LETËR ZOTIT LIONEL JOSPIN

Shqipja është një nga gjuhët më të zhvilluara flektive ( me nyja e parafjalë ). Falë kësaj cilësie e, padyshim , gjithë mekanizmave të tjerë të saj, ajo përballoi lehtë, shumë më lehtë se ushtritë e princave shqiptarë , sulmin osman . Sulmi i turqishtes, që ishte gjuhë aglutinative ( që manovron me prapashtesa ), ishte një lloj sulmi i një mamuthi të ngathët që lufton kryesisht me bisht kundër një luani që përdor më shumë dhëmbët dhe kthetrat. Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim.“ ▬ Ismail Kadare

Zotit Lionel Jospin,
ministër i Arsimit

Paris, 14 shtator 1991

Zoti Ministër,
Duke u njohur rastësisht me udhëzimet për pranimin e gradës së dytë të Bakaloreatit (Instruction pour le preinscription au Baccalauréat du second degré) sesioni 1991, në rubrikën 11, zgjedhja e gjuhëve të huaja që mund të jepen në provim (choix des epreuves des langues étrangéres pour presenter au Bac), më ka habitur dhe njëkohësisht më ka shokuar tepër fakti që midis 53 gjuhëve të botës, që figurojnë në listë, është përjashtuar vetëm njëra nga gjuhët europiane: gjuha shqipe. Nuk është hera e parë që, për arsye të ndryshme, ndaj kulturës, letërsisë dhe gjuhës shqipe janë bërë atentate nga më të shëmtuarat, por kam besim se atentate të tilla i përkasin të kaluarës e sidomos ato s’mund të kishin vend në një shtet si Franca. Për fat të keq, lista që kam përpara është dëshpëruese. Në këtë renditje gjuhësh që quhen të vlefshme për nxënësit francezë e ku nuk mungojnë gjuhët amharike, bambara, haoussa, kinyarwanda, lingala, madingul, tamoui, woloff, peulh etj., për të përmendur vetëm disa prej tyre, është përjashtuar vetëm gjuha e shqiptarëve, e një prej popujve më të vjetër të Europës, letërsia e së cilës është sot një ndër më të njohurat e kontinentit.
Unë s’i marr dot me mend motivet e një racizmi të tillë, të ushtruar vetëm ndaj një vendi. Ai tingëllon kështu sidomos sot, në kohën që flitet aq shumë për aspektin ndaj identitetit të kombeve dhe për diversitetin kulturor të tyre, si një pasuri e thesarit shpirtëror europian. Do të doja të besoja se është më tepër një çështje inkompetence e specialistëve, sesa qëndrimi të ndërgjegjshëm. Nuk e quaj të tepërt ndërkaq t’ju kujtoj, zoti Ministër, se gjuha e shqiptarëve, përveç letërsisë orale mijëvjecare, është e dëshmuar dhe e stabilizuar si gjuhë e shkruar afërsisht në një kohë me gjermanishten, pas botimit të librit të saj të parë; më 1555, që është një përkthim në shqipe i Biblës. Dëshiroj të shtoj gjithashtu se ka më shumë se 300 vjet që kjo gjuhë, e vetmja pasardhëse e ilirishtes, ka tërhequr vëmendjen e gjuhëtarëve më të shquar të botës, si Gotfried Liebnitz, Johann Thunman, Jakob Fallmerayer, Franc Bopp etj., që i kanë kushtuar asaj studime dhe nganjëherë libra të tërë. Ajo vazhdon të tërheqë sot vëmendjen e gjuhëtarëve, letrarëve, të studiuesve e të albanologëve në të gjitha anët e globit dhe katedrat për studimin e saj ekzistojnë në univerisetet më të vjetra të botës, duke përfshirë këtu edhe universitetin e Sorbonës.
Shpresoj, zoti Ministër, se ju do të gjeni mënyrë për të ndikuar për korigjimin e një gjendje tepër të papëlqyeshme për gjuhën e popullit që ka vuajtur më shumë nga të gjithë nga izolimi në këtë shekull.
Pranoni zoti Ministër sigurinë e konsideratës sime të lartë,

Ismail Kadare

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit Deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Google Foto

Du kommentierst mit Deinem Google-Konto. Abmelden /  Ändern )

Twitter-Bild

Du kommentierst mit Deinem Twitter-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit Deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.