Një takim jashtëzakonisht mbresëlënës ishte ai letrar me Ismail Kadare në mesqershorin e vitit 2013 , ekzaktësisht si sot para dy vjetësh, në ambjentet e RADISSON BLU HOTEL, COLOGNE, (KËLN) të Gjermanisë. „Shoqata Shqiptare për Kulturë & Integrim„ në bashkëpunim me personalitete të artit e të kulturës, shënoi me këtë aktivitet një kulm të ri historik të veprimtarisë së saj. Bashkëbisedimi me shkrimtarin vijoi në dy gjuhë shqip dhe gjermanisht.

Një fjalim përshëndetës ndaj shkrimarit të shquar e mbajti Dr. Christian Schwarz-Schilling, politikan , historian dhe misionar ndërkombëtar paqeje në disa vënde të botës. Ai foli gjerësisht për nevojën dhe domosdoshmërinë e pajtimit të popujve të armiqësuar. Si njohës kompetent i historisë europiane, ai u përqëndrua tek përvoja e hidhur e Luftës së Dytë Botërore. Edhe pas gjithë kësaj tragjedie, Europa diti të gjejë rrugën drejt rehabilitimit, duke paguar më parë një çmim tmerrësisht të lartë. Dr. Schwarz-Schilling, si ishministër federal i Postës dhe Telekomunikacionit në qeverinë e Helmut Kohl-it në kohën e konfliktit në Bosnjë 1992, jep dorëheqje në shenjë proteste nga ky post i rëndësishëm. Europa u tregua e ngathët në zgjidhjen e këtij konflikti – deklaroi ai. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë Dr. Schwarz-Schilling, si i dërguar ndërkombëtar në Bosnje, do të bënte përpjekje për të pajtuar boshnjakët me serbët. Lufta e fituar një herë ndaj së keqes nuk duhet të pushojë, sepse rreziku për rikthimin e saj është i pandërprerë. Ismail Kadare, ne kemi mësuar nga librat që keni shkruar ju dhe për këtë ju falenderojmë pa masë – do ta mbyllte fjalimin politikani, historiani, ky burrë shteti që i kishte rënë botës kryq e tërthor për zgjidhje konflikte popujsh.
Një fjalim plot brilancë dhe tepër origjinal, për Kadarenë, mbajti edhe Luan Krasniqi, i cili ishte dhe sponzorizuesi kryesor i këtij takimi. Njohja e tij me letërsinë e Kadaresë i kishte shkaktuar boksierit kampion, papritmas, një ndjenjë të fortë patriotizmi kombëtar shqiptar. Gjatë fjalimit boksieri i famshëm shkëlqente nga kjo ndjesi e bukur krenarie për autorin shqiptar , të cilën e shprehu edhe me fjalë. Duartrokitje dhe emocion puro !
Mirëseardhjen e Ismail Kadaresë e përshëndetën lexues , përfaqësues shoqatash kulturore, letrarë, diplomatë (Wilson Mirdita, ambasadori i parë i Kosovës në Berlin), politikanë, intelektualë, artistë, gazetarë .. etj. Para se Ismail Kadare të merte fjalën, në sallë u lexuan në shqip dhe gjermanisht pjesë nga libri “Mosmarrëveshja” të I.Kadaresë si dhe një prezantim-përmbledhje nga libri „Mbi krimin në Ballkan,, Përkthimin në gjermanisht e bëri gazetarja e DW dhe autore e disa librave Lindita Arapi.
Në fjalën e tij Kadare vendos një theks të veçantë mbi raportet e Shqipërisë me Europën. Shqipëri jashtë qytetërimit Evropian s’mund të ketë – parashtron ai. „Nuk ka problem të Ballkanit, ballkanas – ballkanas ose problem të Shqipërisë, shqiptar – shqiptar. Nuk ka asnjë problem të asnjë populli të Gadishullit pa qenë i lidhur me Europën“
“Populli i dëbuar, që është populli shqiptar, duhej të dëbohej me forcë, me ndarje, me shpërngulje, me denatyrim, duke provuar të gjitha mënyrat. Madje për parantezë: gjuha shqipe në Europë është e vetmja gjuhë e ndaluar me ligj për shekuj të tërë. Nuk ka një gjuhë tjetër indoevropiane që është e ndaluar si shqipja dhe kjo ende nuk është shpjeguar nga historiografia shqiptare“, do të shprehej Kadare në fjalën e tij.
