FLILLESA E ROMANIT ” GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”

FILLESA E NJË ROMANI

(Tregimi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – çështja e gjinisë letrare)

 

Do të humbnim shumë nëse do të vendosnim se historia e kulturës në tërësi është e parëndësishme, dhe se njerëzimi e ka kaluar kohën duke dëshmuar në lidhje me asgjë dhe për asgjë. Do të humbnim shumë nëse do ta hidhnim prapa shpinës dimensionin e së kaluarës, e aq më tepër, do të humbnim në themel, në atë që mund ta mësojmë për vetveten si qenie që mendojmë… Çdo debat është edhe i vjetër edhe i ri; edhe atëherë kur ne mendojmë se i përket kohës së shkuar, ai vazhdon të qarkullojë në ne.[1]

Judith Schlanger

 

Ka vepra ndaj të cilave nuk mund të rrimë indiferentë, nuk mund të heshtim për fillesën e tyre, por as për procesin nëpër të cilin ato kanë kaluar për të arritur gjendjen përfundimtare (nëse mund të ketë një gjendje të tillë – përderisa autori është ende gjallë dhe ka gjithë të drejtat për ta riparë e përpunuar tekstin e vet!). Këto vepra që me kalimin e viteve kanë pësuar ndryshime, duke kaluar nga njëri zhanër në tjetrin, mbajnë mbi vete gjurmën e kohës në të cilën janë shkruar, duke u bërë kështu një dëshmi e përbashkët kulturore. Ato janë dëshmia e parë, vegimi i parë i autorit, sythi prej të cilit do të burojë e gjithë ajo çka do të vijë më pas. Një ndër nga këto vepra është Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i konsideruar si një nga veprat më të mirat të shkrimtarit Ismail Kadare. Është i njohur fakti që Kadare për këtë vepër ka punuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos e konsideruar asnjëherë një proces të mbyllur, me arsyen se ky tekst nuk e kënaqte asnjëherë plotësisht. Ndoshta do t’ju duket e çuditshme, por kam përherë dëshirën t’i rikthehem romanit tim të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndonëse e kam ripunuar disa herë tashmë. Ndoshta nuk i kam shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë.[2] Kadare do ta konsiderojë marrëdhënien me këtë libër si marrëdhënien e dy njerëzve që sa më shumë duhen, aq më fort e torturojnë njëri-tjetrin. Nga pozita e autorit, teksti mund të ligjërojë si i pambaruar, që ndodhet në gjendje dinamike, në atë kohë kur pikëshikimi i jashtëm (i lexuesit, i autorit, i redaktorit), do të gjakojë t’i mveshë tekstit përfundimin. Mbi bazën e kësaj lindin raste të shumta konfliktesh ndërmjet autorit dhe lexuesit. Lev Tolstoi refuzonte t’i shikonte fletët e korrektuara autoriale si tekste të përfunduara, duke parë në to veçse etapa të një procesi të pandërprerë.[3] Teoricienë të ndryshëm të romanit kanë pohuar se, romani është i vetmi lloj që nuk ka rregulla, dhe kjo shpjegohet me faktin se ai është në transformim të përhershëm dhe ende i papërfunduar. Kjo mungesë rregullash nuk shihet si një dobësi e teorive, por si një përbërës i romanit. Kështu që, kthimi i vazhdueshëm i Kadaresë ndaj këtij romani, me gjasë, do të justifikohet, nga vetë rregullat që e bëjnë të funksionojë një roman si i tillë. Sepse fundja romani nuk njeh as kufizime, as pengesa: ai është i hapur ndaj të gjitha mundësive, i pakufizuar dhe në zgjerim të vazhdueshëm; e nëse do të donim ta vazhdonim ironinë e të ndiqnim vijën logjike të Chartier-it do të pohonim se, romani me aftësinë e vet krijuese, humorin e shqetësuar dhe gjallërinë e tij, i ngjan vetë shoqërisë moderne, ku edhe mori zhvillimin vendimtar.[4] Eric Donald Hirsch, Jr.[5], në esenë e tij Në mbrojtje të autoritshënon se, çdokush që ka shkruar dhe shkruan e di se opinioni (reflektimi) i veprës së tij ndryshon dhe përgjigjja (në kuptimin e qasjes) ndaj tekstit ndryshon lexim pas leximi, pra pas çdo rileximi. Në mënyrë të vazhdueshme autorët nuk pajtohen me mendimet dhe reflektimet e tyre të mëparshme të shprehura në tekste, dhe ndaj zgjedhin t’i rishqyrtojnë e rishkruajnë tekstet. Pra, rishqyrtimi dhe rishkrimi i teksteve është një proces i cili lidhet me vetë aktin shkrimor, që në vetvete është i pacak. Ky lloj procesi që shënon një mosshkëputje të autorit prej veprës – përbën  për filologët, kritikët gjenetikë apo edhe gjuhëtarët, një pikë referimi për të njohur sadopak laboratorin krijues të autorit, arsyet që e kanë shtyrë atë të ndërmarrë rishqyrtime dhe rishkrime të tilla; njëkohësisht bëhet dëshmues i ndryshimit që mund tw ketë pësuar gjuha letrare (pas standardizimit) apo përzgjedhjes ligjërimore në kohë të ndryshme etj.

Përveçse romancier e poet, Ismail Kadare lëvroi me sukses edhe llojin e tregimit dhe novelës. I prirë spontanisht si një shkrimtar i ri për të shkruar ndryshe, që në vitet ‘60, thyerja që ai synon, bashkon ndjeshmërinë ndaj formave dhe tematikave potenciale, të pashfrytëzuara më parë. Për Kadarenë, tregimi është hapësira ku ngjizet kureshtja parësore e një shkrimtari. Brenda saj shestohen pikëpyetjet e shkrimit, vramendjet e kumtit, mohimet dhe pohimet e formës, matet dhimbshëm liria e artit dhe e shkrimtarit. Aty gjenden pikëprerjet e të gjitha historive, të një vendi, të një populli, të një letërsie, të një shkrimi. Aty është gjurma e procesit që modifikon pandërprerë leximin, botën, nën ritmin e një tregimi. Është gjurma e një procesi marramendës, ku çdo shkronje, çdo fjale, fjalie të thjeshtë e të ndërvarur, kumti emotiv a neutral, filozofik, metafizik apo thjeshtë të përditshëm, i duhet të gjejë vendin që i përket në tekstin letrar.[6] Siç edhe lartpërmendet, në këtë punim do t’i kushtojmë rëndësi tregimit Gjenerali i ushtrisë së vdekur – që shënon pikënisjen e veprës me të njëjtin titull. Për herë të parë Gjenerali i ushtrisë së vdekur botohet në revistën e përmuajshme letrare-artistike-shoqërore-politike, Nëndori (e cila pas standardizimit të gjuhës quhet Nëntori), që ishte Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Tiranë, nr.5, maj 1962, bashkë me dy vizatime në brendi të cilat ilustrojnë tekstin. Një muaj më vonë botohet, më 30 qershor 1962, për t’u ribotuar më tutje (por pa historinë e shtëpisë publike) në revistën Zëri i Rinisë, ku përsëri shoqërohet me vizatime. Sipas studiuesit Ag Apolloni, tregimi i Kadaresë është ekzemplar i zhanrit, i cili në letërsinë shqipe kohën e artë e jetoi në vitet ’30 – ’40 të shekullit të njëzet, me tregimet sociale (Migjeni), politike (Konica), etnografike (Koliqi) dhe folklorike (Kuteli), të gjitha herë-herë të përshkuara nga një fill psikologjik. Gjenerali vjen si një sintezë e këtyre modeleve paraprake. Kadare  përfshin aktualitetin social e politik, si dhe realitetin etnografik e folklorik, duke e mbitheksuar komponentin psikologjik.[7] Tregimi dhe dy versionet e romanit botohen para standardizimit të gjuhës shqipe, prandaj te Gjenerali shihet jo vetëm konsolidimi gjuhësor e artistik i Kadaresë, por edhe evoluimi i gjuhës shqipe në përgjithësi.[8] Nëse kalimi nga njëri zhanër në tjetrin, nga njëri motërzim në tjetrin përbën një dëshmi letrare, atëherë kjo vepër në tërësinë e saj përbën një dëshmi kulturore sepse është dëshmuese edhe shkrimit shqip të asaj kohe. Si shembull sjellim fragmentin e mëposhtëm, i cili dëshmon për disa trajta të shqipes para standardizimit: Sonde ish e shtunë. Ai duhej të çlodhej, të dëfrente. Por ç’të bënte i vetëm me këtë prift të mvrojtur e të heshtur si një korb, përballë? Do t’i pëlqente përshëmbull sonde të danconte por nuk mundte.[9]

