Albert Londres? Oh, për besë…

Ra ky mort e u pamë ….

 

Ismail Kadare, në Ditarin për Kosovën shkruan më 21 prill 1999

Der Nachfolger/Pasardhesi»» Albert Londres? Oh, ai është madhështor! Një nga më të mëdhenjtë gazetarë të shekullit. Të shekullit? Thuaj, më mirë, të të gjitha kohëve. Ashtu, ashtu, ke të drejtë. Nuk jepet më kot një çmim me emrin e tij. Meqë ra fjala, mos ke dëgjuar gjë për kandidatin e ardhshëm?
Qysh se ka filluar drama e Kosovës, në shtypin francez dhe, pa dyshim, në atë botëror, gjithmonë e më shpesh ka referenca dhe citime për Shqipërinë nga Albert Londres. Kryesisht janë të nxjerra nga shkrimet e tij të vitit 1915. Ai është vërtitur në ato vite në Ballkan, afërsisht me Leon Trockin dhe Edith Durhamin.
Çfarë shkruan Albert Londres për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Gjë më e zezë nuk mund të përfytyrohet. Sipas tij, kjo është një djerrinë e mallkuar. Njerëzit janë të egër dhe aq të mbrapshtë, saqë vështirë se mund t’i quash njerëz. Nuk është mesjetë kurrsesi, është epokë e gurit. Është më keq se Kongoja, më keq se fiset e Afrikës Qëndrore. Ky vend nuk ka as histori, as qytete, as gjuhë, as shkrim, as alfabet, me një fjalë, asgjë. Përfundimi: ky vend është një skandal në Evropë, një keqkuptim, një gabim që duhet të ndreqet. Shkurt: ky vend duhet të fshihet nga harta e Evropës.
Të hedhësh poshtë këto mashtrime makabre është gjëja më e lehtë, pra, më e panevojshme në botë. Ndërkaq, është serioze pyetja: ç’është kjo urrejtje e zezë e një evropiani për një vend të vogël, që ka vetëm tre vjet që ka dalë në liri, këndi i fundit i Europës që iu shkëput, me ndihmën e Europës, Perandorisë Osmane? Është urrejtja natyrale, e drejtpërdrejtë (pra, urrejtja e një maniaku kundër një populli), apo një urrejtje e ftohtë, e përllogaritur, me një synim, pra, me një shpërblim në fund?
Është, pa asnjë dyshim, kjo e dyta.
Albert Londres, gazetar-reporter, nuk mund të ketë besuar asgjë nga ato që ka shkruar për Shqipërinë. Edhe sikur të kishte një mllef të madh kundër këtij vendi (mllef i shkaktuar një Zot e di nga çfarë shkaku, ta zëmë nga ndonjë grabitje, rrahje apo përdhunim prej banorëve), ai s‘ mund të besonte në ato zezona që thotë. Mjaftonte një kalim i rrufeshëm nëpër Shqipëri për të parë se, pavarësisht nga prapambetja dhe varfëria, ky vend kishte, së paku, dy qytete me moshë të përafërt me atë të Romës, Durrësin e Shkodrën. Se kjo e dyta, Shkodra, ishte qyteti i dytë katolik, pas Zagrebit, ne gjithë Gadishullin Ballkanik, me një jetë kulturore të gjallë, gazeta, revista, shoqata, xhami, katedrale e kisha të shumta dhe ku Fuqitë e Mëdha kishin konsujt e tyre. Se mjaftonte të kalonte përbri një qyteti mesjetar, si Gjirokastra, me ato mijëra shtëpi prej guri, që iu ngjanin pallateve të vogla dhe që tregonin se ky popull, jo vetëm dinte të jetonte, por kishte ndërtuar qytete, që ishin përmendur me adhurim prej poetëve, si Bajroni, ose piktorëve, si Eduard Lear.
Ta pranojmë se A. Londres nuk donte ta shihte me sy Shqipërinë. Ose të ishte kaq i verbuar kundër saj, saqë qytetet t’i dukeshin si xhungla dhe shqiptarët si kanibalët e Afrikés Qëndrore. Edhe në këtë rast, kur të vinte puna te historia e vendit, te gjuha shqipe, tek alfabeti etj., ai, qoftë dhe pa dashje, do të binte në një njoftim, që do t’ia prishte përfytyrimin e keq. Mjaftonte disa minuta shfletimi i cilësdo enciklopedie, të parë se Albania nuk ishte ajo që mendonte ai. Se gjuha shqipe jo vetëm ekzistonte, por quhej gjuhë themelore e kontinentit, e hetuar qysh prej vitit 1695, jo prej kombëtaristëve të përndezur shqiptarë, por prej gjeniut gjerman Gotffried Leibnitz, e pas tij, prej dhjetëra gjuhëtarëve të tjerë nga e gjithë bota. Se jo vetëm kishte një alfabet shqiptar, por kishte qindra libra të botuar ne këtë gjuhë, i pari i të cilëve, një libër i shenjtë, ishte përkthyer e botuar në shqip prej murgut katolik, Gjon Buzuku, më 1555, vetëm tridhjetë vjet pas përkthimit të Biblës prej Martin Lutherit.
Që A. Londres nuk i dinte këto, nuk mund të fajësohet. E as mund të qortohet që nuk ka lexuar një sonet të Ronsard-it, ose „Childe Harold“ të Bajronit, madje as bashkëkohësin e vet, Guillaume Apollinaire, i cili kishte botuar, ndërkaq, njëmbëdhjetë shkrime për Shqipërinë, në njërin prej të cilit, më 1903, duke bërë një krahasim pak të habitshëm midis zhvillimit të gjuhës suedishte dhe shqipe, jepte mendimin profetik se zhvillimi i kësaj të fundit paralajmëronte se shteti shqiptar së shpejti do të krijohej.

A. Londres vërtet nuk mund të qortohet për mosdijen e tij. Por për këmbënguljen e tij për të mashtruar nuk ka kurrfarë alibie. E, megjithatë, puna nuk mbaron me kaq. Pyetja e madhe e vërtetë është ajo që u bë në fillim: ç’urrejtje është kjo, ç’shkak e ka pjellë? Ja e vërteta, siç e mendoj unë: Është viti 1915. Ka tre vjet që shteti shqiptar është krijuar.
Ka po aq kohë që Kosova i është dhënë Serbisë. Lufta e Parë Botërore është në kulm të saj. Serbia, Greqia dhe ballkanasit e tjerë, që porsa kanë fituar luftën ballkanike kundër Turqisë, e kanë oreksin e shtuar. Kanë nisur ethet për ta gllabëruar shtetin trevjeçar shqiptar. Me fjalë të tjera, për të prishur, për ta ndarë midis tyre.
Koha është e volitshme. Anglia, Franca dhe mikesha e ballkanasve ortodoksë, Rusia, të armiqësuara me ata që ishin aleate të shqiptarëve, gjermanët, e sidomos austriakët, nuk e fshehin pendimin për krijimin e shtetit shqiptar. Ndörkaq, Serbia ka njé arsye themelore për këtë zhbërje. Kosova e porsagëlltitur prej saj është thelë tepër e rëndë për zgrofin e saj të ngushtë. I vetmi Shans për ta mbajtur Kosovën është shkatërrimi i Shqipërisë. Dhe, kështu, ëndrra serbe bashkë me ëndrrën greke vihen në rrugë. Emisarë të dy vendeve venë e vijnë pa pushim në kryeqytetet europiane. Kërkojnë, luten, kërcënojnë, premtojnë, qajnë. Ndërkaq, si ballkanasit, si europianët e dinë se ndarja e një shteti s’është si ndarja e një torte. Krimi kërkon përgatitje dhe mbështetje. Mbështetje nga gazetarët, filozofët, akademikët, prostitutat, spiunët.
Albert Londres është një nga ata që ofrojnë shërbimin e tyre.
Në vitin 1915, ai vjen rrotull nëpër Ballkan. Ka qenë shumë herë në Serbi. Atje, në krye të ethes kundër-shqiptare është vetë kryeministri i Serbisë, Vlladan Gjorgjeviç. Ky vjen shpesh në Paris. Shpifjet e tij, botuar në librin e tij „Serbia dhe Fuqitë e Mëdha“, ngjajnë si dy pika uji me ato të Albert Londrës. Kumti përfundimtar, gjithashtu.

Është gati e pamundur që këta dy shpirtra të afërt, të cilët i bien së njëjtës kambanë, asaj të vdekjes së Shqipërisë, të mos jenë takuar. Shqipëria e kërcënuar. Shqipëria në zgrip të humnerës… Fantazi shkrimtari?
Kini durim. Pas marrjes së pushtetit në Rusi, Lenini, jo për dashuri ndaj shqiptarëve, por për mllef ndaj Rusisë cariste, shpalli midis të tjerash, një turp të saj: traktatin e fshehtë, të vitit 1915, për ndarjen e Shqipërisë. Të rralla janë shtetet që kanë jetuar me një traktat të fshehtë pas shpine. Shqipërise i ra ky fat i zi. Më pas, do t’i binte Polonisë. Ndoshta, ka të tjera që ende nuk e dinë.
Në biografinë e A. Londres përmendet një ngjarje e vitit 1919, kur ai ka takuar Gabriele d’Anunzion, në kohën e krizës së Fiumes. D’Anunzio, ithtar i tërbuar i marrjes së Fiumes (një vit më pas do të ndizej po aq për Vlorën), i ka dhënë gazetarit francez një copë letër, që ky i fundit e përdor si lejekalimi: „Léreni té kalojé, ndihmon Çéshtjen“. Pra, Albert Londres e ka fituar, tashme, shijen e përzierjes në çështje të ndryshme. Në çështje të rrezikshme, qe kanë të bejnë me marrje ose dhänie krahinash. Në çështje dramatike, që kullojnë shpesh gjak. Së fundi, në çështje që shpërblehen rëndshëm.
Asnjë gazetar perëndimor nuk i ka shkaktuar aq shumë dämtim popullit shqiptar sesa ky njeri. Për gati një shekull, nga viti 1915 gjer në këtë pranverë të trishtueshme të 1999-ës.
Albert Londres? Oh, për besë, është i famshëm. Ende sot, shërben si burim për të shpjeguar barutishten ballkanike… Ende sot mbi pllakën përkujtimore të tij, s’është çudi që dikush të shkruajë: „Mbi ndërgjegjen e këtij njeriu rëndon gjaku i foshnjave të Kosovës“.

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..