BARONI GROULT

* Baroni Groult është shkruar më 2004 dhe i kushtohet Baronit Groult, një intelektuali të moshuar francez të cilit në pleqëri i lind një dashuri e madhe për popullin shqiptar.

BARONI GROULT

Kur Pierre-Bordeaux Groult,

historian dhe themelues i një fondacioni të rëndësishëm, më tha se ishte koha që ne të dy të bënim një udhëtim në Romë, më saktësisht, në Vatikan, për të paraqitur atje disa çështje të Ballkanit, kryesisht të kombit shqiptar, i kisha të gjitha arsyet që, me gjithë dendësinë e angazhimeve të “rentrée littéraire”, të thosha aty për aty “po”.
Ishte prekëse, natyrisht, që një zotni i shquar tetëdhjetvjeçar, të shfaqte një pasion të tillë për një zonë të Europës, që s’kishte qenë kurrë, e, në radhë të parë, për Shqipërinë e vogël, për të cilin shumica e europianëve kishin opinion shpërfillës, çka e mllefoste atë dhe bënte të qepej edhe më fort pas bastit të fundit të jetës së vet: ta përmbyste këtë opinion.
Ndonëse m’u duk pakëz i tepruar besimi i tij se brenda një dite e gjysmë do të takonim së paku dy kardinalët më të rëndësishëm të Vatikanit, sekretarin e shtetit për punët e jashtme dhe shefin e së famshmes “propaganda fide”, për asnjë çast nuk më shkoi mendja t’i shfaqja lëkundjen më të vogël.Kisha vënë re se, ndonëse ishte i sjellshëm përsosmërisht mondan, zotin Groult., ose baronin, siç,e thërrisnin zakonisht, nuk e kundërshtonte askush për asgjë. Natyrisht që ishte i njohur e kishte ndikim në sfera të larta , natyrisht që ishte i pasur, por as ndikimi, as pasuria s’mund ta kushtëzonin këtë.
Parisi është rënga me personazhe të rëndësishme, madje shi kur ti qëllon të njihesh me një të tillë, aty për aty një tjetër personazh, dyfish a trefish mbresëlënës, shfaqet në tryezën fqinje. E njëjta gjë mund të thuhet për moshën. Gjer para pak kohe, tetëdhjetëvjeçarët dukeshin me autoritet të siguruar por kohët e fundit, me zgjatjen e jetës nëntëdhjetëvjeçarët po bënin kërdinë nëpër sallonet mondane. Do të sundojnë, me sa duket, gjatë , përderisa s’ka ndonjë shpresë që nëpër darka e pritje të shfaqen të vdekurit…

Pasioni për Shqipërinë dhe shqiptarët i është zgjuar Groult-it vonë, në moshën tetëdhjetedyvjeçare. Thotë se, duke vrarë mendjen për spikamën e Europës së ardhme, ndërsa ndiqte konfliktin në Ballkan, nën ndriçimet e shkurtra të lajmeve të ngjashme me ato të vetëtimave në stuhi, ka vënë re, më saktë ka zbuluar se diçka nuk shkon në raportet e Europës me Ballkanin, se diçka ka qenë e gabuar në themel, shkurt, se diçka duhet ndrequr.
Kjo diçka e gabuar lidhej, sipas tij, në radhë të parë me kombin shqiptar. Identiteti i këtij kombi, kultura, gjuha feja, së fundi roli që duhej të luante, janë shpërfillur në mënyrë dramatike. Ridalja e këtij kombi në skenë, rehabilitimi, rilindja e tij, është e domosdoshme, ndryshe gadishulli i madh s’mund të gjejë qetësi. E ai, si historian e di mirë se, në qoftë se Ballkani nuk e gjen qetësinë.