Ky tregim me një bosht qendror ideor, një personazh kryesor dhe të tjerë dytësorë, me një kompozicion dramatik në fillim, mes dhe fund, dëshmon parimet bazë të këtij zhanri që janë: efekti, skicimi, selektimi dhe ekonomizimi. Tregimi efektin e arrin me temën e madhe, formën e vogël, kompozicionin e ngjeshur dhe me klimaksin dramatik. Gjithashtu, tregimi duhet të përfillë edhe këto parime: të krijojë  botën në miniaturë, të japë ndjenjën e tonalitetit, ta  lidhë ngjarjen fort me karakterin, të përqendrohet në një ose dy karaktere, të ketë një ide dominuese, ngjarjet të krijojnë emocione, duke shmangur digresionet dhe përsëritjet. Nëse si tharm i romanit  Gjenerali i ushtrisë së vdekurshërbeu tregimi në fjalë, lexuesi interesohet të dijë se cili ka qenë elementi fillestar që ka ngacmuar dhe tërhequr vëmendjen e autorit për shkrimin e vetë tregimit. Duke e njohur këtë dëshirë të hershme të lexuesit, Kadare ka folur përherë për fillesën e veprave të tij. Për veprën në fjalë ka thënë se: Gjenerali e ka pasur të ndërlikuar zanafillën e vet. Bërthama e parë e tij ishte tregimi për hapjen e shtëpisë publike të ushtarëve në Gjirokastër, një nga kujtimet më trazuese të fëminisë sime. Nuk e teproj aspak po të them se ajo e pasuroi në atë kohë fantazinë time më tepër, ndoshta, se biblioteka dhe kinemaja e qytetit. Madje, ende sot mendoj me njëfarë frike se pa të, ndoshta, edhe romani im i parë, ai që më solli aq fat, nuk do të lindte. (Petros Anteosi në Moskë i pat thënë: ti ke rënë në flori, nuk duhet ta harxhosh lehtë këtë gjë).…Episodi i shtëpisë publike u zhvendos disa herë sa nga njëri roman te tjetri dhe, meqenëse, me sa dukej, fuqia tërheqëse e të dyve ishte e barabartë, ai mbeti i askujt.[10] Por kjo histori nuk qe e vetmja: ju tregova për eshtrat e një prostitute, që përbënin tharmin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por tani që po e rimendoj më duket se jam përafërsisht i saktë, por kurrsesi plotësisht. Eshtrat e një prostitute kanë qenë vërtet në themel të këtij libri, por ato s’ishin veçse një fazë e mëvonshme, një sendërtim i mëtejshëm i një turbullire të vjetër, kurse zanafilla e vërtetë duhet të ketë qenë më e thellë. Një rrasht kali, ndoshta një rrasht kurrizor kali i zbardhur, me një mbeturinë palce përbri djerrinës së fushës së aeroportit, që e kisha parë gjatë një pikniku në fëmini dhe që më mbeti në mendje për një kohë të gjatë.[11]

