Shkruan : ISMAIL KADARE
Në prag të mijëvjeçarit të tyre të tretë, që është edhe mijëvjeçari i tretë i botës së sotme, shqiptarët i priste një befasi tragjike. Ishte e pangjashme me dramat e mëparshme, ndaj ishte, ndoshta, dhe më e hidhura. Një vizatim në një gazetë franceze të atyre ditëve e jepte tronditshëm thelbin e ngjarjes: Njëra kokë e shqiponjës dykrenare, zogut simbolik të shqiptarëve, përpiqej të mbyste kokën tjetër. Marsi i egër i viti 1997 do të hyjë në historinë e këtij vendi si marsi i vetëvrasjes. Nuk teprohet aspak po të thuhet se Shqipëria u përpoq të vetëvritej.
A ishte e denjë kjo për një popull që ka mijëra vjet që jeton në këtë botë të vështirë? A ishte shenjë papjekurie, lodhjeje apo fatalizmi? Së fundi, a ishte e turpshme?
Për dikë që shkon drejt vetëvrasjes, gjykimi i pastajmë, qoftë i atij vetë, qoftë i të tjerëve s’mund të jetë kurrë as tepër i saktë, as tepër i qartë, e aq më pak, as tepër i pamëshirshëm. Por ne, nëse nuk jemi në gjendje të shkoqitim e të zhbirojmë shkaqet e thella e ndërthurjen e kushteve që e sollën popullin shqiptar në këtë ditë me të vërtetë të zezë të tij, jemi të detyruar ndërkaq që çdo mendimin tonë, çdo përpjekje e çdo veprim tonin të tashëm ta vemë në lidhje me këtë tragjedi. Ajo është e tillë që nuk të lë të qetë. Ajo është zotëruese dhe klithëse. Ajo shtron pyetje dhe kërkon përgjigje nga të gjithë.
MITI I KATASTROFËS
Popujt, ashtu si qeniet njerëzore kanë dëshirë të kujtojnë fatkeqësitë e kaluara. Me kalimin e viteve, shpesh qëllon që këto fatkeqësi të skajuara në ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë trajtë, rrallë herë zbehen ose harrohen, së shumti zmadhohen ose nxihen më fort. Në ndryshim me qenien njerëzore, që e ka jetën të shkurtër, jetëgjatësia e kombeve krijon kushte për tjetërsimin e fatkeqësive, të cilat disa herë shndërrohen në mite të vërteta. Në këto mite mbështetet shpesh kujtesa historike, prej tyre ushqehen letërsia dhe artet ose krijohen psikoza fataliste që ngjyrojnë për një kohë të gjatë atë që quhet shpirtësi e një populli. Ndërkaq, ka raste që prej këtyre miteve ushqehen propagandat shoviniste e doktrinat hakmarrëse kundër popujve të tjerë.
Një nga mitet tipike që gjendet në historinë e shumë popujve është ai i katastrofës së dikurshme. Është një thyerje ose një humbje e dhimbshme ose disa gjëma të njëpasnjëshme, kujtimi i të cilave nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi shërben për fisnikërimin e një populli, kur selitet në një kah të mbarë. Për fat të keq, koha ka treguar se mund të shërbejë edhe për të kundërtën: për ta egërsuar një popull kundër të tjerëve.
Fatkeqësitë e kaluara të popullit shqiptar, pushtimi osman në shekullin XV, copëtimi i Shqipërisë në fillim të shekullit XX dhe izolimi i saj nga bota për faj të diktaturës komuniste në gjysmën e dytë të këtij shekulli nuk krijuan te shqiptarët as doktrina shfarosëse, as urrejtje kundër të tjerëve dhe kjo është një cilësi e admirueshme e tij. Nderimi dhe mbrojtja e tjetrit, e atij që është i ardhur, i huaj, mik ose bujtës, një mendësi që vjen qysh nga kohërat antike, ka qenë një nga gurët themelorë të qytetërimit shqiptar. Që ky nderim nuk është një shpikje poetësh e as një cilësi e elitës shqiptare, u rivërtetua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra mijëra ushtarët italianë të mbetur në Shqipëri nën mëshirën e popullsisë së armatosur shqiptare, pas kapitullimit të Italisë, nuk u prekën aspak prej kësaj popullsie, përkundrazi u morën në mbrojtje prej saj. Nga ana tjetër, është një fakt i njohur tashmë se Shqipëria ishte një nga vendet e rralla në botë, në mos i vetmi, ku asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Diktatura komuniste me politikën e saj veçuese u përpoq ta armiqësonte popullin shqiptar me gjithë botën, kryesisht me Europën Perëndimore, por nuk ia doli dot. Pas rënies së komunizmit, populli shqiptar dëshmoi ndaj të huajve europianë dhe amerikanë po atë ndjenjë miqësore të dikurshme.
Kjo tolerancë e gjerë e këtij populli e shoqëruar me tolerancën fetare, gjithashtu të vërtetuar gjatë shekujve, nuk u vu në dukje e nuk u çmua asnjëherë sa duhet. E ishte e nevojshme, për të mos thënë e detyrueshme të çmohej, sepse kishim të bënim me një shembull të shkëIqyer ballkanik, në kohën që gadishulli i madh u përfshi tej e mbanë nga furtunat shoviniste, nga intoleranca e urrejtja etnike e nga krimet e rënda të ushqyera prej saj.
Për t’u kthyer te miti i katastrofës, ky mit te shqiptarët, ndërsa nuk shkaktoi acarim kundër të tjerëve, mori, për fat të keq, një zhvillim të papritur: pezmatim kundërvetvetes.
ISMAIL KADARE, Fragment : “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”
Ein Kommentar