ERRËSIMI I BOTËS

Ismail Kadare rrëfen për rezistencën e Shqipërisë kundër shtypjes fetare.

schleierkarawaneKarl-Markus GAUSS  boton  këtë  shkrim tepër të fuqishëm   në “Süddeutsche Zeitung„– një ndër gazetat më prestigjioze gjermane. Nëpërmjet shkrimit Karl-Markus GAUSS prezanton lexuesin gjermanfolës me librin e botuar në gjermanisht “Karvani i ferexheve „ – gjermanisht “Die Schleierkarawane”.   Të  Rrallë janë autorët letrarë që vlerësohen me superlativa të tilla, si në këtë rast Ismail Kadare. Përpos një fjalie të vetme të pa argumentuar në shkrim, me të cilën kritiku e ngarkon veten moralisht, shkrimi është gati medalje e gjysëmvitit 2015 për Kadarenë në gjeografinë gjermanfolëse. E sigurt, se do pasojnë prononcime të reja akademike në median gjermane lidhur me librin ” Karvani i ferexheve„ …etj.  

I lindur më 1936 në Gjirokastër në jug të Shqipërisë Ismail Kadare hyn në mesin e rrëfimtarëve më të njohur të kohës sonë. Në veprën e tij të përbërë prej shumë vëllimesh dhe shumë zërash ai ka gjurmuar një botë të fshehur pas kufijve, paragjykimeve dhe miteve dhe kështu e ka bërë Shqipërinë pjesë të letërsisë botërore. Romanet e tij lavdërojnë krenarinë dhe qëndresën e një populli të vogël, i cili gjatë historisë së tij vazhdimisht ka qenë i kërcënuar nga shfarosja, i cili i ka rezistuar joshjeve për asimilim të shtypësve të ndryshëm dhe ka ruajtur identitetin gjuhësor dhe kulturor. Kadare, i cili jo përherë di t’i mbajë librat e tij larg mendjemadhësisë shoviniste, i ka lavdëruar shqiptarët si «kombin më rebel prej të gjitha kombeve», dhe në romanin e tij historik «Kamarja e turpit», ku bëhet fjalë për një revoltë kundër sundimit shekullor të osmanëve, thuhet: «Fryma e rebelimit ishte aq gjithëpërfshirëshe dhe e pandryshueshme si klima e vendit».

Shihet qartë se ky autor nuk synon më pak se me mjetet e letërsisë moderne të rimarrë një porosi të lashtë të epikës: që t’i skicojë në imazhe letrare çështjet e mëdha të mbijetesës së fisit, kombit dhe kështu të ndikojë si interpretues, si zanafillës i identitetit në kolektiv. Shumë prej veprave të tij i referohen atyre shekujve kur Shqipëria ishte nën sundimin osman dhe shumë princa dhe bujq përpiqeshin të kundërshtonin islamizimin, një kulturë dhe fe që atyre u imponohej. Në mesin e këtyre librave hyjnë edhe tri tregime të shkruara mes viteve 1977 dhe 1983 dhe të botuara më 1987 në gjermanisht në Gjermaninë lindore dhe tani të përkthyera sërish nga i dëshmuari Joachim Röhm. Në këto tregime Kadare rrëfen me sarkazëm dhe logjikë të pamëshirshme për vështirësinë në të cilën u gjend vendi i tij, për kryengritjen që kurrë nuk u shua në fshatrat malore, në trevat e padepërtueshme me qytetet e tyre të shpërndara.

Tregimi më i bukur është i pari, i cili ia jep edhe titullin përmbledhjes. «Sjellësi i fatkeqësisë» rrëfen për prijësin naiv dhe injorant të karvaneve Haxhi Miletin, i cili një ditë ngarkohet nga Sulltani të çojë gjysmë milioni shami për mbulim fytyre dhe trupi në krahinat e Ballkanit të banuara nga shqiptarët kryengritës. Ky mision ndërlidhet me përpjekjen e përgjakshme të osmanëve që ato territore, të cilat ata i kishin pushtuar në Mesjetën e vonshme në Ballkan dhe Europën qendrore dhe të cilave u kishin dhënë atuonomi relative, tani të futeshin nën tutelë edhe në aspektin fetar.

Haxhi Mileti është tridhjetëvjeçar, i martuar dhe prapë nuk e ka as idenë më të vogël për jetën dhe gratë: «Vetë atij s’do i binte në mend se mund të ekzistojnë gra të pambuluara». Atmofesra në Stamboll është e tensionuar. Disa janë të pikëlluar që tani edhe «europianet» i pret ajo që tashmë duhet ta durojnë gratë vendore; të tjerët gëzohen me dashakeqësi që gratë arrogante, perëndimore po shporren nga jeta publike dhe shamia do t’i «mbronte prej vetvetes». Për Haxhiun ishte realitet i pranuar që «raca njerëzore përbëhet prej dy pjesëve: një e mbuluar dhe një e pambuluar».

Karvani niset në rrugën e gjatë, i shoqëruar nga oficerë, ushtarë, spiunë, dhe një ditë Haxhiu sheh çfarë s’ka parë kurrë, gra pa shami, të cilat qeshin në publik, nuk ulin shikimin, por e shikojnë atë, një burrë të huaj, drejt në sy, gra që janë krenare për flokët që i tregojnë hapur dhe lëvizin pa ndrojtje. Ky përjetim e trazon atë, pa humbur kohë ai dëshiron që këto gra të përdala të marrin dënimin e Allahut dhe të rojtarëve të tij tokësorë, shumë shpejt ai është i dhënë pas tyre në mënyrë të parezistueshme. Shqipëria u bë kështu një moment i zgjimit të tij personal dhe kulturor.

Këtë konflikt Kadare e interpreton qartë si çarje kulturore, që gjendet mes lirisë dhe shtypjes – dhe kjo për të domethënë: mes Europës dhe Orientit. Është pikërisht Shqipëria që shndërrohet në pararojë të guximshme të Europës, që shpallet kështjellë e iluminizmit dhe lirisë, sepse çfarë synon Sulltani në Shqipëri ai dëshiron t’ua imponojjë të gjitha vendeve të pushtuara, pra Serbisë, Greqisë, Rumanisë, Bosnjës, Bullgarisë, Hungarisë: atje secila grua duhet të bart «shaminë ashtu si të gjitha myslimanet e tjera». Pasi karvani i ka shpërndarë shamitë e fundit, ai gjatë kthimit kalon nëpër një botë, e cila s’është më si më parë. Haxhi Mileti vëren se gjithkund ku para disa javësh jeta ishte e larmishme dhe gazmore, tani gjërat kanë humbur ngjyrën dhe njerëzit gëzimin. «Kishte pasur eklipse të diellit dhe të hënës, por tani pritej terri i tretë: eklipsi i grave».

Kadare di të rrëfejë hatashëm, në çdo kapitull të ri ai e ashpërson konfliktin, i cili pasqyrohet në përvojën personale të një njeriu të prapambetur dhe jo aq të ditur, por i cili kapërcen nëpër botën e sotme. Këtë stof delikat, i cili viteve të fundit ka shkaktuar aq shumë huti dhe grindje, Kadare e trajton pa ngurrin. Për të është e qartë se mbulimi ua grabit grave dinjitetin, Europës demokracinë, botës bukurinë. Me shkathtësi të madhe letrare Kadare ia del t’i përshkruajë gjërat esëll dhe në mënyrë realiste dhe njëkohësisht t’i pajis ato me një shumëkuptimësi paraboleske. Është një botë e mosbesimit gjithkund të pranishëm, të cilën ai e bën të njohur: derisa gratë duhet të futen nën shami, sepse nuk mund t’i besohet dëlirësisë së tyre dhe vetëpërnbajtjes së burrave, burrat mbikëqyren me ndihmën e një burokracie bizare dhe spiunohen edhe në gjumë, në mënyrë që sundimi i Sulltanit, i oborrtarëve të tij, vezirëve dhe milicëve fetarë të mbetet i pasfiduar.

Edhe dy tregimet e tjera kanë cilësitë e tyre, ndonëse rrëfimi për «Breznitë e Hankonatëve», i cili shtrihet në dy shekuj, nuk është temë aq e nxehtë si rrëfimi për errësimin e botës, i cili bëhet gjithnjë e më dramatik. Në tregimin tjetër «Komisioni i festës» Kadare ushtron kritikë të pamëshirshme kundër despotisë osmane dhe sërish Shqipëria është njëkohësisht viktimë e shtypjes fetare dhe vend i kryengritësve të pathyeshëm. Pasi që princat lokalë në provincë hap pas hapi janë bërë të pavarur nga qendra dhe i kanë dhënë popullit liri joislamike, administrata në Stamboll kërkon rastin që kombit shqiptar t’ia shfarosë elitat me një goditje. Sulltani i fton dinjitarët shqiptarë në një drekë të pajtimit, ku i masakron të gjithë. Kadare i referohet një ngjarjeje të vitit 1830 dhe e merr si shkas këtë ndodhi historike për të menduar për pushtetin dhe lakenjtë e tij, për diktaturën dhe lavdëruesit e saj.

Kadare rrëfen me mjeshtëri, me humor të hidhur dhe me sens për anët surrealiste të realitetit. Tregimet e tij kanë një themel të dyfishtë, por ai prej tyre nxjerr një porosi të qartë: Europa duhet të ngadhënjejë kundër rrezikut që liria e saj të mbulohet prej shamive të zeza. Por nuk do të ishte Kadare nëse në këtë mjerim të përshkruar me përkushtim ai nuk do të dinte të tregonte se prej nga mund të vijë shpëtimi – natyrisht nga Shqipëria, mëmëdheu i revoltës. -lli

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Më të rejat
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: