Autori shtjellon në roman së pari frikën:
*“Një gjë e njohur, disi e harruar që prej vjetësh, nisi të notonte në erë: frika. Ishte një frikë e veçante, fare e ndryshme nga ato që përftonin sëmundjet, kusarët, fantazmat apo vdekja: frika prej shtetit. E akullt, pa përmasa, me një zbrazëti të madhe tejpërtej, por që mbushte megjithatë gjithçka, ditë për ditë e orë pas ore, ajo nisi të përfshinte në qerthullin e saj qindra-mijëra njerëz”.
QORRFERMANI, romani binjak i „Pallati i Ëndrrave-t“
Rrinin shtrirë të dy të përqafuar, ajo e zhveshur krejtësisht, ai përgjysmë. Ia kishte thënë të vërtetën vetëm përpara pak çastesh dhe ajo as nuk kishte klithur, as kishte qarë, thuajse priste. E bardhë si mermeri, kishte dëgjuar fjalët e tij dhe vetëm pasi kishte ngjitur fytyrën pas fytyrës së tij, ai kishte ndier lotët e saj t’i lagnin mollëzat. Kështu do të rridhte, ndoshta, lëngu i thartirës mollëzave, pasi t’i kishte gërryer sytë, mendoi.
Në qoftë se nuk i miratohej kërkesa që verbimi i tij i mundshëm të kryhej me mënyrën mesjetare europiane (nuk kishte guxuar të kërkonte mënyrën romako-kartagjenase, me diell, nga druajtja se mos ia mermin për mendjemadhësi), pra në qoftë se nuk miratohej verbimi me terr, do të përfundonte ndoshta te thartira. Ka edhe më keq, i kishte thënë një shok i zyrës, mendo bizantinen, për të mos përmendur tibetianen, me te lemeritshmen e të gjithave.
– Domethënë ditën që më the se do të merrje lejen, ti e dije? – pyeti ajo.
– Po. Pikërisht atë ditë me kishin njoftuar shkarkimin nga detyra. -Ah, – ia bëri ajo. – Po si e mbajte, si nuk e the?
– S’doja të të brengosja para kohe. Kisha ende një shpresë të vogël, përderisa më kishin thënë se duhej të prisja pa lëvizur nga kryeqyteti, gjersa të shqyrtohej dyshimi i mbërritur kundër meje. Po shpresëza erdhi duke u fikur dalëngadalë… Kallëzimi, siç duket, u besua.
– Pë përse? Përse? – gati sa s’klithi ajo.
Vështronte sytë e tij me atë rrjetë të imët bojë hiri, si të kërkonte në të vjegën që mund të kishte shërbyer si fillim i së keqes.
– Ti pyet përse, – tha ai, duke shkaktuar në fytyrë një nënqeshje të hidhur. – Nuk po e fus veten ndër sytë e ndritur, ata që shohin më qartë dhe më larg, në të ardhmen, dhe që janë të padëshirue- shëm për çdo pushtet tiranik.
O Zot, mendoi ajo. Babai i saj një mbrëmje kishte thënë pothuajse të njëjtat fjalë.
– Pra, nuk e fus veten në radhën e mendjeve të tilla të ndritura, – vazhdoi ai. – Megjithatë, ka një arsye që sytë tanë duhet të zhbëhen: zhdukja e gjurmëve.
– Si? Nuk të kuptova, – tha ajo. – Është e thjeshtë, – u përgjigj ai. – Ne jemi dëshmitarë të shumë gjërave që duhet të harrohen.
– Kush ju? – pyeti ajo.
– Ne që gjer dje kemi shërbyer në komisionet e verbimit. Sytë tanë kanë parë shumë gjëra që s’duhet t’i shihnin, më kupton?
– Gjëra që s’duhet t’i shihnit, – përsëriti ajo me fare të ulët.
– Ishin të tmershme?
– Pa dyshim. Ne ishim fare pranë mekanizmit. Rrotëzat dhe rripat e tij gati sa s’na pérkitnin.
– I gjori ti, – psherëtiu ajo dhe ai ndjeu prapë lotët e saj në mollëza, po mendimi i thartirës gërryese e përshkoi jo aq thershëm, thua se lëkura e tij qe bërë më pak e ndjeshme.
– Nganjëherë listat vinin të gatshme drejt e nga lart, – vazhdoi ai. – Hetimi fillonte pastaj.
– Ç‘ trnerr, – tha ajo. – Domethënë gjithë ato péshpérima për larje llogarish s’ishin të kota.
Ai tundi kokën për të thënë „Po“ Vajza u shtrëngua e gjitha pas tij. – Po të tjerët? – tha pas pak. – Mos vallë, të gjithë që kanë punuar atje do ta pësojnë këtë? – Sigurisht që jo. Do ta pësojnë në radhë të parë ata që dyshohet se mund të flasin. – Se mund të flasin, – përsëriti ajo. – Aherë, ç’hyjnë këtu sytë? Në radhë të parë është goja që… – Goja, gjithashtu, mund të pritet, – e ndërpreu ai. – Nëse s’mjaftojnë sytë per të vëna mend, – shtoi pas një grime. – O Perëndi, – ia bëri vajza. Ndihej se të dyve u ishte kujtuar dreka ku ishte folur për gjymtimet e tjera, por asnjëri s’e përmendi. – Veç kësaj, edhe sikur dyshimi të mos binte mbi askënd, një pjesë prej nesh do të flijoheshin. Vajza e vështronte me atë vuajtje në sy, që shkakton mos- kuptimi i fjalëve të tjetrit. – Kjo është ndoshta dhe një nga arsyet kryesore, – vazhdoi ai. – Dënohemi ne, që një pjesë e hidhërimit të asaj që ndodhi të shkarkohet mbi ne. Më kupton ç’dua të them? Secilit do t’i pëlqejë që rastin e fatkeqësisë së tij ta hedhë mbi kinse fajet tona. Njëfarë kohe, në heshtjen që u bë, secilit i dukej se dëgjonte frymëmarrjen e tjetrit. – Qysh se u pëshpërit për herë të parë për gabime të bëra nga komisionet, diçka më theri né shpirt, por u përpoqa ta harroja, – tha ajo. – Kurse shoku im i zyrës, pas pëshpérimës sé parë, tha: ra dhe kambanajonë. Pérséri qëndruan ca kohë pa folur. Ndiheshin vetëm lévizjet e trupave të tyre per të gjetur një qëndrim përqafimi të ri. – Prandaj më pyete një ditë për Qyprillinjtë? – tha ajo. – Apo ishte rastësi?
– Jo, nuk ishte rastësi. Pothuajse e dija përgjigjen tënde. E dija, gjithashtu, se Qyprillinjtë kishin kokëçarjet e tyre. Megjithatë, si i thonë fjalës, i mbyturi kapet edhe pas shkumës. – Kurse tani e kuptoj përse atë ditë që të përmenda dashurinë në errësirë, ti përsërite si në kllapi: „në mesnatë… në terr…‘ – Po. Qysh atëheré e ndieja veten si të asaj bote. Ajo e përkédheli gjatë.
– Ti do të jesh përheré këndej, midis dritës, përderisa unë jam këtu.
Rrjeta e syve të tij ishte tejet e pikëlluar. – Mendon se s’ka asnjë shpresë? – pyeti vajza. – Se nuk mund të béhet asnjë ndërhyrje? Ai tundi kokén për të thënë se ashtu mendonte. Po ku shqyrtohet e gjithë kjo? Ku merret vendimi, për shembull, për rastin tënd? – Ndoshta askund, – u përgjigj ai. – Vendimi është dhënë, ndoshta, qysh në ditën e parë, qysh në çastin kur u tha se kundër meje ka mbërritur një kallëzim. – Ah, Po… Zhdukja e gjurmëve. Ajo u pendua për pyetjet e kota dhe e përkëdheli prapë. Ai iu përgjigj ngathtësisht ledhatimit të saj. Vetëm sytë i kishte të gjallë, të lëbyrur, si nga e njëjta dritë e sëmurë që ajo ia njihte tani. E ngulte shikimin i etur mbi gjinjtë e saj, te njollat mavi sipër ijëve dhe te rrëza e barkut, pastaj më poshtë, atje ku pamja s’ishte më e qartë, thua se hija kishte rënë ndërkaq. Vështron ashtu që t’i mbajë mend të gjitha, mendoi ajo.
– Do të jetoj me kujtimin tënd, – tha ai, si ta kishte kuptuar mendimin e saj. Unë do të të pres – tha vajza me zë të ligështuar. – Më kupton, se do të të pres sa të dalësh që andej… Do të jetoj vetëm për ty, më kupton. E ndiej që do të vdes, po nuk më mbajte ti në kujtesë kështu siç jam tani… Do të zbehem si hije, më kupton?…
Unë s’do të kem më as jetën, as pamjen time… Do të jem vetëm ajo që më mban mend ti… Dhe dije, në qoftë se ti do të më shuash nga kujtesa, unë do të shuhem vërtet pas kësaj, si ajo skica që fshihet me sfungjer..
Ai nuk u përgjigj, vetëm i përkëdheli ngadalshëm gjithë ato pjesë të trupit që ia kishte vështruar me ngulm pak çaste më parë.
Ajo vuri re se, ndërsa dora e tij e prekte, sytë i mbante të mbyllur.
Po bén provë si do të më përkëdhelë në terr, mendoi.
Asaj i erdhi të dëneste, të klithte gjer në kupë të qiellit, dhe kjo jo vetëm për gjëmën që kishte përpara, por më shumë për diçka tjetër, që as vetë s’donte ta pranonte, por që turbull i vinte nga thellësia e ndërgjegjes: frika se nuk do ta mbante premtimin që po i bënte.
– Të verbohem edhe unë bashkë me ty, – tha si në ethe. – Një mëngjes të kthjellët, te tremja, është shumë e lehtë… Kështu të jemi të dy në të njëjtën pjesë të botës… Atëherë, edhe po të dua, s’të iki më dot…
Fjalët e fundit i mbyti dënesa dhe ai s’dëgjoi asgjë.
– Marrëzira, – tha ngadalé. – Pak më parë fole shumë bukur.
Përse thua marrëzira tani ?
U përkëdhelën përsëri pa folur, gjersa ai tha: – Ne mund të jemi bashkë si dita me natën. Unë do të jem nata jote dhe ti dita ime… Apo jo? Dënesa nuk e la vajzën ti përgjigjej, një dënesë e mbytur, e ndërprerë nga gulçe shqyese, të atilla që shkakton qarja e diçkaje pa kthim.
______________________________________________________________________________* “Qorrfermani”,u shkrua në vitin 1984, për shkak të subjektit tepër delikat dhe të analogjisë së ngjarjes që ndodh në Perandorinë Osmane, me një fushatë spastrimesh tipike staliniste, aq shumë të njohura në të gjitha vendet ish-komuniste, vepra nuk ishte e mundur të botohej në Shqipëri, dhe botohet vetëm pasi autori kishte kërkuar strehim politik në Francë”.