“Përbindëshi” i Kadaresë, ligjërimi për tmerrin politik të gjithkohshëm

Prof. as.dr. LILI SULA*/ Mitologjia antike greke përbën një ndër burimet e rëndësishme të krijimtarisë së I. Kadaresë për një pjesë të veprave, si: “Përbindëshi”, “Dosja H.”, “Eskili ky humbës i madh”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Vajza e Agamemnonit” etj..

Ismail kadare1

“Përbindëshi” u botua fillimisht në revistën “Nëntori” (1965/ 12), por menjëherë u censurua për një çerekshekull, për shkak të strukturës moderne dhe risemantizim të shtresës mitike të ndërkallur me narrativën moderne kadareane. Prej lënde mitike e me funksion kyç në ndërtimin artistik është toposi i Kalit, që gjendet edhe në krijimet poetike (poezia “Kali i Trojës”, poema “Laokoonti” etj.). Parateksti i “Përbindëshit” evokon drejtpërdrejt Kalin homerik të Trojës, duke e sjellë atë në bashkëkohësi, në hapësirën e një qyteti shqiptar, krejt ndryshe nga figura e kalit, e kalit të bardhë, gjogut, që shoqëron heronjtë në çdo betejë të eposit tonë dhe i shpëton ata nga rreziku duke u bërë bashkëprotagonistë. Filli intim jetësor, rrëmbimi i He/Lenës, që çuditshëm përkon me atë të Iliadës, duket se e ka mbrojtur deri-diku veprën, pasi, vite më vonë, në Kosovë “Përbindëshi” u botua nën titullin “Tregim për Helenën”. Ja si e kujton Helena Kadare në librin “Kohë e pamjaftueshme”, episodin jetësor të letrarizuar te “Përbindëshi”: “Unë nuk u besoja syve kur e lexova atë roman. Ishte hera e parë që shikoja se si një ngjarje e jetës sime, e lidhjes sonë, ishte shndërruar në një libër. Isha krejt e befasuar, e çoroditur, gati-gati e trembur. Ky roman ishte krejt i ndryshëm nga të tjerët, tronditës, i paparashikueshëm, i frikshëm dhe i pamëshirshëm… ndarja ime nga i fejuari, ikja me rrëmbyesin nëpër natë… Kërcënimet e të fejuarit më pas, ankthi i përgjithshëm i kohës, që bashkohej me ankthin vetjak të njerëzve, të gjitha ishin aty të përziera në mënyrë krejt të çuditshme me ngjarjen e rënies së Trojës, një obsesion, që, siç më kishte thënë vetë (është fjala për I. Kadarenë,-shën. im) i vinte nga fëmijëria (Kadare, H., Kohë e pamjaftueshme, 2011, f. 45).

Toposi mitik është i dukshëm qysh në radhët e para të romanit, ku identifikohet Kali me Furgonin e madh, të braktisur në fushë të hapur, disa kilometra larg qytetit. Nga këtu e në vijimësi, transformimi në veprim – logjikë metamorfoze e vënë në mënyrë teatrore në “skenë” – mbart kalimin nga mitologjia në modernitet. “Pjesët metalike ia kishin shkulur prej kohësh dhe tani s’i kishte mbetur veç karroceria e mbyllur prej druri. Ajo ishte mbërthyer dhe qëndronte mbi katër trarë të shkurtër, të ngulur në tokë” (Kadare, I., Përbindëshi, 1991, f. 3). Për të ndjekur rrjedhën antike të kalit e për ta teatralizuar atë në bashkëkohësi: forma e jashtme/ metalike e furgonit modern, edhe pse do të konotonte më tepër veti fizike, krahasimisht me drurin, konsiderohet e panevojshme, ndaj përshkruhet pjesa e brendshme e tij: karroceria prej druri/trajtë e njëjtë me kalin homerik (prej druri e bosh nga brenda ishte dhe Kali i Trojës i projektuar nga Uliksi). Kujdesi për të zhveshur pjesën motorike të lëvizjes e për të theksuar lëndën e ndërtimit, fuqizon vlerën simbolike të Furgon/Përbindëshit po aq sa rrudh distancën kohore të analogjisë me mitin homerik. Përmes ligjërimit eseistik të Gent Ruvinës, që zhytet në mitologji e vjen lirisht në bashkëkohësi, qartësohet statusi ambig i objektit, duke i larguar çdo mëdyshje lexuesit, kur togfjalët “furgon i madh i braktisur”, zëvendësohen me “Kali i madh i Drunjtë” (f. 15), të cilat riartikulohen sërish në formën e një konkluzioni studimor (tezë doktorature) në fund të kapitullit II.

Furgon/Kali nuk lëviz, por ai krijon ndjesi e efekte të forta duke iu imponuar njerëzve përmes përmasave monstruoze. Furgoni-simbol është mjeti për të kaluar tiparet tejkohore që rindërtojnë mitin antik. Stanjacioni i figurës së Furgonit, pritja e heshtja e tij e rëndë – si Kali para portës së Trojës – flasin më tepër se fjalët, ato krijojnë ankth e suspansë, si në ditët me diell ashtu dhe në mjegullën e natës, në mes të së cilës tretej e dukej sikur humbiste, por në fakt ngjallte pareshtur dyshime, trysni e sidomos frikë.

Sjelljet antropomorfe të Kalit, për të afruar e shkrirë kohën rrëfimtare mitike me përmasë universale të Kalit të Trojës me ato moderne të Kalit të Madh të Drunjtë = Furgonit = Përbindëshit, shfaqen si simbol pabesie e tradhtie, duke përcjellë ideologjikisht raportet e individit me shoqërinë në shtete totalitare. Ligjërimi për tmerrin politik të gjithkohshëm, që drithëron çdo qelizë humane, nyjëtohet së paku në dy linja rrëfimore paralele: nga njëra anë, dashuria e Helenës me Gent Ruvinën (studentin e kthyer nga Moska; rrëmbimi i saj nga i dashuri; kërcënimet e shpeshta të Maksit, ish-të fejuarit; ngjarje që duket sikur rikujtojnë rrëmbimet e dikurshme të nuseve të kënduara në baladat tona popullore, por në të vërtetë përshkruajnë e ringjallin motivin homerik të rrëmbimit të Helenës nga Paridi) dhe, nga ana tjetër, “ngujimi” i Maksit në Furgonin/Përbindësh (në krye/qytet) në pritje të kasaphanës qytetare dhe vrasjes së Helenës, që brendashkruan rrafshin alegorik, me rrezatim të gjerë ideologjik.

Zhvendosja nga koha mitike në atë bashkëkohore realizohet nëpërmjet përsëritjes së formulave të gatshme rrëfimtare nga miti burimor, si dhe nga thurja e rrëfimeve të reja përmes rifunksionalizimit të elementeve në rrafsh të formës së shprehjes e formës së përmbajtjes. Zëvendësimi i Kalit me Furgon in Bosh, nën emëruesin e Përbindëshit, që pushtojnë me dredhi kështjella e qytete, për studiuesin Sh. Sinani, në epopenë homerike Kali “paraqitet si një përmendore idhujtarie, në romanin “Përbindëshi” Kali paraqitet si monstër” (Sinani, Sh. Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë, 2016, f. 34). Zhvendosja e boshit (zbrazëtisë) nga njëri kalë te tjetri, brenda së njëjtës formë (referent) na paralajmëron ndryshimin e përmbajtjes, manipulimin e sofistikimin e saj ndër shekuj, por me funksion të njëjtë: survejimin, denigrimin dhe terrorin politik në shtete diktatoriale. Në këtë shmangie është i domosdoshëm tensioni që mbush distancën mes dy semave, e para ndër të cilat mbetet e pranishme, ndonëse në mënyrë të nënkuptuar, tension që realizohet përmes ndërveprimit ritmik të dy bërthamave semike (antikitet/bashkëkohësi) duke i siguruar kompaktësi ligjërimit në krahasim me zhurmat/ligjërimet në sfond. “Jo, Helenë – tha ai. Nga asnjë mit dhe nga asnjë gropë kohërash nuk doli ky kalë. Ai u poll në kohën tonë, vetëm formën e huajti andej, sepse format janë zakonisht ato që merren hua”. (f. 80).

Në zgavrën e Furgon/Kalë/Përbindëshit personazhet nuk veprojnë, nuk ndërmarrin aksion, ata janë në pritje të sulmit e terrorit që nuk u krye asnjëherë, përveçse në 45-minutëshin e dremitjes së Konstruktorit. Këta antiheronj e komplotistë mbjellin pasiguri, frikë e ankth te banorët jo përmes aksionit e heroizmit, që do të duhej t’i karakterizonte si heronjtë antikë të Iliadës, po përmes pasivitetit e mungesës së shfaqjes, që krijon makthin e ankthin për misterin që ngërthen karroceria e drunjtë. Personazhet kalojnë ditë-netët me iluzionin e pushtimit, ndërkohë që këmbët e Përbindëshit zhyten gradualisht në baltë; a thua për të rrënjosur makinën e terrorit e për t’i “hedhur asaj themelet e pushtetit” 40-vjeçar, siç shprehet gjithë frikë e drojë Helena apo për të shënuar bjerrjen e degradimin e tij nga vetja, nga të vetët, nga brenda, nga përbrenda…? Personazhet janë bashkëkohësit tanë, që hyjnë e dalin në Trojën homerike: në dy kampe kundërshtare, kështjellarët e Trojës dhe trimat brenda Kalit-dhuratë tek Iliada, ndryshe nga burrat në zgafellën e Furgonit: Odisea K., Maksi, Roberti, Milloshi, Konstruktori, Akamonti (që nuk di mirë shqipen); etimologjikisht ata përfaqësojnë prurje të ndryshme që artikulohen si raporte ideologjike, bashkime lëndësh, të ndërfutura në një formë artifice sendërtojnë dy kahjet e zhvillimit të kohës e të mitit. Shkrirja e panatyrshme e dy kohëve kushtëzohet nga artificialiteti dhe rrjedha tejkohore e tyre. Takimi Delegacioni/Komandot e fshehta dhe kali mitiko-modern përfaqësojnë thelbin dhe formën e shprehjes, që afrohen e plazmohen me njëra-tjetrën, duke u shkrirë në një dilemë të vazhdueshme për praninë e padëshiruar të Kalit në jetët njerëzore: “… Helenë, unë ta kam thënë… Kali do të kalbet aty në fushë”. “Po në qoftë se kjo vazhdon gjatë? … “Ai do të rrënohet… Por kur do të ndodhë kjo? Mos do të thuash pas tri-katër dekadash, atëherë kur ne do të jemi plakur dhe kohën më të bukur të jetës ta kemi kaluar nën terrorizmin e këtij përbindëshi?”. (f. 77)

I sigurt është hamendësimi i Helenës po të kemi parasysh që ankthi i Kalit e shoqëroi atë dhe Gent Ruvinën gjatë gjithë rinisë (1965–1991), ndërsa perceptimi i pranisë së Kalit si art e fakt politiko-historik, siç dihet, shkoi më shumë se tri-katër dekada, shmangie kohore që mbështetet me qasjen artistike, vetjake e intime. Nëse Helena shkoi vullnetarisht me Paridin apo Paridi e ka rrëmbyer me dhunë atë, siç pohon një version tjetër mitik, Lena është e gatshme të rrëmbehet “Eh moj Lenë, eh moj He-Lenë e Trojës!…- Një Helenë e Trojës s’mund të kuptohet pa rrëmbim,- tha ai duke qeshur. – Apo jo? Ajo buzëqeshi me hidhërim. – E di, – tha. – Prandaj unë jam thjesht Lenë. – A do të të pëlqente të bëheshe Helenë? – Po kush do të më rrëmbejë … – Unë mund të të rrëmbej po të duash, – i tha Gent Ruvina vajzës (f. 10, 11). Kali dhe anija e rrëmbimit të Helenës së Trojës zëvendësohet (shndërrohet) në një Taksi rrëmbimi për dy të dashuruarit, ndërkohë që për Maksin ajo perceptohet si një Taksi/Kalë Troje/Përbindësh që do t’i ngjallë atij (Maks-Menelaut) ndjenjën e hakmarrjes e të ndëshkimit të tradhtisë bashkëshortore. Linja e dashurisë He/LenaGent, nën kërcënimin e vazhdueshëm të Maksit, bashkëlidhet me linjën socio-politike te Furgon-Kalë-PËRBINDËSHI, ku gjen Të kujtojmë që Përbindëshi, Monstra, përfytyrohet si “krijesë e keqformuar kafshërore me defekt në lindje, me formë e përmasa jonormale që sjell fatkeqësi e të fut tmerr, ankth e të ngjall neveri”. Figura mitologjike e Përbindëshit që del në besime e përralla popullore, si: kuçedra, lubia etj., perceptohet si një qenie fantastike e stërmadhe, e shëmtuar me fuqi shkatërruese. I ndërtuar si “një lojë pasqyrash, midis reales dhe mitikes, ku rrezet e një ankthi jashtëkohor shpërbëhen në një enigmë asnjëherë e zbardhur tërësisht… Përbindëshi është një roman kapërthyes, çuditërisht i afërt dhe madhërisht i largët, që të mban të mbërthyer gjatë edhe pasi e ke kthyer faqen e fundit”, shprehet Jean-Marc Régent (Kapërthyes, çuditërisht i afërt dhe madhërisht i largët. (Kuçuku, B. Kadare në gjuhët e botës, 2015, f. 339) […]

I strukturuar në XVIII kapituj, romani është barazndarë në dy pjesë: nëntë kapitujt e parë i kushtohen Kalit të Trojës dhe bashkëkohësisë dhe kapitujt nga IX–XVIII qendërzohen te vizita në Galerinë e Arteve, për të lexuar epokat përmes miteve, si në një pasqyrim narcistik përmes të cilit Kadare kërkon “domethënien bashkëkohore të një “monumenti” të famshëm të kujtesës kolektive botërore”. (Éric Faye, Përbindëshi, Jeta e Re, f. 153).

220px-Përbindëshi_(Roman)

Aludimet dhe interferimet e ngjarjeve politike shqiptare dalin në mjediset e fakultetit, në biseda studentore, për zbulime komplotesh, si lajme qendrore radiofonike të përditshme (të orës 20:00) për “shantazhe të njërit shtet kundër tjetrit, ankime, kërcënime të hapura ose të fshehta për shpallje lufte”, si interpretime tezash studimore për Kalin homerik dhe personazhe antike, si: Agamemnoni, Menelau, me “enigmën e mermerit”, me skulpturën e famshme të Laokoontit, me gjarpërinjtë etj., si statuja të vogla idhujtarie ideologjike nacionale e mbinacionale (busti i Marksit), për t’u theksuar me memorien e arteve figurative të piramidave të faraonëve (Galeria e Arteve), e cila thellon penetrimin në lashtësinë egjiptase e projekton rrezatim universal të “zezonës” së diktatit. Gërshetohet ligjërimi eseistik me atë artistik në përsiatjet e rrëfimtarit për Laokoontin, “një lloj alter ego e vetë autorit”, siç e quan studiuesi B. Kuçuku, Gent Ruvina e ka shprehur hapur disa herë që nuk mund të ishte në një rresht me ata që e donin Kalin e Trojës, as si ndodhi homerike, as si ngjarje reale, ndaj dyshimi që pas Kalit të Trojës gjendet e vërteta e të çon në rishkrimin e historisë. Figura e Laokoontit artikulon pamundësinë për të shprehur fjalën e lirë, bllokim fizik e psikologjik pa rrugëdalje që mbart e transmeton për publikun ndër shekuj memorien e ngrirë të historisë, versionin e vetëm formal, zyrtar e shtetëror të rrethanave të vdekjes, ndërkohë që legjenda e jep qartë se “ishte kundër afrimit me grekët”. Çdo dokument e informacion është djegur e shkrumbuar për të asgjësuar burimet alternative, që do të mund të hidhnin dritë në të vërtetën e kurthvdekjes së tij, ndaj doktoranti R/u/vina guxon të godasë e të shkatërrojë të vërtetën e lashtë false që historia po riciklon; ai është i bindur se misterin që Laokoonti po e merr me vete, rrëfimtari do ta artikulojë në rrafsh ideologjik përmes tensionit ligjërimor që krijon te lexuesi makthin e dhunës fizike e emocionale, personale e kolektive në diktaturë. Ligjërimi eseistik dyshues dhe hedhja e tezave hipotetike për Kalin e Trojës, verbërinë eomerit Homerit, Akilin si dezertanti i parë (antiheroi), synojnë të hedhin dritë te mjegullnaja e formave shtetërore të krijimit dhe shkrimit të historisë, po aq sa sjellin angazhimin vetjak në rishkrimin e saj. Ideja se Kalë-Furgon-Përbindëshi nuk është i vetmi kurth i historisë dhe i politikës mbështetet kështu me figura të tjera të rëndësishme të antikitetit grek, duke e zhytur atë në një klimë të tillë përzitëse, dyshuese, hipotetike e njëherësh përmbysëse.

kadare-1

Është një kohë tradhtie kudo, – tha ai. – Kohë e Kalit të Drunjtë Total, në qoftë se mund të përdoret një term i tillë. Ose shkurt, koha e TotalKalit. (f. 119) E mbështet këtë “Fausti i ri i ricikluar te Stalini, siç e cilëson André Clavel (Kuçuku, B., f. 34) Konstruktorin, i cili kishte projektuar “një gjë unikale, të re dhe të papërsëritshme në historinë e njerëzimit. Ç’ishte Muri Kinez? Ç’ishin, në fund të fundit, piramidat e faraonëve të Egjiptit, përpara asaj që kisha krijuar unë…? (f. 86) Kali që ngrita unë ishte një makinë me këmbët në mitet e me kokën në kohërat moderne. Një makinë frike, që do të mund t’i përshtatej çdo kohe për të punuar me frikërat e çdo brezi njerëzor… (f. 87). Në botën ku dukej se të gjitha kobet ishin shpikur ndërkaq, unë krijova një tmerr të ri, më totalin e të gjithëve, tmerrin politik… Unë pra, kisha projektuar kalin madhështor prej druri, patkonjtë e të cilit do të tingëllonin me shkëlqim dhe tmerr përmbi epokat njerëzore… (f. 88). Vetëdija e konstruktorit se ka krijuar një vepër gjeniale mes së përkohshmes dhe të pakohshmes (të përhershmes), Furgon-Kalë-Përbindëshi bart e transmeton tmerrin politik gjithëkohor e mbarënjerëzor, duke rrezatuar diktatin nga koha e Kalit të Tojës te Koha e Kalit të Drunjtë Total, gjegjësisht në kohën e TotalKalit.

(*Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, UT)

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..