EPILOG ME ZOTIN


Shqipëria: E lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët”  ►Faik Konica

Bildergebnis für mosmarrveshja, LIBRI

Në historinë e kombeve europiane ishte vështirë që midis shestimesh kombformuese, të gjendej ndonjë projekt memoriali, si ai që Faik Konica, në një nga orët e zymta të tij, e kishte përfytyruar për Shqipërinë postmortem: “E lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët” 
Muzikë varreze mjedisesh vjenezo-habsburgase fillim shekulli, apo përsiatje shkrimtari të vetmuar trillan?
Përgjigjja nuk ka qenë e lehtë, aq më tepër Konica vetë, sipas thënies së vet, bënte pjesë në dy grupimet e kundërta: të parin dhe të tretin, pra te krijuesit e njëherësh te vrasësit, sipas kësaj formule të trishtë. Ky paradoks i formulës nuk ishte i vetmi. Përveç përhapjes gati të rrufeshme midis shqiptarëve, befasimi i radhës ishte pritja e saj gjakftohtë, si e diçkaje të njohur, diçkaje që njerëzit e kishin ditur, por që, siç ndodhte shpesh, s’kishin arritur dot ta shprehnin. Përfytyrimi i Shqipërisë së vdekur, më shumë se çështje sentimentalizmi, mund të shpjegohej me prirjen e natyrshme ndaj qenieve të brishta e të shtrenjta, të cilat, sa me shumë të përfytyroheshin të tilla, aq më tepër ngjanin të rrezikuara. Shqipëria ishte sa e shtrenjtë, aq edhe e brishtë, si në fillimet e saj. Pas stuhisë shpërbërëse që kishte trandur gadishullin, Shqipëria kishte qenë e vetmja që ishte rishfaqur jo me një, por me dy shtete. Ndonëse te krahasuar herë me dy pirgje të së njëjtës ngrehinë e herë me dy brirë demi kërcënues, ata nuk i ngushëllonin dot shqiptarët dhe as iu jepnin qetësim. Ashtu si më parë, nga ankthi i skajshëm kalonin në shpërfillje të skajshme, për t’u kthyer prapë në ankth.
Ç’kishte ndodhur? Shqipëria, duke qenë dyshtetëshe, do të tërhiqte mbi vete rrufe të dyfishta? Apo, duke qenë më e fortë, kishte pushuar së qeni e shtrenjtë?
Me sa dukej, ky do të ishte këndej e tutje thelbi i një trajtimi të ri të çështjes.
Që Shqipëria kishte pushuar së qeni e shtrenjtë për shqiptarët, ishte e lehtë për t’u besuar, por vështirë të vërtetohej. Që fortësia e saj pengonte dashurinë për të, as kjo s’mund të pranohej. I kapur si në ngërç, mendimi shqiptar për kombin vetvetiu prirej drejt formulës së re: më i fortë se kurrë, më i brishtë se kurrë.
Ishte një kushtrim i ri, i sinqertë ose jo, për një rrezik të përfytyruar? Kronika shqiptare rrallëherë jepte shembull të tillë. Kishte pasur aq shumë rreziqe të vërteta, sa nuk mbetej vend për
të rremet.
Ndërkaq, himni i vjetër i shtetit, ai që na ka shoqëruar në këtë persiatje, kishte gjasë të na çonte te një kuptim i ri i gjërave. Në fund të fundit, pllaka memoriale koniciane, motërzimi në mermer i himnit, nuk ishte veçse njëri nga kumtet himnoide, atij të fshehtit. Dhe si e tillë do të merrej.
Që himni ishte po ai qysh prej krijimit dhe që pllaka memoriale këmbëngulte në të sajën, kjo dëshmonte për një patologji të kthyer tashmë në shenjë identitare. Shenja ishte tepër e pikëllueshme, nga ato që rrallëherë iu binin në pjesë popujve: ideja se ky komb ishte i padashur, për të mos thënë i papranueshëm prej të tjerëve.
