PSIKOZA MOHUESE

ISMAIL KADARE: — Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”

Rilindasit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: rizgjimi i atdhedashurisë.

Këmbëngulja e tyre për këtë rizgjim, këmbanat e tyre, thirrjet e zjarrta, shpeshherë të dëshpëruara, Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqiptar dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: një pjesë e shqiptarëve ishin ftohur prej atdheut të tyre. Turqizimi i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonin se ndjenja patriotike të një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre me lehtësi ishin gati ta këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe, një pjesë kishin turp të quheshin shqiptarë, të tjerët me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare.

Duhet thënë se kjo nuk ishte një dukuri e rrallë. Në shumicën e vendeve, ashtu siç ka një përqindje të popullsisë me prirje kriminale, ka edhe një përqindje me prirje të mbrapshtë (perverse) kundër atdheut të vet. Kjo është e njohur që nga kohërat antike, kur midis grekëve të vjetër gjendeshin gjithmonë njerëz e prijsa që bashkoheshin me armiqtë e Greqisë, e gjer në kohën tonë, te grupimet e ndryshme politike, sidomos ato ekstremiste, terroriste, maoiste etj., cilësi e parë e të cilëve është urrejtja kundër vendit të tyre dhe bashkimi me çdo forcë tjetër që është kundërshtar i tij.

Shqetësimi dhe ankthi i rilindasve lidhur me këtë hall të madh tregon se prirja kundërshqiptare e një pjese të shqiptarëve ka qenë një rrezik i ndjeshëm për Shqipërinë.

Një prirje e mbrapshtë nuk mund të mbetet gjallë për një kohë të gjatë, pa u ushqyer. Dashuria për atdheun është një ndjenjë e shëndetshme e natyrale, e cila me pak përkujdesje kultivohet lehtë. Kurse prirja e kundërt, mosdashuria për popullin tënd, është rrjedhojë e disa faktorëve këmbëngulës. Injoranca e thellë ku u zhyt për shumë shekuj populli shqiptar, mungesa e shkollave, e universiteteve, e akademive, e institucioneve kulturore e, natyrisht, mungesa e strukturave shtetërore e zbehu fort shqiptarizmin ose, në rastin më të mirë, e la atë në një nivel parak (primitiv), që me vështirësi e kapërcente folklorizmin. Në kushte të tilla, përkitja me një kulturë të huaj ishte tronditëse për shqiptarët. Ajo krijonte dy rrjedhime: ose i shtynte ata, që në shembullin e kësaj kulture të ringjallnin kulturën e vendit të vet, ose e kundërta, i largonte përfundimisht prej atdheut.

Kështu, në ag të çlirimit të Shqipërisë i kemi patur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe ashqiptarizmin e, disa herë, kundërshqiptarizmin e të tjerëve.

Rilindasit u përpoqën si titanët t’i bindin shqiptarët se nuk duhej të turpëroheshin nga vendi i tyre, se ata kishin një atdhe të bukur, se kishin një gjuhë madhështore, një nga 5-6 gjuhët themelore të Europës dhe një nga 10-12 gjuhët themelore të botës, se ishin racë e bukur trupërisht dhe tepër e aftë mendërisht, se kishin një histori të shkëlqyer, se gjëmat kombëtare nuk ishin një arsye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi për t’u afruar më fort me të.

Aksioni i rilindasve për zgjimin e Shqipërisë ishte më i madhi e më i gjeri aksion kulturor e patriotik në krejt historinë shqiptare. Rrallë herë emërtimi i një levizjeje përkonte plotësisht me qëllimin e saj, ashtu si në rastin e Rilindjes shqiptare. Në të vërtetë ishte ajo që e rilindi Shqipërinë, ose për të qenë më të saktë, ishte ajo që e lindi Shqipërinë moderne.

Që kjo lëvizje e ky vrull të ishin të suksesshëm, rilindasit e himnizuan dhe e sublimuan historinë e shqiptarëve. Ata qëmtuan në të kryesisht kulmet e ndritura, duke mos u ndalur në njollat e saj. Po me aq këmbëngulje ata vunë në pah vlerat morale e fizike të shqiptarëve, kryesisht virtytet, pa dashur të ndalen në cenet e tyre, që nuk ishin më të pakta se virtytet. Kjo ishte rrjedhojë logjikë e qëllimit të lëvizjes: rifitimit të besimit të humbur.

Një arsye tjetër që e përligjte plotësisht optikën e tyre pozitive ishte propaganda kundërshqiptare, që kishte nisur ndërkaq të kultivohej nga fqinjët e Shqipërisë: kryesisht nga rrethet shoviniste serbe e greke. Ishte një propagandë e egër dhe shtazarake që rrallë herë ishte parë në fytyrë të dheut. Përballë kësaj furtune të sëmurë, rilindasit shqiptarë mbajtën një qëndrim fisnik e të admirueshëm. Në vend që të binin në nivelin e saj, duke u përdhosur edhe vetë nga balta e kundërshtarëve, ata zgjodhën përgjigjen e tërthortë: lartësimin e vlerave shqiptare.

Ky vizion optimalist i rilindasve, i përfaqësuar në radhë të parë prej Naim Frashërit e më vonë prej Gjergj Fishtës, u bë objekt vërejtjesh e kritikash më pas e vazhdon ende sot, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. Në ngjarjet e fundit tragjike të Shqipërisë ishte pikërisht ky vizion rilindas që u sulmua në mënyrën më barbare. Një grusht intelektualësh renegatë e një grusht politikanësh të papërgjegjshëm, të bashkuar me turmat e vulgut shqiptar, u përpoqën dhe arritën t’ia vinin zjarrin Shqipërisë. Qëllimi i tyre ishte zhbërja e Shqipërisë, çka ata e treguan me shkatërrimet e vlerave kombëtare, të atyre që nuk ishin prekur as nga pushtuesi otoman e as nga ai nazist. Nga këto ngjarje Shqipëria, e ndoshta jo vetëm Shqipëria, por Europa e tërë, nxori një mësim që asnjëherë nuk ka qenë kaq i qartë: në kushtet e demokracisë turmat vulgare të fshehura prapa fjalës “popull” mund të kthehen në varrmihës të demokracisë, po aq sa tiranët, në mos më keq. Kjo është dhe arsyeja që grekët e vjetër, kur diskutonin për demokracinë, për të mirat e të këqijat e saj, ishin tepër gjakftohtë, pa paragjykime, rrjedhimisht pa entuziazëm. Nën trysninë e populizmit të majtë, bota e sotme, ashtu siç ka harruar mjaft mësime të historisë, e ka harruar, me sa duket, edhe këtë mençuri antike. Shqipëria, që e provoi në mish të saj ç‘do të thotë kjo karikaturë e demokracisë, shpresojmë të mos e harrojë.

Mësimi, pra, është i qartë: demokracia e pashoqëruar nga një strukturë ligjesh e një strukturë e fortë shtetërore që të sigurojë funksionimin e saj, mund të kthehet lehtë në të kundërtën e vet.

Përsa i përket kritikës ndaj vizionit të rilindasve shqiptarë, ajo, gjithashtu, duhet parë në rrethanat kur është bërë e në zhvillimin e dramës shqiptare. Ai vizion inkurajues lindi në kushtë të caktuara, për një qëllim të caktuar. Në kushte të mëvonshme, kur kombi shqiptar, ose së paku një pjesë e tij që e kishte shtetin e vet të pavarur, ndeshej me probleme të tjera, me probleme të së drejtës, të demokracisë, të emancipimit shoqëror etj., ai vizion kryekrejt optimist nuk ishte i mjaftueshëm. Ndaj edhe bota shqiptare kërkoi dhe gjeti shtigje të reja të mendimit e të veprimit.

Ndërkaq duhet thënë se, sipas një tradite të keqe ballkanase e sidomos shqiptare, traditë të të hedhurit nga një skajshmëri në tjetrën, shumë shqiptarë u treguan të paaftë të pranonin evoluimin e mendimit e të kulturës politike. Duke mos e kuptuar pasurimin e traditës ata nuk njihnin veç shkëputje të dhimbshme, shkëputje të pasuara me rrënim, paroksizmi i të cilave arriti kulmin në mars të vitit 1997.

Në botën e egër ku jetojmë, në kushtet kur Shqipëria është ende e brishtë, kur ajo është realisht e jo mitikisht e kërcënuar, në kushtet sidomos kur kombi shqiptar vazhdon të jetë i prerë më dysh, vizioni rilindas mbetet vizioni bazë për botën shqiptare. Kritika kundër veseve e ceneve tona, ashtu siç bën gjithë bota për vetveten, nuk është veçse një plotësim i këtij vizioni e jo një përmbysje e tij.

Për të parë më rrokshëm si funksionon një bashkëjetesë vizionesh, që, në shikim të parë, duket e pamundur, le të kujtojmë Faik Konicën dhe qëndrimin e tij ndaj Naim Frashërit.

Konica, personalitet brilant i botës dhe kulturës shqiptare, ishte i pari që u përpoq të hidhte një dush të ftohtë mbi zjarrminë rilindase. Me të drejtë ai u përpoq t’u kujtonte shqiptarëve jo vetëm cenet e tyre, por edhe mbrapshtitë dhe marrëzitë e tyre të herëpashershme. Ndërkaq, e parë nga largësia e kohës, optika e tij është kundërthënëse. Ai është vetë rilindas e po vetë kthehet kundër rilindasve. Punon e digjet për Shqipërinë e, aty për aty, i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njëjtën gjë. E adhuron dhe e lavdëron Naim Frashërin e më pas kthehet e s’i lë gjë pa thënë. Përgjërohet për atdheun që e ka larg, e mbron ku mundet, i del për zot kundër shpifësve e racistëve, pastaj kthehet e shan, e quan Zululand ai vetë, më keq se racistët. Mund të thuhet kështu se është ai, vetë Konica, që ngrihet kundër Konicës.

Nuk do të ishte me vend t’i kujtoheshin këto këtij kolosi të kulturës shqiptare, (në fund të fundit kolosëve u çmohen kryesisht lartësitë) sikur kjo anë e tij kundërthënëse të mos shfrytëzohej me qëllime të mbrapshta ende sot. Vitet e fundit, kur në prag të hyrjes së Shqipërisë në familjen europiane, kundër saj e kundër kombit shqiptar shpërtheu një fushatë e tërbuar raciste, me emrin e Konicës dhe me veprën e tij u bënë spekulime nga më monstruozet. Një zhgan intelektualësh antishqiptarë, së bashku me një pjesë të medias botërore, që iu sulën me një urrejtje shtazarake popullit të vogël shqiptar, për ta përbaltur, për ta mallkuar, për ta ndarë përjetë nga familja e popujve europianë, u rrekën ta bënin Konicën flamur të tyre. Ky do të ishte profanimi më i lemerishëm për Konicën e madh. Ndaj, për ta mbrojtur jo vetëm kombin shqiptar, por atë vetë, birin e tij të madh, jemi të detyruar të kujtojmë kundërthëniet e tij. Në fund të fundit, përçmimi dhe balta që do t’i hidhej këtij kombi do ta përbalte, në radhë, të parë fytyrën e kolosit.

ISMAIL KADARE, Fragment II-të : “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”

Ein Kommentar

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..