Europa gjithashtu s’mund ta gjejë atë. Dikush e ka këshilluar që, për të kuptuar kombin enigmatik të shqiptarëve, të lexojë veprën e një farë I. Kadare. Dhe në këtë pikë, Pierre Bordeaux Groult bën një zgjedhje përfundimtare.
Mendimet e tij për rishikimin e historisë së gadishullit i shpreh në radhë të parë në revistën që drejton vetë, pastaj në letra, deklarata forume konferenca, nisma franceze ose europiane, në të cilat nuk mungon kurrë. Shkurtimisht, ideja e tij është se ndryshe nga ç’është shkruar menduar shpifur etj etj., kombi shqiptar, pavarësisht nga pluhuri dhe gurët, që i kanë rënë mbi krye, është, në mos më europiani midis popujve ballkanas, siç ngul këmbë ai, së paku, ndër më europianët. Rrjedhimisht, Europa duhet të mbështetet te ky komb për emancipimin e Ballkanit.
Këtë mendim, që për shumë njerëz duhet të tingëllojë provokues, heretik, “politikisht jo korrekt“, ai e shpreh haptas dhe pa doreza. Ai e shpreh kështu edhe në kushtet më të vështira për një aristokrat, në darkat mondane, në shtëpin e vet. Te Groult darkat janë madhështore dhe të ftuarit të zgjedhur me kujdes.
Ka midis tyre ministra, akademikë, drejtorë gazetash të mëdha, kushërira dhe kushërinj sqimatarë, princa si ai i Malit të Zi, arkitekti Nikolas Petrovich-Niegosh, që nuk e ka qejf pushtetin, ose mbreti Siméon i Bullgarisë, që bëhet gati të bëhet kryeministër. Në darkën e tij nuk mungojnë kurrë ambasadorë të huaj, dy-tre e nga njëherë pesë-gjashtë, midis të cilëve nunci apostolik i Vatikanit, që zakonisht edhe bekon darkën. Në këto darka, njëzet minuta pas fillimit, midis pjatës së hyrjes dhe asaj kryesore, i zoti i shtëpisë, Groult, mban një fjalim të shkurtër. Në të gjitha rastet fjalimi ka lidhje me Europën, në asnjë rast nuk ndodh kurrë që gjysma e tij të mos merret me “mëkatin” që është bër, pikërisht prej Europës ndaj kombit shqiptar.
Groult ka zë të fortë për moshën e tij. Por ai ngjan edhe më shumë i tillë, ngaqë, ndonëse ndodhet në shtëpi të vet dhe ndonëse disa nga të ftuarit mund të ndihen si të fajësuar prej tij, ai nuk ka asnjë mëdyshje.
Më vjen habi kur nuk shoh asnjë shenjë nervozizmi ose rezerve te të ftuarit për këtë trill të të zotit të shtëpisë. Sepse nuk është e zakonshme që në darka të tilla të flitet kaq shumë për një vend të vogël, të panjohur. Dëgjojnë me vëmendje akademikët, zyrtarët e lartë, zonjat e mëdha, ambasadori holandez, madje ai rus.
Groult nuk mjaftohet me kaq. Si për ti futur xixat kësaj pune, nuk harron të thotë se “është miku im, I.Kadare, që, me veprën e tij, më ka hapur sytë për këtë problem madhor”.
Të them të drejtën, nuk ndihem në një skajim të lakmuar. Më duket se të ftuarit, ndërsa kthejnë kryet nga unë, do të mund të mendojnë: “qenka ky që ja paska prishur mendjen Groult-it tonë, në muzg të jetës së tij”
Kam qenë i bindur se, së paku, zonja Groult do të jetë shqetësuar sadopak nga këto fjalime, por, në një nga darkat, Helena më la gojëhapur kur më tregoi se pikërisht zonja Groult, në kohën që po ndaheshim, i kishte thënë: Do ti heq vërejtje Pierre-it, se sonte m’u duk se nuk i mbrojti aq sa ç’duhej shqiptarët”.
Në të vërtetë Groult është ndoshta njeriu më këmbëngulës që kam njohur. Një herë më mer në telefon, për të më thënë thënë se ka ndodhur diçka e keqe: ministri Edmond Davedjan, me origjinë armene, i acaruar, me sa duket, me zjarrminë proshqiptare të Groult-it, i ka thënë se ka pasur gjeneralë shqiptarë, që kanë komanduar trupat turke, që masakruan armenët.

Ah pa shiko! i them. Një shpifje më shumë. S’u bë hataja. Ai më bind s’është ashtu. Ministri Davedjan është një nga më të zgjuarit dhe më ndikuesit në qeverinë franceze. Groult-i mendon se duhet t`i shkulet sa më shpejt nga koka kjo ide e mbrapshtë. Ai mendon se për këtë duhet të hamë një drekë të tre në shtëpinë e Groult-it.

Përgatitemi të dy për drëkën. Në të vërtetë, një nga gjeneralët që udhëhoqën krimin, Enver pasha, kronikat e japin me zanafillë të turbullt ballkanase. Vetëm kaq. Ka gjasë që emri i Enver Hoxhës të ketë qenë një shtysë fare e rastit në këtë hamendje.
Edmond Davedjan është tepër i zgjuar. Për disa minuta ai kap atë që të tjerëve do t’u duheshin disa orë. Mjafton të sqarohet se më 1915, koha e masakrës, Shqipëria sapo ishte ndarë nga perandoria dhe quhej e pabesë, njëlloj si armenët, se shumë armenë u strehuan në Shqipëri fill pas tragjedisë dhe se marrëdhëniet e tyre me shqiptaiët janë të shkëlqyera, që ai të bindet.
Groult-i është i lumtur si lë ishte fjala për njerëzit e vet.
Ky është zóti Groult. Ndaj është vështírë t’ia prish qejfin. Ndaj edhe sikur të më thotë se duhet të nisem diku në Senegal apo tek eskimezët, se atje na u bëka një mbledhje e rëndësishme për Ballkanin, është vështirë ta kundërshtoj!

Nisemi për Romë pasdite vonë. Sekretarja e Groult-it më lajmëron në telefon se shoferi i tij vjen të më marrë pas disa minutash. Zonja Groult më merr për të më thënë se ajo do të lutet për ne në kishëzën e tyre, që ashtu si shumë familje të mëdha, Groult-ët e kanë brenda shtëpisë.
Kaliks Groult, thellësisht fetare, kështu është lutur për shqiptarët e Kosovës gjatë masakrave dhe bombardimit, ashtu siç është lutur për kombin francez, për viktimat e kullave binjake të Nju-Jorkut dhe, natyrisht, për problemet e familjes gjatë jetës së tyre të gjatë.
Në Romë mbërrijmë afër mbrëmjes. Hoteli është në Via Weneto por ngaqë me rezervimet e vendeve dhe gjithçka tjetër është marrë Groult, nuk vë re si quhet. Shikoj vetëm emrin e njohur të Excelsior përballë.

Përpara se të shkojmë për darkë bëjmë një shëtitje më këmbë. Kam qenë shumë herë në Romë dhe, si shumica e të huajve, një pjesë të kujtimeve i kam te kjo rrugë, gjë që do njëfarë guximi ta thuash, pa u marrë si dashurues i sipërfaqshëm i Romës. Ngaqë nuk kam ndonjë kompleks dhe i bindur se di nga Roma disa gjëra që as banorët e saj s’i dinë, s’kam drojë të shpall joshjen time nga Via Veneto.
Groult-it i tregoj njohjen time të parë me Romën. Nëntor i ftohtë, me shi dhe mjegull, mesnatë, vit i zymtë 1967. Kthehem nga Kina dhe vietnami pas një qëndrimi pesëjavësh atje. Në aeroport të Pekinit takoj një delegacion gazetarësh, midis të cilëve Dritëro Agollin. Ngaqë s`ka linjë për Tiranë, zbresim në Romë. Të humbur, të trullosur nga gongu kinez dhe gjëmat që kemi dëgjuar atje, dy vetura të ambasadës na çojnë në një hotel të vogël me emrin Helios, në mos gaboj. Nata është si ankth. Pa gdhirë mirë, aty nga ora pesë, nuk di pse, dal në korridor. Përballë meje mezi dalloj një si figurë të turbullt, groteske, që më ngjan si dyzimi im. Kur i afrohem, e shoh që është Dritëro Agolli. S’më zë gjumi, thotë. Mua më keq i them. Flokët i kemi të kërleshur të dy dhe sytë si të vëngër. S`di se cili propozon të dalim në rrugë.
Jashtë është ende errësirë. Shiu imton si më parë dhe rruga është xhan-xhin. Vetëm diku larg duket diçka e ndriçuar.Kur afrohemi shohim se është një një bar i vogël. Brenda ka njerëz. E shtyjmë me ndrojtje derën prej qelqi.
Buongiorno signori! Zëri i banakierit është kaq i fortë, sa na del gjumi plotësisht. Vjen erë e mirë kafeje. Në njërën nga tryezat, një klient, ndërsa gjerb kafenë, vazhdon të flasë me zë kumbues me banakierin. Një tjetër, bashkë me një karabinier pinë diçka te banaku. Karabinieri ka me vete një qen të madh leshtor.
Banakieri na thotë diçka, por ne s`kuptojmë asgjë. Ai ngul këmbë dhe Dritëroi i kthen njëfarë përgjigjeje. Sytë e të gjithëve kthehen gjithë habi.
Dreq o punë, thotë Dritëroi. Në vend që t’i them se po vijmë nga Kina, më duket se i thashë që jemi kinezë,
S’ka kohë t’i them se me ata sy gjysmë të mbyllur ngjajmë me siguri ashtu, sepse italianët aty për aty ja plasin të qeshurës. Qeshim dhe ne.
Më duket se na morën për të lojtur, thotë Dritëroi. Unë mendoj të njëjtën gjë, por kjo s’më duket ndonjë hata. Më në fund, porositëm nga një kafe.
S’besoj të më ketë shijuar ndonjëherë më shumë një kafe.
Dritëroi mendon të njëjtën gjë. Pas një muaji shkretëtirë prej revolucionit kulturor, një kafe e vërtetë, në një bar të vogël të Romës ndaj të gdhirë, pranë dy klientëve të panjohur dhe një karabinieri që mban zinxhirin e një qeni, na duket si kulmi i njerëzillikut të jetës.

Është koha kur ende flasim haptas, kështu që, pasi i themi njëri-tjetrit disa nga qyfyret e këtij udhëtimi, shfryjmë kundër shtetit shqiptar, që ka bërë aleance me atë mynxyrë që sapo lamë pas. E kisha vënë re gjatë udhëtimit, por do ta ndieja edhe më fort në udhëtimet e mëvonshme se, kur vjen nga jashtë shtetit, sa më shumë i afrohesha Shqipërisë aq më fort të kap nervozizmi kundër saj. Bashkë me ankthin, natyrisht.
Ç’gjuhë flisni? na pyet banakieri. Shatra-patra i themi se jemi shqiptarë që po kthehemi nga Kina.
Ah, shqiptarë! Thonë ata. Ah, nga Kina!
S’dimë aq italisht për t’iu thënë se ç’ka këtu për t’u habitur kaq shumë.
Tani nuk qeshin më, veç na duket se po na shohin me dyshim.
Më në fund, paguajmë dhe dalim. Jashtë po gdhin, por shiu ende s’ka pushuar. Ecim pa folur dhe pa e çarë kryet se po lagemi si dy qyqarë

S’kishim parë ende asgjë nga Roma, s’kishim pasur rast të bëjmë asnjë krahasim me pluhurnajën e trishtë të Shqipërisë, por kishte mjaftuar një bar i vogël nate, në një rruginë të humbur, dhe një kafe e pirë njerëzisht ashtu si qindra vita rresht në kafenetë e hapura që pa gdhirë, për të na zgjuar një nostalgji të padurueshme.
Në Via Veneto, përbri kafeneve luksoze, në njërën prej të cilave do të ulemi pas darke, Pierre Bordeaux-Groult më dëgjon me vëmendje, por jam i sigurt se e ka vështirë të kapë thelbin e asaj që tregoj….(pjesë ese e përfshirë në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand” të shkrimtarit Ismail Kadare)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.