Kështjella e Makbethit

Kështjella e Makbethit, streha që ndezi letërsinë time

Zoti kryetar, anëtarë të panelit, zonja dhe zotërinj:

Ju falënderoj, ju falënderoj me gjithë zemër për nderin që po më bëni dhe për fjalët e ëmbla që u thanë.Në qoftë se unë do ta filloj fjalimin tim këtu me një homazh për letërsinë, duke konfirmuar besimin tim për të, më saktë të shpreh mendimin, se ka qenë letërsia ajo që më bëri njeri të lirë, ka gjasë që ky të duket një mendim tepër i thjeshtë, për një shkrimtar që ka bërë mbi dy mijë kilometra rrugë, për të ardhur në këtë kremtim.Në të vërtetë largësia midis Tiranës, kryeqytetit të vendit tim, dhe Edinburgut të Skocisë është e tillë e megjithatë unë jo vetëm do ta përsëris pohimin tim, por do të shtoja se në këtë histori, në raportet e mia me letërsinë.Më lejoni të përsëris këtu me dy fjalë, atë që e kam përmendur 40 vjet më parë, në një nga romanet e mia të para.Kam lindur e jam rritur në një qytet të vogël mesjetar shqiptar, nëmesin e të cilit ngrihet një kështjellë tepër hijerëndë. Në të gjitha regjimet,duke përfshirë edhe atë komunist, kjo kështjellë kishte shërbyer edhesi burg. Meqenëse dukej nga çdo pikë e qytetit, kështjella bashkë me burgun sipër saj rrezatonte peshë, pushtet dhe kërcënim kudo.Fëmijë u rrita nën hijen e saj. Por, në moshën 11-12 vjeçare, koha e leximeve të para serioze, një tjetër kështjellë e zotëroi befas mendjen dhe përfytyrimin tim. Një kështjellë skoceze, këtu pranë Edinburgut, ajo e Makbethit. Magjepsja ishte e tillë saqë befas, kështjella e largët skoceze e zbehu kështjellën e qytetit tim. U zbeh burgu i saj, rojet, kërcënimi i saj. Ndodhi kështu një gjë e habitshme: një adoleshent shqiptar, në një vend të humbur komunist, u josh, falë Shekspirit, nga mjegullat e Skocisë së largët.Rishtar i një bote tjetër, asaj të letërsisë, ky adoleshent ia besoi jo vetëm përfytyrimin, por ndërgjegjen e vet kësaj bote. Ligjet e saj u bënë për të ligjet kryesore. Shefat e saj, Shekspiri, Dante, Homeri, Kafka, u bënë shefat e vërtetë të tij.

Unë i besova kësaj magjepsje, ashtu siç i besohet një feje.Kur dëgjoj pyetjet që na bëhen shpesh ne shkrimtarëve të ish-perandorisë komuniste: si shpjegohet që arritët të bënit letërsi të mirëfilltë, në ato vende e në ato kohëra kur kjo dukej e pamundur, përgjigjja ime ka qenë pikërisht kjo: ne patëm besim te letërsia. Ishte ajo që përkushtimin dhe besimin tonë na e shpërbleu me bekimin dhe mbrojtjen e saj.Të besosh te letërsia do të thotë të besosh në një realitet superior. Të besosh te letërsia do të thotë që regjimi i frikshëm i vendit tënd të të duket shumë më i zbehtë se funebriteti madhështor i saj. Të besosh te ky art dotë thotë që ti të jesh i ndërgjegjshëm që qeveria që ty të sundon, që policia që ty të përgjon, që parlamenti, shefat, administrata, vetë tirania, nuk janë veçse një makth i përkohshëm, një lëndë e vdekur, në krahasim me urdhrin e madh, ithtar i të cilit je bërë ndërkaq.Për të mos u zgjatur, më lejoni t’ju kujtoj një episod të “Komedisë Hyjnore” të Dantes. Tek rrugëton nëpër ferr dhe Dante Aligieri trembet një çast nga një stuhi që po afron, mjeshtri i tij, Virgjili, i thotë: “Mos u tremb, është një stuhi e vdekur”.Në këto fjalë qëndron shpjegimi i asaj që përmenda më lart. Të arrish që stuhitë e regjimit t’i konsiderosh si stuhi të vdekura, këtu qëndron kyçi i sekretit. Dhe këtë kyç mund t’ia japë shkrimtarit vetëm arti i të shkruarit.Nuk ka qenë e lehtë që shkrimtari të ndihet i gjallë midis vdekjes.Në regjimet totalitare letërsia dhe artet u vunë përpara një prove mizore,të panjohur më parë në historinë e botës. Edhe më parë kanë qenë të njohura dënimet e shkrimtarëve, kanë qenë të njohura censura, burgjet, internimet.Por stalinizmi shkoi më larg. Ai nuk u knaq me ndalimin e veprave të shquara, ato që nganjëherë quhen si katedrale të artit. Ai u përpoq të varroste përjetë mundësinë e krijimit të tyre. Thënë ndryshe, ai u përpoq të prishte vetë lëndën nga e cila ngrihen katedralet. Ai u përpoq që të krijonte një racë të re shkrimtarësh, të tillë që, me duart e tyre, madje me shumë zell, ta prishin ata vetë letërsinë. Stalinizmi, në njëfarë mënyre ia arriti kësaj. Radhët e shkrimtarëve që e braktisën tempullin sa vente shtoheshin. Kurse të tjerët, besnikët e tempullit sa vente bëheshin më të paktë. Ne ishim minoritarë midis shkretëtirës së pafundme e të pashpresë të atij që quhej realizëm socialist.Ne u përpoqëm të krijonim letërsi sikur regjimi të mos ekzistonte.Disa herë ia arrinim e disa herë jo. Ideja se po krijonim pakëz ushqim shpirtëror për popullin tonë të burgosur, na jepte ngazëllim. Më lejoni të përsëris se ky ushqim shpirtëror ishte njëfarë buke, njëfarë galete e tharë e burgut. Dhe befas, një ditë, mu midis mesnatës së tiranisë, kjo bukë e burgut, ra rastësisht në duart tuaja. Në qytetet tuaja të lira, Paris, Londër, Neë York, Madrid, Romë, Vjenë, ju e morët në duar me kureshti atë galetë të burgut. Pastaj ju e provuat atë, ju e çmuat atë, ju thatë se ajo ishte e përshtatshme edhe për ju, njerëzit e lirë të botës së lirë.Për një shkrimtar shqiptar nuk mund të kishte vlerësim më të madh. Ishte një mrekulli e ngjashme me ato të shkrimeve të shenjta. Shqipëria e vogël, e harruar, e ndarë nga bota, gati-gati e varrosur, dha një shenjë se ende ishte gjallë. Ajo dha shenjën se, ndonëse tirania e kishte lidhur këmbë e duar, shpirtin nuk ia kishte skllavëruar dot.Ishte pikërisht kjo shenjë e dhënë nëpërmjet letërsisë dhe e kapur me fisnikëri nga ju, që bëri të mundur të pabesueshmen. Ajo bëri të mundur çmimin që më dhatë sot, ardhjen time në tokën e largët të Skocisë dhe, së fundi, vizitën që do të bëj nesër në shtëpinë e parë të imagjinatës sime, atë që më shumë se çdo ngrehinë tjetër, e ndezi fantazinë dhe pasionin tim për letërsinë, kështjellën e Makbethit, kryezotit të Glamsit.
Fjalimi i mbajtur në vtin 2005 me rastin e marrjes së Çmimit “ Man Booker International Prize “

Schreibe einen Kommentar

Trage deine Daten unten ein oder klicke ein Icon um dich einzuloggen:

WordPress.com-Logo

Du kommentierst mit deinem WordPress.com-Konto. Abmelden /  Ändern )

Facebook-Foto

Du kommentierst mit deinem Facebook-Konto. Abmelden /  Ändern )

Verbinde mit %s

Diese Seite verwendet Akismet, um Spam zu reduzieren. Erfahre, wie deine Kommentardaten verarbeitet werden..