MOTËRZIM FEMËROR I “KËNGËS SË URËS SË QABESË”
Ka ca kohë që shtysa për diçka të tillë më vjen si detyrim, trokitje në ndërgjegje, për të mos thënë në trajtë pengese (Pengesë e çuditshme që s’të lë të shkruash tjetër gjë, pa e shlyer detyrimin e hershëm.).
A janë në borxh kombet e botës ndaj vajzave dhe grave të tyre? A është në detyrim të tillë kombi shqiptar, krijuesi i “Këngës së Urës së Qabesë”?
Ja motërzimi për vajzat e sotme shqiptare, ato që në heshtje dhe pikëllim durojnë atë që meshkujve u qëllon më rrallë.
Mbeta, moj vajza, kësaj ane
Në trotuare, n’Itali.
Në Western Union merrni dollarët
Se unë vetë nuk do vij.
Në pyettë nëna, ç’fat më doli,
I thoni se një burrë kam marrë.
Im atë në pyettë, i tregoni
Se u martova me një varr.
Në pyettë shoku i shkollës, Bledi,
Nga klasa fqinje, “E treta B”,
I thoni se një peng më mbeti,
Që nuk u putha dot me të.
Më pas vinte vazhdimi me krushqit apo korbat që shkonin në dasmë a në varrim, e padurueshme zakonisht.
Në pyettë se ç’krushq i vanë
Policë belgë a italianë…
Vargu i nji rapsodie të vjetër : “ M`ka zanë vorri o me besë të dhanë ,, ngjason me : Në pyettë im atë, tregoni – Se u martova me një varr … Dramën e shton fakti qe edhe pas vdekjes njeriu jepet i gjallë, por tortura është se varri me pllakë mermeri të rëndë sipër nuk të lë me dalë…