MBI DREJTPESHIMIN
Kombi shqiptar në këtë fund shekulli vazhdon të përjetojë orën e ligë të tij. Ai është i goditur rëndë në trupin e vet, ngaqë është ndarë e i shpërndarë në tre shtete. Por ai ka marrë goditje psiqike po aq të rënda, në mos më tepër: ai është i thyer moralisht.
Ringritja morale e popullit shqiptar është aksioni më i ngutshëm në këtë kohë të rëndë. Ai është çelësi, pa të cilin nuk mund të ndërmerret asnjë veprim tjetër shpëtues. Në qoftë se populli shqiptar do të vazhdojë ta përçmojë e ta përbaltë vetveten, ne qoftë se ai në mënyrë iracionale do të synojë drejt shpërnguljes, qoftë nga trojet e tij ne Kosovë, qofte nga trojet e shtetit shqiptar, në qofte se ai do të vazhdojë të ngrejë dorën kundër strukturave shtetërore të tij, të çfarëdolloj ngjyre politike të jenë ato, ai do të ecë drejt greminës.
LE TË KTHEHEMI TE PYETJET E THJESHTA THEMELORE
Kahu i mbarë i një kombi nga ai vetë. Ashtu siç nis sezona e tij. Mendimi që kombi shqiptar do të ketë për vetveten, në një mënyrë ose një tjetër do të rrezatojë e do të kthehet në një realitet. Imazhin e mirë ose të keq për një popull nuk mund ta krijojnë për një kohë të gjatë as zyrtarët e tij, por as rënegatët e tij; atë s’mund ta krijojnë as nacionalistët e ekzaltuar, por as vulgu i egër e i verbër. Aq më pak mund ta krijojnë atë diplomatët mendjelehtë, gazetarët e pabesë, denoncuesit, psikopatët dhe paranojakët e dehur për lavdi.
Njeriu shqiptar, i lodhur nga kalimet e befta prej vetëmbrojtjes drejt vetëpërbaltjes, dhe e kundërta, ka nëvojë më tepër se kurrë për rifitimin e drejtpeshimit shpirtëror. Drejtpeshimi nuk rigjendet duke përdorur përndezjen nacionaliste si kundërhelm ndaj vetëpërçmimit, e aq më pak duke e përdorur këtë të fundit si balsam kundër kapardisjes. Për të shmangur kalimin nga një dush i nxehtë në një dush të ftohtë, njeriu shqiptar ka nevojë sot për orientim të saktë. Disa pyetje të thjeshta, por themelore e bazike çohen sot përpara tij: ç’popull jemi? Domethënë, a jemi si të tjerët, a meritojmë një fat normal e një jetë normale si të tjerët? A kemi mëkate për të larë, a kemi borxhe për të paguar? A jemi vërtet fatkëqij, apo ashtu na duket, apo ashtu na pëlqen të shfaqemi përpara vetes dhe botës? Të gjitha këto pyetje mund të formulohen në një motërzim edhe më të thjeshtë: ne shqiptarët, pas dy mijë vjetësh ekzistence, tani në prag të mijëvjeçarit të tretë a i kemi ende aftësitë trupore e shpirtërore për të vazhduar të jetojmë si komb, apo koha jonë ka kaluar?
Pa rënë në kurrfarë optimizmi të kotë, mund të thuhet pa drojë se, pikërisht sot, shqiptarët, pavarësisht nga lëngata që u ka rënë e përpiqet t’i vejë poshtë, kanë shanset më të mëdha për të zënë përfundimisht vendin që prej kohësh e kanë merituar në familjen e popujve. Madje, kjo lëngatë e kjo krusmë e tmerrshme është ndoshta shenja më e sigurt për një të ardhme plot shpresë. Në jetën e shumë popujve janë të njohura këto gremina, pas të cilave kanë ardhur ngritjet, disa herë marramendëse.
Fati, ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë, na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Europës. Europa vetë, ndërkaq së bashku me SHBA është tani për tani lagjja më luksoze e botës. Ne e harojmë shpesh këtë, harojmë që ky vend, sharjet ndaj të cilit i kemi në majë të gjuhës, ky vend pra, i vendosur midis Venedikut, Romës e Athinës ka një skajim gjeografik të mrekullueshëm, se ai ka një klimë të admirueshme, se ka pasuri natyrore të shumta, se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç‘do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det, pa përmendur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve, pa përmendur trojet e gjera të kësaj bote të mbushura me shkurre, shkretëtirë e trishtim, e që mbulojnë tri të katërtat e ruzullit tokësor. Ne i harrojmë këto dhe, meqenëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanikë, na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata.
Ne vuajmë nga kompleksi i vogëlsisë dhe harrojmë se shtati i popullit shqiptar, pavarësisht nga prerja e trojeve të tij nuk është aspak i vogël në këtë gadishull, se ai është përafërsisht i barabartë me shtatin e grekëve, të serbëve e të bullgarëve. Përsëritja gjer në lodhje e shprehjes “Shqipëri e vockël”, “popull i vogël” s’është veçse shprehje e një dëshire për të fshehur përtkurrjen e mëtejshme të këtij populli.
Ndërkaq, porsa diku del në pah ndonjë mendim, ndonjë program ose ndonjë pyetje: përse shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë duhet të jetojnë të ndarë, aty për aty harrohet përçmimi për vogëlsinë dhe buis shprehja “Shqipëri e madhe”. Kjo shprehje përsëritet me një farë tmerri, si diçka e rrezikshme, thua se në këtë botë vetëm 8 ose 9 milion shqiptarët po të jetojnë bashkë bëhen të rrezikshem për botën! E ndërkaq, askush nuk thotë, sipas kësaj logjike, se 90 milion gjermanët e bashkuar janë të rrezikshëm, e aq më pak askush nuk thote se 250 milion rusët, bashkë me bombat e tyre bërthamore janë kërcënim për të tjerët.
Në qoftë se s’duhet të vuajnë as nga kompleksi i “vendit të mallkuar”, as nga ai i vogëlsisë numerike, shqiptarët aq më pak kanë njohur kompleksin e racës. Jo vetëm që në botën e sotme të çliruar nga paragjykimet raciste ata paraqiten një popull i shëndetshëm, si gjithë të tjerët, por edhe në kushtet e dallimeve e doktrinave raciste, duke qenë ndër të rallët popuj të Europës që nuk u prekën, përkundrazi u lajkatuan prej këtyre doktrinave, shqiptarët, vetvetiu mbetën jashtë këtij trazimi. Merita e tyre është se ndërkaq ata nuk u dehën nga lajkat raciste dhe përveç theksimit ndoshta të kapardisjes, teoria e racave s’pati pasojë në Shqipëri.
Në sferën shpirtërore, në zotërimin apo krijimin e vlerave, shqiptarët s’kanë patur kurrë arsye t’i kenë lakmi apo smirë të tjerëve, aq më pak kanë arsye sot për një gjë të tillë.
Shqiptarët janë krijuesit e bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit, një gjuhë që ka vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë-dymbëdhjetë gjuhëve kryesore të botës. Një nga vendet e para të krishtera të Europës, Shqipëria ka qenë rrjedhimisht truall fillestar i qytetërimit perëndimor europian. Nga himni i madh i krishterimit “Te Deum”, i shkruar nga një peshkop shqiptar mbi njëmijë e pesëqind vjet më parë, te mbrojtësi i qytetërimit perëndimor, Gjergj Kastrioti, përsonazhi më sublim e më i njohur në botë, jo vetëm i shqiptarëve, por i krejt popujve të Ballkanit, i cilësuar si “aleat i Krishtit”, e gjer te murgesha shqiptare Nënë Teresa, gruaja shqiptare më e famshme e botës së sotme, kalon si një fill i ndritur dëshmia e këtij qytetërimi, kaq shumë e kaq me këmbëngulje të mohuar nga dashakeqësit e kombit shqiptar.
Dhe kjo është e kuptueshme: duhej fshirë kjo dëshmi për t’iu hapur rruga shpifjeve e shtrembërimeve të përbindshme, për të ardhur gjer te teza e mbrapshtë se shqiptarët, jo vetëm s’kanë të bëjnë me qytetërimin europian, por janë varrmihës të tij.
Gjithmonë në këtë logjikë të mbrapshtë shpjegohen sulmet që iu bënë vitet e fundit, prej vetë renegatëve shqiptarë tashmë pikërisht gjuhës shqipe, figurës sublime të Gjergj Kastriotit, i cili u quajt “hajdut kuajsh dhe agjent i italianëve”, si dhe krejt traditës kulturore shqiptare të djeshme e të sotme. Paradoksizmi i këtyre sulmeve ishte pranvera e vitit 1997, kur turmat e vulgut shqiptar, të nxitur, veç të tjerash, edhe nga këta intelektualë renegatë, i vunë zjarrin e i vunë kazmën dëshmive të çmuara të qytetërimit shqiptar, arkivave, teatrove antike, muzeut të Gjergj Kastriotit!
Për të vazhduar me vlerat shpirtërore të krijuara nga ky popull, le të kujtojmë poezinë orale shumëshekullore, kodet zakonore, ritet antike, muzikën, koreografinë, kostumet e mahnitshme, për të ardhur gjer te letërsia shqipe. Kjo e fundit, duke u futur në klubin e zgjedhur të letrave të mëdha të botës, u bë veçanërisht e bezdisshme për ithtarët e tezës se shqiptarët janë të paaftë për kulturë. Ndaj, ashtu si krejt qytetërimi shqiptar, ajo do të pësonte sulmet e dëshpëruara e vulgare të antishqiptarizmit. Në këtë rast do të ndodhnin veprime të turpshme, që asnjë vend, sadopak dinjitoz, nuk do t’i lejonte kursesi. Endacakë të huaj, ata që s’i njeh kush e nuk i pyet kush në vend të vet, mësues fshati nga Kalabria apo nga Gjermania e Jugut ftohen në Shqipëri për të hedhur baltë mbi letërsinë shqipe e kulturën shqiptare.
Ky racizëm kulturor antishqiptar, pashembullt në botën e sotme, u bë i mundur për shkak të kundërpatriotizmit shqiptar. Të dy ata ishin ndër faktorët themelorë që mundësuan rrënimin në mënyrë të turpshme të shtëtit shqiptar, të ushtrisë, të policisë e të krejt ngrehinës shtetërore.
Racizmi kulturor antishqiptar merr pamje edhe më të shëmtuar e të papranueshme, kur kujtojmë se vetë shqiptarët s’kanë kurrfarë përçmimi ndaj kulturës të të tjerëve. Mungesa e racizmit dhe e shovinizmit te shqiptarët, pjellë e natyrshme e mendësisë së tyre të hapur e miqesore ndaj të huajve, ndaj mikut, bashkë me tolerancën fetare, tolerancë e thellë, e vërtetë, e papudrosur nga kurrfarë konformizmi, janë, ashtu siç u tha më lart, cilësi të tjera themelore, që dëshmojnë një nivel qytetërimi të këtij populli kaq të sulmuar për të kundërtën.
Për fat të keq, ashtu si të gjithë popujt, shqiptarët kanë cenet dhe veset e tyre, po aq të forta, ndoshta sa virtytet, po ajmé, më spektakulare se ato.
Ndryshe nga hebrenjtë e disa popuj të tjerë, që janë solidarë e të lidhur me njëri-tjetrin, shqiptarët mezi ç’presin rastin për t’u përçarë. Natyra e tyre tejet individualiste është xehe e pafundme për të pjellë egoizmin, ambicjen smirën e etjen për karrierë. Këndej rrjedh vaniteti, kapardisja e neveritshme e sedra e sëmurë.
Këto cilësi të natyrës njerëzore, që ndeshen kudo, bëhen veçanërisht të rezikshme te shqiptarët, për shkak të traditës së shkurtër të jetës nën një shtet shqiptar. Prej tyre rrjedh një keqkuptim tragjik për lirinë dhe për shtetin. Pa u pajtuar dot me atë ligj themelor që lirinë e njeriut të vëçuar e vë detyrimisht në raport me lirinë e të tjerëve, shqiptari shpesh e ka të vështirë të kuptojë se liria njerëzore, ndryshe nga liria absolute e kafshëve është madhështorë, pikërisht, ngaqë është e vështirë, domethënë e kufizuar nga ligji. Këtej vijnë keqkuptimet për demokracinë, për vetë shtetin dhe ngrehinat e tij.
Koncepti i gjymtë për shtetin, zbehja e tij përpara tërheqjes fisnore apo klanike çon disa herë në konceptin po aq të gjymtë për kombin, kur krahinarizmi kthehet në rival të kombit.
Kjo është kushtëzuar, me sa duket, nga jetesa shumëshekullore nën perandorinë osmane, pra nën një shtet që nuk ishte i tyre, rrjedhimisht ndaj të cilit s’mund të kishin as nderim e as dhembshuri. Periudha e Pavarësisë, ajo e Republikës në fillim e pastaj ajo e Mbretërisë ishte relativisht e shkurtër, kurse gjatë sundimit të egër komunist koncepti i shtetit u zbeh përsëri nën peshën e diçkaje të parrokshme, të huaj e, në fund të fundit, të shpërlarë prej çdo ngjyrimi kombëtar, që ishte partia komuniste.
Sado paradoksale të duket, ishte diktatura komuniste që i dha goditjen më të pabesë shtetit shqiptar. Një shtet, sado i rreptë, sado i zymtë, sado me ngjyrim politik komunist, do të ishte më i pranueshëm e për diçka do t’i hynte në punë Shqipërisë, se sa ajo moluske e squllët, pa trajtë e pa peshë që ishte shteti shqiptar. Partia komuniste, e obseduar për të mos e ndarë pushtetin me kurrkënd, ishte xheloze, madje, edhe ndaj vetë shtetit të vet. Parulla “partia mbi të gjitha” përsëritej ditë e natë kudo, si në ankth. Me të gjitha mënyrat jepej të kuptohej se institucionet shtetërore: parlamenti, ministrat, madje ligjet themelore të shtetit, duke përfshirë edhe kushtetutën, nuk kishin asnjë vlerë përpara autoritetit të partisë. Fjala “shtet”, madje dhe fjala “komb” zëvendësohej kudo me fjalën “popull”. Kështu kishim “ushtri popullore” e jo kombëtare, kuvend popullor, teatër popullor etj.
Kështu në mënyrë të përditshme, njerëzit, qysh femijë mësoheshin të mos e nderonin shtetin, institucionet dhe simbolet e tij, për të ruajtur gjithë devotshmërinë, nderimin e frikën e tyre për partinë.
Në subkoshiencën e tyre shqiptarët do të ishin më të kënaqur sikur policia shqiptare të ishte një polici e vërtetë, me të gjitha tiparet që ka një polici, duke përfshirë edhe ashpërsinë, edhe goditjen, edhe shkopin prej gome, sesa ajo polici qesharake, me uniforma gjysmë të zbërthyera, që nuk trembte kurrkënd. Shqiptarët e dinin fort mirë se pas pamjes prej babloku të policëve dhe pas idilit të marrëdhënieve popull-polic, kur ky i fundit thirej prej fëmijëvë “Xhaxhi polici”, fshihej një realitet tjetër, i frikshëm e skëterror: terrori vërtetë komunist i ushtruar prej Sigurimit. Ashtu si partia e kishte privuar shtetin shqiptar prej autoritetit, në shembullin e saj sigurimi kishte bërë të njëjtën gjë me policinë. Dhe kështu ndodhte me të githa ngrehinat, pa të cilat një vend nuk mund të jetojë: financat, ligjet, ushtria. Gjysmë milionë bunkerët që nuk hynin në punë për asgjë, veç për dëmtim psikik të popullsisë dëshmojnë mosseriozitetin e komunistëve edhe ndaj diçkaje që duhej çmuar fort për ta: ushtrisë shqiptare.
Përçmimi komunist ndaj shtetit klasik, që u shfaq haptaz në Kinë gjatë revolucionit kulturor dhe që shkaktoi miliona viktima, në Shqipëri gjëlloi si një sëmundje e fshehtë sfilitëse. Kjo padashuri këmbëngulëse ndaj seriozitetit të shtetit lidhej në fund të fundit me fillesën jokombëtare të komunizmit shqiptar, me faktin që për një kohë të gjatë ata nuk e fshehën që atdheu i vërtetë i komunistëve ishte Bashkimi Sovjetik, me shpërfilljen e tyre ndaj dramave të kombit, sidomos ndaj asaj të Kosovës, me mungesën e plotë të një strategjie kombëtarë.
ISMAIL KADARE, Fragmenti IV-t : “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”