Tmerr në Kosovë

Pjesë nga ditari i Kadaresë, nën titullin: RA KY MORT E U PAMË

6 prill

cropped-cropped-cropped-ismail-kadare12-e1523436827427.jpgTmerr në Kosovë. Pamja e të shpërngulurve është e padurueshme.
Shpërngulja hyn në zakonet e egra ballkanase. Asnjë luftë nuk mund të mendohet pa të. Ose, me saktë, pa të asnjë fitore nuk mund të shijohet prej kriminelëve. Shpërngulje, masakra, përdhunim. Ky është programi bazë. Serbët nuk e kanë fshehur asnjëherë. Evropianët nuk kanë dashur ta besojnë. Paralajmërimet shqiptare nuk janë dëgjuar kurrë.
Në një letër drejtuar presidentit François Mitterrand, tetë vjet me parë, më 12 shtator 1991, ia kam paraqitur fare qartë këtë tmerr të mundshëm. Jo vetëm s’më është përgjigjur, por ka shprehur, tërthorazi, pakënaqësinë e tij.
Sot kam dhënë konferencën e fundit në një seri leksionesh, në Shkollën Normale Superiore, rruga “Ulm”. Ndiej kënaqësi të thellë, kur vërej se profesorët dhe ajka e studentëve të Francës shfaqin një interes të madh për atë çka ndodh në Kosovë. Mendimi se ndoshta midis tyre janë drejtuesit e ardhshëm të Francës, më shkakton gëzim në shpirt.
Po mbushen “dy javët e Hill-it” e në horizont asnjë dritë lehtësimi. Përkundrazi.

7 prill

Gjermania ka zbuluar se plani serb “Podkova” (Potkoi) ka qenë përgatitur qyshkur Zbulimi austriak e ka ditur qysh në nëntor të vitit 1998. Shqiptarët e kanë ditur qysh pas botimit prej kroatëve të projektit të vitit 1937, të Çubrilloviçit. Çdo plak kosovar e di nga viti 1913, atëherë kur thundrën e egër serbe e ka ndier mbi shpinë.
Që ditën e parë të marrjes së Kosovës, në vitin 1913, serbët nuk kanë ëndërruar veç për këtë gjë: zbrazjen e Kosovës prej shqiptarëve. Kur më 1945, akademiku kriminel, Çubrilloviç, ia paraqiti përsëri shestimin e tij, këtë herë qeverisë komuniste jugosllave, për t’i dhënë zemër asaj, i kujtoi dy përvojat e suksesshme: shpënguljen e hebrenjve prej nazistëve dhe shpërnguljet e popujve në BRSS, prej Stalinit.
Hapësira “judënfrei” (pa hebrenj), siç shihet, është një ëndërr me disa motërzime. Stili serb është ai i projektimit te krimit te pala kundërshtare.
Përgatitet për masakër kundër të tjerëve dhe, ndërkaq, shpall se populli serb po masakrohet. Përgatit shpërnguljen e shqiptarëve e, ndërkaq, jep alarmin për shpërnguljen serbe. E kështu me radhë, frikësimi, terrori, përdhunimi i grave, së fundi, gjenocidi i ardhshëm jepen si veprime ose plane të kundërshtarit. Të kujton, pak a shumë, atë anë të pazbërthyer mire të një tragjedie të Eskilit, kur pamjet e figurat e gdhendura mbi shqytet e ndërluftuesve do të lozin një rol në zhvillimin e dramës.

 


Letra drejtuar:

FRANÇOIS MITTERRAND Presidentit i Francës,

Zoti President,

Pata nderin të marr pjesë në mbledhjen e Pragës, në mbyllje të së cilës ju mbajtët një fjalim, që me të drejtë u gjykua prej të gjithëve i shkëlqyer. Nuk pata mundësí t’ju takoj në mbarim të konferencës suaj të shtypit, por edhe po t‘ju kisha takuar, vështirë se do të mund t‘ju shtjelloja në ca çaste të shkurtra, atë çka po ju parashtroj këtu.

Kjo letër ka lidhje me fjalimin tuaj dhe unë po ju drejtohem si Presidenti Francës e, njëkohësisht si burrë shteti vizionar, një nga arkitektët kryesorë të Europës së nesërme. Shumë mendje të fuqishme janë të angazhuara sot për projektin e kësaj Europe, që është një nga aksionet më madhështore të ndërmarra ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Sa më shumë të kalojë koha, aq më qartë do të spikatin përmasat e vërteta të kësaj ngrehine monumentale, mbi të cilën popujt kanë vënë aq shumë shpresa.

Do të jetë në nderin e përbashkët të kontinentit tonë, gjetja e rrugëve dhe shtrimi i tyre i vështirë, për të mbërritur te Europa e nesërme. Në këtë kontekst, mendova t’ju drejtohem.

Europa e nesërme s’mund të ndërtohet pa e çliruar ndërgjegjen nga gabimet dhe fajet e vjetra. Historia e botës sonë është e mbushur me faje të tilla, por ato që u bënë në çerekun e parë të këtij shekulli prej Fuqive të Mëdha evropiane, janë tepër të ndjeshëm ende sot. Midis dy seanca mbledhjeje, midis dy ceremonive, u bënë prerje tragjike kufijsh, popujve iu këputën pjesë të tëra, dhe ndonjë populli u pre me dysh. Tani, pas kaq vitesh, ashtu si plagët e vjetra, që dhembin sa herë ngryset moti, ashtu dhe këto prerje shkaktojnë dhimbje e tragjedi të reja.

Në këtë kirurgji të rëndë, ai që humbi më shumë, ishte kombi shqiptar. Bashkëkohës i grekëve të vjetër, një nga më martirët e kontinentit, pas dy mijë vjet jetë në bashkësi, ai u pre më dysh më 1913 dhe 1918. Qysh nga kjo kohë ajo prerje kullon gjak.

Në korrik të vitit 1989, gjatë mëngjesit që më ftuat në Elize, për të cilin ruaj një kujtim aq të bukur, gjatë bisedës sonë folëm, midis të tjerash, edhe për çështjen e shqiptarëve e të kurdëve, si dy nga problemet etnike më të ndërlikuara. ]u thatë atëherë me të drejtë, se ndërsa problemi kurd, për rrethana që dihen është tepër i ndërlikuar, çështja e shqiptarëve paraqitet më e qartë. Pas luftës së Gjirit, gjithë bota ishte dëshmitare e tragjedisë kurde, kurse për tragjedinë shqiptare ende nuk duket ndonjë projekt zgjidhjeje në horizont.

Në atë takim, unë ju kujtova se mbi kombin shqiptar rëndojnë për fat te keq dy diktatura: ajo e komunistëve vendës dhe ajo e komunistëve serbe.Tani, mbas dy vjetësh, njëra nga diktaturat, ajo shqiptare, ka rënë por ka mbetur  tjetra, serbja.

Unë ju shkruaj këtë letër me besim të plotë se ju si President i Francës, si europian i shquar dhe si  njeri i kulturës e i ndërgjegjes botërore, do të bëni diçka për zgjidhjen e këtij problemi dramatik. Unë e di mirë se sa të vështira janë çështjet etnike, sa ndërlikime të papritura krijojnë aty ku nuk priten, dhe sa shpesh bien ndesh me harmoninë e arritur me aq vështirësi.

Ju siguroj, Zoti President, se shqiptarët nuk do të kërkojnë kurrë në mënyrë të paduruar e egoiste, të rregullojnë çështjen e tyre, në kurriz të paqes europiane ose të cënimit të popujve të tjerë. Por në qoftë se ata kurrsesi nuk duan të bëhen shkaktarë të prishjes së harmonisë në kontinent, kjo s’do të thotë se ata do të vazhdojnë të vetëflijohen e të mos kërkojnë ato të drejta elementare, për të cilat bota e sotme është krejtësisht në një mendje.

Mendoj se ajo që kërkojnë sot shqiptarët janë dy gjëra. E  para, të ndihmohet demekracia në Shqipëri. E dyta, të mos lihet gjysma e kombit shqiptar që jeton në Jugosllavi, nën meshirën e terrorit serb, kësaj skëterre të papërfytyrushme të kohës tonë.

Çështja e parë, ndihmesa për demokracinë e re shqiptare, është e qartë dhe e thjeshtë, dhe kohët e fundit, për fat të mirë, janë ndërmarrë disa hapa te ndjeshme. Çështja e dytë lidhet me kërkesën e ngutshme që sbqiptarët, populli i tretë në jugosllavi, të vendosin, si çdo komb tjetër, për fatin e tyre.

Lidhur me këtë, do të dëshiroja të shtoja diçka të rëndësishme. Nga të dhëna të sakta, që kam mundur të grumbulloj vërtetohet njoftimi që liderët demokratë të Kosovës i kanë bërë të ditur gjithë botës, se komunistët serbë po përgatisin kundër shqiptarëve një masakër të përgjithshme. Sado që një gjë e tillë tingëllon  mesjetare dhe e kapërcyer nga koha, më besoni Zoti President, se në gadishullin ballkanik, mesjeta është ende e pranishme. Unë ju lutem që ta vlerësoni këtë paralajmërim, këtë klithmë për ndihmë, përpara se tragjedía të ndodhë dhe përpara se të jetë vonë.

Duke ju kërkuar ndjesë për këtë letër të gjatë, jam i sigurt Zoti President, se me gjithë punët dhe angazhimet e shumta që keni, do të bëni diçka të ndjeshme për popullin tim, i cili përherë ka pritur diçka më shumë nga Europa, e veçanërisht, nga Franca. Drama e tij është pjesë e dramës botërore, por aq më tepër drejtësia që ai kërkon është pjesë e saj.

Pranoni Zoti president, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

ISMAIL KADARE    Paris, 12 shtator 1991

Advertisements
Postuar te Lexo Ismail Kadare !

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s

Kadare lexon shqip për publikun gjerman.
Më të rejat
Fotografi
Këtë e pëlqejnë %d blogues: