KADARE PËR „Agence France-Presse“

 NUK BËHESH HYJNOR  NËSE E FITON NOBELIN!

Jeruzalem, 10 shkurt.

Shumë herë është parashikuar si fitues i Çmimit Nobel për letërsinë, por nuk e ka fituar ende. Dhe romancieri shqiptar Ismail Kadare nuk e ka problem nëse nuk ndodh.

Emri i tij është përmendur aq shpesh si një laureat i mundshëm i çmimit Nobel, saqë në një intervistë që shkrimtari 79 vjeçar i dha AFP-së në frëngjisht, në Jeruzalem, tha se “njerëzit mendojnë se e kam fituar tashmë”.

Kadare, romancieri dhe poeti më i mirënjohur i Shqipërisë, ishte në qytet për të marrë Çmimin e Jeruzalemit për veprën që shpreh dhe paraqet më mirë idenë e lirisë së individit në shoqëri, çmim i cili më parë është fituar nga autorë të tillë si Arthur Miller, Haruki Murakami dhe Ian McEwan.

Çmimi jepet në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Librit në Jeruzalem, që mbahet çdo dy vjet, dhe është ngjarja më e madhe kulturore e Izraelit, e cila këtë vit ka tërhequr më shumë se 200 botues nga 20 shtete.

Ky çmim është një tjetër nderim për këtë autor, veprat e të cilit janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë në Europë.
Lindur në vitin 1936 në qytetin malor të Gjirokastrës, Kadare ka fituar çmime të tjera prestigjoze, përfshirë këtu çmimin e parë International Man Booker në vitin 2005.

Ai krijoi një modus vivendi jo të lehtë me autoritetet komuniste deri sa përpjekjet e tyre për të shfrytëzuar reputacionin e tij, në 1990 e shtynë atë të kërkonte azil në Francë, sipas një biografie të shkurtër në website-n e Man Booker Prize.

Romani i tij i parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u botua në 1963 dhe më pas u përkthye në frëngjisht në 1970, duke ndezur interesin europian dhe ndërkombëtar mbi veprën e tij.
Që atëherë ai ka shkruar mbi 50 romane, ese dhe përmbledhje tregimesh të shkurtra, midis tyre “Kronikë në gur” (1971) dhe “Pallati i ëndrrave” (1981), me një pjesë të madhe që preknin përvojën e shkuar të shqiptarëve dhe regjimin totalitar që provuan.
Për Kadarenë, koncepti i lirisë është një pjesë e lindur e veprës së shkrimtarit.

“Kjo është mëse e vërtetë. Nëse jeni një shkrimtar profesionist ose normal, në një mënyrë apo tjetrën ju po shkruani në shërbim të lirisë. Të gjithë shkrimtarët e dinë, e kuptojnë ose e ëndërrojnë që vepra e tyre do të jetë në shërbim të lirisë,” i tha Kadare AFP-së.
Por ai refuzoi të t’i përgjigjej pyetjes mbi lirinë në lidhje me palestinezët që jetojnë në pjesën e aneksuar lindore të Jeruzalemit.
“Nuk ia kam bërë vetes këtë pyetje. Unë jam shkrimtar. Shkruaj letërsi,” tha Kadare. “Unë vij nga një prej atyre pak shteteve të botës të cilët i ndihmuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Besoj se numri i hebrenjve atje u rrit nga 200 në fillim të luftës në 2000 në fund të saj.”
“Populli i ka mbrojtur gjithmonë hebrenjtë, qoftë gjatë periudhës së mbretërisë, komunizmit apo pas tyre. Ja përse nuk e kam menduar këtë problem këtu,” tha Kadare mbi konfliktin për dekada me radhë me palestinezët. Në një editorial në gazetën Le Monde, pas sulmeve vdekjeprurëse të muajit të kaluar, Kadare foli për Europën si kontinenti që i ka dhënë më shumë botës në letërsi dhe art.

“Nuk mund ta mohojmë se 80, ose madje edhe 90 përqind e thesareve shpirtërore të 3000 viteve të fundit kanë ardhur nga Europa,” tha Kadare.“Nuk ka ndonjë teatër tjetër grek në botë. Nuk ka ndonjë Shekspir, Dante apo Cervantes tjetër.”

Edhe pse është parashikuar disa herë si laureat i Çmimit Nobel, pret ende që të marrë një telefonatë nga Akademia Suedeze. Por kjo nuk është diçka që e lë Kadarenë pa gjumë natën.
“Shtypi ka folur kaq shumë për këtë saqë shumica e njerëzve mendojnë se e kam fituar tashmë,” thotë Kadare. “Unë jam tashmë pjesë e atyre që janë parashikuar për ta fituar dhe kjo është vërtetë e rëndësishme. Të mërzitesh për këtë do të ishte e pakuptimtë dhe budallallëk. Nuk bëhesh hyjnor nëse e fiton. Dhe nuk është gjëmë nëse nuk e merr.” ▬ AFP (Agence France-Presse) , 10.shkurt. 2015

Ein Kommentar

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..