Dialog me Alain Bosquet

ISHIM TË VETMUAR NË ARENËN PLOT GJURMË GJAKU

Fragment nga “Dialog me Alain Bosquet”

dialog me alain bosketAlain Bosquet – Le të ndalemi për një çast, duke rrezikuar uljen e nivelit të bisedës, siç thoni ju, mbi problemin pjesërisht politik, te raporti ndërmjet shkrimtarit dhe pushtetit, në këtë rast, diktaturës shqiptare. Për disa, rasti juaj mbetet një enigmë e vërtetë…

I. K. – Është bërë zakon nga disa që, kur shkruajnë për marrëdhëniet e mia me shtetin shqiptar, të përdorin fjalën “enigmë”. Kurrfarë enigme s’ka pasur. Dhe për atë që diçka di apo ka mësuar për natyrën e gjithësisë komuniste, këto marrëdhënie duken fare të qarta.
Gjer në vitin 1965, kur u ndalua “Përbindëshi”, unë isha pak a shumë jashtë vëmendjes ose, më saktë, vëmendjes së keqe të diktaturës. Vitet 1965-1968 ishin për mua të rënda, si për shumicën e shkrimtarëve shqiptarë. Pikërisht në këtë kohë, ngaqë u bëra mjaft i njohur (librat e ndaluar bashkë me kokëçarjet të jepnin një aureolë dhe njohje shpeshherë më të madhe se të lejuarat), sidomos pas botimit të “Gjeneralit” në Bullgari (1967) dhe Jugosllavi (1968), dy vende armike, sidomos ky i fundit, projektorët e regjimit ose, më saktë, të vetë diktatorit, ranë mbi mua. Për herë të parë e kuptova qartë se ç’tmerr është të jesh i njohur në një vend stalinist, që drejtohet nga një tiran, sa i egër, aq dhe dinak, dhe që, për fat të keq, e mbante veten për shkrimtar.

Me përjashtim të viteve 1969-1972, kohë në të cilën më lanë të qetë, ngaqë merresha me “Dimrin e vetmisë së madhe” (nën hijen e tij mbrojtëse shkrova dhe botova dy romanet e tjera “Kështjella” dhe “Kronikë në gur”), gjithë vitet e tjera gjer në vdekjen e tiranit, më 1985, ishin plot shqetësim dhe të papritura.

Në vitin 1970, e pashë veten në listën e deputetëve. Në vitin 1972, hyra në partinë komuniste.

Më vjen për të qeshur kur këtu, në Perëndim, këto gjëra merren seriozisht. Të qenët deputet në Shqipëri ishte një gjë kaq formale, saqë pas ceremonisë së parë, ti vetë e harroje që ishe deputet dhe të tjerët, gjithashtu. Unë do t’jua vërtetoj këtë. Më 1975, kur pas vjershës “Pashallarët e kuq”, më larguan nga Tirana dhe më hoqën të drejtën e botimit, unë isha pikërisht deputet i Tiranës. Mund ta përfytyroni ju një deputet që s’ka të drejtë as të banojë në qytetin ku “e kanë zgjedhur” dhe që s’ka të drejtë të botojë… romane?
Asgjë s’fitoje duke qenë deputet. Po të refuzoje (historia e Shqipërisë komuniste nuk ka njohur asnjë refuzim), mund të humbje gjithçka, madje dhe jetën. Unë s’isha aq i çmendur, sa, për idiotësitë e komunizmit, të rrezikoja jetën time.

E njëjta gjë ishte anëtarësia në parti. Sekretari i partisë, një dramaturg, i quajtur Ibrahim Uruçi, njeri i mirë, por komunist idealist dhe naiv, më thirri për të më thënë se duhej të hyja në parti. E njihja prej vitesh, ishte i vetmi mik imi që nuk pranonte as kritikë, madje as shpoti me regjimin. Kishte qëlluar që bashkë me Dhimitër Xhuvanin e kishim ngacmuar, na kishte kapur për gryke, duke na ulëritur: mbylleni gojën, do t’ju denoncoj! Por nga kërcënimet e tij vetëm qeshnim, sepse e dinim që s’të denonconte kurrë.
Biseda jonë ishte nga më surrealistet:
Ai: Dëgjo, ti duhet të hysh në parti.
Unë: Unë në parti?! Po ti më ke thënë vetë se unë jam dekadent, antiparti.
Ai: Lëri shakatë. Puna është serioze.
Unë: Le të jetë serioze. Ti e di se unë s’kam dëshirë.
Ai: E di, e di. Të jetë për mua, megjithëse të kam mik, s’të qas as te dera e partisë. As ty, as atë horrin tjetër, Dhimitër Xhuvanin. Po ç’t’i bësh…
Unë: Të kanë thënë që duhet të hyj?
Ai: Mos më çaj kokën me pyetje. Bëj lutjen dhe pikë.
Unë: Dhe unë po të them: s’e bëj dhe pikë.
Ai: (I lodhur) Dëgjo, skizofren. (Kjo ishte fjala e tij e para-pëlqyer për gjithë miqtë.) Po të them një të fshehtë, se të kam mik. Urdhri është nga lart.
Unë: E çë pastaj?
Ai: Është nga lart fare, o skizofren!
Unë: Ah, pa shiko.
Ai: Është nga i madhi fare, nga shefi personalisht, kupton?
S’kishte më vend as për humor, as për shpoti. Duke më futur në parti, tirani mendonte se do të më kontrollonte më mirë.
(Fati i I. Uruçit, siç ndodh shpesh me naivët e sinqertë, ishte tragjik. U përjashtua nga partia, më 1974, gjatë një fushate spastrimesh, si rrjedhojë e një goditjeje të verbër, kur diktatori dënonte besnikët e vet, për të tmerruar edhe më fort të tjerët, pastaj u internua dhe vdiq në internim, i braktisur edhe nga familja e vet.)
Thashë se marrëdhëniet e mia me regjimin shqiptar ishin fare të qarta dhe duhej të ishe i verbër që të mos e shikoje këtë.
Unë isha shkrimtari më i njohur brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, të gjithë e dinin në Shqipëri se, përveç vjershave e tregimeve, kisha katër vepra të ndaluara “Përbindëshi”, “Pallati i Ëndrrave”, “Nata me hënë” dhe “Koncerti”. Me përjashtim të këtij të fundit, që i qenë botuar vetëm disa kapituj, veprat e ndaluara ishin në duart e lexuesit. Veç kësaj, vepra të tjera, si “Dimri i vetmisë së madhe”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H” etj., ishin gjysmë të ndaluara. Asnjë lexues me mendje normale nuk mund të mos i bënte pyetjen vetes se përse shumica e veprës së këtij shkrimtari është e padashur nga ky regjim, për të përdorur fjalën më të butë.
Më 1975, për shkak të poemës “Pashallarët e kuq”, gjithë Shqipëria, e përsëris, gjithë Shqipëria, madje edhe ata që nuk lexonin letërsi, e mori vesh se shkrimtari i parë i vendit kishte shkruar një poemë armiqësore, në të cilën “bënte thirrje kundër partisë”.
Më 1982 u zhvillua një plenum i Lidhjes së Shkrimtarëve, ku u dënua publikisht një pjesë e veprës sime (“Doruntina”, “Prilli i thyer”) dhe ku “Pallati i Ëndrrave” u shpall vepër që kishte aluzione kundër regjimit. Kritika u botua në shtyp dhe, për herë të parë, shtypi botëror, pothuajse pa përjashtim, e mori vesh të vërtetën.
Pra, publiku shqiptar e mori vesh qartë se midis shkrimtarit të parë të vendit dhe shtetit komunist ka një konflikt serioz. Mjaftonte kjo që gjithçka të bëhej e qartë dhe cilido që donte vërtet përmbysjen e diktaturës të merrte guxim, në mos për të bërë diçka, së paku, për të menduar kundër saj. Pas fajësimit në shtyp si vepër kundër regjimit, edhe lexuesi më i fjetur, i ndihmuar, tashmë, prej shtetit vetë, do të lexonte veprën me një optikë të re, kështu ajo bëhej dyfish, trefish subversive. Tani, dalin shumë trima të vonuar, që betohen se do të kishin bërë hatanë, veç të kishin një sinjal! Në të vërtetë, të gjitha sinjalet i kishin, veç s’donin t’i vinin re.