Ai solli shembullin e Europës, e cila ngjan me ashpërsinë e shqiptarëve , që polli egërsitë më të rrezikshme të shekullit të XX, fashizmin dhe bolshevizmin. Nuk e mbytën fashizmin dhe komunizmin as popujt e Afrikës, as Kina dhe as India, apo ndonjë kontinent tjetër. Dhe këtu, theksoi Kadare, është forca e qytetërimit europian, që ai edhe kur pjell të keqen di po vetë ta mbysë atë.
Tezën se pushtimi osman s’ka qenë pushtim për kombin shqiptar, sepse gjoja ky pushtim na ka mbrojtur nga një rrezik i madh serbo-sllav, Kadare e çmonton këtë tezë duke e quajtur shpifje makabër. „Si na mbrojtën serbët ne nga pushtimi osman kur ata ishin ku thërret qameti, ishin më të ligësht se ne shqiptarët. Ç’janë këto teori idjote“- shpërthen me nervozizëm shkrimtari. Tema që u përqëndrua shkrimtari Kadare në mbrëmjen letrare në Këln ishte ajo e periudhës së sundimit osman në Shqipëri. Pushtimin osman nuk duan ta quajnë më pushtim tashmë. Shumë debate patën nisur edhe mbi ndryshimin e teksteve të historisë për periudhën osmane. Ka shumë teza që vënë në diskutim këtë periudhë historike. Kadare, me një gjuhë të prerë, u shpreh mjaft kritik ndaj kësaj çështje.
“Thelbi dhe baza e historisë nuk mund të ndryshohet, ajo mund të interpretohet sipas interesave të ditës, por kurrsesi nuk mund të ndryshojë.
Këtë “teori” që ka dalë tashmë në skenën shqiptare, Kadare e quajti „filozofi e robërisë.
Të gjithë popujt e Ballkanit pësuan një dramë të përbashkët dhe në këtë dramë nuk ka pse populli shqiptar të bëjë befas një përjashtim, sepse nuk ka pasur kurrfarë përjashtimi në fatin e tij. Populli shqiptar ka qenë më i ashpri kundër Perandorisë Osmane, për vetë faktin se shqiptarët u bënë pengesë kryesore për depërtimin e Perandorisë Osmane deri në Itali. Sllavët vetë ishin për faqe të zezë, gjendja e tyre ishte më e defavorizuar se e shqiptarëve. Atëherë: nga cilët sllavë na mbrojti Perandoria Osmane? Si na mbrojtën ne turqit nga sllavët? Kjo është e pabesueshme, nga ana logjike, nga ana psikologjike. Për mua e gjitha është groteske, e paimagjinueshme, nga fillimi deri në fund”, – shtoi Kadare.
Nuk ka rëndësi kur dhe ku janë thënë këto fraza, befasia është se ato janë aktuale në çdo kohë, ato mbeten rregulla universalë të përjetshëm për kombin shqiptar. Porositë e Ismail Kadaresë do të jenë postulatet bazë në ngjizjen përfundimtare të mentalitetit shqiptar europian. Thirrjen: „E duam Shqipërinë si Europa,, nuk duhet ta harrojmë kaq shpejt ne shqiptarët, paralajmëron shkrimtari .
Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë ,të historisë, pasionit, folklorit, politikës dhe katastrofat e saj. Ai është një shkrimtar universal, me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri – do të citonte John Carey ….( © L.Lapi në emër të kryesisë së Shoqatës Shqiptare për Kulturë & Integrim e V„)
Disa foto nga takimi mund ti shihni në këtë faqe facebook/u.