Pesha e Kryqit

NË ATË VJESHTË TË ÇMENDUR TË VITIT 1983

Daullet e festivalit, në njëzet e gjashtë kryeqendrat e krahinave të Shqipërisë, ishin të paharrueshme në atë vjeshtë të vitit 1983. Prag dimri më i makthshëm rrallë kishte qëlluar në këtë vend. Një psikozë e sëmurë ndihej kudo. Pritja e vdekjes së diktatorit rrezatonte kudo përndritjen e saj të përzishme. Në sytë e njerëzve të Sigurimit shfaqej një dritë e sëmurë. Nga spiunët merrnin vesh çdo ditë pëshpërimat e popullit, ndaj hakërrimi i tyre sa vente rritej. Po gëzoheni, he? dukej sikur thoshin ata sy. Mezi ç’prisni, hë? Por kot e kini, më keq do të jetë për ju. S’vdes ai jo. Por dhe në vdektë, s’do të gëzoheni dot…
Idera delirante për një katastrofë të mundshme, një fli, një vetëflijim, një hetakombë për të kënaqur tiranin notonin të turbullta në trutë e tyre të pamësuar me art. Një mallëngjim i rrezikshëm, çnjerëzor i bënte të gulçonin mu atje ku s’pritej.
Ndërkaq, gratë e nuset e anëtarëve të Byrosë Politike, krejt si në skenat e Felinit, llangoseshin me të kuq përpara pasqyrave. Kishte kohë që kishin nisur të zinin vendin e vedetave në të gjitha koncertet e pritjet diplomatike, por muajt e fundit kjo gjë pothuajse ishte zyrtarizuar.
TV-i jepte çdo natë pamje nga kështjella mesjetare e Gjirokastrës, e cila, pavarësisht nga krahasimet që përdornin për të gazetarët e palodhur, këtë herë ngjante më shumë me një arkivol. Gjithë qeveria, trupi diplomatik, delegacionet e ardhura nga bota bëheshin gati për atje.
S’e kisha marrë ende ftesën dhe shpresa se mos më kishin harruar më jepte një gëzim të druajtur. Por ditën e fundit ajo më erdhi. Ishte e pamundur të mungoja. Aq më tepër që gjatë festivalit do të bëhej, veç të tjerash, edhe paraqitja e librit “Vite të vegjëlisë”, që diktatori sapo e kishte botuar. (Ishte pikërisht libri, dorëshkrimin e të cilit ai kishte dashur të ma dhuronte dhjetë vjet më parë!)
Qyteti i hirtë mesjetar, ai që pas çdo ndarjeje të gjatë më qe dukur përherë më i lodhur, por më i mençur, këtë herë ngjante si një kloun. I lyer e i zhgërryer me parulla të pafundme: “Parti-Enver”, me flamurë, vargje dritash me shije të keqe, që sajonin urime për shtatëdhjetepesëvjetorin e ditëlindjes së tiranit e gjithfarë marrëzirash të tjera, ai të zgjonte keqardhje. Veturat e udhëheqësve, të mbushura me gra e me dhëndurë, kalonin hijerëndë midis kalimtarëve. Njerëzit e Sigurimit të pinin sytë në çdo kënd.
Për habinë time, vura re se në ftesën time qe shënuar si vendfjetje hoteli i qytetthit të mërzitshëm të Tepelenës, dyzet kilometra larg nga Gjirokastra. Kujtova se ishte një keqkuptim, aq më tepër që në atë kohë s’kisha makinë dhe do të më duhej të shkoja e të vija çdo ditë me autobusin që çonte veteranët dhe kuzhinierët. Por shumë shpejt e kuptova se nuk ishte keqkuptim.
I mësuar me meskinitetet e këtij lloji, u përpoqa në fillim të mos i jepja rëndësi kësaj gjëje. Me fjalë të tjera, të mos zemërohesha që në qytetin tim të lindjes, atë që unë e kisha bërë të njohur në gjithë botën me librat e mi, të mos kishte një vend për mua midis mijëra vendeve të rezervuara për gjithfarë burokratësh, fëmijësh të tyre, marksistë-leninistë vulgarë etj., etj. Gjakftohtësisht u përpoqa të gjeja, megjithatë, një vend fjetjeje, në ndonjë hotel, por kjo ishte e pamundur.
Fjeta atë natë te një i njohur, duke menduar ta sqaroja punën të nesërmen. Dhe të nesërmen kuptova gjithçka: Caktimi im në Tepelenë nuk kishte qenë i rastit. Ishte dhënë urdhër që të mos pranohesha në qytet.
Ishte miku im, S. D., që punonte në atë kohë në aparatin e KQ-së të partisë që më ndihmoi ta kuptoja vetë. Pasi më kishte gjetur një dhomë në hotel “Turizmi”, ai erdhi pas një ore me fytyrë të prishur për të më thënë se nuk mund të rrija atje. Në çast e kuptova: ishte një nga sjelljet meskine të stilit të kohës, ku provokimi, fyerja dhe hakmarrja gërshetoheshin shëmtueshëm.
Mirë, i thashë, meqë dëshirojnë të më provokojnë, unë po ua plotësoj dëshirën. Po largohem.
Të lutem mos ik, më tha. Do të jetë keq për ty. Sot pasdite bëhet paraqitja e librit të Enver Hoxhës. Mungesa jote do të bjerë në sy.
Pas një gjysmë ore, me një makinë të rastit, u largova.
Rrugës për në Tiranë, merrja me mend fjalët plot helm që thuheshin për mua: Doemos, po e tregon fytyrën. Zaten kështu kanë bërë përherë armiqtë: plasin nga marazi nga sukseset tona! Sa mirë që ia ulëm hundën. Kushedi ç’kujton se është, hem. Ia ka thënë shoku Ramiz qartë: populli të ngre në Olimp, populli të ul në baltë. Por ca si ky e duan ndryshe. Me siguri që është bërë xheloz për librin e shokut Enver. Ah, po, kështu e kanë shkrimtarët s’durojnë dot të tjerët. I marrtë të keqen librit të shokut Enver. Ai është roman mbi romane dhe jo ato paçavuret e tij.
Siç e mora vesh më vonë, nga dashamirësit e mi, shumica e fjalëve të hamendësuara më lart qenë thënë vërtet. Madje lidhur me xhelozinë time prej shkrimtari mediokër për shkrimtarin e madh Enver Hoxha, prof. Sofokli Lazri kishte thënë frazën proverbiale: “Tani që doli libri i shokut Enver ‘Vitet e vegjëlisë’, mori fund dhe lavdia e kotë e romanit ‘Kronikë në gur’ e Kadaresë”.
Në atë vjeshtë të çmendur të vitit 1983, fjalë të tilla tingëllonin krejtësisht normale.

I.Kadare,  marë nga «Pesha e Kryqit», (Vepra XX), Tiranë, 2009)Vepra 20. I Kadare



Kategori: Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: