ÇLIRIMI I SERBISË PREJ KOSOVËS

 

clirimi-i-serbise-prej-kosoves

►Intervista është botuar në gjermanisht që përmbledh gjithashtu edhe pjesë bibliografike nga vepra e Ismail Kadaresë ◄

“Një nga më të mëdhenjtë shkrimtarë europianë, Ismail Kadare, flet në këtë intervistë për temat më delikate dhe ndarjet midis serbëve dhe shqiptarëve, mbi urrejtjen e zgjatur, zemërimin dhe mllefin, mbi miqësinë dhe moskuptimet me shkrimtarët serbë, mbi shtrembërimet e historisë, që e kapërcen dramën ballkanase, dhe për arsyen, përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte Kosovën”. Kadare është anëtar i huaj i Akademisë morale e politike të Parisit, që nga viti 1996 (në vend të filozofit të famshëm Karl Poper); është fitues i çmimeve prestigjioze europiane në letërsi dhe i urdhrit francez të “Legjionit të Nderit”. Ai ka shkruar 45 libra, ndërsa për të janë shkruar dhjetëra libra. Botuesi i tij francez “Fayard”, krahas botimeve  të veçanta, ka publikuar veprën e plotë në dymbëdhjetë vëllime, në frëngjisht dhe shqip. Librat e Ismail Kadaresë janë përkthyer në mbarë botën. Ndër më të rëndësishmit janë romanet: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Pallati i ëndrrave”,  “Koncerti”, ‘Piramida”..” Muzgu i perëndive të Stepës”…etj

Shkrimtarët janë ndërgjegjja e kombit, por nganjëherë edhe të një epoke. Në intervistën që ka dhënë posaçërisht për “NIN”, ai flet hapur për krijuesit e kësaj ndërgjegjeje, flet për Ballkanin dhe pikat e dobëta (gjërat që lëndojnë) midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Ismail Kadare flet sipas mënyrës së vet: duke i hedhur në tavolinë të gjitha letrat e tij intelektuale. Temat e intervistës, gjithsesi janë polemizuese, megjithatë, mendojmë se pa dyshim janë një kontribut për dialog mbi paqen dhe miqësinë në Ballkan.

Branka Bogavac: Ju jeni një nga shkrimtarët më të njohur të botës sot. Ka gati dyzet vjet që e keni fituar këtë status, sidomos në Perëndim, por, kohët e fundit, edhe në vendet e ish-Lindjes. Kritika botërore është treguar bujare me ju. Krahasimet me Homerin, Danten, Kafkën nuk mungojnë. Këto vlerësime tepër të larta për veprën tuaj, për rolin emancipues të saj a i përjetoni edhe si një rritje përgjegjësie përpara opinionit të vendit tuaj, atij ballkanik dhe atij botëror?

Ismail Kadare: Së pari desha t’ju theksoj se unë jam shkrimtar dhe përgjegjësia ose jo përgjegjësia ka lidhje, në radhë të parë, me letërsinë. Të tjerat janë rastësi. Nuk jam kundër rolit zbutës, emancipues të letërsisë, por desha të them se nuk është letërsia ajo që mund të ndreqë problemet e kësaj bote. Ndoshta mund të ndodhte kjo, me kusht që letërsia të prishte veten e vet… Vura re se në listën e pyetjeve tuaja, ka disa për çështjet e sotme, sidomos ato në Ballkan. Unë ju kuptoj dhe nuk jam kundër t’ju përgjigjem, veç do t’ju lutesha t’i merrni fjalët e mia brenda kushtëzimit që përmenda më lart.Që të jem më i rrokshëm: ju përmendët pak më lart disa emra të mëdhenj, çka sot do të ishte kënaqësi për çdo shkrimtar. Por krahasimet, përveç që gjykohen shpesh si të pasakta, qëllojnë të jenëedhe të rrezikshme. Ja, për shembull, pak njerëzve iu shkon ndër mend se Homeri ka qenë i pari dhe për fat i vetmi kolos i poezisë që s’kishte as më të voglën rezervë kundër luftës! Sipas ligjeve të sotme, do të ndalohej kudo. Dhe kjo që sapo thashë s’është aspak fantazi, ngaqë disa ditë më parë u hap lajmi se OKBsë iu kërkua të ndalonte, për arsye të ngjashme, Dante Aligierin! Natyrisht që do të ishte mirë që OKB-ja, më shumë se të fantazonte kundër poetit, të lexonte si duhej Danten, për të mësuar prej tij se si duhen dënuar krimet kundër njerëzimit, gjë që Dante e ka bërë më mirë se ajo!