Ankesa, përveç kishte diçka të padenjë, sië ndodhte shpesh me viktimizimin, do të kthehej më pas, gjatë rendit komunist, në një fortashtrojë (platformë), do të pärligjte një nga krimet kryesore të kohës: armiqësimin e Shqipërisë me botën, kryesisht me Perëndimin. Miti i një sulmi të mundshëm të këtij do të përligjte rendin diktatorial shqiptar, mizorinë, bunkerët dhe shterpësinë e tij. Krahas me të, si shëmbëllim i kësaj ankese, do të gjëllonte një tjetër, po aq groteske: fantazma e përthithjes sllave. Si rrjedhojë e kësaj, do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët. Me fjalë të tjera, qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Se sa i rrejshëm ka qenë kércënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort. I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar, s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë pärligjte sundimin osman, e nga ana tjetër ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit. Në të vërtetë, sllavët ballkanas në Perandorinë Osmane, duke qenë vetë në gjendjen poshtëruese të rajasë, nuk kishin mundësi joshjeje, aq më pak asimilimi mbi të tjerët. As zhvillimi ekonomik e shoqëror e as identiteti i tyre i shtypur nuk jepnin dorë për diçka të tillë, sidomos përballë identitetit sprapsës e kryeneç shqiptar. 
Shqipëria nuk ka qenë dhe as do të ishte e padashur prej familjes së kombeve. Madje mund të thuhej se, ashtu siç kishte zëra që ankoheshin për mosvëmendje ndaj Shqipërisë, po aq, në mos më shumë, kishte zëra të tjerë që ngulnin këmbë për vëmendje të tepërt, për të mos thënë, llastim të saj. Për t’u kthyer te memoriali i Konicës, në një përshtypje të parë, vizioni kishte një mbitheksim të përzishëm. Në një përqëndrim më të thellë, pikërisht aty, te zia e mbitheksuar, mund të kërkohej shpresa.
Që bota shqiptare, gati-gati tërësisht e pranonte atë vizion, ky ishte dhe një akt i madh shprese. Me këtë pranim, kombi i sotëm shqiptar, pra populli i radhës i Shqipërisë, merrte, në mos krejt fajin, një pjesë të tij. Dhe kjo marrje përsipër e fajit shprehte vetvetiu vullnetin për ta shlyer atë.
Në formulën treshe të Konicës, lindje nga idealistët, shpëtim nga rastet, vrasje prej politikanëve, meqenëse dy përbërësit kryesorë të tij, lindja dhe vrasja ishin akte të shqiptarëve, faji mund të quhej brendashqiptar.
Ishte një e vërtetë e hidhur, por e tillë që, çuditërisht, nuk shkaktonte ftohje të shqiptarëve ndaj historisë së tyre. Kjo ndoshta vinte ngaqë në një vështrim të rrokakrejtshëm (global) të saj, ajo ka pasur hijen e rëndë të tragjedisë, e në qoftë se tragjedisë i njihej shpesh bukuria, asgjë nuk do t’i pengonte shqiptarët ta merrnin për të tillë.
Gjithmonë në këtë kah, e po të donim të kërkonim diçka të ngjashme me anën teatrale të historisë e aspak me thelbin e saj, ajo çka i kishte ndodhur e vazhdonte t’i ndodhte ende sot kitij kombi, i shembëllente një drame me ngjyrim të jashtëm promethean, e cila, nën logon e përbashkët “Shqipéria dhe Europa”, në përshtatje me tri gjendjet e personazhit antik: i dëbuar, i lidhur, i çliruar, do të shtjellonte tri aktet e saj: Akti I: Shqipëria e dëbuar. Akti II: Shqipëria e lidhur. Akti III: Shqipëria e rikthyer.

Në të vërtetë, thelbi i tragjedisë shqiptare, nga çdo anë që ta ktheje, ishte ndarja dhe rigjetja e kontinentit mëmë. Kronika me osmanët, ashtu si ajo e dy komunizmave: atij shqiptar dhe atij sllav, nuk ishin veçse çështje anësore, njëfarë nënhistorie, nëse kjo fjalë do të përdorej pa përçmim. (Ismail Kadare, «MOSMARRVESHJA»

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.