KUSH E SOLLI DORUNTINËN

………………………..
kush-e-solli-doruntinen-ismail-kadareU gdhi më në fund dita e shumëpritur e mbledhjes së madhe. Ishte një ditë e mardhur, nga ato që, kur kujtohesh se është e diel, të duken edhe më të ftohta. Retë e larta rrinin të palëvizshme, si të ankoruara në qendrën e qiellit. Oborri i brendshëm i manastirit, me përjashtim të fronave të ruajtur për zyrtarët e lartë dhe të ftuarit, qe mbushur qysh herët në mëngjes, dhe turmave të vonuara s’u mbetej gjë tjetër veçse të zinin vend përjashta, në djerrinën jashtë mureve, me shpresë se edhe ata do të merrnin vesh diçka. Patjetër që do të merrnin vesh diçka, madje shumë shpejt, përderisa ata ishin ledhi i parë përmes të cilit do të kalonin lajmet, për të mbushur pastaj suvalë-suvalë tërë botën.
Të mbështjellë shumica me sharqe e guna të dhirta për t’u mbrojtur nga suferina, ata vështronin vargun e kuajve dhe të karrocave që mbërrinin njëra pas tjetrës. Ishin të mvrenjtur para kohe, thua se ajo që mund të turrej nga brenda për të kapërcyer përmes brinjëve të tyre mund të ishte më rrënimtare se një erë e marrë. Por ata kishin ardhur aty për ta duruar atë helm apo atë njoftim hyjnor.
Shkallinat e fronat në oborrin e brendshëm po mbusheshin ngadalë. Të fundit zunë vend në to i dërguari i princit, dinjitarët nga Bizanti, të shoqëruar nga kryepeshkopi i principatës, si edhe Stresi, zhguni i të cilit, i zi, me brirët e bardhë të dhisë sipër saj, e tregonte jo vetëm më të gjatë, por edhe më të zbehtë.
Kryepeshkopi u shkëput nga grupi i të ftuarve dhe eci drejt foltores, për të hapur, siç duket, mbledhjen. Shumë zëra thanë “qetësi!”, “qetësi!”, gjersa heshtja nisi të shtrohej dalngadalë në oborrin e madh. Dhe vetëm kur ajo u bë pak a shumë e plotë, u dëgjua një zhaurimë, që gjer atëherë nuk ishte ndier. Ishin turmat jashtë mureve të manastirit.
Zëri i kryepeshkopit përpiqej të ishte i fortë e i kumbueshëm, por atij i mungonte lartësia e katedrales, nën të cilën qe mësuar për të qenë i plotë. Ai nisi të acarohej për pamjaftueshmërinë e zërit të vet, u kollit, pastroi fytin, por zëri zhvlerësohej në një mënyrë të pamëshirshme prej hapësirës së oborrit, muret e të cilit do të ndihmonin ndoshta disi për t’i krijuar njëfarë jehone, sikur të mos ishin aq të ulta. Megjithatë kryepeshkopi nuk u step. Ai foli shkurt për qëllimin e kësaj mbledhjeje të gjerë, e cila u thir për të sqaruar mashtrimin e madh, që, për fat të keq, u ngjiz së pari në këtë katund në lidhje me të ashtëquajturën “ngritje të dikujt nga varri dhe udhëtimin e tij me një të gjallë” (ai theksoi fjalët “dikujt”, “me një” që të binte, siç duket, në sy se ai s’denjonte t’u përmendtte as emrat Konstandinit e Doruntinës), për jehonën e kësaj çarturije anembanë principatës, përtej kufijve të saj e madje përtej kufijve të Arbrit, për theqafjet e papërfytyrueshme që mund të shkaktonin herezi të tilla në qoftë se liheshin të gjëllonin lirisht, dhe së fundi për përpjekjet e kishës së Romës për ta shfrytëzuar këtë çmeritje kundër kishës së shenjtë bizantine dhe masat e kësaj të fundit për t’i çjerrë maskën trillimit.
– Dhe tani fjalën po ia jap kapiten Stresit, – vazhdoi ai, – që u ngarkua me hetimin e ndodhisë dhe që do të mbajë një raport të hollësishëm për të gjithë rrjedhën e saj. Ai do të sqarojë këtu një për një e pikë për pikë si u sajua kjo rrenë me bisht, kush fshihej pas të ashtuquajturit i vdekur që kinse u ngrit nga varri, ç’ishte në të vërtetë i ashtuquajturi udhëtim i motrës me vëllanë e vdekur, ç’ndodhi më vonë dhe si u zbulua e gjithë kjo.
Një murmurimë e fuqishme mbuloi fjalët e tij të fundit, në kohën që Stresi u shkëput nga vendi dhe eci drejt foltores.
Ai ngriti kokën, vështroi turmën e pambarim dhe priti gjersa mbi të të binte shtresa e parë e heshtjes. Frazat e para i shqiptoi me një zë që iu duk fare i ulët në fillim, por që erdhi duke u dëgjuar më kumbueshëm, sa më shumë që heshtja thellohej. Ai parashtroi radhazi ndodhitë natën e 11 tetorit e më pas, mbërritjen e Doruntinës, pohimin e saj se erdhi me vëllanë e vdekur, dyshimet e tij se mos një mashtrues ishte futur në këtë mes për të gënjyer Doruntinën, se mos Doruntina kishte gënjyer nënën dhe atë vetë, Stresin, se mos të dy ata, Doruntina dhe sjellësi i saj i panjohur, kishin kurdisur një mashtrim të përbashkët, se mos ishte diçka tjetër, punë hakmarrjeje e vonë, larje llogarie apo çështje testamenti. Ai tregoi pastaj për masat e marra për zbulimin e së vërtetës, për hulumtimin e arkivit të familjes, për kontrollet në bujtinat e pikat e kalimit si dhe për dështimin e gjithë përpjekjeve për të ndriçuar diçka në këtë mister. Pastaj Stresi foli për buisjen e thashethemeve të para, për vajtoret dhe për dyshimet e tjera se mos Doruntina kishte qenë e çmendur, dhe udhëtimi i saj me vëllanë s’kishte qenë veçse fryt i trurit të sëmurë. Mirëpo, vazhdoi ai, erdhën të dërguar nga familja e burrit dhe kështu u vërtetua që ky udhëtim qe bërë vërtet dhe që kalorësi që e kishte marrë atë mbi kalë, ishte parë vërtet me sy. Stresi tregoi pastaj për masat e reja që ai dhe zyrtarët e tjerë të principatës u detyruan të merrnin për t’i dhënë fund shpjegimit të këtij misteri, masa që çuan më në fund në kapjen e mashtruesit, domethënë të atij që kishte luajtur rolin e vëllait të vdekur, në “Bujtinën e dy Robertëve”, në kontenë fqinje.
– Këtë njeri unë e mora vetë në pyetje, – vazhdoi ai. Në fillim e mohoi që e njihte Doruntinën. Ai mohoi gjithçka dhe vetëm kur unë dhashë urdhër ta vinin në torturë, tregoi të vërtetën. Dhe ja e vërteta sipas tij.
Stresi vazhdoi të fliste për rrëfimin e të burgosurit. Një murmurimë lehtësimi shoqëronte tani fjalët e tij. Dukej sikur të gjithë kishin pasur nevojë që ajo histori e rëndë, gjer tani e përzishme, të freskohej, si nga një puhizë, nga rrëfimi i aventurës dashurore të endacakut. Murmurima kaloi valë-valë përtej mureve të manastirit, përjashta te sheshi, ashtu siç kishte kapërcyer heshtja, rrëqethja dhe tmerri.
– Këtë pohoi ai, – tha Stresi duke ngritur zërin. – Këtë pohoi i burgosuri, – përsëriti frazën. – Ishte mesnatë…
Qetësia nisi të thellohej, por murmurima që vinte nga radhët e fundit, sidomos nga përjashta, ishte ende e ndjeshme.
– Ishte mesnatë kur ai mbaroi rrëfimin e tij dhe atëherë unë… – Stresi bëri edhe një pushim tjetër, me një përpjekje të fundit për ta shtrirë sa më larg heshtimin. – Atëherë unë, për habinë e ndihmësve të mi, urdhërova ta vinin prapë në torturë.
Sytë e Stresit i përshkoi një ndriçim squfuror.
– Unë e vura atë në torturë, sepse dyshova në rrëfimin e tij.
Atij iu duk se ndjeu një si tërmet të ngadalshëm, megjithëse ishte ende qetësi, njëlloj si më parë. Tani
jepi, tha me vete krejt i mpirë. Shkatërro gjithçka.
– Shtatë ditë ai e duroi kusmën, gjersa ditën e tetë pohoi të vërtetën. Domethënë pohoi se gjithçka që kishte thënë gjer atëherë, kishte qenë mashtrim.
Tërmeti, lëkundjen e të cilit ai e kishte ndier i pari, kishte qenë vërtet, përderisa tani erdhi zhumhuri i tij, pak me vonesë, vërtet, si oshëtima e çdo tërmeti, por tepër i fuqishëm. Vetëtimthi hodhi sytë nga e djathta, pastaj nga e majta, andej nga priste klithmat, por atje ishte ende shurdhëri. Vetëm fytyrat ishin nxirë krejt.
– Ishte trillim i plotë, – vazhdoi Stresi, i habitur që ata s’po e ndërprisnin. – Ky njëri nuk e kishte njohur kurrë Doruntinën, nuk kishte folur kurrë me të, nuk kishte udhëtuar, nuk kishte bërë dashuri me të edhe aq më pak e kishte sjellë natën e njëmbëdhjetë tetorit në shtëpinë e saj. Ky njeri ka qenë i venë enkas për të sajuar një mashtrim të tillë.
Stresi ngriti kokën, duke pritur diçka, që as vetë s’dinte ç’mund të ishte.
– Po, i vënë enkas, – vazhdoi, – siç e pohoi ai vetë, nga njerëz, emrat e të cilëve nuk mund t’i përmend këtu.
Stresi bëri prapë një pushim të shkurtër. Turma
iu duk befas larg. Tani klithmat e saj nuk e arrinin dot. E aq më pak heshtat e thonjtë.
– Ky horr finok e luajti shkëlqyeshëm rolin e tij në fillim, kur mohoi se e njihte Doruntinën, dhe po aq shkëlqyeshëm më pas, kur pohoi se e kishte sjellë atë, – vazhdoi Stresi. – Por, siç ndodh shpesh me mashtruesit e mëdhenj, të cilët tradhtohen atëherë kur s’e presin, dhe nga gjërat e vogla edhe atë e tradhtoi një vogëlsi. Grykësia për t’u bërë sa më i besueshëm dhe sidomos gëzimi i parakohshëm se ia arriti qëllimit, e ngucën të fliste hollësi të panevojshme dhe aty, maska i ra. Ky mashtrues pra, ky sjellës i rrejshëm i Doruntinës…
– Atëherë kush e solli atë grua? – ulëriu nga vendi kryepeshkopi. – I vdekuri?
Stresi ktheu kokën andej.
– Kush e solli Doruntinën? Unë do t’ju përgjigjem, përderisa e kam marrë përsipër këtë hetim. Kini durim, hirësi. Kini durim, njerëz bujarë.
Stresi u mbush me frymë. Atij iu duk se ajri i gjithë pësoi lëkundje, ngaqë edhe qindra mushkëri të tjera thithën ajër në të njëjtën kohë me të. Vështrimi i tij kaloi përsëri nga sheshi i mbushur plot, te shkallët e tremeve, në këmbët e të cilave rojat rrinin me duar të kryqëzuara.