Poeti Visar Zhiti, i cili në kohën kur u botua “Pallati i Ëndrrave” ishte në burg, duke treguar në një shkrim të tij se sa mirë u kuptua vepra dhe ç’trazim shkaktoi midis të burgosurve politikë, ka sjellë fjalët e njërit prej tyre: “Pas këtij libri, ose së shpejti do ta kemi autorin midis nesh, ose regjimi është dobësuar e s’ka më forcë të kafshojë”.
Më duket se pikërisht mosburgimi im, i cili, me sa duket, këtu në Perëndim ka qenë pritur njëlloj si në Shqipëri, ka shkaktuar bashkë me njëfarë zhgënjimi shpikjen e “enigmës”.
Po vijoj te pyetja juaj: çfarë rrezikoja?
Qysh më 1988, kur Shqipëria ishte ende staliniste, në shkrimin e gjatë për Migjenin, e kam shpjeguar këtë gjë. Kanë kaluar aq vite dhe kam po atë mendim të asaj kohe: unë, për shkak të njohjes, isha i paburgosshëm. Por kjo nuk ishte ndonjë shans. Përkundrazi, në regjime të tilla të egra, ku vrasja prapa krahëve ishte e zakonshme, burgimi do të ishte vërtet një shpëtim. Unë e kisha humbur, pra, këtë shans. Për mua mbetej vetëm një ndëshkim: vrasja pas krahëve.
Vitet 1981-1984 ishin për mua, si dhe për shumicën e intele-ktualëve, vitet më të zeza. Terrori ishte i ngjashëm si dy pika uji me atë të Moskës në vitin 1937. Siç thashë, libri “Dimri i vetmisë së madhe” ma kishte mbyllur portën e burgut. Po kishte lënë hapur një portë tjetër…
Në librin “Vjeshta e ankthit”, botuar në Francë, më 1993, Bashkim Shehu, shkrimtar i ri i dalë nga burgu dhe njëkohësisht djali i kryeministrit shqiptar Mehmet Shehut, i vetëvrarë (siç u tha zyrtarisht) ose i vrarë, siç besohet, prej Enver Hoxhës, ka treguar, midis të tjerash, bisedën e tij me të atin lidhur me mua, pikërisht në nëntor të vitit 1981, domethënë në prag të rrëzimit të kryeministrit. (Vetëvrasja ose vrasja ndodhi në natën e 17 dhjetorit 1981.)
I tronditur prej tyre, duke e tradhtuar të atin, ai m’i tregoi qysh në atë kohë ato biseda. Thelbi ishte ky: udhëheqja e partisë, duke përfshirë, natyrisht, Enver Hoxhën dhe babanë e tij, ishin të bindur se unë isha agjent i Perëndimit.
E dija këtë fajësim prej vitesh. Isha mësuar me të. Por ai vinte këtë herë drejt e nga maja e piramidës ose, më saktë, nga dhoma mortore e saj. Pyetjes sime nëse vërtet e besojnë këtë, ai m’u përgjigj: me sa duket.
Ishte e qartë se si gjithë paranojakët përpara një krimi të ri, Enver Hoxha po sugjestiononte veten. (Priftërinjtë astekë përpara flijimit, kisha dëgjuar se bënin pak a shumë të njëjtën gjë.) Ajo që ishte e habitshme në këtë rast ishte se viktima e ardhshme ishte vetë kryeministri dhe, qysh nga tetori i vitit 1981, gjithë Shqipëria e dinte se njeriu i dytë i Shqipërisë nuk i kishte punët mirë dhe pritej rrëzimi i tij.
Kur Bashkim Shehu më tregoi bisedat me babanë, që kishin vazhduar disa ditë, pyetja e parë që na lindi të dyve ishte: përse pikërisht tani kjo bisedë për shkrimtarin I. K.? Përse pikërisht në prag të rrëzimit të njërit prej bashkëbiseduesve? E aq më tepër, kur kryeministri vetë dhe gjithë familja jetonin në ankth?
Mendja s’kishte si të mos më shkonte te metoda e vjetër e Enver Hoxhës, që i detyronte viktimat e ardhshme t’i kryenin ndonjë shërbim të fundit, përpara se të iknin nga kjo botë.
Zakonisht, ky shërbim ishte një vrasje. Viktima, e terrorizuar siç qe nga ankthi, me shpresë se ky shërbim do ta shpëtonte, e kryente atë verbtazi.
E pyeta disa herë Bashkim Shehun se a besonte vërtet i ati i tij në isha agjent dhe ai m’u përgjigj se, me sa dukej, e besonte. Pra, viktima kishte rënë, ndërkaq, në hipnozë.
Për ata që nuk e njohin, ose e njohin përciptazi botën komuniste, kjo mund të duket një fantazi makabre. Për ne, jo.

Ajo që nuk ndodhi me mua, ndodhi tetë muaj më pas me një tjetër njeri. Ishte ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, të cilit iu kërkua një shërbim/krim i fundit përpara se të rrëzohej. Ai ishte caktuar, ndërkaq, të zhdukej (dinte shumë tmerre e të fshehta dhe diktatori, në prag të pleqërisë së thellë, po pastronte arkivat), dhe pikërisht përpara rënies iu caktua zhdukja e kryeministrit.
Romani “Dimri i vetmisë së madhe”, që më kishte mbrojtur nga dënimi, po kthehej tani në një mallkim për mua. Duke më mbyllur portën e burgut, ai më rrezikonte jetën. Diktatori donte të ndante fatin tim nga ai i romanit. Mirëpo, ata ishin të lidhur dhe mund t’i ndante vetëm vdekja. Prandaj, që të jetonte i qetë romani, duhej që unë të mënjanohesha nga jeta.
Kështu krijoheshin në regjimet komuniste nyja fatale, të ngjashme me ato të antikitetit.
Në një film, ku tregohet mbërritja e Shostakoviçit në SHBA, ishte, midis të tjerash, pyetja e një gazetari: përse mbete gjallë?
Kjo pyetje cinike, e thënë me gojë ose me sy, ka qenë tepër e njohur për disa nga shkrimtarët e Lindjes. Ne ishim në rolin e fantazmave, që e kishim vendin gjetkë, dhe që sa më parë duhej të shkonim “atje”, në mosqenie. Shumë herë janë bërë pyetje të tilla dhe janë dhënë gjykime nga njerëz që s’kanë kurrfarë të drejte të japin mësime morali. Të rrish në një lozhë, të bësh sehir se si në arenë ca njerëz përleshen me bishat e egra dhe të bësh vërejtje: në këtë çast ky njeri nuk u tregua sa duhej kurajoz përballë tigrit, ky tjetri, madje i bishtnoi, madje, i bëri një shmangie jo fort korrekte! Kjo është thjesht çnjerëzore, për të thënë fjalën më të butë.
S’ka kurrfarë teprimi, po të thuhet se ne ishim atje pikërisht ashtu, të vetmuar, në arenën plot gjurmë gjaku, ku s’dihet nga ç’portë e hekurt do të të sulet bisha dhe ku shumica e spektatorëve, kur vinte ora e rrëzimit, nën shembullin e tiranit, me gishtin poshtë, kërkonin vdekjen tënde.

(Marrë nga Kadare, “Dialog me Alain Bosquet”, botuar 1996)

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Më të rejat
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: