
9 mars , 1999
Parisi përgatitet për konferencën e re. Kjo do të jetë përfundimtarja. Shumëkush e thotë këtë frazë me mosbesim, një tjetër me ironi e ndonjë, kushedi pse, me zemërim. Biseda e Kosovës është kudo. Në të gjitha emisionet televizive, në radio, në shtyp, e sidomos në dreka e darka. Gra e burra mondanë, që më parë do t’u dukej si shenjë e shijes së keqe përmendja e një rrafshulte ballkanike në tryezë, tani e hapin bisedën më parë se ç’pritet. Kosovo, kështu shqiptohet, apo jo? Dhe do të thotë përnjemend „Fushë e Mëllenjave“? Dhe gjithçka ka filluar një mijë vjet më parë, për shkak të një lufte të humbur? Quelle absurdité!
Në Paris është gjë e zakonshme të takosh të njëjtët njerz të njohur në darka apo pritje të ndryshme. Megjithatë, shpeshtia e takimeve me princin e Malit te Zi, Nicholas, stërnip i Njegoshit, e kalon të zakonshmen. Arsyeja merret me mend: e therrasin kudo. E njoh prej vitesh. Gjithmonë më ka habitur kthjelltësia e tij dhe mendja e hapur, krejtësisht e emancipuar. Dhe të mendosh se një trashëgimtar kurore në Ballkan të jetë dhjetë herë më i qartë e njerëzor, sesa shumica e shkrimtarëve e filozofëve të Jugosllavisë së sotme që, për fat të keq, janë molepsur nga kombëtarizmi i keq.
I drejtohen të gjithë me „Monsinjor“, por është aq i hapur e i komunikueshëm, saqë një ditë, pasi ishte kthyer nga një udhëtim nate në Mal të Zi, ku ishte bashkë me Jean-Francois Deniau, gjatë drekës në breg të detit, te Vila e Julien Roche-it, në Durrés, e pyes: ç’ngatërresa keni bërë natën që shkoi, atje, në Mal të Zi? Qesh me menyrën e tij të veçantë, të çiltér, gjer në fund, djaloshare. Në të vërtetë, nuk e fsheh që ka lidhje atje dhe, pa dyshim, ndikon në rrethe të rëndësishme. Pak kohë më parë, kur acarimi i ri në Kosovë kishte filluar, ishim për drekë tek ish-ambasadori i Frances në Tiranë, Jacques Faure, që sapo është kthyer nga Estonia. Në kohën kur është i modës një festival i tërë hipokrizie, ku gjithfarë intelektualësh e shkrimtarësh e filozofësh, gjithfarë Drashkoviçer e Komneniçër shpallin se kanë qenë kundër Millosheviçit, por trysnia europiane i ka bërë të hidhen në krahët e diktatorit serb, princi nuk ka lëvizur asnje grimë nga qëndrimet e tij të mëparshme. Po ai mendim për natyrën kriminale të regjimit serb, për të ardhmen e Ballkanit, për Kosovën, për gjithçka.
I them se, ndoshta, nuk është e rastit që në Shqipëri, me gjithë mosvëmendjen e njohur të shqiptarëve për kulturën e sllavëve të jugut, poema e gjyshit të tij, „Kurora e maleve“, është një nga të rrallat që përmendet, sidomos në kritikën e viteve tridhjetë.
I njeh mirë shqiptarët dhe zakonet shqiptare, dhe e shoqja e tij kujton raste të vizitave në „shtëpitë e mëdha“ shqiptare, vitet e fundit, në Mal të Zi. I them të gjejë e të lexojë një libër të Gesemann-it për „Mendësinë dhe për marrëdhëniet e përditshme shqiptaro-malazeze“, shkruar e botuar në fillim të shekullit. Në atë libër kam gjetur për herë të parë shprehjen përtaci heroike.