A mund të parashikohej një tragjedi në Kosovë? Çfarë luhet në të vërtet përmes këtij konflikti? Mos vallë shqiptarët janë një popull i tepërt? A janë kosovarët realisht viktima të një gjenocidi? Muaj pas muaji duke iu përgjigjur pyetjeve të Denis Fernandez Recatala-s Ismail Kadare flet për fatin e popullit të tij. Me fillimin e bombardimit të Nato-s mbi Jugosllavi, fjalët e tij përcjellin një vërtetësi therëse..

Bisedat e mëposhtme kanë si temë kryesisht luftën. Janë regjistruar gjate një periudhe prej tre vjetësh. Çdo takim me Ismail Kadarenë fillonte dhe mbaronte me arsyetime politike që, siç do ta vini re, shfaqen herë pas here në bisedat tona. Objektivi ynë ishte të shpalosnim ekzistencën e përfolur të një shkrimtari që vjen nga një tjetër botë, nga një botë që tanimë i përket së kaluarës e nga e cila kanë mbetur vetëm disa drithma të një bishe në agoni të zgjatur artificialisht.
Me fjalë të tjera, qëllimi ynë ishte të ndërtonim së brendshmi mozaikun e një totalitarizmi komunist. Për disa arsye të miat kam qenë, si të thuash, një kushëri i largët me totalitarizmin, por pa e praktikuar apo pësuar prej tij. Dhe në njëfarë mënyre kjo karakteristikë e lehtësoi takimin tonë.
Gjuha e përdorur nga Ismail Kadare nuk ishte e huaj për mua.
Dëshmitë e Ismail Kadaresë janë tepër të rëndësishme: ato përshkojnë një zonë të panjohur, një despotizëm ballkanas, saktësojnë detajet e një diktature dhe hedhin dritë mbi mizorinë e një tiranie, parë me syrin e një njeriu që e ka vuajtur këtë tirani.
Fillimisht u befasova nga distanca, përpikëria dhe hollësitë e tepërta me të cilat Ismail Kadare fliste duke e dënuar këtë tirani edhe pse, hera- herës, e rrëmbente zemërimi — që më pas ia linte vendin hidhërimit shkaktuar nga shpresa e tradhëtuar e një populli të çliruar menjëherë pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës (regjim që vazhdoi edhe pas vdekjes së këtij të fundit).
Në Çekosllovaki, Vaclav Havel kishte dhënë mendime të njëjta, të cilat u bënë publike nga Anton Liehm (në mos gaboj) në Parlamentin e Strasbourg-ut me rastin e një simpoziumi ndërkombëtar ku merrnin pjesë filozofë, sociologë e shkrimtarë.
Nuk e di pse nganjëherë i kemi shkurtuar këto thënie apo i kemi lëvduar kronikat tona për luftën, ndërkohë që e ndiqnim ecurinë e saj me një zell gjithnjë e me këmbëngulës. Kishim turp? Nuk donim të hiqnim dorë nga dekori që kishim ndërtuar primitivisht? Apo i bindeshim një logjike të dramaturgjisë, logjikë që merrte formë pa dijeninë tone? për momentin nuk jam në gjendje t’u përgjigjem pyetjeve të tilla. Nuk e kam transkriptuar tërësinë e bisedave tona. Lufta ishte e pranishme në shumicën e këtyre bisedave dhe ne nuk e anashkaluam atë, madje ajo ishte dhe fillimi i bisedave më pak të rëndësishme. Duke e hedhur vështrimin pas, shoh se kjo luftë na u imponua pak nga pak „në libër“ Aktualiteti i saj e devijoi projektin tonë dhe, përfundimisht, pamë se i kishim lënë vendin që meritonte derisa më datë 5 maj 1999 regjistruam një bisedë të gjatë, në pamje të parë pa lidhje, nën një atmosferë të rënduar. Por pikërisht nën këtë këndvështrim „vrasës“ duhet lexuar dhe ky libër. Sikurse dhe ne, për asnjë moment, nuk hoqëm dorë nga qëllimi i këtij këndvështrimi.
Duhet të nënvizoj këtu se shumë qëndrime të Ismail Kadaresë gjatë bisedave tona mbështeteshin në fakte. Si rrjedhim, fjala e tij ka shumë vlerë. Ajo del kundër verbërisë ku janë zhytur shumë vëzhgues, zyrtarë e jozyrtarë. Sigurisht, nuk të vjen keq që kjo luftë ngjalli heshtjen e elitës (ne kundërshtim me intelektualët dhe artistët), por që ajo tregoi caqet e diplomacisë e cila, për të arritur një marrëveshje për rastin e Bosnjës, harroi të përfshinte në këtë marrëveshje dhe disa nene që do të vlenin për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Dhe nëse pati një fundosje, kjo ndodhi për shkak të një frenimi të politikës. Edhe tani, në këto momente, duket se ka pak njerëz që janë gati të vdesin për Kosovën. Sipas zonjës Roland para togës së ekzekutimit, në emër të Lirisë kryhen shumë krime, por po kryhen dhe shumë të tjerë në emër të moderimit (mosndërhyrjet që stolisin historinë evropiane), që më së shumti provokohen nga paaftësia, nga një paaftësi e maskuar nga tigri prej letre i te ashtuquajturit kujdes.
Në fillim, pra, ishte Kroacia, më pas Bosnja dhe krimet e saj të shumta, lëshimet e saj ndaj një barbarie që kujtonim se kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë në kontinentin që kishte parë luftën e Spanjës, Shoah-un (gjenocidin mbi hebrenjtë) dhe krimet masive staliniane… Ashtu siç e dëshmojnë dhe këto faqe, Shqipëria ri-zgjohet në kaos dhe po ushtrohet spastrim etnik në Kosovë ku Krimi — si një negativ i tablosë së Prud’hon-it — përndjek Drejtësinë dhe Pafajësinë.
Në të vërtetë, duke u nisur nga një fëmijëri shqiptare dhe nga përkufizimi i totalitarizmit në Shqipëri, ne nuk kemi bërë veçse, po ta shikosh më nga afër, përmbushjen (apo ofrimin) e programit tonë, duke vëzhguar lëkundjet dhe tronditjet që shkaktoi gjaku i derdhur diku në jugun e largët në kufijtë e Evropës.
Parathënie e „ Kohë Barbare“ DENIS FERNANDEZ-RÉCATALA, 9 Maj 1999
- *Denis Fernandez Recatala-s është shkrimtar dhe skenarist, autor i shumë librave në Francë.