
JULIEN GRACQ
Fjala „nostalgji“, siç e tregon rrënja greke e saj, ’nostos‘, lidhet me një kthim pas. Por ka raste kur, falë një përdorimi në dukje të gabuar, fjala merr befas një tingëllim të kundërt me thelbin e saj: ajo vihet në raport me të ardhmen. Njä rast i tillë ndodh, për shembull, me njerëzit që ndonëse e njohin Parisin nga leximet, s’kanë qenë kurrë në Paris. Në këtë rast, prej dëshirës për ta parë Parisin, në mënyra të habitshme e shkuara dhe e ardhmja shkrihen dhe vetë nostalgjia pëson një zhvendosje: nga e shkuar bëhet e ardhme. Pra, mall për diçka që do të vijë.
Ndër dy nostalgjitë e mia për botën franceze, i pari ka qenë Parisi, i dyti Julien Gracq. Ishte vepra e tij, në radhë të parë, që e mistifikoi në sytë e mi, por ishte njëkohësisht ai vetë. Më saktë, vetmia e tij.
Në mënjanimin e tij kishte diçka madhështore, shenjë e përjetshme e të mëdhenjve. Ashtu si mjegulla në sytë e Homerit. Ashtu si ikja nga Roma e Ovidit. Ose si kërcënimi për internim në vendet totalitare. Në një vend të lirë si Franca, Julien Gracq, sikur të harronte në ç’epokë rronte, përjetonte drama të tjera, globale. Shumë kohë pas njohjes së Parisit kam pasur fatin e madh të njoh Julien Gracq-un. Kemi qenë gati një ditë të tërë mysafirë tek ai në Saint- Florent-le Vieil, bashkë me time shoqe dhe mikun e përbashkët Yves Mabin. Ndihem jashtëzakonisht i pasur që kam nëntë letra të shkruara me dorën e tij. Kurse brilanti i dhjetë, më i çmuari i të gjithëve, është vetë dita e kaluar me të. Pas asaj dite ai, duke u bërë më i afërt, u bë më i madh në sytë e mi.
Në 95-vjetorin e tij, do t’i drejtohesha me një formulë që, në një rast tjetër, ndoshta, nuk do t’i pëlqente: Mjeshtër i dashur, zotni Julien Gracq! Por fjala ‚zotni‘ ka qenë e ndaluar për 40 vite në vendin tim komunist. Dhe, si e tillë, ajo ka fituar atë thelb të rrallë e të shenjtë që fitojnë shpesh fjalët e ndaluara. Ndaj po e mbyll urimin tim përsëri me fjalët: Julien Gracq, zotni i Francës.
Ismail Kadare,
*Ese e shkurtër shkruar nga Ismail Kadare në botimin jubilar të 95 vjetorit të Julien Gracq, shkrimtar i madh Francës
21 shkurt 2006

„Padre“
Helena Kadare shkruan në librin e saj me kujtime “ Kohë e pamjaftueshme“ «Më ka mbetur në mend fytyra e tij e qetë, pa asnjë shenjë të jashtme që të theksonte se ishim para njeriut të madh. Banonte në breg të lumit, në një shtëpi të madhe e të vjetër, ashtu siç i kisha përfytyruar shtëpitë e Francës së thellë nga leximet e shkrimtarëve të shekullit të kaluar. Meqenëse ai jetonte vetëm, me të motrën, pas bisedës së gjatë në bibliotekë, na ftoi të shkonim në restorantin e fshatit. Natyrisht njihej e adhurohej prej të gjithëve, por askush nuk e bënte të ditur me bujë këtë. E vetmja shenjë e dukshme ishte kujdesi i tyre i madh, për ta kënaqur sa më mirë atë dhe miqtë e panjohur, që ai kishte sjellë me vete. Kur u nisëm për të ikur, ai na përcolli vetë me këmbë deri në stacion të trenit, që ishte më shumë se një kilometer larg. Derisa treni mori rrugë ai qëndroi aty për të na dhënë një lamtumirë të fundit.
Duke kujtuar në këto shënime takimin e paharruar me Julien Gracq-un, pata dëshirën t’i kthehem përsëri personazhit të dashur të At Zef Pllumit. Kishin të përbashkët cilësimin „patriark“, megjithëse të përdorur në kushte krejt të ndryshme. Kujtimi i tyre më jep përherë po atë emocion që të shkaktojnë gjërat fort të dashura, për të cilat je i ndërgjegjshëm se, ashtu sikundër ylberët, s’do të vazhdojnë gjatë. E sjell në mendje Padren në një tubim që, në mos gaboj, duhet të ketë qenë dalja e tij e fundit në publik.
Me të njëjtin zhgun françeskan të lidhur me litar të bardhë, me të njëjtën mënyrë befasuese, me një hap të lehtë dhe aspak të ngecur nga pleqëria, ai u shfaq përpara qindra vetave në promovimin e librit të Is për Dante Aligierin, në një nga sallat e Pallatit të Kongreseve. Ishte i
paharrueshëm çasti kur nga tribuna iu drejtua italianëve që merrnin pjesë në atë mbledhje: „Dantja nuk e ka shkruar Ferrin e Komedisë hyjnore për ju. Ai e ka shkruar atë për ne, shqiptarët“. Fjalët e tij e përshkuan sallën si një rrymë magnetike. Aq sa ç’ishin të pabesueshme, po aq tingëlluan profetike e të vërteta. Dantja për shqiptarët!!! Vetëm një njeri që kishte provuar burgjet e tmerrshme të komunizmit do të kishte të drejtë ta thoshte këtë.»