Ky ka qenë një propozim i pérséritur, shumé vjet emri juaj shihej si një shpresë për vendin…
Po, për një kohë të gjatë kanë këmbëngulur që unë të bëhesha president. Më kujtohet që në një ditë më kanë marrë në telefon disa figura politike, si Fatos Nano apo Sali Berisha, aq sa dukeshin sikur ishin në një dhomë. Këtë post ma kanë propozuar të gjitha palët politike. E kam refuzuar gjithnjë me xhentilesë, por më prekësja ka qenë propozimi i Atë Zef Pllumit. Ishte në prag të vdekjes, ku me një zë gati të shuar, më thotë: Biri im, e di që të mërzisin postet, nuk i do, por bëje për ne të gjithë!
„Atë Zefi, ju falënderoj shumë, ju mirëkuptoj, por nuk është i përshtatshëm shkrimtari!“ – iu përgjigja. Dhe për disa kohë doja të vërtetoja që sinqerisht e kanë të kotë që duan të vënë shkrimtarë për të zgjidhur punë. Në një shtet që i ka punët shumë të ngatërruara, nuk është i aftë një shkrimtar që të vërë rregull.
Vaclav Havel ndante të njëjtin qëndrim me ju, vetëm se,ndryshe nga refuzimi juaj, ai e pranoi këtë post…
Megjithëse Havelin e përkrahu e gjithë bota, përsëri ai me zor i shtyu vitet e presidencës çeke. Unë e kam takuar dhe kemi biseduar rreth kësaj teme. „Presin shumë njerëzit nga ne, kujtojnë se mund të bëjmë mrekullira.“, – më tha. Këtë hall ia kuptoja, pasi mrekullirat, nëse janë për tu bërë, bëhen vetëm në art Nuk ka mundësi tjetër.
Pyetja pse nuk bëhem president nuk më është ndarë për shumë vjet.. Më kujtohet njëherë, kur isha në një televizion francez i ftuar, në një diskutim serioz, them: „që të jem i sinqertë, ndoshta shkrimtari ndoshta shkrimtari nuk është i përshtatshëm për këtë post. Shkrimtari është një njeri që punon i vetmuar krejtësisht, pa u këshilluar me askënd. Në letërsi kjo nuk quhet negative. Është i vetmi profesion, ndoshta, sikurse edhe artistët e muzikantët, që nuk kanë nevojë të këshillohen me kurrëkënd. Ndërsa, nëse je në pushtet, ti duhet të këshillohesh me të tjerët. Nga ana tjetër, shkrimtari ka edhe një natyrë tiranike, nuk duron dot ti ndërhyjë dikush. E kjo është një arsye pse një shkrimtar nuk është i përshtatshëm për një post të tillë. Në letërsi ai nuk i bën dëm askujt me karakterin e tij, por në krye të shtetit, kjo sjellje e tij mund ta dëmtojë vëndin“. Duke vazhduar u kam thënë se shkrimtari është një tiran“.
KADARE, Dialog me Alda Bardhylin
KOHË PËR RRËFIM
