IDENTITETI EUROPIAN I SHQIPTARËVE (V-VI)

V

Nga burrat e shtetit, mbreti Zog ishte një ndër ata që më së shumti u shqetësua nga një përsëritje e mundshme e haxhiqamilizimit. Përpjekjet e tij, shpeshherë të dëshpëruara, për një shtet shqiptar evropian, binin ndesh me fytyrën reale të

Shqipërisë. Shqipëria ishte e vonuar. E përveç vonesës, ajo kishte një pengesë tjetër.

Ndërsa në vendet e tjera feja zotëruese e krishtere ndihmonte për ndarjen nga tradita otomane, në Shqipëri, ajo traditë mund të strehohej pikërisht pas fesë zotëruese, myslimanizmit. (Parazitë të shumtë do t’i ngjiteshin kësaj feje, sidomos në shekullin e njëzetë, duke përfshirë edhe të fundit, atë më të rrezikshmin, terrorizmin.) Por jemi ende në fillim të shekullit.

Faik Konica, qysh pa u përmbysur perandoria, u drejtoi një thirrje “muhamedanëve shqiptarë”. Thirrja ishte profetike: otomanët po rrëzoheshin, ç’do të bënin myslimanët shqiptarë?

Konica dhe gjithë mendjet e ndritura të kohës e kuptonin se çështja e myslimanizmit shqiptar, ishte në të vërtetë çështja e ekzistencës së Shqipërisë. Vetëm me të krishterët Shqipëria nuk mund të bëhej. Ndaj programi i një Shqipërie evropiane, ishte i pandarë nga ai i një myslimanizmi kombëtar e njëherësh evropian.

Shqiptarët ishin familjarizuar ndërkaq me idenë se identiteti shqiptar, duke qenë një, qëndronte vetvetiu mbi të tre besimet e tyre. Të tre ata ishin njëlloj të ligjshëm dhe çdo fryrje e njërit në dëmtim të tjetrit, do ta prishte drejtpeshimin historik. Pra do të kishte tre përbërës të një identiteti dhe jo një identitet i ndarë më tresh.

Natyrisht që kjo çështje e zgjidhur parimisht e filozofikisht, gjatë kohës kur ende Shqipëria nuk ekzistonte si shtet më vete, paraqitej më e ndërlikuar në kushtet e pavarësisë. Mbreti Zog, i cili u ndesh me të, do ta kuptonte se një shtet shqiptar në Evropë nuk mund të mbahej në këmbë jashtë zakoneve të kontinentit: aleancave, traktateve e gjeostrategjisë, me fjalë të tjera, jashtë kushtëzimit evropian. Për ta përshtatur vendin me këto zakone të reja, ai e quajti të ngutshme nxjerrjen e ligjeve dhe dekreteve që rregullonin marrëdhëniet e të tre besimeve me shtetin.

Merrej me mend që një vend të rëndësishëm do të zinin çështjet e besimit mysliman. Ndër to, kryesorja ishte ndarja e tij me çmërsin e shtetit të perënduar osman.

Kështu ai nxori dekrete që disa herë u dukën tejet të guximshme e të parakohshme, si ai për ndalimin e qylafit turk për burrat, ose të ferexhesë për gratë.

Dekreti i tij më befasues ishte ai i ndryshimit të lutjes në gjunjë. Duke u nisur nga një nyje e Kanunit të moçëm, që ndalonte rreptësisht rënien në gjunjë të burrave, e që një burrë të gjunjëzuar e quante të vdekur moralisht, mbreti, nëpërmjet Bashkësisë Islame, urdhëroi myslimanët shqiptarë të faleshin këndej e tutje pa e ulur dinjitetin shqiptar, domethënë në këmbë!

Dhe ashtu u bë. Mund të dukej se mbreti Zog, në përpjekje për krijimin e “myslimanit evropian”, po kryente ca bëma që mund të dukeshin donkishoteske. Por s’ishte fare ashtu. Në të njëjtën kohë afërsisht, sado e habitshme të dukej, në Turqi, në bërthamën e ish perandorisë së rroposur, po përparonte ideja e një “Turqie evropiane”.

Po vërtetohej ideja e rilindësve se myslimanizmi shqiptar nuk do të ishte pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës.

Ndërkaq, në hapësirën shqiptare, që kishte mbetur jashtë kufijve shtetërorë, po ndodhte një zhdrivillim i kundërt. Rrethet shoviniste në vendet fqinje, kryesisht në Jugosllavi, e kuptuan shumë shpejt se mund ta shfrytëzonin myslimanizmin kundër identitetit shqiptar. Si vende të krishtera që ishin, do të ngjante e logjikshme që ato të përpiqeshin të dobësonin myslimanizmin te shqiptarët. Por, për një paradoks të madh, ato bënë të kundërtën. Dukej qartë se ajo që i shqetësonte ata nuk ishte myslimanizmi, por identiteti shqiptar. Ndaj në mënyrë të ethshme shpresonin që me anë të fesë t’i merrnin frymën identitetit.

Strategjia e tyre ishte afatgjatë. Sa më shumë që shqiptarët të ngjanin jo si shqiptarë me besime të ndryshme, por thjesht si myslimanë pa komb, aq më të huaj do të dukeshin në sytë e Evropës. Dhe kështu, Evropa, e mësuar me zakonin e mbrapshtë që popujt myslimanë t’i përftonte më lehtë si koloni, se sa si popuj sovranë, të tillë do t’i përftonte dhe shqiptarët, gjersa t’i harronte.

Shqipëria zyrtare ndërkaq ishte pengesë për këtë harrim. Mbreti Zog sikur ta ndiente të keqen, vazhdonte me dëshpërim evropianizmin e ngutshëm të vendit. Por një ngjarje e beftë do të ndërlikonte gjithçka: pushtimi italian.

Nga dëshpërimi dhe zia si një ngushëllim i papritur do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Por hareja për këtë s’do të vazhdonte gjatë. Pushtimin fashist do ta zëvendësonte diktatura komuniste, më saktë një diktaturë dyfishe; shqiptare dhe serbe, e para mbi vendin amë, e dyta mbi Kosovën.

Procesi i evropianizimit jo vetëm u ndërpre, por urrejtja kundër Evropës, u bë baza e strategjisë komuniste. Kjo urrejtje ishte dhurata më e çmuar që komunizmi shqiptar u bëri jugosllavëve. Shqipëria u nda përsëri nga Evropa, këtë herë edhe më tragjikisht.

Më 1947-ën, Enver Hoxha, të vetmen “sprovë historike” që shkroi ia kushtoi himnizimit të Haxhi Qamilit.

Urrejtja kundërevropiane u shkri me atë kundërshqiptare si trupi me hijen e vet.

Ëndrra jugosllave po njëmendësohej nëpërmjet Enver Hoxhës. Dhe ndodhi ajo që pritej, Evropa e harroi Shqipërinë.

Me duar të lira tashmë, jugosllavët iu turrën identitetit shqiptar.

VI

Rretheve shoviniste në Jugosllavi dukej se iu erdhi dita. Armiqësimi i Shqipërisë komuniste me Evropën ishte argumenti më i mirë për ta, për t’i paraqitur edhe shqiptarët e Jugosllavisë si kundërevropianë.

Thelbi i strategjisë jugosllave mbetej i pandryshuar:

të tkurrej, të shkonte drejt tretjes shtati i këtij populli, që edhe pa këtë, ishte mpakur pa pushim. Ai nuk po e kapërcente dot shifrën fatale, një milion, në kohën që popujt e tjerë ishin katërfishuar e disa herë tetëfishuar.

Pra, thelbi mbetej statusi i gjymtuar i Shqipërisë.

Njëfarë gjenocidi i ftohtë, i vazhdueshëm. Pyetja, a ka shqiptarë normalë, thënë ndryshe shqiptarë që ishin vërtet shqiptarë, kishte përgjigje mohuese. Nga jugu, nga rrethet shoviniste greke vinte ideja e mbrapshtë se ortodoksët në Ballkan, përveç sllavëve, ishin të gjithë grekë, pra rrjedhimisht nuk kishte, madje nuk mund të kishte shqiptarë ortodoksë. Ata që hiqeshin të tillë, nuk ishin veç grekë, që rastësisht kishin mbetur brenda kufijve të Shqipërisë dhe që flisnin gjuhën shqipe, natyrisht përkohësisht!

Të dehur nga kjo ide, jugosllavët po josheshin nga një neps edhe më i madh: t’i shkëputnin kombit të vjetër, një copë më të madhe: myslimanët. Ndryshe nga mënyra greke, që kujtonin se marrëzinë e tyre mund ta arrinin me ca shpallje e ca mallkime shkronjash, si dikur, sllavët e kuptonin se procesi do të ishte i gjatë dhe i mundimshëm.

Meqenëse s’dukej asnjë shpresë se shqiptarët do ta zëvendësonin identitetin e tyre me atë sllav, e vetmja mënyrë mbetej ajo e tërthorta, përdorimi i një identiteti të tretë.

Pas heqjes së ortodoksëve dhe myslimanëve, trupit skeletik të kombit, nuk do t’i mbetej veçse pakica katolike, e vetmja për të cilën ndonjë fqinj tjetër, ta zëmë Italia, nuk po tregonte ndonjë padurim gllabërimi. Por pakicës, sado rrënjëse të ishte do t’i gjendej zgjidhja. E bashkë me të do të përfundonte kështu problemi shqiptar.

Për të njëmendësuar ëndrrën e tyre makabre, jugosllavët kishin nevojë për përvojën otomane. Kështu qysh në vitet ’50, ata filluan programin e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve drejt Turqisë. E bënë këtë si një test në sytë e Evropës dhe të kampit socialist, pa u shqetësuar prej askujt, madje as prej atij që hiqej si miku i shqiptarëve e që në të vërtetë ishte armiku i tyre më i madh, Stalinit.

Zëvendësimi i gjuhës shqipe prej turqishtes po nxitej edhe më fort, e bashkë me të, pakësimi i shkollave për shqiptarët. Politika e vjetër osmane: mjaft i keni xhamitë, s’ju duhen shkollat, po përparonte si në ethe. Krahas gjuhës, i gjithë ngjyrimi kombëtar po zbehej me shpejtësi. Muzika po orientalizohej më fort se më parë, veshjet e famshme tradicionale, ato që edhe gjatë periudhës së gjatë otomane ishin ruajtur, po zëvendësoheshin, jo prej veshjeve të kohës si kudo, por me petka arabe që nuk ishin njohur kurrë në këtë vend.

Jugosllavia, kjo primadonë e “botës së tretë”, po i ofronte kësaj bote popullsinë më të padëshiruar të saj, shqiptarët. Ajo përpiqej që këta të ngjanin sa më pak evropianë e aq më shumë afrikano-veriorë e aziatikë. Kështu, kur të vinte çasti fatal, që ajo e përgatiti me aq kujdes, t’i thoshte Evropës, se ajo nuk po zhbënte një popull normal të këtij kontinenti, por një nënpopull.

E gjithë kjo ethe shkombëtarizimi shoqërohej nga propaganda për rrezikun e krijimit të një pyke të myslimanizmit në brinjët e Evropës. Parashikoheshin skenarë ogurzinj me trekëndësha islamikë, me qendra terroriste, fundamentaliste, me xhihad version ballkanik etj., etj.

E gjithë kjo në pritje të çastit fatal, kur rebelimi shqiptar do të shpërthente. Ai rebelim do të paraqitej si luftë për islamin, e jo si luftë për liri. Si luftë kundër krishterimit serb e jo kundër krimit serb.

Shkurt, si luftë kundër qytetërimit evropian, në emër të një tjetër qytetërimi.

Nuk ishte e lehtë për shqiptarët e Kosovës t’u shmangeshin këtyre kurtheve. Por ata ia dolën dhe kjo ishte një meritë e tyre e jashtëzakonshme. Ata i treguan gjithë botës se luftonin në radhë të parë për liri. Dhe prapë për liri. Ata i treguan Evropës se s’kishin asgjë kundër krishterimit serb, e aq më pak atij evropian, ngaqë krishterimi ishte gjithashtu besim i tyre, vëllam i vjetër i myslimanizmit, madje krishterimi shqiptar ishte më i moçëm se ai sllav.

Në çaste të vështira, popujve u ndriçohet mendja në mënyrë të ethshme. Një shekull më parë, në ag të shkëputjes nga osmanët, Rilindja Shqiptare e flakëroi mendimin shqiptar, duke hedhur idenë e harmonisë fetare në interes të lirisë e të kombit. Një shekull më pas, kundër propagandës serbe që këmbëngulte t’i jepte shqiptarët si turq apo aziatikë të ardhur vonë në Ballkan, dhjetëra-mijëra të rinj myslimanë shqiptarë më 1981-shin e 1991-shin, kërkuan rrënjët e krishterimit të hershëm shqiptar, aspak për arsye fetare, por thjesht për të treguar se populli i tyre kishte qenë ngulitur në Kosovë shumë shekuj përpara sllavëve.

Gjëmimi i bombave sipër Jugosllavisë ishte njëkohësisht një lajm i madh. Një lajm nga ata që i vinin Shqipërisë një herë në një mijë vite, e Evropës vetë, një herë në shekull. Ishte lufta e parë e Aleancës Atlantike, e njëkohësisht e para luftë për shkaqe morale, në kontinent. Dhe s’ishte vetëm kaq.

Ishte hera e parë që koalicioni i madh euroatlantik, që identifikohej së shumti si krahu i armatosur i qytetërimit të krishterë perëndimor, kishte hyrë në luftë për mbrojtjen e një populli me shumicë myslimane, kundër një tjetri që kërkonte të përligjte krimin pas kryqit. Evropa dhe SHBA-ja nuk i kërkuan popullit shqiptar as ndërrim feje dhe asgjë tjetër të kësaj natyre. E mbrojtën ashtu siç ishte, shqiptar në radhë të parë, trefetarësh pastaj. Me këtë luftë, që ndiqej ditë pas dite e orë pas ore nga mbarë planeti tokësor, Evropa atlantike po emanciponte, veç të tjerash, vetveten.

Të gjendur befas në qendër të historisë evropiane, a mund të thuhet se shqiptarët i kapën përmasat e asaj që po ndodhte?

Vështirë të thuash “jo”, por po aq vështirë të thuash “po”.

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit Deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Twitter-Bild

Du kommentierst mit Deinem Twitter-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit Deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..