MOSMARRVESHJA

Portreti kinse rozë që shqiptarët i kanë vizatuar vetvetes, nuk i ka hyrë në punë askujt, e aq më pak atyre vetë. E para sepse, si çdo portret i rremë, ka qenë i pavlerë. E dyta se, për të njëjtën arsye, si çdo portret viktimë, ka qenë i dëmshëm.

mosmarrveshjaRrezikun e portretit të zbutur, si dëmtues afatgjatë i moralit, e ka ndier një shekull e gjysmë më parë N. Frashëri. Poeti më humanist e ndoshta më pajtues i krejt Ballkanit, i mbiquajtur prej bashkëkohësve si „gojëmjalti“, shkroi vargjet befasuese:

O malet e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,

Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë.

Për ç’tmerr të rrezatuar nga Shqipëria mund të bëhej fjalë? E lidhur vetë në pranga, dukej sikur ajo veç mund ta pësonte tmerrin, por ta shpërndante kurrsesi. Poeti i parë i shqiptarëve kishte tjetër mendim.

Lufta për „hijen e rëndë“ kishte kohë që bëhej në gadishull mu në hundën e Perandorisë Osmane. Për fat të mirë, ankthi tmerrues osman s’kishte arritur të zinte rrënjë asnjeherë në Ballkan. Për shqiptarët, për shembull, osmanët, me gjithë salltanetet, kishin mbetur gjithmonë pushtues qesharakë, „shallvaregjerë“. Zbrazëtinë e lënë prej pushtuesit të madh, kombet ballkanase ishin rrekur disa deri ta zëvendësonin me „tmerret“ e vela lokale, ç’ka s’do të bënte gjë tjetër veç thellimit të përçarjes mes tyre.

Në pushtimet e ardhshme, shqiptarët nuk do të njihnin as tmerrin italian, madje as atë gjerman, por fati do t’u ruante një lemeri të ardhshme, të panjohur, më të pabesën e më burracaken e të gjithave: lemerinë komuniste.

Një pjesë e gadishullit do të binte nën këtë krusmë të re, e cila, ndryshe nga të tjerat, kishte dy tipare: ishte e brendshme për secilin komb dhe ishte e fundit.

Pas rënies së komunizmit, ballkanasit do të gjendeshin në një skajim të ri përballë kontinentit. Pakti i ri,që ky i fundit iu parashtronte, nuk bazohej mbi një „moral senjorësh“, siç mund të shprehej Nietzsche. E as mbi një aleancë racash a besimesh, fitimtarësh a humbësish, fatlumësh a fatkëqijsh. Ai shpallte një vizion të ri të lirisë, asaj që, duke qenë e gjithëve, nuk cënonte askënd.

Ndërkaq, synimi i ballkanasve për të hyrë në kohën europiane, ndonëse i dëshiruar nga të gjithë, nuk ndihmoi, për fat të keq, në afrimin e tyre. Pärkundrazi, u duk se brenda familjes europiane, acarimet mes tyre, në vend të fashiteshin, po shtoheshin. Në kushte të tilla, ata ishin shpallur si problem i Europës dhe e kishin pranuar Europën si zgjidhje të problemit.

Kërkesa e parë e Europës dhe e Aleancës Atlantike, ku ata kishin po aq ngut të bënin pjesë, do të ishte pikërisht ajo që, tani për tani, ngjante si më e pamundura: marrëveshja ndërballkanike. Harmonia, pranimi i „tjetrit“, duke qenë në thelb të paktit të ri europiano-atlantik, do të ishte i detyrueshëm për mysafirët e rinj. Ndërsa ishte i tillë për gjithë popujt e gadishullit, ai do ti kthehej në një urdhër të dyfishtë për të tre kombet kryesore: greket, shqiptarët dhe serbët. Ishte kjo treshe kombesh që do të përgjigjej për prishjen e paqes në Ballkan…

Fragment nga „Mosmarrveshja“

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..