– E dija që do të bëhej kjo pyetje, – foli Stresi, – ndaj u përgatita për të. Ai bëri prapë një pushim. – Po, rëndshëm u përgatita për këtë pyetje. Pyetsori im porsa është mbyllur, dosja ime është e plotë, ashtu si edhe bindja ime. Unë jam gati t’i përgjigjem kësaj pyetje, njerëz bujarë, pyetjes se kush e solli Doruntinën.
Stresi bëri përsëri një pushim të shkurtër, gjatë të cilit ktheu kryet nga të gjitha drejtimet, sikur të donte që të vërtetën ta dëgjonte më parë me sytë e vet dhe pastaj me gojë. – Doruntinën e solli Konstandini.
Stresi u tendos, sikur të priste murmurimën, qeshjet, fjalët “po ju keni dy muaj që po na mbushni mendjen për të kundërtën”, talljet, klithmat dhe zallahinë, por nga mizëria e njerëzve s’erdhi asgjë e tillë.
– Doruntinën e solli Konstandini, – tha përsëri Stresi, si të kishte frikë se mos ata nuk e kishin dëgjuar mirë. Por nga mpirja e tyre merrej vesh që fjalët e tij kishin mbërritur. Madje një grimë iu duk se heshtja u thellua më shumë se ç’duhej saqë ai pati frikë prej saj. Është tepër e lodhshme e gjitha kjo, mendoi ngrirazi. Mori frymë thellë aq sa gjoksi i dhembi. Në lukth kishte një athëtirë.
– Unë do t’jua shpjegoj gjithçka, ashtu siç ju premtova, njerëz bujarë dhe ju, zotërinj fisnikë të ftuar. Ju lutem, vetëm të kini durim të më dëgjoni dhe unë do të përshkoq gjithçka.
Veç të ruaj kthjelltësinë e mendimit, mendoi Stresi. Asgjë tjetër s’i duhej tani për tani.
– Ju të gjithë keni dëgjuar besoj që më parë dhe, në qoftë se jo që më parë, së paku në kohën që u nisët për këtu, apo në kohën që mbërritët këtu, për dasmën e çuditshme të Doruntinë Vranajt, dasmë, që u bë shkak për këtë histori. Ju keni dëgjuar besoj se kjo krushqi e largët, e para e një largësie të tillë, nuk do të bëhej, në qoftë se Konstandini, njëri prej vëllezërve të nuses, nuk do t’i jepte besën nënës se do t’ia sillte Doruntinën sa herë që të lipsej, në gaz apo në zi. Dhe ju e dini pastaj se sa shpejt erdhi koha e zisë për Vranajt dhe për Arbrin, por Doruntinën nuk e solli askush, sepse dhënësi i besës, Konstandini, kishte vdekur. Ju keni dëgjuar për mallkimin që Zonja Mëmë i bëri të birit për shkeljen e besës dhe e dini pastaj se si tri javë pas këtij mallkimi Doruntina erdhi më në fund në shtëpi. Ja përse unë e shpall dhe e rishpall se Doruntinën nuk e solli askush tjetër, veçse vëllai i saj, Konstandini, fjala e dhënë e tij, besa e tij. Asnjë shpjegim tjetër s’ka dhe s’mund të ketë ky udhëtim. S’ka rëndësi, u ngrit apo s’u ngrit i vdekuri nga varri, për ta kryer vetë atë që duhej të kryente, s’ka rëndësi cili qe kalorësi dhe ç’kalë shaloi ai atë natë të errët kur u nis, ç’krahë mbanin frerin, dhe mbi flokët e kujt binte pluhuri i udhës. Secili nga ne ka pjesën e vet në këtë rrugëtim, sepse besa e Konstandinit, ajo që e solli Doruntinën, ka mbirë këtu, midis nesh. Ndaj, për të qenë më i saktë, do të thosha se Doruntinën, duke e sjellë Konstandini e sollëm ne të gjithë, të vdekurit tanë që pushojnë atje te kisha, ju që jeni këtu, unë…
– Ah, ti, – ulëriti nga vendi kryepeshkopi. Më në fund e pranove dhe vetë që ke marrë pjesë në këtë lemeri.
– Ne të gjithë… u përpoq të rimerrte fjalën Stresi, por zëri i peshkopit ishte zotërues.
– Folë për veten tënde, – thirri ai. – Dhe meqë ra
fjala unë desha të di ku ke qenë ti gjatë kohës midis tridhjetë shtatorit dhe trembëdhjetë tetorit? A?
Fytyra e Stresit mbeti e palëvizshme, por ajo ishte e bardhë si pëlhurë.
– Përgjigju, kapiten, – thirri dikush.
– Do të përgjigjem, – tha Stresi. – Në kohën që u përmend këtu, unë kam qenë me shërbim të fshehtë.
– Ah, prapë mistere! – thirri kryepeshkopi. – Mos na sill mullarthi, kapiten. Përgjigju më mirë se ç’janë kato shërbime të fshehta?
– Janë të tilla që ne vetë pasi i kryejmë rrekemi t’i harrojmë, – tha Stresi. – S’flas më tepër.
Murmurima e turmës e kthyer mbrapsh prej mureve, këtë herë mezi u fashit. Stresi u mbush me frymë.
– Nuk kam mbaruar ende, njerëz bujarë. Do të doja t’ju flisja juve, e sidomos të ftuarve, që kanë ardhur këtu nga larg, se ç’është kjo forcë e epërme, që është në gjendje të thyejë ligjet e vdekjes.
Stresi u gëlltit përsëri. Pështyma po i thahej dhe tani ai bënte një përpjekje të mundimshme për të ngjizur fjalët. Megjithatë vazhdoi të fliste. Ai foli për besën dhe për përhapjen e saj midis arbëreshëve. Ndërsa fliste, pa se dikush nga turma po vinte drejt tij, duke mbajtur në dorë diçka të rëndë, ndoshta një gur. Kaq shpejt filluan, mendoi, dhe bërryli i preku dorezën e shpatës nën zhgun. Por, kur njeriu u afrua edhe më, Stresi pa se ai ishte djali i Radhenjve dhe në dorë nuk mbante gurë për të goditur, por një shtambë me ujë.
Stresi i buzëqeshi, e mori shtambën prej dorës së tij edhe piu.
– Dhe tani do të përpiqem të shpjegoj se ç’shkaqe e ringjallën dhe po e përhapin midis nesh këtë ligj të ri shpirtëror, – vazhdoi Stresi.
Ai foli për gjendjen e rëndë në botë dhe për të ardhmen që sa vinte ngrysej. Hakërroheshin prore shtete të vegjël e të mëdhenj, fe dhe sekte, popuj dhe raca, të gjallë dhe të vdekur. E shtynin njëri-tjetrin, e goditnin e ndillnin drejt kurthit. Midis kësaj duhie, greminohej si midis oqeanit shteti i Arbrit.
Stresi e ngriti zërin.
– Çdo popull përballë rrebeshit që afron, mpreh mjetet mbrojtëse dhe në s’mjaftofshin ato krijon mjete të reja. Duhet të jesh dritëshkurtër që të mos kuptosh që drama, herët a vonë do të mbërrijë në kufijtë e Arbrit, në mos ka mbërritur ndërkaq. Atëherë del pyetja: në këto kushte të keqësimit të klimës në botë, në këtë kohë krimesh e pabesish aq të lemerishme, saqë mund ta quash “pabesnajë”, ç’fytyrë do të ketë njeriu arbëresh? Do të njëjësohet me të keqen apo do t’i kundërvihet asaj? Me fjalë të tjera do të shfytyrohet për t’iu përshtatur maskave të reja, për të mbijetuar, apo do të ruajë fytyrën e amëshuar?… Unë jam shërbenjës i shtetit ndaj jam shpërfillës për anët vetjake të udhëtimit të Konstandinit, nëse ka pasur të tilla. Seicili prej nesh, qoftë rob i thjeshtë apo sundues, Cezar apo Krisht, ndrydh në vetvete të fshehta të pazbërthyeshme. Por unë si njeri i shtetit fola për anën e përgjithshme të çështjes, për atë që ka të bëjë me Arbrin. Për të po afrohet çasti i provës, i zgjedhjes midis fytyrës dhe maskës… Dhe në qoftë se gjindja jonë ka nisur të përpunojë në thellësitë e veta ngrehina të tilla sublime, siç është besa, kjo dëshmon se Arbri është duke e bërë ndërkaq zgjedhjen e vet. Ai do të ruajë fytyrën e vet të amëshuar. Dhe ç’është kryesorja, ai do ta ruajë atë fytyrë jo duke u veçuar si egërsirë nga bota, por duke bërë krushqi me botën. Këtë kumt u ngrit për t’i sjellë Arbrit dhe gjithë njerëzve, nga fundi i gropës ku qe shtrirë, Konstandini.
Stresi përfshiu edhe një herë me sy turmën përpara tij, pastaj tremet nga e djathta dhe nga e majta. Aty-këtu iu duk se shqoi rrëzëllimet e lotëve. Por sytë e të tjerëve ishin të zgropët krejt.
– Po ky kumt nuk është i lehtë për t’u pranuar, – vazhdoi ai. – Ai do të kërkojë flijime të rënda brez pas brezi. Më i rëndë se kryqi i Krishtit do të jetë ai. Dhe tani që fjalës sime po i vjen fundi, – Stresi u kthye nga këndi ku rrinin të dërguarit e princit, – desha të shtoj se, meqenëse ato që thashë nuk i përshtaten, ose, se paku tani për tani nuk i përshtaten detyrës sime, unë që në këtë çast jap dorëheqjen prej saj.
Me dorën e djathtë Stresi preku shenjën me brirët e bardhë të dhisë, të qepur sipër zhgunit të tij, pastaj, me një lëvizje të shpejtë, e shkuli atë dhe e la të binte përdhe.
Pa thënë asgjë tjetër, zbriti shkallët e drunjta dhe, pa kthyer kokën nga askush, eci mes për mes turmës, e cila i hapte udhën me nderim, frikë dhe tmerr të përzier bashkë.
Qysh nga ajo ditë Stresi nuk u pa më asgjëkund. As ndihmësit e tij, as të afërmit, madje as gruaja, nuk dinin ose nuk jepnin shpjegim se ku ndodhej.
Te Manastiri i Vjetër u zbërthyen një nga një shkallinat prej druri, bartësit i hoqën dërrasat dhe trarët, dhe te oborri i brendshëm s’mbeti më asnjë shenjë prej tyre, megjithatë nga fjalët që u thanë atje prej Stresit, nuk u harrua asnjë. Ato kalonin gojë më gojë e katund më katund me një shpejtësi të pabesueshme. Pëshpërima se Stresi ishte arrestuar për shkak të fjalimit u vërtetua shumë shpejt se s’qe e vërtetë. Thoshin se e kishin parë diku; në mos e kishin parë, kishin dëgjuar trokun e njohur të kalit të tij. Të tjerët ngulnin këmbë se e kishin parë në Udhën e madhe të Veriut dhe ishin të sigurt se ishte ai, megjithëse ishte muzg dhe shtresa e parë e pluhurit kishte arritur t’i binte mbi leshra. Ku mund ta dish, ku mund ta dish, thoshin njerëzit. Ku nuk të vete mendja, o Zot. Dhe me një zë të drithëruar, siç i ndodh njeriut kur ngjethet nga të ftohtët, dikush vazhdonte: nganjëherë më vete mendja se mos ai vetë e ka sjellë Doruntinën. Shih, shih, ia bëri tjetri, luaj vendit, o njeri.
E pse çuditesh, thoshte i pari, qysh nga dita që ajo u kthye, unë s’befasohem më nga asgjë.
Ashtu siç pritej qe ringjallur prapë grindja e kahershme për martesat afër e larg. Idhtarët e afërsisë dukej se po fitonin, por kundërshtarët s’donin të jepeshin. Udhëtimin e të vdekurit secila palë e shpjegonte pas mënyrës së vet. Largësorët theksonin kryesisht mbajtjen e besës dhe natyrisht e shpallnin Konstandinin si flamurtar të saj e të krushqive larg. Pala tjetër e quante zhvendosjen e tij një udhëtim pendese, me fjalë të tjera, një ngritje nga varri për të qortuar një gabim. Zëra të tretë që nuk shihnin në ngarendjen e tij veçse bashkimin e dy të kundërtave, domethënë largësinë dhe afërsinë, midis të cilave Konstandini qe vërtitur e torturuar, ashtu siç qe torturuar nga tundimi i inçestit, dëgjoheshin më pak.
Ndërkaq ndihej se ideja e martesave të afërta po zotëronte sërish. Historia e trishtë e Maria Matrengës përmendej përherë e më shpesh, ndonëse, si për një drejtpeshim fatal, qenë shpeshuar gjithashtu ecejaket pakuptim të tarallakut Palokë nëpër katund.
Kur gjysmaku i gjorë u gjet i vrarë një mëngjes, pas mpirjes së parë u kuptua se vrasësit nuk do të zbuloheshin kurrë. Si shumëçka tjetër ngjarja u shpjegua dy mënyrash: largësorët thanë se e vranë të vetët, domethënë ithtarët e krushqive të afërta, për të hequr nga udhët një dëshmi që punonte ditë e natë kundër tyre. Këta të fundit ngulnin këmbë se vrasja qe kryer prej largësorëve për të treguar se ndonëse ideja e tyre po humbte, ata ishin gati ta mbronin atë qoftë edhe me gjak.
Por pavarësisht nga ky acarim ashtu si edhe në rastet e tjera, kur vrasja e idiotëve, ndryshe nga ajo e qenve, sillte përherë pajtim, edhe këtë herë trysnia midis dy palëve befas ra.
Dukej se koha punonte tashmë për krushqitë e afërta, kur ndodhi diçka që në çdo stinë mund të besohej, por jo në atë mes dimri. Një vajzë nga katundi e nisën nuse larg. Të gjithë mbetën gojëhapur kur dëgjuan për këtë Doruntinë të re, shi në kohën kur s’pritej. Kujtuan se pas ngjarjeve ngjethëse që porsa kishin ndodhur, familja e vajzës do ta prishte fejesën e lidhur qysh më parë, ose, së paku, do ta shtynte për një kohë tjetër, mirëpo nuk ndodhi ashtu. Dasma u bë ditën e caktuar, erdhën krushqit nga vendi i tyre, për të cilin disa thoshin se ishte shtatë e disa nëntë ditë larg, dhe, si hëngrën, pinë e kënduan, e morën me vete nusen e re. Që nga kisha gjer te udhëkryqi i madh e përcolli pothuajse krejt katundi, si dikur Doruntinën e gjorë, dhe, tek e panë nusen ashtu të bukur e mjegullore pas vellos së bardhë, me siguri shumë njerëz mendonin se ç’fantazmë do ta sillte vallë ndonjë natë të errët gjer te pragu i shtëpisë. Mirëpo ajo, hipur mbi kalin e bardhë, s’jepte asnjë shenjë tmerri për atë që mund të ndodhte. Dhe njerëzit, tek e ndiqnin me sy, tundnin kryet e thoshnin: po ndoshta u pëlqejnë këto gjëra këtyre nuseve të sotme, o Zot i madh. U pëlqen ndoshta të udhëtojnë në krahë hijesh nëpër terr e asgjë.

Tiranë, tetor 1979

@Ismail Kadare, pjesë nga: “Kush e solli Doruntinën”

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Më të rejat
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: