Pa formë është qielli, si tru idioti
Mërzitshëm trotuaret shiu i qull.
Një kalimtar, një ombrellë, gjëmon moti.
Një biçikletë kthesën merr me vrull.
Pa formë është qielli, si një mendim idioti. * I.Kadare 1957
Poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve ’60 për të realizzar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
Frymëzime dialoshare (1954), Ëndërrimet (1957), Endërr industriale (1960), Shekulli im (1961), Poemë e blinduar (1962), Përse mendoben këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Motive me diell (1968), Koha (1976), Shqipëria dhe tri Romat, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, ndryshe nga Agolli, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet ’60 -’70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë:
Po s’ndërron ai kurrë
Art i skulpturës
Gënjeshtrën mbi mua ka ngrírë përgjithnjë.
I mbërthyer në dëshminë e saj të rremë
Të vërtetën kujtoj dhe qaj për të.
(Laokonti)
Poezia e Kadaresë, ndryshe prej prozës së tij, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e Kadaresë është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me „motin e madh“, të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar:
Njëzet e katër luftra bëri,
Njëzet e katër vdekje theu.
çka mangut linte ditën Gjergji,
Plotësonte natën Skënderbeu.
(Portreti i Skënderbeut)
Përgjithësisht poezia e Kadaresë është e sunduar prej mitit të së shkuarës, evokimit të lavdisë së dikurshme. Kadare synon, përmes poezisë së tij, ta çlirojë njeriun shqiptar prej akuzash që e kanë ndjekur ndër shekuj, duke përfshirë akuzën si popull i lindur me instinktin e luftës dhe të mercenarizmit, binjak me armën dhe peng i saj:
Dhe kur binin në prille a në vjeshtra
Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje,
Si me zjarre të vegjël të pëtjetshëm
Era loste me xhufkat e kuqe.
(Nisja e shqiptarëve për në luftë)
Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si „Përse mendohen këto male“ dhe „Shqiponjat fluturojnë lart“, pastaj me „Shekulli i 20-të“, „Poemë e blinduar“, „Shqipëria dhe tri Romat“ e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në miedise të ndryshme.
Kadare në problematikën e poezisë shqipe, krijoi emërtesën e „temës së madhe“. dhe jo vetëm kaq, ai e ktheu në mit atë, duke e bërë mbizotëruese në jetën letrare të vendit për më shumë se dy dekada. Para së gjithash poezinë e Ismail Kadaresë e intereson ajo që shpesh quhet gojëdhënë kombëtare ose mit i origjinës. Sfidat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar janë stacione të poezisë së tij.
Kadare i shkroi disa prej veprave të tij më të rëndësishme në vargje të lira, duke përvetësuar vlera të rëndësishme të vjershërimit tradicional, prej De Radës deri tek Migjeni. Në fillimet e veta ishte i ndikuar prej poezisë ruse, veçmas prej Majakovskit. Poezia intime e Kadaresë është mjaft e ngrohtë, e drejtpërdrejt, një bashkëbisedim me të dashurën që përgiithësisht është larg si vend apo si kohë:
Do shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do më ngelet
I ftohti medaljon i hënës.
Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg….
►® topkadare.com Vëllimi (VII) me poezi