Me vargjet brilante ndodhin shpesh gjëra të habitshme. Një pasdreke, duke folur me miqtë, m’u kujtuan, ndër të tjera, dy vargje të Homerit, që duhej të ishin diku nga fundi i „Iliadés“. Ishte përshkrimi i zvarritjes prej Akilit të kufomës së Hektorit, përpara mureve të Trojës. Flokët e dendur të të vrarit ngrenë pluhur nga toka dhe Homeri shkruan:
Qe thënë prej fatit, tokën’e atdheut
Kështu ta dhunonte mëria e barbarit.
Miqtë u mahnitën, ashtu siç pritej, nga kjo tërthore elegante e poetit, i cili dhembjen për Hektorin ia kalon tokës. Është ajo që dhunohet, shëmtohet prej barbarit, jo më duke u shkelur, duke u bërë gropa-gropa, duke u djegur, por duke u detyruar të ngrejë pluhur nën flokët e heroit që u vra për të. Siç ndodh shpesh, miqtë deshën ta dëgjonin edhe një herë krejt atë pjesë dhe unë u ngrita për të kërkuar në raftin e librave „Iliadën“. Ndonëse kisha Vite pa e shfletuar, e gjeta shpejt vendin që kërkoja, pikërisht vargjet ku përshkruhej pluhuri që flokät e rëndë palë-palë të Hektorit ngrinin prej dheut. Por shi në çastin kur miqtë pritnin vargjet e famshme, zëri im e humbi sigurinë, u mek dhe unë u hutova. Ishte krejt hutimi i njeriut që shkon të gjejë margaritarin dhe nuk e gjen më. Kutia e brilanteve ishte aty, veç ai mungon. Ose, më saktë, është i zëvendësuar nga një tjetër me më pak vlerë.
Ç’pate, më thanë miqtë. Nuk e gjen dot?
Diçka murmurita, diçka midis habisë, që nuk po e gjeja ashtu siç e dija, dhe dyshimit se mos e kisha lexuar në ndonjë përkthim tjetër. Vargjet në shqip qenë vërtet zhgënjyese.
Kish premtuar Zeusi që në truall të atdheut
Mëria e armikut atij dhunë t’i bënte.
Ku ishte eleganca e hatashme që, në vend që të thuhej se fytyra e heroit të vrarë qe fëlliqur nga balta, qe thënë e kundërta, që balta ishte shëmtuar? Një copë herë biseda u bë e përbashkët dhe u thanë të gjitha pandehmat e një dukurie të tille: leximi në ndonjë tjetër përkthim, në mos leximi, tregimi prej dikujt, së fundi: tjetërsimi i vargjeve, me kalimin e viteve, në kujtesë.
Më kishte ndodhur e njëjta gjë me dy vargje të Rembosë, nga „Anija e dehur“. Vite me radhë kisha qenë i bindur se dy reshtat e strofës së nëntë ishin kështu:
Si krisma në finale tragjedish antike
Gjëmshëm përplaseshin dallgët në kiç
Një ditë, ndërsa po e shfletoja Rembonë, vura re me tmerr se dy vargjet e strofës që pëlqeja aq shumë, ishin ndryshe:
Pareils á des acteurs de drames très-antiques,
Les flots roulant au loin leurs frissons de volets.
Që mund të përktheheshin pak a shumë:
Si aktore dramash tepër antike
Ngjethjet prej flegrash dallgët çonin larg.
Por, ndërsa për Homerin s’më kujtohej në ç’rrethana kishte ndodhur shfytyrimi i vargjeve, për Rembonë e mbajta mend fare mirë. ( Kadare ►“ Ftesë në Studio“)