KADARE: RAPSODI I MADH I BALLKANIT

KADARE: RAPSODI I MADH I BALLKANIT

Miljenko Jergoviç, Jutarnji List

Një nga shkrimtarët më të mëdhenj europianë që jeton akoma, që prej njëzet vitesh banor i Parisit, lindi dhe u zhvillua në vendin më shtypës socialist. Do të nisem, sëbashku me miqtë e mi për të bërë një udhëtim në det. Rast i rrallë, por mjaft i dobishëm, madje ilaç, që njeriu të gjendet jashtë kontekstit të dhënë shoqëror dhe material dhe ta shqyrtojë jetën e tij, sëpaku për disa ditë, nga perspektiva objektive e pasqyrës së madhe të detit. Për këtë edhe nuk është fort e lehtë të përzgjedhësh librat që synon për t’i lexuar gjatë kësaj kohe. Ka shumë rëndësi, të marrësh me vete libra që i ke pas lexuar dikur, i bindur se ata janë të duhurit dhe nuk do të të lënë vetëm në mes detit, sepse janë librat më të mirë që ke pas lexuar para njëzet e kusur vjetësh, në një kohë kur ke qënë tjetër njeri. Marr librin e Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” botim i Shtëpisë botuese të Beogradit “Rad”, edicioni “Fjala dhe mendimi”, libri numur 325, i përkthyer nga poeti Esad Mekuli dhe “Pallati i ëndërrave”, botim i Shtëpisë botuese “Svjetllost” (Drita) nga Sarajeva në vitin 1991, bibilioteka Feniks, i përkthyer nga Shkëlzen Maliqi. Gjeneralin për herë të fundit e kam pas lexuar në klasën e dytë apo të tretë të gjimnazit, në atë kohë të bekuar kur, në kërkim të orientimeve estetike dhe etike, “gëlltisja” pothuaj një libër në ditë. Më kujtohet se më pati pëlqyer ajo historia me gjeneralin italian dhe priftin katolik, të cilët shkojnë në Shqipëri pas luftës për të zhvarrosur ështrat e ushtarëve të vrarë, për ti varrosur pastaj me dinjitet. Ky roman i shkurtër në imagjinatën e bibliotekës time të brendshme gjendet mes “Lelejska Gorës” (“Mali Lelej”, toponim në Mal të Zi. Shënim i përkth) të Mihajllo Laliçit dhe “Kolonelit nuk ka kush ti ashkruajë” të Gabriel Garcia Markesit, ku do të qëndrojë gjatë gjithë këtyre viteve dhe ku do të vazhdonte të ishte ende sikur të mos ishte ky udhëtimi i paplanifikuar në det të hapur. Me eksperiencën e luftës së kaluar, të cilën e kam përjetuar me mjaft vëmendje, spastrimeve etnike, për shkak të të cilëve edhe unë vetë jam shndëruar në i huaj në qytetin tim të lindjes (Miljenko Jergoviç ka lindur në Sarajevë dhe jeton e punon në Zagreb. Shën. i përkth.), për shkak edhe të faktit të thjeshtë se atëbotë isha më i ri se ushtarët e vdekur të Kadaresë, ndërsa sot jam pothuajse moshatar me gjeneralët e tij të gjallë, te unë ndryshuan mendimet për këtë rrëfim, e me këtë edhe ai vendi në bibliotekën më të rëndësishme të çdo njeriu. Ndërkohë mu bë më i afërt në kuptimin njerzor dhe letrar, në atë mënyrë që për mua është i afërt, ndoshta, vetëm Ivo Andriçi, në veprën e të cilit është shënuar kodi im, me fjalë dhe me etiketë të papërcaktuar, i identitetit kolektiv. Vërtetë, asnjë shkrimtar nuk është më i afërt me Andriçin, as më ballkanik, sesa është Kadareja me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Kur e shkroi këtë roman të parë të tij, Kadareja ishte njëzet e shtatë vjeç. Dhe ndoshta kishte vetëm një shans që në Shqipëri, në vendin e braktisur nga Lindja komunioste dhe nga Perëndimi kjapitalist, në të cilin udhëhiqte diktatori paranojak me pamje dhe buzëqeshje prej fëmije, të tregonte se narracioni i tij është më i fuqishëm se ai që përshkruhet zyrtarisht. Sikur të mos ia kishte dalë mbanë, nuk do të ishte më. Do ta kishte gëlltitur errësira ose do të vdiste nga frika. Por, Ismail Kadareja ishte i çmendurisht bindur në gjenialitetin e tij dhe, sikurse shkruan Shkëlzen Maliqi, kishte marrë shumë seriozisht vendimin për tu bërë Homeri shqiptar. Kur u bë i famshëm nëpërmjet përkthimit të veprave të tij në gjuhën frënge, ai, ndër të tjera, shpëtoi edhe i gjallë. Ndërkohë librat e tij në atdhe disa herë u ndaluan, u kritikuan nga postet më të larta të shtetit se gjoja, ajo që shkruhej në to, nuk është gjë e mirë për popullin, gjë që është shumë interesante se, qysh te “Gjenerali i ushtirsë së vdekur”, madje edhe lexuesit të sotëm, i bie qartësisht në sy një subversion i hapur ideologjik, gjë për të cilën do të mburrej rëndshëm edhe ndonjë shkrimtar në ndonjë prej vendeve më pak të ashpra të demokracive popullore. Askush si Kadareja i ri nuk e demonstroi atë dukuri disi të çuditshme të lindjes së letërsisë së madhe në kushtet e represionit politiko-shoqëror: shkrimtarët e vërtetë kur ngërthejnë historinë e tyre, janë vetëvrasëstarisht të guximshëm dhe të bindur se askush nuk ka ç’tu bëjë, megjithëse ndoshta si individë privatë mund të jenë burracakë të mëdhenj. Në ndryshim nga ata, shkrimtarët e gënjeshtërt kanë frikë madje edhe kur shkruajnë. Prandaj nuk ka asgjë të jashtëzakonshme fakti se Ismail Kadareja lindi bash në Shqipërinë e Enverit. “Pallati i ëndrrave” është roman rrëfimtar i çuditshëm mbi institucionin otoman që merret me kontrollin e ëndërrave të banorëve të tij, roman që është përkthyer në fundin e vitit 1991 në Sarajevë dhe ku ende mund të gjendet nëpër librari. “Pallati i ëndrrave” për herë të parë e kam pas lexuar në atë kohë të tmerrshme, në marsin e vitit 1992, pak para fillimit të rrethimit të Sarajevës. Ndoshta ky ka qenë libri i fundit që kam lexuar para fillimit të luftës, e për këtë nuk është e jashtëzakonshme që nuk e kujtoja dhe as më pati ngjitur sa duhet në atë kohë. Sikur të ishte ndryshe do të më kishte ngrënë frika. Por, për fat të mirë, njeriu vetëm më vonë ndërgjegjësohet për gjithçka të pashpresë të momenteve më dramatike të jetës së tij. Ky roman i publikuar në Shqipëri në vitin 1981, menjëherë i kritikuar ashpërsisht, i vendos ngjarjet në kohën e Turqisë Otomane, në Tabir Saraj, institucion që merret me mbledhjen, klasifikimin dhe interpretimin e të gjithë ëndërrave të perandorisë së atëhershme. Ndoshta është edhe vizioni i fundit origjinal dhe i përkryer deri në fund i ferrit, i cili, le ta themi kështu, ndryshon nga ai i Dantes sepse për të nuk ka nevojë për vdekjen; mjafton një ëndërr e përnatëshme. Lexuesi, shumë lehtë Tabir Sarajin mund ta faturojë si alegori për Shqipërinë komuniste, ose- nëse mendon disi më gjatë- te ky roman gjen elementë të fantastikës shkencore, por asnjë prej këtyre, sepse Kadareja nuk ia ka nevojën alegorisë për të rrëfyer historinë, as nuk i nevojitet gjinia letrare për të justifikuar letrarisht diçka që realisht nuk ka ndodhur kurrë. Sepse, menjëherë pas faqeve të para, harrojmë faktin se Tabir Saraji nuk ka ekzistuar si pjesë e strukturës së pushtetit të Turqisë Otomane, harrojmë fare dhe për ne nuk ka aspak rëndësi sesi realiteti sillet ndaj narracionit apo narracioni ndaj realitetit. Kryesisht sepse Ismail Kadareja, si edhe në prozat e tjera të tij (natyrisht e kam fjalën vetëm për atë që është përkthyer në gjuhët jugosllave), këmbëngul në kontekstin lokal, madje edhe shpesh te hiperdokumentimi. Kësisoj, heroi kryesor i “Pallati i ëndrrave”, Mark Alem Qyprilliu, i përket framiljes së lashtë shqiptare, e cila ka dhënë shumë vezirë turq, dhe për të cilën ka edhe këngë popullore boshnjake. Shkrimtari luan me këtë fakt duke ndryshuar, në mënyrë çuditërisht sugjestive, nivelet e rrëfimit, kështuqë herë flet për individin, ose nga perspektiva e individit, herë për popuj të tërë dhe perspektivat e tyre. Për rilindjen popullore flet si për një ngjarje të tmemrrshme, kur populli, si puna e zombit, ngrihet nga të vdekurit. Përshkruhet ferri, por jo me njerëz, por me shtete të vdekura. “Kufomat e këtyre shteteve qëndrojnë të palëvizshëm njëri pranë tjetrit: perandori, emirate, republika, monarki kushtetuese, konfederata”. Dhe e gjitha kjo në ëndërr, e cila megjithatë i referohet realitetit në mënyrë të këtillë që, në një masë të madhe edhe e prodhon atë. Një prej mënyrave sipas të cilave klasifikohen ëndërrat në Tabir Saraj është edhe arkivimi sipas popujve, e kësisoj në njërën anë, le të themi kështu, qëndrojnë ëndërrat e popujve indiferentë, e në anë tjetër ëndërrat e popujve të pagjumë dhe ëndërrat e popujve me dimra me shumë erë. “Pallati i ëndrrave” është rrëfim i tmerrshëm dhe i përhumbur, përsëri tërësisht andriçian, megjithëse i shkruar në një kod të cilin Andrii nuk e ka përdorur kurrë. Njëlloj si edhe çifti i tij boshnjak edhe Kadareja ka atë sigurinë hyjnore në të rrëfyer, atë fuqi të krijimit të botëve të reja, të cilat i vendos jashtë çfarëdo formacioni stilistik dhe historiko-letrar, dhe pothuajse jashtë çdo mode letrare. Ndonjë profesoreshë dhe antare jurie e këtushme, e cila kryesisht merret me renditjen e veprave letrare në femërore dhe mashkullore, pra në vepra ciklesh menstruale dhe k..ri, për Kadarenë[1]sikur ta kishte lexuar- do të thoshte se ai është shkrimtar i realizimit, e bindur se në këtë mënyrë po thotë sharjen më të rëndë të mendueshme. Po kështu do të thoshte edhe për Andriçin, sikur ta dinte se Andriçin nuk guxon ta shash. Në fakt, nga realizimi magjik, i cili akoma mbartet në shëtitje letrare ditore dhe pas darke, reealizmi i Kadaresë ndryshon vetëm për faktin se Shqipëria, veçanërisht nga perspektiva e Vrbikut dhe e Treshnjevkës (lagje periferike në Zagreb. Shën. i përkth.), në ndryshim nga Argjentina, Kolumbia apo Kuba, nuk është ende në destinacion i preferuar turistik. Por edhe kjo ka për të ndryshuar së shpejti. Në Kroaci Kadareja është përkthyer pak. Para tridhjetë vitesh në Rijeka është botuar një përkthim tjetër i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, të cilin nuk e kam patur kurrë në dorë, sepse besoja dhe vazhdoj t’i besoj, Esad Mekulit, ndërsa para dhjetë vitesh është botuar, më shumë për shkak të interesave të politikës ditore sesa ato letrare edhe “Tri elegji për Kosovën”. Kjo vepër është përkthyer dhe publikuar në Beograd dhe kryesisht në Sarajevë, ku atëbotë, në radhët e botuesve dhe shkrimtarëve, ekzistonte interes serioz për romanet e tij, kështu që si përkthyes dhe hartues parathëniesh u rreshtuan poetët, shkrimtarët dhe intelektualët më të rëndësishëm kosovarë, në mënyrë që Shkëlzen Maliqi, në verën e vitit 1991, me parathënien e tij për “Pallatin e ëndrrave” u vuri pikat mbi “i” për Kadarejnë dhe për tërë një epokë, në të cilën shqiptarët më së shpeshti ishin të mënjanuar, por te ne dihej për letërsinë e tyre. Ismail Kadaresë iu ktheva rastësisht, vetëm e vetëm që në këtë udhëtimin e gjatë në det të mos gjendem në shoqërinë e ndonjëfarë shkrimtari të keq dhe të pakuptueshëm. Megjithëse atëbotë, në fillim të viteve nëntëdhjetë, përmendej shpesh si kandidat, Kadareja nuk e mori çmimin “Nobel”. Ndoshta edhe nuk ka për ta marrë. Keq, sepse atëherë librat e tij do t’i lexonin të gjithë, ndoshta edhe ajo profesoresha e letërsisë mashkulloro-femërore. Njëlloj sikurse, si pasojë e sindromit të Stokholmit, te ne filluan të lexojnë Orhan Pamukun. Megjithëse është pakrahasimisht më i lexueshëm dhe, për europianët, kulturalisht më i afërt sesa Turku i Madh, Ismail Kadareja është edhe shkrimtar më i mirë.

18. 07. 2010. Përktheu Xhelal Fejza

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit Deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Twitter-Bild

Du kommentierst mit Deinem Twitter-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit Deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.