëherë s’kam ngatërruar diktaturën komuniste me kombin shqiptar dhe gjithmonë kam qenë kundër saj. Kam frikë, ndërkaq, se disa herë kjo ngatërresë është bërë, ndoshta ka qenë edhe komode, për të justifikuar njëfarë shpërfilljeje ndaj këtij populli. Lidhur me këtë, desha të them se disa nga vendet, përfaqësuesit e të cilëve i pashë të vërtiten tërë ngazëllim në tryezat e asaj feste, nuk ishin aspak modele të demokracisë. Megjithatë, e për çudi, mëkatet u janë falur njëfarësoj. Ndoshta unë gjykoj në mënyrë subjektive, për shkak se jam nga ky vend e gjithashtu për shkak se jam shkrimtar. Unë nuk e njoh strategjinë globale, rrugët që çojnë drejt Europës së nesërme, projektet, variantet, formulat e mundshme. Por, pavarësisht nga këto, jam i sigurt se si njeri dhe shkrimtar njoh diçka tjetër, diçka që është shumë më e thjeshtë e njëkohësisht më sipërane: logjikën e ekzistencës së një populli. Besoj se edhe ti, Jacques, kur çohesh në orën pesë të mëngjesit, siç më ke treguar, për të shkruar letërsi, në atë orë të shenjtë kur je më afër se kurrë pranë vetes dhe Zotit, ke një vizion të ndryshëm nga ai i disa orëve më pas, kur bëhesh Jacques Attali, president i BERZH. Të gjithë ne, në një mënyrë ose një tjetër, e pësojmë këtë ndryshim gjatë ditëve tona. Por unë jam i sigurt se ti hyn te njerëzit të cilët vizioni mëngjesor është jo fort i largët nga ai tjetri, i përditshmi. Kështu pra, unë po i drejtohem bashkërisht Attali-së president, e Jacques-ut njeri: një popull ndër më të vjetrit e Europës, bashkëmoshatar me grekët e vjetër, martir, i varfër dhe i heshtur, ndodhet përballë rrezikut të shkatërrimit ekonomik e moral.
Për Londrën, ky komb ka një kujtim të hidhur (në fillim të shekullit, pikërisht atje, gjatë një konference, ai u nda më dysh). Shpresoj që në mbarim të shekullit, Londrës t’i jepet rasti t’i kthejë pakëz gëzim. Shpresoj se ti, Jacques, do të bësh diçka për këtë. Unë e di se do ose s’do ti, emri yt përmendet tani në shumë kancelari, duke zgjuar mirënjohje të një pale e, ndoshta, qejfmbetje te të tjerët. Meqenëse administrata e vendit tim ishte e vetmja që mungonte në Londër, kam të drejtë të them se në rastin e shqiptarëve, emri yt ka të bëjë jo me shtetin, por me popullin shqiptar. E kjo është një gjë fare e veçantë, Jacques, kujtesa e populli. Duke të uruar suksese në punën tënde të re.
Ismail Kadare
Paris, 14 maj 1991
„Moji, mor horr, ti qenke?“
„Epilogu i udhëtimit pa fat në Londër ndodhi në mënyrë të papritur. Një mëngjes, ndërsa po merresha me mësimin e përdorimit të një modeli të ri makine shkrimi, ra telefoni. Ishte Jacques Attali. Mendoj se ishte fat që e ngrita unë dorezën, sepse Is* kishte për ta tradhtuar zëri. Ai ishte ende i pizmosur nga Jacques-u, sidomos ngaqë ai s’i ishte përgjigjur letrës së tij. Përkundrazi, zëri i Jacques-ut ishte aq i gëzuar, saqë padashur fillova unë té ndiej njëfarë pakënaqësie. Pasi këmbyem mirësjelljet e zakonshme, ai më pyeti nëse Is ndodhej në shtëpi. Me siguri është i zemëruar me mua, tha. Por unë kam një surprizë për të. Is e mori telefonin me një prishje buzësh. Por, një grimë më pas, kur e dëgjoj që lëshon një britmë në shqip. „Moji, mor horr, ti qenke?“ Në telefon po fliste Gramoz Pashko drejt e nga zyra e Attali-së në Londër. Ja kush na paskësh qenë surpriza dhe, ç’ështé e vërteta, ishte vërtet e jashtëzakonshme. Siç e shpjegoi një minute më pas në telefon, Jacques-u ishte betuar me vete të mos thoshte e të mos shkruante asgjë, gjersa ta ndreqte atë punën e Londrës. Për të kishte qenë më se e habitshme kur, pas ftesës që i qe bërë qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministri i saj, i ardhur né Londër per punën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në BERZH, na qenkësh mik i yni. Ishte Moji i bodrumit në Tiranë, Moji i darkave, i intervistës së famshme te Zëri i Amerikës. Telefoni kaloi disa herë nga dora e Is tek e imja, pastaj prapë tek Is. Kishim aq mall dhe aq shumë gjëra për të thënë me mikun toni të ardhur nga Tirana. Midis bisedës, Jacques-u tha se letra e Is ishte shumë e bukur dhe ishte e para letër që u vendos në arkivin e porsathemeluar të Bankës, si tepër e veçantë. („Kohë e pamjaftueshme“ ▬ Helena Kadare)
______________________________________________________________________________
*Is është shkurtimi Ismail Kadare
*Jacques Attali është një ekonomist francez, filozof kulturor, autor dhe nëpunës civil. Ai ishte këshilltar për një kohë të gjatë i presidentit francez François Mitterrand. . Në maj 1991 u bë President i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Londër, një institucion që koordinonte ndihmën për rindërtimin për vendeve e Europës Lindore.