Vihet  re se romani i vitit 1963 dhe  motërzimet e tij të mëvonshme, ushqehen herëpashershëm nga tregimi, që përbën fillesën e veprës; ai ka të njëjtën teknikë përshkrimi e rrëfimi, monologët e përsiatjet ndjekin të njëjtën linjë etj. Peizazhi, gjendja shpirtërore e gjeneralit, mendimi që ky i fundit ka për tokën shqiptare dhe njerëzit e saj do të mbeten ato të tregimit. Nga tregimi në roman është ruajtur teknika e shkrirjes së zërit të rrëfimtarit me zërin e personazhit për të zbuluar gjendjen e rënduar që ai përjeton. Struktura dhe arkitektura e romanit kanë pranuar një larmi të pakufizuar elementesh strukturorë, këmbimin e lirë të planeve, kapërcimet dhe kalimet e vazhdueshme, pasurimin e teknikave rrëfimtare.[12] Todorov në esenë e tij Origjina e zhanreve[13] duke folur për zhanret e ndërmjetme dhe për ndryshimin që ka pësuar nocioni i zhanrit me kalimin e kohës, sqaron se, zhanri si i tillë nuk është zhdukur, thjesht zhanret e së kaluarës janë zëvendësuar nga të tjera. Duke dashur t’i japë përgjigje pyetjes Nga vijnë zhanret?, ai thotë se ato e kanë prejardhjen nga zhanret e tjera. Një zhanër i ri gjithmonë është një transformim i një zhanri të mëparshëm, ose edhe i disa zhanreve: me anë të inversionit, me anë të zhvendosjeve, me anë të kombinimeve.[14] Fakti se vepra e “tradhton” zhanrin e vet, nuk do të thotë se zhanri nuk ekziston. Në rastin e Gjenerali i ushtrisë së vdekur transformimi i tregimit në roman është realizuar duke përfshirë brenda tregimin, pa i shkaktuar shterpësi romanit. Sipas studiueses Isufaj[15], kalimi nga tregimi në roman ishte një domosdoshmëri artistike. Ndërrimi i zhanreve do të sillte një tekst të gjallë e të larmishëm.

[1] Cituar sipas Gerard Genette në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 13.

[2] Faye, Éric, Tri biseda me Kadarenë, Onufri, Tiranë, 2007, f.45.

[3] Llotman, Jurij, Kultura dhe bumi, përktheu A. Tufa, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, f. 161-162.

[4] Chartier, Pierre, Hyrje në teoritë e mëdha të romanit, përktheu Gj. Kola, Onufri, Tiranë, 2015, f.17.

[5] Hirsch, E. D. Jr, Në mbrojtje të autorit, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 283.

[6] Asllani, Persida. Shehri, Dhurata, Hartimi i një antologjie të tregimit shqiptar në turqisht, f. 174-175.

[7] Apolloni, Ag, Gjeneza e “Gjeneralit”, në Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012, f.86-87.

[8] Apolloni, Ag, Gjeneza e “Gjeneralit”, në Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012, f.91.

[9] Kadare, Ismail, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Nëndori, 5 maj 1962.

[10] Kadare, Ismail, Vepra 18Ftesë në studio, Onufri, Tiranë, 2009, f.66.

[11] Kadare, Ismail, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, Tiranë, 2002, f.31.

[12] Isufaj, Viola,  Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011, f.453, 465.

[13] Todorov, Cvetan, Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 316.

[14] Todorov, Cvetan, Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 318-319.

[15] Isufaj, Viola, Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011, f.464.

Burimi i shkrimit: Fillesa e një romani – Anxhela Lepuri & Antonio Çikollari

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.