B. Bogavac . Ju keni botuar një ese të rëndësishme “Mosmarrëveshja”, e cila është konsideruar me të drejtë si një nga majat e mendimit shqiptar. Ky libër, duke folur për “raportet e vështira të shqiptarëve me vetveten”, trajton gjerësisht raportet e popujve të Ballkanit me njëri-tjetrin, me Europën, si dhe të kësaj të fundit me ta. Në këtë libër ju jeni i ashpër me vendin tuaj, por po ashtu me fqinjët e tij ballkanas, me grekët, serbët, osmanët, shkurt, me të gjithë. Është si një pasqyrë e pamëshirshme që ju vini përpara të gjithëve. A mendoni se kolegët tuaj ballkanas do të ndërmerrnin të njëjtin aksion ndaj popujve të tyre?

Ismail Kadare: Do ta dëshiroja shumë një gjë të tillë. Do të ishte e mirë për të gjithë ne. Më lejoni të përsëris idenë se ka një të mirë të përbashkët dhe ka një të keqe të përbashkët në Ballkan. Pikërisht këtë ne jemi të paaftë tani për tani ta dallojmë. Mendjet tona janë kapur ende nga kurthet e vjetra: e keqja jote është e mira ime. Dhe e kundërta. Klasat politike në Ballkan e kanë vështirë të dalin nga ky kurth. Ato nuk kanë as aftësinë e as vizionin për një gjë të tillë. Ata kalojnë nga krekosja nacionaliste, në përulje kozmopolite. Europa e bashkuar nuk e ka lehtë të merret vesh me gadishullin e vet problematik. Por ndoshta s’duhet t’i vëmë edhe shumë faj. Të mos harrojmë se ajo ka edhe tre gadishuj të tjerë veç vetes! Të kthehem te çështja e Europës. Ndjesia për të është disi e ndryshme te ballkanasit. Është i njohur admirimi i pakusht i shqiptarëve për Europën dhe SHBA-në. Kjo ndoshta vjen ngaqë humbjen e Europës ne e kemi përjetuar më tragjikisht se të tjerët. Qysh në vitet 30-të një poeti ynë ka shkruar se ne “e duam Perëndimin me një dashuri tragjike”. Ky tragjizëm u theksua gjatë izolimit komunist. Ju, sllavët e Ballkanit, jeni më të përmbajtur, dhe kjo ndoshta vjen se ju bashkë me Europën keni familjen sllave, ndërsa ne s’kemi fis tjetër. Këtu do të shtoja se admirimi nuk mjafton pa mirëkuptimin. Mendoj se ballkanasit duhet të ndihen të nderuar që Europa merret seriozisht me ta. Natyrisht që Europa me përmasat e saj kontinentale mund të krijojë keqkuptime. Mendoj se një nga keqkuptimet ose më saktë një nga keqinterpretimet e mendimit europian mund të jetë marrëdhënia e çdo vendi me vetveten. Duket sikur, për të shmangur rrezikun e nacionalizmit, që është vërtet një rrezik për këdo, e sidomos për Ballkanin, Europa përkrah njëfarë shkombëtarizmi. Me fjalë të tjera, duket sikur ajo na thotë: të këqijat tuaja vijnë ngaqë e doni më shumë se ç’duhet vendin tuaj. Mendoj se këtu është keqkuptimi. E keqja nuk vjen ngaqë ballkanasit e duan shumë kombin, por ngaqë e duan keq. Po ta donin vërtet vetveten, do t’i donin edhe të tjerët. Rrjedhimisht, këshilla e Europës do të duhej të ishte: s’është puna ta doni më pak veten, por ta doni më mirë. Këtë pak a shumë kam trajtuar, ndër të tjera, në librin e fundit….(vijon)

 XH.Ukshini, Pjesë nga Intervista e 24 majit 2012 dhënë revistës “NIN” të Beogradit

 



Kategori: Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: