KOMBI SHQIPTAR NË PRAG TË MIJËVJEÇARIT TË TRETË
Poetika shqiptare, qoftë ajo e lashta, popullorja, qoftë ajo e poetëve të mëvonshëm, ka krijuar dy klishe bazë për cilësimin e Shqipërisë. Në poezinë gojore Shqipëria quhet zakonisht “Nuse”. Për poetët shqiptarë ajo është më tepër “zonjë”.
Është me interes të hetohet se ç’fshihet prapa këtij përftimi të ndryshëm. Me sa duket, për vizionin poetik popullor Shqipëria është ende e re, pra “nuse”, dhe si e tillë ajo e ka jetën kryësisht përpara. Për poetët, duke qenë “zonjë e rëndë”, ajo e ka jetuar shkëlqimin e saj. Madje Fan Noli shkon edhe më larg kur e quan “vejushë”, “e ve, e gjorë mbretëreshë pa kurorë”.
Kemi të bëjmë me dy projektime, njëra drejt të ardhmes, tjetra drejt të shkuarës. Naimi, në vjershën “Shpreh” u përpoq t’i bashkojë të dyja në vargjet: “Lum kush të rrojë, ta shohë zonjë.”
Ndërkaq duhet thënë se të gjithë poetët që e përfytyruan Shqipërinë si zonjë, e bënë këtë me qëllim fare të hapur: t’i nxitin shqiptarët t’i kthejnë dinjitetin e nderin e humbur, pra ta ribëjnë “zonjë”, siç ka qenë dikur.
Po a ka qenë ndonjëherë Shqipëria zonjë? E bërë ndryshe, pyetja do të tingëllonte kështu: Kush ka të drejtë, populli apo poetët?
Me fjalë të tjera ka qenë nuse apo zonjë Shqipëria? Apo, as nuse, as zonjë? Apo, edhe nuse, edhe zonjë?
Me sa duket, është kjo e fundit që do të mbetet. Edhe nëse nuk ka qenë zonjë në realitet, ajo ka qenë e tillë në trurin e poetëve të saj. Pra, në një realitet po aq të fortë, sa edhe ai që shpaloset trupërisht përpara nesh.
Poetët shqiptarë, në të vërtetë, duke e quajtur Shqipërinë zonjë, u nisën nga një shestim, nga një projekt i së ardhmes. Ata krijuan imazhin e saj, atë që duhej të vinte dhe, për ta bërë sa më të besuëshëm atë imazh, për t’i dhënë shpresë bashkëkombasve të vet, ngulnin këmbë që kjo nuk është një shajni, një fantazmë, por përsëritje e një të kaluare.
Me imazhin e “zonjës” ata luftuan një përftim të trëtë të Shqipërisë, një vizion të përbaltur, të pjellë nga vulgu shqiptar: atë të “Shqipërisë së mallkuar”, të “Shqipërisë kuçkë”, të Shqipërisë të sëmurë. Ishte ky imazh që u shfaq si një ethe e keqe vitet e fundit, sidomos në marsin e zi të vitit 1997.
Poetët shqiptarë, sidomos rilindasit, e njihnin mirë këtë cen të njeriut shqiptar: kalimi nga përndezja e entuziazmi në ligështim shpirtëror. Ndaj ata, me të gjitha këmbanat, donin të mbanin lart moralin shqiptar.
Thyerja e këtij morali në vitet ‘90 ishte këmbana e zezë që paralajmëroi rrezikun e thyerjes në mes të krejt kombit shqiptar.
Ringritja e Shqipërisë nuk mund të fillojë veçse nga ngritja e moralit, pra nga shëndoshja shpirtërore e saj. Populli shqiptar duhet të bëjë që të heshtin qyqet, që tash ca kohë po i parandjellin veç fatkeqësi dhe vdekje. Ato qyqe duhet të heshtin, në radhë të parë, brenda tij e pastaj, natyrisht, rreth e rrotull. Shëndoshja shpirtërore do ta qetësojë nervozizmin e tij të skajshëm, që nuk është veçse një shenjë lodhjeje. Kjo do të bëjë që mendësia e tij të kthjellohet e të jetë e aftë të shestojë strategjinë e tij themelore: jetën e përbashkët në një atdhe.
Ky qëllim madhor është aspirata më e ligjshme për një popull. Asnjë doktrinë, asnjë manipulim apo tregti politike, asnjë trysni shtetesh, lobesh apo organizmash ndërkombëtar nuk mund ta pengojë kombin shqiptar të kryejë atë që të gjithë kombet e tjerë të Europës, plotësisht apo gati plotësisht e kanë kryer: bashkimin e tyre.
Me këtë akt populli shqiptar nuk synon asgjë të pazakontë e nuk kërkon asgjë të veçantë: ai kërkon veç normalitetin e vet. Ky normalitet është dhunuar pa mëshirë e ai duhet të qortohet.
Në familjen e popujve europianë kombi shqiptar është i vetmi sot që është shenjuar për të keq. Ndërsa të gjithë ecin në një mënyrë normale, ai, i prerë mizorrisht, është i detyruar të bëjë rrugën si një i gjymtuar. Një njeri i vetëm, po të leçitet (ndahet) kështu nga të tjerët, egërsohet, e jo, madje, një popull i tërë.
Populli shqiptar as ka kryer krime e as ka faje për të larë përpara botës. Ndonëse ka dy mijë vjet që ekziston në këtë botë, ai as ka sulmuar kënd, as ka zhdukur kënd e as ka pjellë doktrina për zhdukjen e të tjërëve.
Shprehje të tilla si “Shqipëri e madhe” janë një tallje e një cinizëm i pashembullt në botën e sotme. Shqipëria e tkurrur në 28.000 kilometrat e saj, është e kërcënuar të fajësohet si “e madhe”, në qoftë se do të arrijë 45 ose 50 mijë kilometra, e shtete të tjerë, me shtrirje të përbindshme prej miliona kilometrash katrore, shtete që kanë bërë krime të frikshme ndaj botës, që kanë pjellë teori më të zeza se murtajat, që kërcënojnë njerëzimin me armë bërthamorë, nuk quhen “të mëdha”.
Si organizmi që kërkon jetën e vet natyrale, kombi shqiptar kërkon normalizimin e vet trupor e shpirtëror. Pengimi i tij është thjesht një krim. Ndihma që mund t’i jepet është detyrë humane dhe historike.
Kombi shqiptar, pavarësisht nga imazhi i shfytyruar që jep, ka shumë rezerva dashurie e sinqeriteti në brendësinë e vet. Europa e sotme, sado e kompletuar të duket, ka gjithmonë nevojë për dashurinë e popujve të vegjël, shpesh të harruar.
Mijëvjeçari i dytë ka qenë për shqiptarët tepër i rëndë. Në këtë mijëvjeçar dy shekuj kanë qenë vazhdimisht tronditës për të: i pesëmbëdhjeti dhe i njëzeti. Në të pesëmbëdhjetin ata e humbën lirinë, e rifituan, për ta humbur përsëri. E megjithatë, ata dolën nga ky shekull me një ngarkesë shpirtërore heroike që do t’i ushqente gjatë pesë shekujve pushtimi të perandorisë osmane. Në shekullin e njëzetë historia e tyre ishte edhe më e trazuar e aspak fatlume. Janë të gjitha gjasat që mijëvjeçari i tretë, pavarësisht nga trandja e sotme e Shqipërisë, të fillojë i mbarë. I mbarë për ata që, ndonëse e kanë quajtur veten “bij të shqipes”, gjer më sot nuk janë ngjitur dot kurrë në lartësinë e dëshiruar, veç në ëndrrat e tyre. E megjithatë, ndonëse krahët disa herë u janë thyer, ata ende vazhdojnë ta quajnë veten njëlloj si më parë. Kjo këmbëngulje dëshmon, në fund të fundit, besnikëri ndaj kodit të moçëm dhe dëshirë për t’iu bindur urdhërit të tij.
ISMAIL KADARE, Fragmenti i V-të dhe i fundit nga sprova : “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”