
…Përpara se të kujtojmë tepër shkurt kronikën historike, le të sjellim ndër mend vitet e tranzicionit, ato që i mbajnë mend të gjithë. Fill pas dehjes së parë për Evropën, madje mu midis dalldisjes për të, nuk u bë e qartë asnjëherë se çfarë e shtyu qeverinë e parë demokratike të bënte një lëvizje kundërthënëse. Krejt si një shpend i verbër, një dërgatë shqiptare fluturoi me avion për në Xhedal, fluturim pas të cilit Shqipëria u gdhi në Ligën Islamike. Opozita e majtë bëri njëfarë zhurme, kundërshtuese, që u quajt me të drejtë e pasinqertë, ngaqë kur ajo vetë erdhi në pushtet, nuk bëri asgjë për ta rishqyrtuar anëtarësimin ende të paratifikuar në Parlament. Kjo u shpjegua dymënyrash. E para, se opozitës, së akuzuar, për shkak të liderëve të saj, si grekofile, i interesonte një ngjyrim i tejshquar islamik për t’u mjegulluar filogreqizmi i saj. E dyta, hotelet e shtrenjta të Dubait, të shoqëruar, ndoshta, nga dhurata të shtrenjta, ishin mjaft joshëse gjithashtu për të majtën. Kur u duk se, pas kësaj turbullire, njëfarë konsensusi u arrit midis dy krahëve kryesorë politikë, të djathtës dhe të majtës, lidhur me Evropën, kur u duk se u kapërcye disi edhe xhelozia e secilës palë, që futjen në Evropë ta kryente ajo e kurrsesi pala tjetër; shkurt, kur u duk më në fund se dritëza e shumëpritur në anën tjetër të tunelit po shfaqej, në vend të kthjellimit të strategjisë politike shqiptare, ca re të zeza e mbuluan horizontin. Ishin ca hamendje përherë e më shqetësuese, ca si mëdyshje kinse filozofike, kinse hamletiane: jemi apo s’jemi evropianë. Të jemi a të mos jemi të tillë. Është Shqipëria Evropë, a s’është Evropë. Është Lindje a Perëndim. Është më shumë Perëndim se Lindje. Është më shumë myslimane se e krishtere. Është edhe ashtu edhe kështu. S’është as ashtu, as kështu etj., etj.
U dukën si përçartje komike në fillim. Ndërkaq, hamendjet e hamletizmat sa vente shtoheshin. Le ta themi më mirë haptas atë që kemi fshehur. Përse të hiqemi ata që s’jemi? Përse, hiqemi si evropianë, kur dihet që s’jemi të tillë? Shkurt, përse të na vijë turp nga identiteti ynë joevropian?
Sa më shumë që nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë shtetërore me Evropën afrohej, aq më fort ndiheshin murmurimat. Sa më shumë që afrohej caktimi i statusit të Kosovës, me fjalë të tjera, besimi i Evropës e i Amerikës se Kosova mund të hynte si shtet i pavarur në familjen kontinentale, aq më këmbëngulëse bëhej krrokama se shqiptarët ishin si mish i huaj, pra i padashur, për Evropën.
Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa. Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik.
Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.
Në këtë përgatitje, po ta hulumtosh tani do të gjesh paradigmat e vjetra: Njëra prej tyre është identiteti joevropian i shqiptarëve. Shqiptarët, turq të ardhur nga Anadolli. Shqiptarët, myslimanë, mish i huaj për Evropën e krishtere. Shqiptarët, rrezik për qytetërimin evropian. Shqiptarët duhen mbajtur të tkurrur, të thyer në mes. Na lini ne ta bëjmë këtë punë.
Gjithë strategjia e Millosheviçit për të marrë dritën jeshile nga Evropa për zhbërjen e së paku gjysmës së kombit shqiptar, atij “që s’kishte identitet evropian”, domethënë të shqiptarëve më besim mysliman, bazohej në besimin e tij të verbër se Evropa do të binte në këtë kurth gjenocidar.
Përpara se t’i kthehemi tezave për identitetin e përgjysmuar shqiptar, le të hamendësojmë një çast se ndoshta mbrojtësit e tyre kanë të drejtë. Me fjalë të tjera të shtrojmë pyetjen se mos vallë gjithë këto vite, madje disa shekuj me radhë nuk e paskëshim ditur ç’kemi qenë? Ose e kemi ditur gabim? Mos na kanë gënjyer poetët, nga De Rada te Naim Frashëri, që të kujtojmë se jemi ata që s’jemi? Dhe prapë mund të vazhdonim. Mos vallë më 1990, kemi lëshuar britmën e gabuar “E duam Shqipërinë si Evropa?”Mos vallë ajo duhej të ishte: “E duam si Evropa, por e duam edhe si Azia”, ose “Hiç më pak se Azia?”Shkurt mos jemi ata që s’jemi?
E gjithë kjo nuk është aspak për të qeshur. Përçartje të tilla, në prag të afrimit të portave të Evropës, përpara se të ishin komike, janë thellësisht tragjike. Si të tilla, ato kërkojnë një përgjigje të qartë, serioze dhe pse jo, të prerë. Në raste të tilla parimi kryesor është se një popull është ai që është dhe s’ka nevojë as për pudër zbukurimi e as për blozë përçmuese.
Letrat e Shqipërisë janë të qarta. Populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para evropianitetin shqiptar. Zelli i atyre që me çdo kusht duan ta zbehin disi edhe këtë fakt kokëfortë, arrin disa herë të krijojë përshtypjen se Shqipëria është në skaj të Evropës dhe fill pas saj nis Turqia, ose Azia.
Ndërkaq, kur hedh sytë në hartë vëren se gjer në atë kufi shtrihen së paku tri shtete të tjera: Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria. Për të mos përmendur atë që quhet “Turqia evropiane”.
Popullsia shqiptare, ashtu si e gjithë kontinentit evropian, është e bardhë. Ashtu si gjuha, ajo quhet, në rastin më të favorshëm, pasardhëse e ilirëve, në më të pafavorshmet, e trako-ilirëve. Historia e Shqipërisë, ashtu si e gjithë gadishullit, gjer në pushtimin otoman, është pjesë e kronikës mesdhetare evropiane. Së paku tri qytete kryesore të saj, me jetë të pandërprerë, Durrësi, Shkodra dhe Berati, kanë afërsisht një moshë me Romën.
Lidhjet ekonomike e ushtarake, ligjet rregulluese (statutet) e qyteteve, të rrugëve e porteve detarë janë të një natyre me ato të kontinentit. Gjurmët arkeologjike grekoiliro-romake, teatro e amfiteatro gjenden gjithashtu kudo. Historia e mesjetës shqiptare sipas veprës monumentale të Milan Shuflait, jepet në një tablo të plotë me principatat, kryezotët, aleancat, krushqitë e natyrisht grindjet e pashembullta, tradita e të cilave ka mbërritur e pazbehur aspak gjer në ditët tona.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar, përmendja e të cilit ishte e ndaluar në Shqipëri për pesë shekuj, për shkak të sundimit otoman, u bë së pari një mit evropian, (mbi një mijë vepra historike e artistike, të shkruara për të), përpara se Evropa t’ia rikthente Shqipërisë në shekullin XX.
Letërsia e hershme shqipe, letërsi dygjuhëshe, shqip e latinisht, si në shumicën e vendeve evropiane, u zhvillua në të njëjtin nivel për gati tre shekuj. Emra të mëdhenj të saj si Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani i botonin veprat e tyre dygjuhëshe në kryeqendrat kulturore evropiane, për t’i sjellë fshehtazi në Shqipëri, ku shkrimi dhe shtypshkrimi shqip ishin të ndaluara.
Në kushtet dramatike të ndalimit, më 1908, një komision i kryesuar nga Gjergj Fishta dhe Mithat Frashëri, me shpalljen e alfabetit latin si alfabet zyrtar të shqiptarëve, dhanë një kumt të qartë të evropianizmit shqiptar. Kjo ndodhte në prag të agut, pas një nate të gjatë pesëshekullore, kur mendjet ishin ende të turbullta, dhe alfabeti latin në Ballkan ishte tepër i rrallë.
Me këtë mall tragjik për Evropën e humbur, Shqipëria mbërriti në vitin 1912, vit i lirisë së saj. Më 28 nëntor u shpall pavarësia, dhe nga zgafellat e kombit u nxor flamuri i moçëm mbretëror me shkabë dykrenore, një nga emblemat e mëdha, e cila, prej botës romako-bizantine i kishte kaluar Evropës e kishte zënë vend në qendër të heraldikës së saj. Kontinenti nënë, në një vrull fisnikërie ua njohu atë shenjë shqiptarëve.
Ishte e natyrshme që krahas kësaj historie filoevropiane, e kundërta e saj do të rrugëtonte paralelisht me të: kundërevropianizmi. Ai ishte i pashmangshëm sidomos gjatë pushtimit pesëshekullor osman. Programi kryesor i perandorisë, misioni i saj i shpallur ishte pushtimi dhe shkatërrimi i Evropës mbarë. Merrej me mend se sa e egër do të ishte kjo perandori me trojet e porsapushtuara të kontinentit armik. Dhe egërsia nuk vonoi. Pas nënshtrimit fizik nisi ai shpirtëror. U lanë në këmbë kishat, por u ndaluan shkollat dhe gjuha e shkruar. Me sa duket qysh atëherë u kuptua se kishat, duke qenë dyllojëshe, katolike dhe ortodokse, ishin më pak të rrezikshme se gjuha, e cila ishte një. Shumë shpejt një besim i ri, do t’u shtohej të parëve, feja myslimane me xhamitë e saj. Por gjuha do të ishte prapë një, ashtu siç ishte identiteti i popullit.
Ky i fundit, qysh atëherë, natyrshëm e zuri vendin e vet mbi tre besimet kryesore të shqiptarëve. Qëllonte që brenda një familjeje të gjëllinin përbri besimi katolik dhe mysliman, të ndarë midis vëllezërve. Nisur nga kjo, s’duhej ndonjë filozofi për të kuptuar se fetë mund të ishin të ndryshme, por identiteti, ashtu si lidhja gjinore, mbetej gjithmonë një. Kishim pasur një atdhe për të tre besimet dhe kjo s’do të ndryshonte, dhe kjo s’mund të ndryshonte kurrë.
Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.
Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
Lufta për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental, ndonëse të ftohtë, të traditës së letërsisë dygjuhëshe shqiptaro-latine. Gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme.
E paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal, por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej, madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme!
Por kjo punë ishte më e ndërlikuar. E ashtuquajtura letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. Ne i dëgjojmë këto këngë ende sot, por shtiremi sikur nuk i marrim vesh ç’thonë. Ato gjëmojnë disa herë nëpër lokalet e natës, madje, në programet televizive, e ne prapë shtiremi se nuk i kuptojmë.
Mjafton njëfarë përqendrimi në këto tekste e këto melodi, mjaftojnë dëshmitë e shkruara të kohës, për të kuptuar se cili është thelbi i kësaj nënkulture, të futur kontrabandë, nën pasaportën e artit popullor. “Çunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët”me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme.
Ende nuk dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.
Pas tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
Por nuk ndodhi ashtu. Fill pas ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur. Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht. *(Pjesë nga „Identiteti evropian i shqiptarëve„© Ismail Kadare)