Shtëpia më e madhe botuese e librit letrar në Gjermani „Fisher Verlag“ e Frankfurt-it nxjerr në treg botimin e tretë të romanit të Ismail Kadaresë „Muzgu i perëndive të stepës“. Romani për herë të parë doli në tregun gjerman të librit me 22 shtator 2016, në pjesën e parë të nëntorit Fischer Verlag nxjerr botimin e dytë, kurse tani, nga 1 janari 2017, botimin e tretë. Libri është prezantuar në „Das Literarische Quartett“ (Kuarteti letrar) të televizionit publik gjerman ZDF, për të ka pasur recensione në „Frankfurter Allgemeine Zeitung“, „Frankfurter Rundschau“, „Literaturkritik“, „Deutschlandfunk“, „Österreichischer Rundfunk“, etj. Jörg Magenau thotë në „Deutschlandfunk“ se Kadareja si shkrimtar ishte absolutisht një disident.
Disidenca politike në Shqipëri nuk tolerohej, ndërkohë që në vendet e tjera të Europës Lindore lejohej. Shkrimtari i njohur hungarez Sándor Mára në ditarin e tij e shpjegon gjenezën e disidencës në Lindje.
Ai thotë se ky fenomen nuk ishte rezultat i faktit se intelektualët atje ishin më të guximshëm, por rezultat i një kompromisi që qeveritë komuniste në Europën Lindore u detyruan të bëjnë me Perëndimin, sepse nuk donin që t’i rrezikonin kreditë dhe bashkëpunimin ekonomik me të.
Shqipëria që ishte hermetikisht e mbyllur ia kishte lejuar vetes luksin barbar për të burgosur e vrarë secilin që dilte kundër kursit politik të udhëheqjes së ngushtë të PPSh-së.
Historiani i famshëm britanik Eric Hobsbawm në librin e tij „The Age of Extremes: A History of the World, 1914-1991“ (London 1994, New York 1995) Kadarenë e konsideron si një kundërshtar të regjimit komunist shqiptar.
Pjesë nga parathënie e Muzgut nga *Erik Fay
Çfarë ka bërë shteti shqiptar deri më tani për Kadarenë, veprën e tij? Pse shteti ynë nuk investon në përhapjen dhe në përkthimin e veprës së Kadaresë edhe në gjuhët e vogla? Shtetet e tjera si Franca, Gjermania etj. e bëjnë këtë gjë. Pse shteti i Kosovës nuk ndihmon në përkthimin dhe botimin e veprave të Kadaresë që i kushtohen Kosovës? Po të kishim shtete serioze, ato do të kishin pasur një raport tjetër, të përgjegjshëm ndaj Kadaresë. Përvojat përëndimore, po të kishin qenë të interesuar, do t’u vinin në ndihmë shtetarëve tanë të papërgjegjshëm. Vepra e Kadaresë është thesar kombëtar. Qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj saj është kriminal.
Shkruar nga Xhevat Ukshini, Essen/Gjermani më 15.02.2017.
*Fisher Verlag është shtëpi botuese gjermane .
*Das Literarische Quartett është emisioni më i madh letrar që trasmetohet në TV gjerman