ALAIN BOSQUET – Pjesën kryesore të veprës suaj e njohim falë punës së një përkthyesi të vetëm e unik, çka është e rrallë e, pa dyshim, ideale për një shkrimtar. Si lindi dhe vazhdon bashkëpunimi juaj?
ISMAIL KADARE – Përkthimi është, pa dyshim, një nga mundimet e mëdha të njerëzimit. Nganjëherë, në çaste lodhjeje ose ndriçimi, krejt raca njerëzore duket si një belbanë e madhe, në fytyrën e së cilës duken gjurmët e kësaj krisme: mosdeshifrimit të kumteve. Për të folur më sheshazi, ky mundim shtohet për popujt e vegjël. E për vendet e vogla diktatoriale ai merr një ngjyrim fatal. Të përkthehesh në këto vende, është diçka e frikshme dhe e mrekullueshme, njëkohësisht. Diçka që ngjason me kapërcimin e kufirit, nëpër terr, ku lehjet e qenve të rojave mund të të arrijnë dhe telat me gjemba mund të të gjakosin.
Kjo është arsyeja që përkthyesi im, Jusuf Vrioni, me është dukur përherë i natyrshëm, aq sa me elegancën, nostalgjinë për Francën dhe, pa dyshim, talentin e tij të jashtëzakonshëm, sa edhe me trembëdhjetë vitet e kaluara në burgjet komuniste.
Kështu u njoha me të për herë të parë, në fillim të viteve ’60. Shkova në dhomën e vogël ku banonte përkohësisht me të fejuarën, për të më treguar kreun e parë të romanit „Gjenerali i ushtrisë së vdekur“, e kishte përkthyer me dëshirën e vet, me një shpresë të druajtur se, ndoshta, mund t’ia botonin.
Unë nuk dija frëngjisht, lexoja përveç rusishtes anglishten, kështu që disa faqe ai i kishte bërë enkas për mua edhe në këtë gjuhë.
Tek shihja tekstin e panjohur frëngjisht, mendimi i parë që me erdhi ishte dyshimi se a mund ta kishte ruajtur valle frëngjishten e dikurshme në birucat e errëta, kanalet plot baltë dhe telat me gjemba që rrethonin kampet? Koha tregoi se ai jo vetëm e kishte ruajtur, por pikërisht atje në baltë dhe tmerr, midis makinës së vuajtjes, frëngjishtja e tij është sublimuar e përkryer si rrallëkund. Diku në fletoret e mia kam katër vargje të shkruara për të:
Në burgun e ftohtë përzier
Me dëborën që bie lartësish
Kujtimet e Champs Elysées
Zbresin bashkë me gjuhën frëngjisht.
Ju ishit i pari që e përshëndetët përkthyesin fantazmë, emri i të cilit nuk gjendej në mbulesën e librit. Ajo përshëndetje e bëri atë të lumtur, si një kumt i parë i vinte nga bota e lirë. Ishte, gjithashtu, në stilin e jetës së tij të gjeratëhershme prej të burgosuri:
një përshëndetje nga larg, një trokitje në mur, një shpresëz…
Per te miren, vleren gjithmon ka vtem mesim, mesim dhe vetem mesim. E dikurshmja- kohezion per te sotmen, por tash ,, digjitalizmi“ sundon trurin dhe vet boten. Ka shume mendime nga me te ndryshmet, por e verteta gjitmon kthet me fitore.
LikeLike